Blogbox | Trillim

2028 Noir

Nga - 16.02.2018

Qiti syzet tredimensionale për ta pasuruar përvojën e jetuar.

Kurrë nuk kam pasur dyshime për punën time, deri atë ditë kur ai erdhi në zyrën time.

“M’duhet ndihma juaj”, tha ai. “M’kanë sillë rreth e përqark qe shtatë muaj, dhe koha po m’shkon. M’thanë se je qikë që kryen punë. Ma e mira m’thanë”.

Edhe pse agjente udhëtimesh, unë asnjëherë nuk kam qenë jashtë Kosovës. Mos më keqkuptoni. E adhuroj udhëtimin. Prandaj edhe punoj në këtë industri. Por asnjëherë nuk i kisha kushtet për të paguar për një gjë të tillë. Jo shumë njerëz munden ditëve të sodit.

Por kjo nuk është çfarë i them klientëve të mi. Sa u përket atyre, unë jam kosovarja që ka udhëtuar më së shumti qëkur Konfederata Europiane e ka sjellë Rregulloren e Sigurisë dhe Udhëtimit më 2025. Shefi im gjithmonë ka qejf t’na kujtojë se kjo jo vetëm që e ka shpëtuar industrinë tonë në Kosovë, por madje i kishte dhënë këtij sektori një shtytje të llahtarshme. Puna kurrë s’ka shkuar më mirë. Por kjo nuk do të thotë se njerëzit udhëtojnë. Përkundrazi; sa më pak që mund të udhëtojnë, aq më shumë ne fitojmë.

Photo: Atdhe Mulla / K2.0.

Por, kujt i duhet udhëtimi. Krejt çfarë ju duhet sot është të keni një paketë me oferta të realitetit virtual, dhe ju mund ta vizitoni cilindo vend në botë që t’ju dojë zemra. Pa pasur nevojë për pritje në radhë. Pa merakosje për viza dhe dokumente. Pa mot të keq. Pa probleme me kamarierë dhe shërbim të keq. Vetëm ju, kolltuku juaj i rehatshëm, ndoshta pak çaj të ngrohtë, dhe syzet AR/VR.  

I ula syzet, si një bibliotekiste nga koha kur akoma lexoheshin librat e shtypur. Të gjithë i kemi taktikat tona të shitjes dhe kjo ishte njëra prej taktikave të mia. E shikoja disi vjedhurazi nga pjesa e sipërme e kornizës së syzeve AR/VR, dhe i thashë:

“Paj, është dita juaj me fat, zotëri. Jeni në vendin e duhur. Si mund t’ju ndihmoj”?

“Më duhet të udhëtoj. Për në KE”, tha ai. “Natyrisht, kam nevojë për vizë për të hyrë në Konfederatë. Mendoja se kisha mjaft kohë. Kujtova se po t’i filloja përgatitjet më herët, krejt do të ishte gati deri tani. Por, m’kanë mashtru”.

“M’vjen keq. Ka plot hajna n’këtë qytet. Duhet t’jeni më të kujdesshëm”.

Diqysh, sikur e ndieja se do t’më binte telashe. Mund të kishte qenë mosha e tij, që kutërbonte në vdekje dhe tradita moti të braktisura. Mbase ishte zëri i tij plot lutje, i dobët e qyqar. Apo ndoshta ishte dëshpërimi që e kishte në fytyrë, sikur të kishte harruar ta vinte maskën e frymëmarrjes kur kishte vendosur të vinte e të ecte përgjatë Prishtinës në këmbë. Sikur gjatë fëmijërisë të mos më ishin dëmtuar shqisat e të nuhaturit nga krejt ajo ndotje, mbase edhe do të mund ta ndieja trupin e tij tek avullonte helmet tona “autoktone”.

Mbase ajo që më la përshtypje ishte mënyra se si dukej Plakushi. Një xhemper i thjeshtë ngjyrë kafe, pantollona të hirta, dhe xhaketë e kaltër. As edhe një rrobë me ndonjë firmë të njohur. Po të mos dija ndryshe, as që do të humbja kohë; do ta largoja pa menduar dy herë. Por, unë i di gjërat.  

“Më kanë gënjyer”, tha ai, “ata, të tjerët. I kam pagu aq sa më kanë kërku. Më kanë thënë se krejt ka me qenë në rregull. Kemi mjaft kohë, thanë. Por asgjë. Kurrfarë rezultati. Kjo do të duhej të ishte udhëtimi im jetësor, po tash —”

Para se ta mbaronte fjalinë, me syzet e mia tashmë e kisha skanuar dhe e kisha përfunduar vetingun. Nuk kishte aplikacione sociale. As selfie të skenuara. As ndonjë prezencë kibernetike. Ishte fantazmë. E kishte një foto të vetme, por pa filtra dhe efekte. Kush poston fotografi natyrale n’ditë të sotit? Do të më sjellë plot telashe, mendova. Por, ka plot tipa ekscentrikë. Përfundi asaj fasade pa modë, mund të fshihej një thes plot para, një balenë e stërmbushur me para. Krejt çka duhej të bëja ishte të shpenzoja pakëz kohë për ta zbuluar.

Mbase ky mund të ishte ai, mendova. Dëshpërimisht më duhej të bëja një shitje të madhe — mbase “premium ofertën e përshpejtuar”. Mendoja për para dhe arsyen pse më duheshin: Kujto familjen. Kujto planin e madh. Çfarë po sheh? Po, po, qajo. Përgtitu për të qenë e pamëshirshme. S’ka shpirtbutësi derisa nuk i arrin qëllimet. Fokusohu. Merr frymë. Lësho frymë. Gjendjen e ke nën kontroll, i thashë vetes.

Krejt çka duhej të bëja ishte ta bindja. ‘Kur ke vëndosmëri, e gjen mënyrën’, thotë gjithmonë shefi im. Nuk të bie shpesh të kesh punë me kësi plakushë. Lashtanikët si ky janë në zhdukje e sipër. Por nëse ia del t’ua tërheqësh litarin e grepit siç duhet, ata janë gjithmonë të gatshëm t’i shpenzojnë ato paratë e vjetra që i mbajnë të fshehura nën jastek.

“Oh, sa e pasjellshme që jam”, thashë unë, dhe fillova atë lojën e zakonshme që ua bëj krejt klientëve. “Çfarë agjente udhëtimesh do të isha nëse nuk do t’ju bëja një turn të agjencionit tonë të vockël. Hajdeni”.

“Ha”? E zura të papërgaditur dhe paksa të hutuar, por të paktën nuk foli.

“Hajde t’ju qes një pije”, i thashë dhe ëmbëlsisht rreth dorës së tij e mbështolla timen, si një mbesë me gjyshin e saj. “Mbase një kafe”.

Dhe kështu fillova ta shëtis nëpër zyrën tonë. E çoja prej një salle në tjetrën; të gjitha të ndërtuara nga xhami, druri, e betoni, qëllimisht të dizajnuara kështu për të krijuar ndjenjën e luksit për t’i joshur shijet e fundit arkitektonike të kosovarëve, që në fakt ishte çkado që të bënte të ndieheshe sikur të ishe në Konfederatën Europiane.

Pas pak e çova tek mashtrimi ynë më i madh — mbase që nga (dhe, të ma falni humorin e gjeneratës së foshnjeve të lirisë) shpikja e atyre slloganeve “Liri! Demokraci! Pavarësi!” që i mësonim në orët e historisë — kafja gratis për klijentët tanë. Por jo çfarëdo kafe. Kjo ishte në nivel gurmanësh. E vërtetë dhe bio. Pa shtojca që e maskojnë, ndryshojnë, apo simulojnë shijen e caktuar për një popullsi të tërë me shqisa kimikisht të dëmtuara të shijes pas viteve të tëra të thithjes së tymit helmues.

Në rregull, kafeneja jonë vërtet i ngjason më shumë një laboratori sesa një vendi ku mund të zihet një filxhan kafeje turke, por, hej, ç’të bësh, punojmë me kushtet që i kemi. Plus, këta plakushët i kanë qejf sendet e vjetra; ‘kur kafja ishte kafe’, siç ka qejf të thotë shefi im.

“A qenka nga ato të vërtetat?” — pyeti.

“Po. Zor se e gjeni tjetërkund n’ditë të sodit”. E dija se kafja e stilit të vjetër do t’i pëlqente.

Me t’i pirë nja dy-tri gllënjka, Plakushi u gjallërua dhe përsëri nisi të llomotiste për arsyen dhe dëshirën e tij për udhëtim.

“Dhe, siç ju thashë, ky zbulim është një triumf i vërtetë për shkencëtarët kosovarë”, tha ai. “Kjo është hera e parë që dikush nga Kosova do të pranojë një çmim të tillë. Kështu që ky udhëtim — ”

Blla-blla-blla, mendova, punë e madhe. Nuk je ti i vetmi që merresh me shkencë, mendova. Për një shtet me rezultatet më të dobëta për shkollat e mesme në testin e PISA-s, jemi vendi me numër më të madh të titujve të avancuar shkencorë për kokë banori.

Por e vërteta ishte se ia kisha pakëz zilinë. Më kishte prekur në tel. I kisha dy magjistratura dhe një doktoraturë, dhe isha duke punuar në doktoraturën time të dytë. Por për momentin kisha hasur në një pengesë të vogël. Akoma nuk i kisha paratë për të paguar për shërbimin e shkrimit të temës së diplomës.

Fokusohu, i thashë vetes. Sapo ta bëj këtë shitjen e madhe kur Plakushi e blen “premium ofertën e përshpejtuar”, do ta fitoj përqindjen e madhe. Me këtë do të mund ta paguaj çmimin për shkrimin e tezës dhe do ta marr diplomën. Përfundimisht, do të kem qasje në punë më të mira. Dhe tung e keni, o ju orë të gjata. Merr frymë, i thashë vetes. E ke çdo gjë nën kontroll. Kështu do i dalësh zot familjes sate. Kjo është e tëra. Pazari është pazar. Shitja është shitje. Përderisa kryhet, nuk ekziston mënyrë e drejtë apo e gabuar për ta bërë atë.

“Kështu që, besoj se e sheh pse është aq e rëndësishme për mua të udhëtoj atje personalisht”, tha Plakushi, ndërsa unë vazhdoja buzëqeshjet dhe tundjet e kokës.

Ndërsa vazhdonte të fliste për arsyen e udhëtimit të tij dhe i përsëriste vështirësitë e marrjes së vizës, unë fillova të shpërqëndrohem. Krejt këto ishin informata të panevojshme; kishte vetëm një zgjidhje — pagesa e të ashtuquajturës “premium ofertës së përshpejtuar”.  Por klientët, për çfardo arsye, shpesh këmbëngulin të më shpjegojnë detajet e jetëve të tyre, arsyet e udhëtimit, dhe gjithfarë tregimesh të tjera për telashet dhe dështimet e mëhershme me dokumente, të cilat eventualisht i kanë sjellë tek unë.

Në këto raste unë veq e tundi kokën dhe kohë pas kohe lëshoj ndonjë buzëqeshje të lehtë. Ndonjëherë hiqem sikur po mbaj shënime përmes AR/VR syzeve të mia, por në fakt jam kjo gjë më duket e mërzitshme tej mase, dhe ka gjasa të jem duke shfletuar lajmet.

Edhe atë ditë, sikur çdo dite tjetër, ishin po të njëjtat pallavra, të ripërpunuara nga algoritmet e botëve të gazetarisë. Enklava Veriore përsëri kërcënoi me referendum për pavarësi. Kjo shkaktoi një rënie të lehtë të vlerës së kriptovalutave lokale për shkak të dyshimeve për të ardhmen dhe stabilitetin e veprimtarisë së tyre, ngaqë shumica e xehëtarive kibernetike gjenden në veri.

Forcat e Armatosura Republikane kishin blerë një kontigjent të dronëve vëzhgues, dhe ishin akuzuar nga opozita për shkelje të mandatit të tyre kushtetues gjatë këtij procesi, ngaqë dronët do të mund të armatoseshin lehtësisht. Protestuesit majtistë përsëri kishin dalur rrugëve duke kërkuar përmirësimin e të drejtave të punëtorëve. Protesta kishte eskaluar në dhunë, dhe Konsorciumi Qendror i Biznesit i akuzoi se duan ta sabotojnë ekonominë, dhe gjithashtu i quajti “ushujza të ndihmave sociale që duan të jetojnë nga djersa e të tjerëve”.

Numratori, monumenti i cili kujton numrin e shteteve që e kanë pranuar Republikën e Kosovës, tani kishte fiks tre vjet pa asnjë ndryshim. E njëjta gjë duket të ketë ndodhur me reformën në shëndetësi, me barazinë gjinore, si dhe me çështjen e demarkacionit të kufijve kibernetikë pas shpalljes së “Resolutës shtesë për neutralitet të rrjeteve” nga Kombet e Bashkuara. “Nuk do t’i lëshojmë IP adresat tona”, kishte deklaruar rezistenca e hakerëve vendorë.

Pallati i Operas dhe Baletit ishte shitur për t’u kthyer paratë kreditorëve si rezultat i borxheve të akumuluara gjatë ndërtimit të tij. Një artikull tjetër shtjellonte shfaqjen e një klase të re shoqërore. “Të pasurit, të edukuarit, dhe të famshmit: Një tregim për aristokracinë çlirimtare”, ishte titulli që premtonte ekspozimin e jetëve të privilegjuara të djemve, vajzave, kushërinjve, dhe pasardhësve të politikanëve të Kosovës. M’u duk i gjatë, dhe zor se do ta lexoja.

“Gati ia paska vlejtë rruga ime deri këtu, vetëm e vetëm për këtë kafe”, tha Plakushi më në fund, ndërsa e piu gllënjkën e fundit duke e çuar filxhanin aq lart saqë për pak u frikësova se do ta nxirrte nga vendi qafën e tij plot rrudha.

Fytyra e tij tani shkëlqente me kënaqësi dhe përmbushje. Ishte koha për fazën e dytë të taktikave të mia të shitjes. E çova tek suita jonë e realitetit virtual. Ishte koha që përvojës reale me kafe t’i shtohej pak shije kibernetike.

Salla e gjerë ishte e mbushur me rradhë kolltuqesh të rehatshme të ndara me separe gjysmëprivate. Thonë se kjo dikur kishte qenë njëfarë salle sportesh, aty ku luheshin sportet, për së gjalli, fizikisht. Shumë kohë më parë. Thonë se kur korporata jonë e bleu ndërtesën, ajo ishte lënë aq shumë pas dore, saqë fillimisht mendonin ta shembnin krejtësisht. Mendonin se do të shërbente më mirë si një parking nëntokësor.

Por, një renovim i vockël mund të bëjë çudira, veçanërisht kur asetet publike blihen për një të thërrmijtën e asaj sa kushtojnë në të vërtetë. Kështu thonë, të paktën. (Me siguri ishte për të mirë; kështu politikanët akoma mund të bëjnë fushata me premtime të planeve të mëdha për një parking nëntokësor.)

“Mrekullueshëm, mrekullueshëm”, tha Plakushi. “M’i kujtojnë ulëset e aeroplanëve. Ato të klasit të parë”.

“A e keni provuar”?

“Natyrisht se po. N’ditë të mia kam fluturuar goxha. Edhe pse, asnjëherë nuk kisha pasë rast t’i provoja ato ulëset e gjëra të klasit të parë që i shihnim vetëm nëpër reklama”.

“E kisha fjalën për udhëtime virtuale”, i thashë. “I bie pak kundër interesit tim ta them këtë, por, mund të jetë opsion më i mirë për ju. Do të ndieheni pothuajse jeni vërtet atje. Dhe do t’ju bie shumë më lirë. Dhe nuk keni nevojë për vizë”. Fillova ta administroj dozën time të psikologjisë së kundërt. Dhe Plakushi e përbiu grepin. Krejt çka duhej tani ishte që ngadalë ta tërheq litarin.

“Nuk është njëjtë”, tha ai.

“Po sikur t’ju bëj një provë pa pagesë. Ja, ta provojmë këtë. Do t’ju lëshoj vizitën time të preferuar virtuale. Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork. Shikoni këto”. Kjo me të vërtetë ishte vizita ime e preferuar virtuale. Çdo ditë, pas punës, pak para kthimit në shtëpi, unë relaksohem këtu duke zgjedhur opsionin “pa vizitorë”.

Bashkë me Plakushin ecëm sallave të MET-it. Shkuam drejt e te kopshti i skulpturave. Rrezet e diellit shponin tejpërtej dritareve të mëdha dhe kulmit të qelqtë. Hijet zgjateshin dhe kryqëzonin sallën e gjerë. Njerëzit ecnin, tejkalonin, e kalonin përtej nesh. Dhe Plakushi vazhdoi të përsëriste “Mrekullueshëm, mrekullueshëm. Krejt njëjtë, siç e mbaj mend. Veçse më mirë”.

Për një çast, sytë më shkuan te një fytyrë që i ngjante asaj të Plakushit. Ishte skulptura e Carpeaux-s “Ugolino dhe djemtë e tij”. E njihja fort mirë. Sa mund ta njoh atë një adhurues i udhëtimit pa udhëtuar asnjëherë. Tezën e doktoraturës sime të parë e kisha bërë për “Ferrin” e Dante-s, dhe akoma i kisha të freskëta në mendje imazhet se si Ugolino ishte duke i gllabëruar e duke i gëlltitur fëmijët e tij. Disi, n’fund t’fundit, njeriu mëson një a dy gjëra, edhe nëse e përdor shërbimin për shkrimin e tezave të doktoraturës.

Por mbase kjo nuk ishte diçka edhe aq e mirë. Tani kisha filluar ta asocioja Ugolinon me Plakushin. Duhet të kishte qenë fytyra e tij. Fillova ta pyesja veten nëse ajo çka po bëja ishte, si të them, e ndershme. A mos po e mashtroja Plakushin me paratë e tij? A do t’i paguaj familja e Plakushit borxhet e tij në shekujt e ardhshëm? A mos vallë Plakushi, pa dashje, po i hante fëmijët e tij?

“Oh, kjo mjafton për mua”, tha Plakushi derisa po i hiqte VR syzet, duke më shpëtuar kështu nga mendimet e mia në çast të fundit. “Realiteti virtual më bën për të vjellë. Edhe pak edhe kokëdhembja do të përkeqësohej. Por sidoqoftë, ishte mrekullueshëm. Mrekullueshëm”

Pas pak arritëm tek tavolina ime, dhe iu përvjelëm punës. Zgjidhja e vetme për të ishte që të blinte “premium ofertën tonë të përshpejtuar”. Natyrisht, ana negative e kësaj ishte se një gjë e tillë kushtonte një dreq e gjysmë. Tani ishte pika vendimtare. Duhej të isha e kujdesshme dhe t’i qasesha çështjes me delikatesë.

“Ah, por unë nuk kam aso parash të gatshme”, tha Plakushi.

Isha pak e frikësuar, t’them të drejtën. Edhe pse këto vite përvoje më kanë mësuar të mos e shfaq atë. Çka nëse kam supozuar gabim, mendova. Çka nëse i kisha bërë llogaritë gabim për Plakushin? Çka nëse ai nuk kishte në pronësi toka, a pasuri, a stoqe? Çka nëse kishte ardhur pa asnjë cent në xhep?

Por i kisha hyrë thellë punës tani. Kisha shkuar përtej pikës së kthimit. Kisha investuar shumë kohë dhe energji për t’u dorëzuar tani, aq afër fundit. Nuk do të lejoja që kjo shitje të dështonte për shkak të çështjeve të vogla teknike si fondet e pamjaftueshme. Shitja do të ndodh sot, i thashë vetes, me apo pa para.

“Gjithmonë mund të shkoni me udhëtim virtual”, i thashë.

“Jo. Të kam thënë. Është shumë me rëndësi. Duhet të jetë e vërtetë”.

“Po, e vërtetë. Nuk braktiset një rast i tillë që ju vjen njëherë në jetë“, i thashë. “Duhet t’ia bëjmë disi”.

“Po qysh, se”? Ai përsëri filloi ta tërheq litarin e grepit, dhe unë fillova ta afroj.

“Të shoh nëse mund të bëj diçka me lidhjet e mia. E kam një shoqe të mirë në KTB. Ma ka borxh një favor”. E pashë një fije shprese në sytë e tij dhe vazhdova. “Kjo nuk do t’zgjasë shumë”.

I vura përsëri AR/VR syzet e mia dhe me duar bëra disa lëvizje. Sa më dramatike lëvizjet, aq më mirë ndikon kjo tek tipat si Plakushi. Natyrisht, unë tashmë dija gjithçka për pasurinë e tij. Që nga ato minutat e para kur sapo kishim filluar të flasim, përmes syzeve unë e kisha iniciuar procedurën për marrjen e huasë. Kredia e tij ishte e aprovuar gjatë kësaj kohe.

Konglomerati Turk i Biznesit, ose KTB, tashmë e kishte në pronësi gjysmën e Kosovës; një shpirt i mallkuar shtesë nuk do të bënte ndonjë ndryshim të madh, i thashë vetes. KTB-ja kishte monopol në disa biznese kyçe në Kosovë — nga bankat, fluturimet ajrore, rrugët dhe infrastruktura, rryma elektrike, interneti, shëndetësia, e deri te prodhimi dhe importi i ushqimit. Mes KTB-së dhe Bashkësisë së Korporatave Familjare, BKF-së, ishte krijuar njëfarë ekuilibri biznesor. Dhe meqë këta dy gjigantë kishin në pronësi pothuajse gjithçka që mund të ishte në pronësi në krejt Kosovën, duke përfshirë këtu edhe agjencionin tonë turistik, ishte bërë gjithnjë e më e vështirë të merrje kredi. Fatmirësisht Plakushi kishte ca toka të klasit të parë që planifikonte t’u linte fëmijëve.

“Lajme t’mira”, i thashë triumfalisht. “Arrita ta siguroj kredinë për ju. Kishim shumë fat. Është o tani, o kurrë”.

“Po përqindjet? Interesi? Afatet e pagesës?” Filloi ta zinte paniku, sikur të ishte peshk që kishte kuptuar se së shpejti do të përfundonte jashtë ujit. “Nuk jam i sigurtë për këtë. Gjithë jetën e kam kaluar e kam mbijetuar pa hyrë asnjëherë në borxh —”

Nuk kishte faj që ngurronte, i shkreti. Me ato para do të mund të investonte në Korporatën Trepça për Xehetari Kibernetike të Kriptovalutave, dhe mesiguri do të mund ta dyfishonte vlerën brenda një viti. Dhe përkundër paqëndrueshmërisë së tregut, nuk do të kishte as gjysmën e rrezikut të tanishëm. Po, hej, nuk po më paguajnë për të qenë këshillëtare financiare.

“Është përqindja e zakonshme”, thashë unë. “Njëjtë si krejt të tjerët në Kosovë. Krejt nuk mund ta kenë gabim, apo jo”? Normal që krejt e kanë gabim. Por nuk ia thoshja dot një gjë të tillë personit të cilin po mundohesha me e futë në varësi kreditore. “Çka t’u them? Kërkojnë përgjigje. O tani, o kurrë”.

“Bëje”.

Procedura mbaroi brenda sekondash. Dhe falë “premium ofertës sonë të përshpejtuar” Plakushi aty për aty pranoi në dorë vizën dhe dokumentet, përpara se të kishte kohë për dyshime rreth kredisë. Tash, po të donte, ai do të mund të udhëtonte menjëherë. E imagjinoja tek rrinte pranë dritareve të mëdha të Aeroportit KTB, tek tymoste ku ta di unë çfarë cigaresh të kohës së tij, ndërsa shikonte perëndimin e diellit sikur të ishte ndonjë kaçak i dalë në pension.

Ishte aq i gëzuar saqë e shprehu dëshirën ta fuste në funksion Amandamentin 7 të Kushtetutës së Kosovës — të drejtën për të festuar me armë. Dhe kështu bëra një thirrje të fundit për të, kësaj radhe policinë, dhe i njoftova për një të shtënë ceremoniale armësh të planifikuar mes orës 3:15 dhe 3:25 pasdite, në drejtimin perëndim-jug-perëndim, në afërsi të zyrës qendrore të EuoTours-it në Prishtinë. Agjencioni ynë ishte mëse i lumtur ta merrte përsipër pagesën e çmimit të taksës. Mburremi me vëmendjen tonë ndaj detajeve si dhe me kujdesin ndaj klijentëva tanë.

Kur të shtënat e para filluan të dëgjoheshin jashtë zyrës sime, unë tashmë e kisha marrë pushimin. Po relaksohesha me vizitën time të preferuar virtuale, Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork. E gjeta veten përsëri tek kopshti i skulpturave. Ndërsa ecja, sytë përsëri më shkuan tek “Ugolino dhe djemtë e tij”.

Rrudhat në ballin e Ugolinos përsëri e bënë atë t’i ngjante Plakushit. Mbeta duke ia vështruar gojën e shtrembëruar dhe buzët. Se si i kafshonte gishtat. Se si bërrylët i pushonin pranë kokës së djalit të tij të vogël. Se si një nga djemtë e tij më të rritur e kishte një pamje përgjëruese në fytyrë. Dhe në fund, këmbët e Ugolinos, njëra përmbi tjetrën, gishtat shqetësueshëm të puthitura me njeri-tjetrin, sikur të shprehnin pendim.

Përsëri pyeta veten nëse e kisha shtyrë këtë njëri ta mallkonte krejt familjen e tij. Padyshim se po. Por, në anën tjetër, ai ia bëri krejt këtë vetes. Në fund, ishte kryekëput vendimi i tij. Ai ishte i vendosur të udhëtonte me çdo kusht. Dhe krejt çka bëra ishte t’ia plotësoja këtë dëshirë.

Kur u dëgjuan të shtënat e fundit festuese jashtë zyrës sime, unë tashmë isha kthyer në veten time të mëparshme. Por isha e frikësuar nga ajo që sapo kisha ndier. Për pak sa nuk ia huqa. Për pak e humba përqëndrimin e asaj që është me rëndësi, arsyes përse bëj atë që bëj. Për pak sa i vura interesat e të tjerëve përpara atyre të familjes sime. Për pak sa nuk u shndërrova në një nga ata idealistët e mallkuar që t’i infektojnë mendimet me nocione për dashurinë për gjëra fëmijërore si shteti, flamuri, shoqëria, e njerëzit e tjerë.

Mallkuar qofsh o Plakush. Nëse themeluesit e Republikës do të donin asi lloj shoqërie, ata do të vepronin në atë mënyrë. Oh, bekuar qofshin dhe falenderim zotëve; e kanë lënë aq të qartë, saqë mungonte vetëm shkrimi shkronjë për shkronjë  “ndiqe interesin tënd”. Mallkuar qofsh, o Plakush, o. Kurrë nuk kam pasur dyshime për punën time, derisa nuk hyre në zyrën time. Dhe kjo më frikësoi.

Foto kryesore: “Ugolino and his sons.” Creative commons / Ilustrimi: Atdhe Mulla

Të gjitha fotografitë Atdhe Mulla / K2.0.