Blogbox | Demokraci

2007 vs. 2017

Nga - 27.05.2017

Të mendoni për disa gjëra para se të votoni.

Të mendojmë dhe vlerësojmë mënyrën e funksionimit të partive politike që janë në garë. Mos votoni për ato subjekte të cilat ditën e zgjedhjeve veprojnë si organizata kriminale; duke e blerë votën, mbushin automjetet dhe obligojnë daljen në zgjedhje, mbushin kutitë e votimit, apo kërcënojnë qytetarët. Sepse e njejta metodë do të përdoret nëse të njejtit do qeverisin.

Disa fjalë të sinqerta për të gjithë miqtë, votuesit e 11 qershorit, dhe në veçanti votuesit e rinj nga komuna e Rahovecit. Jam shumë i vetëdijshëm që këto çfarë po shkruaj, deri në datën e zgjedhjeve do harrohen nga shumica, e disa do ta lexojnë vetëm titullin apo një paragraf. Por, do të isha shumë i lumtur që së paku njëri nga lexuesit do të kujtojë ndonjë fjali në ditën e zgjedhjeve. Ky fakt më mjafton. Prandaj, ju lutem keni durim dhe lexojeni deri në fund.

Këto ditë, kur po thuhet, dëgjohet dhe shkruhet shumë për zgjedhjet e 11 qershorit, m’u kujtua viti 2007. Ky vit ishte i një rëndësie të veçantë për mua dhe bashkëmoshatarët e mi. Ishte vit kur për herë të parë kishim të drejtë t’i zgjedhim përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Kosovës, ndjenjë shumë e bukur. Së paku ditën e zgjedhjeve më është dukur vetja i rëndësishëm!

Mirëpo, në gjithë këtë entuziazëm kishte një gjë që nuk shkonte. Euforia, naiviteti i një votuesi të ri, fakti që po ndihesha me “peshë”, kishte fituar mbi ndjenjën më të rëndësishme, atë të përgjegjësisë. Nuk po them që në fund vota ime shkoi për kandidatët e gabuar, por para 10 vitesh nuk po ia dija mjaftueshëm rëndësinë e votës sime, por po e konisderoja vetën më të rëndësishëm se sa votën.

"Një qeveri që do ta luftonte korrupsionin, që do të punonte për zhvillim ekonomik, mirëqenie për të gjithë, dhe jo për të privilegjuarit disa? Kjo fillon duke e ndryshuar raportin tonë me politikën, politikanët, partitë politike".

Betim Zllanoga

Në të gjitha zgjedhjet tjera, parlamentare apo lokale pas vitit 2007 (dhe ishin disa sosh), jam munduar që entuziazmin për të votuar ta konsiderojë jo vetëm të rëndësishëm, por të shenjtë. Jo vetëm përgjegjësi ndaj vetës, por përgjegjësi edhe ndaj të tjerëve. Dhe para vendimit për dhënie të votës, do kaloja shumë më shumë kohë duke i vlerësuar kandidatët dhe ofertën e partive politike.

Kosova, nuk është që ka pasur ndonjëherë zgjedhje demokratike, në kuptimin e plotë të saj. Ka pasur zgjedhje me vjedhje industriale të votave, zgjedhje jo të mira, dhe zgjedhje që plotësojnë standardet minimale të botës normale. Si rezultat i të cilave kemi pasur qeveri të papërgjegjshme, zyrtarë të korruptuar, ekonomi të pazhvilluar dhe mungesë të mirëqenies për qytetarët e Republikës sonë të re.

Arsyet pse kemi pasur në vazhdimësi një klasë të tillë politike, ndërlidhen kryesisht me mënyrën si ne vendosim të përkrahim një parti, apo kandidatë për të na përfaqësuar. Pra, nëse votuesi ditën e zgjedhjeve dhe ditët paraprake është i përgjegjshëm ndaj votës, atëherë edhe i votuari do të jetë i tillë. Çfarë dhe si duhet të veprojmë si shoqëri, si votues të rinj, si votues me përvojë, si qytetarë të përgjegjshëm që të kemi një përfaqësim dinjitoz në kuvend. Një qeveri që do ta luftonte korrupsionin, që do të punonte për zhvillim ekonomik, mirëqenie për të gjithë, dhe jo për të privilegjuarit disa? Kjo fillon duke e ndryshuar raportin tonë me politikën, politikanët, partitë politike.

Janë disa gjëra bazike të cilat duhet pasur parasysh para se të vendosim për dhënien e besimit për të na përfaqësuar. Duhet të jemi kritikë në vlerësimin e kandidatëve, mos iu besoni pallavrave. Mendoni për veprat dhe kontributin e tyre paraprakisht, në pozitat tjera që kanë pasur. Nuk duhet t’i besoni një kandidati që do ju përfaqësoj denjësisht në kuvendin e Republikës, përderisa gjatë me angazhim apo mos angazhim nuk kanë dhënë as më të voglin kontribut për shoqërinë. Për më shumë kanë përfituar në kurrizin e qytetarëve. Mos i votoni ata të cilët të vetmin profesion e kanë politikën.

Të mendojmë dhe vlerësojmë mënyrën e funksionimit të partive politike që janë në garë. Mos votoni për ato subjekte të cilat ditën e zgjedhjeve veprojnë si organizata kriminale; duke e blerë votën, mbushin automjetet dhe obligojnë daljen në zgjedhje, mbushin kutitë e votimit, apo kërcënojnë qytetarët. Sepse e njejta metodë do të përdoret nëse të njejtit do qeverisin.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme është përkujdesja ndaj procesit zgjedhor dhe roli ynë. Të gjithë ne si qytetarë duhet ta mbrojmë votën duke mos lejuar keqpërdorimin e saj. Qofshim vetëm votues, komisioner për zgjedhje, monitorues i zgjedhjeve apo anëtar i ndonjë partie politike. Vetëm kështu mund të shpresojmë në një të ardhme më të mirë për gjeneratat pas nesh.

Fotografia kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.