Në thelb | Siguria

Temat e mëdha zgjedhore: Ushtria

Nga - 26.05.2017

Si të formohet Ushtria e Kosovës?

Vetëm edhe 17 ditë kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve, dhe emocionet janë në rritje e sipër. Megalomania dhe premtimet ambicioze mbizotërojnë në diskursin politik, ndërsa lajmet 24-orëshe kërcejnë nga intervista në intervistë, nga tema në temë.

Në këtë seri, K2.0 po e bën një hap mbrapa. Duke shkruar për tema të ndryshme deri në zgjedhjet e 11 qershorit, po i mbulojmë disa çështje kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova sot, dhe po i paraqesim disa prej zgjidhjeve të cilat i ofron secila prej pesë partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend gjatë mandatit të kaluar parlamentar; programet e tyre, manifestot e tyre, politikat e tyre.

Njëra prej çështjeve thelbësore me të cilat do të ballafaqohet Kuvendi i Kosovës gjatë mandatit të ardhshëm është transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtrinë i Kosovës. Për ta formuar ushtrinë nevojiten ndryshimet kushtetuese, të cilat kërkojnë dy të tretat e të gjitha votave të Kuvendit, duke përfshirë edhe shumicën e votave të 20 ulëseve të rezervuara për deputetët e komuniteteve pakicë në Kosovë, e cila mund të arrihet vetëm me mbështetjen e deputetëve serbë.

Përpjekja e fundit për të bërë amandamentimet e tilla kushtetuese nëpërmjet Kuvendit ndodhi në vitin 2014. Seanca e thirrur për këtë votim u bojkotua nga përfaqësuesit e Listët Srpska. Pa mbështetjen e Listët Srpska, qeveria e koalicionit PDK-AAK nuk arriti t’i siguronte votat e mjaftueshme të cilat nevojiten për ta bërë këtë votim të detyrueshëm, dhe mocioni dështoi.

Në shkurt të vitit 2017, në sajë të tensioneve të shtuara me Serbinë, AAK-ja propozoi një rezolutë në Kuvend duke propozuar hartimin e një strategjie e cila do të ndihmonte në transformimin e FSK-së në Ushtrinë e Kosovës. Rezoluta u miratua, dhe të gjitha partitë votuan në favor të saj, përveç Listës Srpska, e cila e bojkotoi seancën. Rezoluta e autorizonte Qeverinë të koordinohej me Kuvendin dhe t’i dorëzonte një strategji për transformimin e FSK-së, por asnjë hap i mëtejshëm nuk u ndërmor.

Më 7 mars, 2017, Presidenti dhe ish-lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, i dorëzoi Kuvendit një projektligj, me të cilin synonte t’i ngriste kapacitetet e FSK-së, që aktualisht numëron 2,500 ushtarë aktivë, si dhe ta forcojë misionin e saj. Thaçi, i cili duket i vendosur t’i marrë meritat për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, po përpiqej t’i anashkalonte ndryshimet e nevojshme kushtetuese, plan i cili u kritikua nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, si Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja. Projektligji kurrë nuk u votua në Kuvend.

Si ka ndikuar kjo tek partitë sa i përket ideve të tyre rreth themelimit të ushtrisë? A kanë ata plane konkrete për t’i bindur përfaqësuesit serbë në Kuvend? Çfarë është qëndrimi i tyre ndaj projektligjit të Thaçit? K2.0 i ka analizuar programet politike të partive kryesore dhe i ka pyetur se si, dhe kur, planifikojnë ta formojnë Ushtrinë e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Programi zgjedhor i PDK-së 2014-18, “Misioni i Ri” dukej se po e konsideronte formimin e Ushtrisë së Kosovës si një përfundim të kryer, duke i përmendur në shumë vende ‘Forcat e Armatosura të Kosovës’ dhe ‘Forca e re e Kosovës’ në ‘vizionin e saj për mandatin e ardhshëm’ dhe në pjesën e prioriteteve të ardhshme të kapitullit të sigurisë.

Pasi që mocioni i PDK-së në vitin 2014 dështoi, Zëvendëskryesministri i atëhershëm dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, premtoi në prill të vitit 2015 se Ushtria e Kosovës do të formohej atë vit, megjithëse nuk kishte asnjë përpjekje nga koalicioni PDK-AAK për ndryshime kushtetuese. Thaçi u largua nga PDK-ja ku u shpall President në vitin 2016, dhe e propozoi projektligjin e tij në Kuvend, në mars të vitit 2017.

PDK-ja i dha mbështetje të njëzëshme planeve të themeluesve të saj, përkundër rezervave të bashkësisë ndërkombëtare. Më 7 mars, ish-Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e PDK-së, Agim Çeku, deklaroi në një konferencë shtypi se PDK-ja i jep mbështetje të fortë dhe të parezervë nismës së Presidentit Thaçi për ta ndryshuar misionin, rolin, detyrat dhe organizimin e FSK-së.

PDK-ja aktualisht është në proces të krijimit të një platforme të përbashkët me partnerët të koalicionit parazgjedhor, AAK dhe Nisma, partitë të cilat i kanë ofruar mbështetje projektligjit të Thaçit. K2.0 kontaktoi me koordinatorin për shtyp të PDK-së, Blerand Stavileci, për ta pyetur rreth asaj se si partia do të përpiqet ta transformojë FSK-në në ushtri, dhe hapat që do t’i ndërmarrin për ta bindur Listën Srpska për këtë plan. Nuk morëm kurrfarë përgjigje.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në pothuajse tërë manifestin e saj politik, që përfshin 23 faqe, e përmend FSK-në vetëm në një vend, ku partija thekson nevojën për tu angazhuar me FSK-në për të vazhduar zhvillimin e saj.

Sidoqoftë, programi paraprin përpjekjet për të shndrruar FSK-në në ushtri, prandaj K2.0 ka kontaktuar, Anton Qunin, kandidatin për deputet të LDK-së, njëherit anëtar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Punëve të Brendshme, Sigurisë dhe FSK-së në legjislaturën e fundit.

Quni i tha K2.0 se LDK do të ketë në konsideratë qëndrimet e zyrtarëve të NATO-s dhe SHBA-ve sa i përket mënyrës së transformimit të FSK-së në FAK. Më herët këtë vit, zyrtarë të NATO-s dhe SHBA-së kanë theksuar se transformimi i FSK-së duhet të ndodh me ndryshime kushtetuese, dhe me pajtimin e minoriteteve.

Quni nuk ka dhënë detaje konkrete se cili është plani i LDK-së për procesin transformues të FSK-së, por ka lënë të kuptohet se çështja nuk është ‘bardh e zi’ dhe është shumë më komplekse sesa që duket në opinion. “Siguria Nacionale e Republikës së Kosovës, ndër të tjera varet edhe nga partneriteti dhe miqësia e sinqertë me vendet demokratike”, i tha ai K2.0, duke shtuar që uniteti në mes të gjitha subjekteve politike dhe bashkëveprimi më i mirë me faktorët ndërkombëtarë do të ndihmojë t’i bindë skeptikët për nevojën e krijimit të kapaciteteve ushtarake.

Megjithatë, Quni nuk i është përgjigjur K2.0 në pyetjen sa i përket asaj nëse LDK ka ndonjë plan konkret se si t’i bind përfaqësuesit serbë në parlament, votat e të cilëve kërkohen me shumicë absolute për ndryshime kushtetuese.

Sipas Qunit, pikënisja më e mirë për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës është Rezoluta e Parlamentit të Kosovës, e miratuar në mes të muajit shkurt 2017, dhe hartimi i strategjisë, por “gjithnjë në bashkëveprim të ngushtë me SHBA-në, NATO-në dhe BE-në”.

Vetëvendosje (VV)

Si në rastin e të gjitha partive të mëdha të Kosovës, edhe programi i Alternativës Qeverisëse të Vetëvendosjes i vitit 2013 thekson nevojën që Kosova ta formojë ushtrinë e vet, pohim i cili vazhdimisht u rikonfirmua nga përfaqësuesit e kësaj partie përgjatë viteve.

K2.0 kontaktoi me ish komandantin e UÇK-së dhe ish-deputetin e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, për ta pyetur në lidhje me atë se si partia synon t’i përmbushë hapat e nevojshëm për ta transformuar FSK-në në Ushtrinë e Kosovës. Megjithëse e konfirmoi mbështetjen e fortë të partisë për ushtrinë, Selimi nuk zbuloi politika specifike për ta bërë këtë realitet.

Kur u pyet se si do ta tejkalonte Vetëvendosja bllokadën e shkaktuar nga mungesa e mbështetjes nga Lista Srpska, pa votat e së cilës transformimi nuk mund të ndodhë, Selimi nuk ofroi propozim specifik, por përmendi një marrëdhënie të re me serbët e Kosovës në kuadër të Qeverisë së Vetëvendosjes.

“Lista Serbe si subjekt politik nuk e ka të drejtën ekskluzive të përfaqësimit të qytetarëve nga pakica serbe në Kosovë”, i tha Selimi K2.0. “Qeveria e Vetëvendosjes do të ketë relacion krejt tjetër me qytetarët tanë të pakicës serbe duke e përjashtuar Serbinë nga zhvillimet politike në Kosovë dhe duke iu dhënë përfaqësuesve legjitim mundësinë e fjalës dhe veprimit të lirë”.

Programi i Alternativës Qeverisëse të Vetëvendosjes i ka disa ide sa i përket formacionit dhe veprimtarisë së Ushtrisë së Kosovës, në rast se Kosova do të ketë sukses në formimin e saj. Në bazë të programit, Vetëvendosja beson se forcat e armatosura të Kosovës duhet të numërojnë rreth 20,000 pjesëtarë dhe duhet të bashkëpunojnë edhe me aleatët e NATO-s edhe me Ushtrinë e Shqipërisë, me të cilën do t’i koordinonte detyrat — politikat të cila, sipas Selimit, ende parashikohen.

Programi poashtu përmban një karakteristikë të veçantë sa i përket ushtrisë së ardhshme të Kosovës — se shërbimi ushtarak do të jetë i detyrueshëm. K2.0 e pyet Selimin për më shumë detaje sa i përket këtij shërbimi të paraparë: moshën e regjistrimit, kohëzgjatjen e shërbimit, nëse kjo do të vlejë për të gjithë qytetarët kosovarë, dhe përse duhet të jetë i detyrueshëm. Ne morëm përgjigjen në vijim: “Zhvillimet sa i përket forcave ushtarake janë procese që kanë përditësime të shpeshta. Modelet e shumë prej vendeve demokratike dhe të zhvilluara do të jene model edhe për Kosovën. Prandaj ka vende që gjithmonë e kanë pasur shërbimin e detyrueshëm ushtarak siç është Zvicra por ka vende të cilat nuk e kanë pasur dhe e kanë rikthyer përsëri shërbimin e detyrueshëm ushtarak siç është Kroacia. Ne kushtet e Kosovës, është e nevojshme qe të ketë shërbim ushtarak të detyrueshëm në përputhje edhe me specifikat e Kosovës”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Në pjesën e ‘integrimit dhe të sigurisë’ të programit të vitit 2014, AAK-ja u zotua se do ta transformonte FSK-në në Ushtrinë e Kosovës brenda katër vjetësh. Përveç propozimit të rezolutës së muajit shkurt, udhëheqësi i partisë dhe ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, u zotua se ushtria do të formohej brenda 90 ditësh prej momentit të ardhjes së tij në krye të Qeverisë së Kosovës në RTK të transmetuar më 22 maj. Ky premtim vjen pas komenteve të bëra në prill të këtij viti, kur Haradinaj i tha Radiotelevizionit 21 se Kosova së shpejti duhet ta formojë ushtrinë e vet, qoftë përmes projektligjit qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Edhe kjo deklaratë e Haradinajt, edhe komenti i mëparshëm i bërë në mars të vitit 2017, kur udhëheqësi i AAK-së i tha Blic-it se çdo veprim i ndërmarrë për ta formuar ushtrinë është i mirëseardhur, duket se flet për mbështetjen për projektligjin kundërthënës të Presidentit Thaçi. Haradinaj do të garojë për postin e Kryeministrit në kuadër të koalicionit parazgjedhor të formuar ndërmjet AAK-së, Nismës, dhe partisë së themeluar nga Thaçi, PDK-së.

K2.0 e kontaktoi AAK-në për të zbuluar se cilët janë hapat konkret që ata do t’i ndërmarrin për t’u siguruar se Ushtria e Kosovës do të formohet nëse ata i fitojnë zgjedhjet, por AAK-ja refuzoi të përgjigjej, duke theksuar se ata do të refuzojnë t’u përgjigjen pyetjeve deri në publikimin e platformës së përbashkët të koalicionit për zgjedhjet e vitit 2017. Asnjë përfaqësues i këtyre tri partive nuk u paraqit në debatin për ushtrinë të organizuar nga Televizioni Klan Kosova të mbajtur më 24 maj.

Nisma për Kosovën

Programi i Nismës i vitit 2016 nuk përmend politika sa i përket çështjeve të sigurisë, ndërsa e vetmja ushtri e përmendur aty është Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Megjithatë, përfaqësuesit e partisë i kanë dhënë mbështetje projektligjit të Presidentit Thaçi. Pasi Thaçi e bëri publik propozimin e tij, ai gjeti mbështetjen te Haxhi Shala, që në atë kohë ishte deputit i Kuvendit nga radhët e Nismës, i cili deklaroi se “gjithçka që ishte në interesin e vendit, pavarësisht se kush e ndërmerr iniciativën, ne, si Nismë, e mbështesim atë, dhe prandaj edhe e mbështësim [projektligjin] fuqishëm”.

Nisma do të garojë në këto zgjedhje në koalicion me AAK-në dhe PDK-në, i cili do ta bëjë publike platformën unike e cila po mbahet sekret i madh. K2.0 e kontaktoi Nismën për shpjegime të mëtutjeshme në lidhje me politikat dhe vizionin e tyre për transformimin e FSK-së në ushtri por nuk morri përgjigje.

Në shkurt të vitit 2017, në sajë të tensioneve të shtuara me Serbinë, AAK-ja propozoi një rezolutë në Kuvend duke propozuar hartimin e një strategjie e cila do të ndihmonte në transformimin e FSK-së në Ushtrinë e Kosovës. Rezoluta u miratua, dhe të gjitha partitë votuan në favor të saj, përveç Listës Srpska, e cila e bojkotoi seancën. Rezoluta e autorizonte Qeverinë të koordinohej me Kuvendin dhe t’i dorëzonte një strategji për transformimin e FSK-së, por asnjë hap i mëtejshëm nuk u ndërmor.K

Fotografia kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0

Për më shumë rreth asaj se ku qëndrojnë partitë politike në hartën ideologjike, shikojeni videon e K2.0 për ideologjitë këtu si dhe programet politike rreth problemtaikës së papunësisë këtu dhe arsimit këtu.