S`fundmi | K2.0

K2.0 lanson #PoDuMeDitë – Kërko përgjigje

Nga - 17.10.2016

Çka po don me ditë?

Si qytetarë, shumë prej neve, tash e një kohë, jemi të mendimit që institucionet nuk dëgjojnë; që ne, si qytetarë, kemi pak ndikim në gjendjen aktuale. Ndihemi të pafuqishëm, të keqinformuar apo edhe të mosinformuar. Ndihemi të gënjyer, dhe në shumë raste, mbizotëron apatia.

Sot Kosovo 2.0 lanson një fushatë online të quajtur #PoDuMeDitë.

#PodumediteÇka po don me ditë? #podumedite

Posted by KOSOVO 2.0 on Monday, 17 October 2016

 

Po dojmë me kthy të drejtën tonë dhe gatishmërinë tonë për me ditë, sepse ne, si qytetarë, meritojmë transparencë dhe kemi nevojë për të, në mënyrë që institucionet me na jep llogari për veprimet e tyre; në mënyrë që korrupsioni mos me u bo pjesë e normalitetit – në mënyrë që me u rritë si shoqëri që vepron dhe përparon.

Prej 17 tetorit deri me 26 nëntor, K2.0 ju inkurajon që me përdorë thurrjen/hashtag-un #PoDuMeDitë në rrjete sociale për me shtru pyetje, ose për çështje që kanë ndikim në jetët e juaja të përditshme, ose për çështje në lidhje me të cilat ju besoni ka nevojë më shumë transparencë nga ana e institucioneve – me i publiku kërkesat e juaja.

Pyetjet mund të jenë për çfarëdo çështje publike që është e rëndësishme për juve: Kur ka me pasë Prishtina ujë 24/7? Kush po përfiton nga banimi social? A po ecë me kohë rindërtimi i stadionit? Ose, ku shkon pagesa jeme e taksave të ambientit?

Mund të kërkoni informata për tema të ndryshme, prej caktimit të buxhetit publik, te lufta kundër dhunës me bazë gjinore, te kërkimi i transparencës nga ana e fituesve të tenderëve, e deri te pyetjet për rrogat e deputetëve, ose atë se pse një projekt i caktum i ruajtjes kulturore po vonohet shumë.

Për të qenë më efikas dhe për me ndihmu që me u arritë synimi i fushatës, ju inkurajojmë që t’i bëni tag direkt institucionet ose përfaqësuesit individual në pyetjet e juaja online, dhe ne si K2.0 gjithashtu kemi me ju ndihmu që mesazhet e juaja me ju drejtu personave të duhur. Mos harroni me përdorë thurrjen/hashtag-un #PoDuMeDitë në mënyrë që të gjithë personat e interesum në kërkesat e juaja publike me i pa pyetjet.

Për këtë fushatë i kemi informu përfaqësuesit lokal, kombëtar, dhe institucionet e pavarura të shtetit, dhe gjithashtu i kemi inkuraju ata që me marrë pjesë dhe te me reagu ndaj pyetjeve të qytetarëve gjatë kësaj periudhe kohore.

Në fund të fushatës me thurrje/hashtag, kemi me i mbledhë të gjitha pyetjet, me pa se cilat kanë marrë përgjigje e cilat jo, dhe e me i hetu këto pyetje, dhe me kërku më shumë informata rreth tyre.

Koha ka ardhë me kërku përgjigje.

#PoDuMeDitëK

Fushata # PoDuMeDitë është mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë.