Shtyp | Ambienti

Shkatërrimi i ambientit, shkatërrimi i jetëve

Nga - 05.08.2015

Ndotja e ajrit, deponitë ilegale dhe shpyllëzimi shkatërrojnë shumë më shumë sesa vetëm peisazhin.

Shënim i redaksisë: Ky artikull fillimisht është publikuar në edicionin e shtypur të revistës Kosovo 2.0, me temë Ambienti, të publikuar në vitin 2015.

“Me miliona herë jam zgjuar dhe e kam mallkuar atë termocentral”, tha Driton Berisha në një intervistë në gazetën britanike The Guardian, të botuar në tetor të vitit 2013. Dritoni u citua duke thënë se gati çdokush që ai e njeh, duke përfshirë edhe nënën e tij, e ka ndonjë anëtar të familjes i cili po lufton me ndonjë formë të kancerit apo sëmundje të frymëmarrjes. Fjalët e tij plot ankth nuk janë pjellë e imagjinatës së tij, e ai nuk është person që vuan nga deluzioni, i goditur nga ndonjë paranojë e frikshme kur ai pohon se ajri po e vret secilin përreth tij. Puna është se ai jeton në Plemetin, një fshat i vogël në mesin e një grumbulli fshatrash që kanë pasur fatin e keq të jenë në vijën e parë të frontit të tymtarëve-përbindësha kolosalë të termocentraleve të Kosovës, që vjellin tym, pluhur e sëmundje.

Por, nuk është vetëm vendlindja e Dritonit e kapluar nga errësira; është krejt qielli i madh i kaltër i shtetit më të ri të Evropës, ai që po zhduket nën retë e dendura e lënguese. Ato zbresin ngadalë, duke e veshur tokën me një hi të hidhur e tym të bardhë, thuajse i tërë vendi po përpiqet t’i tejkalojë efektet e ndonjë ngjarjeje kataklizmike në qiell.

Ajri i jashtëm i Kosovës është një vrasës i ngadaltë. Ai është i ngarkuar me ndotës vdekjeprurës, siç është dioksidi i sulfurit dhe oksidi i azotit — dy toksina posaçërisht helmuese të ajrit— të cilat janë përgjegjëse për cilësimin e ajrit atje si më i keqi në Evropë. Vendet më të rrezikshme për të marrë frymë në Kosovë janë qytetet dhe zonat urbane, ku përhapja e kancerit, sëmundjeve të frymëmarrjes dhe të mushkërive janë disa nga shkaktarët më të shpeshtë të hospitalizimit, sëmundjeve dhe vdekjeve në vend.

Në njërën nga analizat më gjithëpërfshirëse mjedisore në Kosovë, Banka Botërore gjen se ndotja e ajrit shkakton mbi 800 vdekje të parakohshme, 300 raste të bronkitit si dhe mbi 11,000 vizita urgjente spitalore. Askush nuk di saktë se sa njerëz po luftojnë me efektet e shëndetit të lig pa kërkuar vëmendjen mjekësore. Kjo fatkeqësi e vazhdueshme imponon shpenzime marramendëse në sistemin edhe ashtu të brishtë shëndetësor në Kosovë, që llogariten të jenë rreth 158 milionë euro — që paraqet 4 përqind të bruto produktit vendor.

Fajtorët më të mëdhenj për këtë kërdi janë termocentralet dhe minierat e qymyrit, djegia e drurit dhe linjitit, ndotësit industrialë (siç është Trepça), ngrohtorja publike, rrugët e mbushura me tym, si dhe deponitë industriale dhe ato komunale. Në degradimin e shpejtë mjedisor të Kosovës, ndotja e ajrit të jashtëm është problemi më serioz dhe më vdekjeprurës. Nivelet e ndotjes janë sidomos të frikshme në zonat urbane siç është Prishtina, Obiliqi dhe Mitrovica, me cilësinë e matur të ajrit që i tejkalon të gjitha limitet e lejuara evropiane të ndotjes.

Krahas ndotjes së ajrit, ndotja me plumb është ndotësi i dytë mjedisor më serioz dhe i më kushtueshëm në Kosovë. Plumbi nxirret nga xehet, siç është qymyri dhe zinku, dhe po ashtu mund të gjendet në naftë dhe derivate që përdoren për vetura dhe mjete tjera motorike. Këtu, gjithashtu, kostot e përllogaritura nga ndotja me plumb arrijnë në 100 milionë euro.

Ndotja e ajrit gjithmonë është parë si njëra prej sfidave më të mëdha për shëndetin publik në shumë vende, por ky problem ka marrë kahje më serioze që nga tetori i vitit 2013, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e klasifikoi ndotjen e ajrit si agjent që shkakton kancerin. Agjensia Ndërkombëtare për Hulumtime mbi Kancerin (IARC), degë hulumtuese e OBSH-së, ka lëshuar një vlerësim të shkoqur se ndotja e ajrit të jashtëm shkakton kancerin e mushkërive dhe paraqet rrezik të mëdh për kancerin e fëshikëzës. Shefi i seksionit të Monografisë të IARC-së i është referuar ndotjes së ajrit të jashtëm si “kanceri vrasës më i rëndësishëm mjedisor për shkak të numrit të madh të njerëzve të ekspozuar”. Krahas kësaj, IARC-ja i klasifikon të gjithë ndotësit e ajrit të jashtëm si kanerogjenë, duke përfshirë edhe zbrazjet e makinave me naftë, pluhurin, dhe metalet e ndryshme që qarkullojnë në ajër. Nuk është për t’u habitur që njerëzit përreth Driton Berishës dhe shumë kosovarë kanë incidencë të tillë të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe kancerit.

Ajri në Kosovë është një vrasës i ngadaltë. Që nga viti 2013, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar ndotjen e ajrit si agjent i kancerit. Fotografia: Kustrim Tërnava

Pyjet e Kosovës kanë qenë pre e shpyllëzimit të tmerrshëm ilegal. Rehabilitimi i ketyre habitateve do të zjasë me dekada. Fotografia: Visar Kryeziu.

Zbutja e efekteve vdekjeprurëse të ndotjes së ajrit është nevoja më urgjente, sidomos në zonat urbane ku problemi është shumë serioz. Studimet kanë treguar se pluhuri i emetuar është grimca kryesore në ajër që ka efekt të drejtpërdrejtë të dëmshëm në shëndet. Sipas studimit mjedisor të Bankës Botërore, 78 përqind të pluhurit të mirëfilltë që emetohet në Kosovë vjen nga termocentralet e KEK-ut. Duke marrë parasysh afërsinë gjeografike me termocentralet, Prishtina me rrethinë është më e prekura nga emetimet e pluhurit. Një mënyrë e sygjeruar për ta zbutur efektin që pluhuri ka në shëndetin publik, është të kontrollohet prodhimi i pluhurit dhe të përdoren zgjidhjet teknologjike për trajtimin e gazrave. Banka Botërore, vlerëson se zvogëlimi i niveleve të tanishme të pluhurit me rreth 10 përqind Kosovës do t’i kushtonte rreth 34 milionë euro. Trajtimi i gazrave, që do ta adresonte problemin e oksideve të azotit dhe dioksidit të sulfurit, do të kushtonte edhe 50 milionë euro shtesë për të dy termocentralet.

Rrugëve

Përtej ndotjes që shkaktohet nga këto termocentrale dhe komplekse industriale siç është Ferronikeli, transporti gjithashtu është një kontribues i madh i ndotjes së ajrit. Në Bashkimin Evropian emetimet e veturave janë të rregulluara në mënyrë strikte, por rregulloret e tilla aplikohen vetëm te veturat e reja. Kjo nënkupton se veturat e vjetra mund të mos posedojnë teknologjinë për të kontrolluar emetimin e grimcave në ajër. Kjo paraqet problem në Kosovë pasi që pjesa e madhe e importit vendor të veturave të përdorura vjen nga Bashkimi Evropian. Atëherë zvogëlimi i emetimeve nga veturat në Kosovë kërkon një strategji për t’i trajtuar stoqet e vjetra të veturave, meqë shumica e rreth 390,000 veturave nëpër rrugë (nga viti 2009) i përket kësaj kategorie.

Masat teknike për t’i zbutur emetimet dallojnë dhe përfshinë instalimin e filtrave dhe konvertuesve tjerë për t’i kontrolluar grimcat e emetuara, si dhe trajtimin efikas të përmbajtjes së plumbit në derivate. Veprimi më i rëndësishëm do të mund të ishte miratimi i një strategjie, e cila do ta kufizonte përdorimin e veturave private duke miratuar politika efektive të transportit publik dhe duke zvogëluar përdorimin e veturave private në zona urbane. Shumë qytete që e trajtojnë ndotjen e ajrit kanë gjetur mënyra për të krijuar politika publike të cilat e zbusin ndikimin negativ të emetimeve të veturave; shqyrtimi i disa prej këtyre studimeve do të mund të sjellte ide të cilat do të mund të ishin praktike dhe të arsyeshme për t’u miratuar në Kosovë.

Në degradimin e shpejtë mjedisor të Kosovës, ndotja e ajrit të jashtëm është problemi më serioz dhe më vdekjeprurës. Nivelet e ndotjes janë sidomos të frikshme në zonat urbane siç është Prishtina, Obiliqi dhe Mitrovica, me cilësinë e matur të ajrit që i tejkalon të gjitha limitet e lejuara evropiane të ndotjes.

Derisa ndotja e ajrit nga termocentralet industriale dhe trafiku janë format më vdekjeprurëse të degradimit mjedisor në shtetin e ri, ky nuk është problemi i vetëm me të cilin ballafaqohen kosovarët në mjedisin ku ata jetojnë. Kosova ka shkallën më të lartë të prodhimit të mbeturinave komunale në Evropë. Format e ndryshme të mbeturinave industriale dhe komunale krijohen kryesisht nga ekonomitë familjare, si dhe nga dyqanet dhe bizneset e vogla, të cilat janë shpesh të kombinuara ndërmjet tyre. Në Bashkimin Evropian mbeturinat komunale llogariten të jenë rreth 10 përqind, por ky numër është shumë më i lartë në Kosovë. Sipas raportit vjetor të vitit 2012 të Agjensisë Kosovare të Mjedisit, vendi ka prodhuar 334 kilogramë mbeturina për kokë banori për një vit. Mesatarja e Bashkimit Evropian për të njëjtin vit ka qenë 492 kilogramë për person. Kjo do të mund të dukej se Kosova gjendet nën mesatare, por problemi qëndron gjithashtu te normat e grumbullimit. Grumbullimi i mbeturinave nga vendet e BE-së mbulon 97 përqind të popullsisë, krahasuar me rreth 41 përqind në Kosovë.

KEK's power plants produce the majority of Kosovo's fine dust emissions. Prishtina is particularly vulnerable due to its proximity to them. Photo: Atdhe Mulla

Termocentralet e KEK-ut prodhojnë pjesën më të madhe të emetimit të pluhurit delikat të Kosovës. Prishtina është veçarenisht e prekur për shkak të afërsisë së saj me termocentralet. Fotografia: Atdhe Mulla.

Normat e larta të prodhimit të mbeturinave shpesh shihen si nënprodukt i pasurisë dhe konsumit; vendet e pasura prodhojnë më shumë mbeturina për kokë banori sesa ato të varfëra. Danimarka, për shembull, ka prodhuar 668 kilogramë mbeturina për kokë banori në vitin 2012, Gjermania 611, dhe Franca 534. Por, këto shtete gjithashtu kanë zhvilluar metoda ndër më të mirat për trajtimin e mbeturinave, ku më pak se 3 përqind të mbeturinave të prodhuara hidhen në deponi forma më e keqe e trajtimit të mbeturinave. Mbi 95 përqind të mbeturinave të prodhuara në këto shtete reciklohen, plehërohen apo digjen në mjedise të kontrolluara. Për ndryshim, mbi 95 përqind të mbeturinave të Kosovës përfundojnë në deponi, dhe një pjesë e madhe as që i plotëson standardet e një deponie moderne. Përsëri, rreth 60 përqind të njerëzve në Kosovë nuk janë të mbuluar sa i përket grumbullimit të mbeturinave. Kjo do të thotë se të gjitha mbeturinat të prodhuara nga ky grup mbeten të pagrumbulluara dhe përfundojnë nëpër rrugë dhe mjedis përreth. Deponitë ilegale ndotin rrjedhat e ujit dhe ushqimin, duke përhapur sëmundje, duke ngulfatur jetën dhe duke dëmtuar biodiversitetin e bimëve dhe shtazëve.

Në Kosovë çdo vit, rreth 13 femijë nën moshën pesë vjeçarë vdesin për shkak të ndotjes së ujit dhe higjienës së dobët. Femijët janë sidomos të prekur nga sëmundjet e shkaktuara nga uji siç është diarrea. Fotografia: Visar Kryeziu.

Fëlliqja e ujrave

Të gjithë lumenjtë në Kosovë klasifikohen si burime të ndotura të ujit për shkak të ujërave të zeza të patrajtuara, hedhjes joadekuate të mbeturinave si dhe për shkak të formave tjera të deponimit të mbeturinave. Si në rastin e ndotjes së ajrit, ndotësit industrialë, përfshirë KEK-un, Ferronikelin, Trepçën dhe komplekset tjera industriale, zënë vendin e parë në ndotjen e ujit duke derdhur metale të rënda siç është plumbi dhe kadmiumi, element kimik toksik i cili është i përshirë në Restriksionin e BE-së të Substancave të Rrezikshme. Përveç ndotësve industrialë, bujqësia gjithashtu luan një rol me peshë në ndotjen e burimeve të ujit ku menaxhimi i plehrave organike është tejet i papranishëm. Plehrat e bagëtive, për shembull, kontribuojnë me rreth 19,000 tonë azot në vit, ku pjesa më e madhe përfundon në rrjedha ujërash. Ndotja e burimeve ujore çon në sëmundje të ndryshme të shkaktuara nga uji, nga të cilat më e rrezikshmja është diarrea — dhe fëmijët janë posaçërisht të prekur nga kjo sëmundje. Duke përdorur metodologji të krijuara nga OBSH-ja, Banka Botërore vlerëson se në Kosovë çdo vit vdesin rreth 13 fëmijë të moshës nën 5 vjet si pasojë e ndotjes së ujit dhe higjienës së dobët. Ndikimi i gjithëmbarshëm i ndotjes së ujit si, higjienës dhe ujit të dobët, Kosovës i kushton mbi 30 milionë euro, mirëpo matjet më të sakta të shëndetit afatgjatë publik dhe pasojave mjedisore nuk janë të ditura.

Përtej pluhurit të hirtë i cili rri pezull në ajër, përrenjve e lumenjve të ndotur, si dhe mbeturinave të shpërndara industriale dhe komunale, pemët po zhduken nga pyjet e Kosovës. Zhdukja e pyjeve mund të jetë një prej rrëfimeve më të trishta të degradimit të habitatit natyror të Kosovës, sidomos duke marrë parasysh se duhen dekada për të ripërtirë pemët e humbura. Shpyllëzimi përmes prerjeve ilegale, zjarreve dhe formave tjera të shkatërrimit kanë tkurrur shumë zona malesh dhe pyjesh të Kosovës dhe i kanë shndërruar ato në shpate të zhveshura shkurresh dhe kaçubesh. Sipas vlerësimeve të saj, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural llogarit se përkundër zhdukjes së pyjeve, vetëm 0.5 përqind rimbjellet duke përdorur kultivimin. Prerjet ilegale janë shkatërruesit më të mëdhenj të pyjeve, dhe arrijnë në mbi 40 përqind të prerjeve ilegale të pyjeve publike. Shkaktari kryesor i kësaj është pikësëpari i natyrës ekonomike, ku varfëria dhe kushtet e vështira ekonomike kanë bërë që më shumë se 95 përqind të drunjve ilegalë të përdoren si dru për ngrohje të shtëpive. Banka Botërore vlerëson se kostoja vjetore e degradimit mjedisor sa i përket shpyllëzimit arrin mbi 19 milionë euro.

The illegal dumping of waste contributes to water contamination such as here at lake Badovc; all of Kosovo's rivers are classified as polluted sources of water. Photo: Kushtrim Ternava.

Hedhja ilegale e mbeturinave kontribuon në ndotjen e ujit siç është rasti këtu, në liqenin e Badovcit; të gjithë lumenjtë e Kosovës klasifikohen si burime të ndotura të ujit. Fotografia: Kushtrim Tërnava.

Në fund, degradimi mjedisor në Kosovë nuk përfundon me ndotjen e ajrit të jashtëm dhe me mbeturina, por shtrihet edhe në zona tjera siç është shpërdorimi dhe ndotja e tokës, shkatërrimi i ekosistemeve të vogla, si dhe rrezikimi dhe vrasja e botës së egër shtazore. Për t’i zbutur dhe kthyer mbrapsht efektet e këtij shkatërrimi të pamendtë, qeveria e Kosovës — si ajo qendrore ashtu edhe ajo lokale — duhet të angazhohet në një fushatë sistematike për arsimim publik, rregullim, fuqizim dhe investim. Nuk ka një metodë apo politikë të vetme e cila do të ishte në gjendje t’i kthente mbrapsht trendet e dëmshme në aq shumë nivele. Një qasje shumëvjeçare dhe shumëdimensionale në burime e investime të rëndësishme është e domosdoshme për t’i adresuar disa nga çështjet e lartpërmendura, por qeveria vetë nuk mund t’i bëjë ballë një numri aq të madh problemesh mjedisore me të cilat ballafaqohet vendi. Organizatat dhe institucionet tjera, duke përfshirë edhe sektorin privat, OJQ-të, organizatat think tank, organizatat mjedisore, si dhe njerëzit e zakonshëm do të duhej të merrnin pjesë në përpjekjet që të arrihet efekti dhe të kthehet mbrapsht trendi i cili Kosovës i kushton aq shumë para e jetë.K

Foto kryesore: Visar Kryeziu.