Pikëpamje | Zgjedhjet Lokale 2017

Tension dhe befasi në këtë situatë gjithnjë të ndryshueshme të politikës lokale

Nga - 20.11.2017

Rezultatet në Prishtinë dhe Prizren ende tepër afër për t’i vendosur fituesit.

Nëse në të kaluarën është parë si “klishe” thënia “secila votë ka rëndësi”, balotazhet e djeshme të zgjedhjeve lokale veçse i kanë dhënë fuqi këtij sllogani. Në disa komuna fituesit do të vendosen me dallime minimale të votave, ndërsa dy qytetet më të mëdha, Prishtina dhe Prizreni, po i presin votat me postë dhe “me kusht” – pranueshmëria e të cilave ende nuk është verifikuar – për të qenë të sigurtë për rezultatin përfundimtar; rezultatet fillestare të dhëna nga Komisioni Qendror Zgjedhor aktualisht po paraqesin fitoren e dy kandidatëve të Vetëvendosjes me nga një grusht votash më shumë se dy kandidatët e tjerë.

Rezultatet e Demokracisë në Veprim e kanë ndryshuar situatën e paraqitur nga rezultatet e raundit të parë që u mbajt me 22 tetor, pas disa befasive që ndodhën në gjithë vendin.

Përveç faktit që Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes me sa duket po lufton me mish e me shpirt për ta mbajtur kryeqytetin, për herë të parë prej fundit të luftës po pritet që në Prizren të fitojë një kandidat që nuk i përket LDK-së ose PDK-së. Gjithashtu, ish-kryetarja e Gjakovës, Mimoa Kusari-Lila, u mposht nga rivali i saj, ndërsa në Mitrovicë personaliteti i njohur i shoqërisë civile, Valdete Idrizi, nuk arriti ta fitonte kryesinë për PDK-në. Në përgjithësi, kandidatët të cilët morën më së shumti vota në raundin e parë dështuan në balotazh në pesë komuna.

Partia që ka më së shumti arsye për të festuar është AAK-ja, e cila jo vetëm që e mori përsëri Gjakovën nga Kusari-Lila, por edhe e largoi PDK-në nga Klina e Rahoveci, dhe LDK-në nga Suhareka, ndërsa e ruajti kryesinë në Obiliq. Përveç këtyre fitoreve, në raundin e parë AAK-ja i kishte fituar edhe bastionet tradicionale të saj në Deçan dhe në Junik. Edhe më me rëndësi për AAK-në është fakti se, përveç që ka shtuar numrin e komunave që do t’i udhëheqë, i ka tejkaluar edhe bazat tradicionale gjeografike, meqë më parë ishte etiketuar si “Parti e Dukagjinit”.

Fat i përzier pothuajse për të gjithë

Me përjashtim të mundshëm të AAK-së, të gjitha partitë e tjera në Kosovë me sa duket kanë arsye serioze për të reflektuar.

Me këto rezultate aktuale – meqë situata mund të ndryshojë – mund të vijmë në përfundim se PDK-ja ka përjetuar rënien më të madhe meqë, me sa duket, prej shtatë qyteteve të mëdha kjo parti do ta qeverisë vetëm Ferizajin.

PDK-ja i konsideroi rezultatet e raundit të parë si “mbresëlënëse” meqë arriti të dalë e para në disa qytete, si në Prizren, Mitrovicë, Vushtrri dhe Klinë. Por rezultatet e ditës së djeshme e ndryshuan realitetin në të gjitha këto komuna meqë, me sa duket, nuk e kanë siguruar asnjërën.

Ndonëse situata politike nuk është ende krejtësisht e qartë deri sa të numërohen votat e fundit, siç duket në shumë pjesë të vendit ekziston një ndjenjë anti-PDK. Kjo nuk u pasqyrua domosdoshmërisht gjatë formimit të koalicioneve zyrtare ndërmjet partive, por më shumë duke u nisur nga gatishmëria e elektoratit për të kërkuar ndryshim. Rasti më i dalluar është ai i Prizrenit, kur Lëvizja Vetëvendosje nuk ka nënshkruar koalicion me LDK-në, por pa votat e mbështetësve tradicionalë të LDK-së do të kishte qenë e papërfytyrueshme që kandidati i LVV-së, Mytaher Haskuka, ta tejkalonte avantazhin prej 5,000 votash që e kishte Shaqir Totaj i PDK-së nga raundi i parë.

Shpend Ahmeti i ka vetëm 309 vota më shumë se Arban Abrashi i LDK-së, e më shumë se 1,500 vota me kusht dhe me postë ende pritet të numërohen - pra nuk ka gjë të garantuar ende.

Në Vushtrri, LDK-ja dhe LVV-ja nënshkruan marrëveshje koalicioni pas raundit të parë, e kjo lëvizje ndihmoi që kandidati i LDK-së ta kthente rezultatin me një fitore të madhe. Xhafer Tahiri pothuajse e dyfishoi numrin e votave që i kishte mbledhur në raundin e parë, duke shkuar nga 8,000 në 15,000 vota, për ta siguruar kryesinë.

LDK-ja përgjithësisht u konsiderua si fituesi më i madh pas raundit të parë, meqë i fitoi katër komuna në këtë raund dhe hyri në balotazh në 10 komuna të tjera, si dhe pati numrin më të madh të votave në gjithë vendin.

Rezultatet e ditës së djeshme disi e mjegulluan atë performancë mbresëlënëse, meqë LDK-ja humbi në gjashtë nga dhjetë balotazhet në të cilat garonte. Veçanërisht i dhimbshëm do të jetë dështimi potencial për ta fituar përsëri kryeqytetin, meqë e humbi kontrollin mbi të në zgjedhjet e kaluara të cilat u mbajtën para 4 viteve. Shpresat që i kishin për ta kthyer deficitin e raundit të parë në Ferizaj – siç bëri në vitin 2013 kur po këta kandidatë ishin duke garuar në balotazh – në fund prodhuan dëshprim. Siç ishte parashikuar paraprakisht, LDK-së i mungoi mbështetja e votuesve tradicionalë të LVV-së në këtë komunë, meqë lidershipi lokal i LVV-së kishte refuzuar koalicionin, duke i quajtur praktikat e LDK-së në këtë mandat të njëllojta me ato të PDK-së në katër vitet paraprake.

Sali Asllanaj i LDK-së u rëzua nga Bali Muharemaj i AAK-së në Suharekë, ndërsa Lutfi Haziri mori 64 për qind të votës në garë kundër Sami Kurteshit të LVV-së në Gjilan, qyteti i dytë nga shtatë qytetet e mëdha të cilat do të vazhdojë t’i qeverisë LDK-ja, përkrah Pejës, të cilën e fitoi në raundin e parë.

Lëvizja Vetëvendosje e pati një natë po aq të përzier. Me rezultatet aktuale LVV-ja i ka fituar tri nga gjashtë komunat në të cilat po garonte në balotazh, por pasiguria në komunën kryesore, atë të Prishtinës, bëri që festa të jetë e heshtur.

Shpend Ahmeti i ka vetëm 309 vota më shumë se Arban Abrashi i LDK-së, e më shumë se 1,500 vota me kusht dhe me postë ende pritet të numërohen – pra nuk ka gjë të garantuar ende. Edhe nëse e fiton kryesinë, do të jetë një fitore e palavdishme për Ahmetin, i cili duket i zhgënjyer me rezultatet e natës së mbrëmshme. Fakti që Ahmeti mund të konfirmohet përsëri si kryetar me disa qindra – apo ndoshta edhe dhjetëra – vota e përçon një mesazh të qartë se qytetarët janë shumë të polarizuar sa i përket kryesisë së tij.

Pa dyshim, fitorja e mundshme e Mytaher Haskukës në Prizren – me 329 vota më shumë dhe 1,000 vota të tjera me kusht dhe me postë të cilat ende nuk janë numëruar – do të ishte e ëmbël për Vetëvendosjen, meqë Shaqir Totaj i PDK-së e fitoi raundin e parë me më shumë se 5,000 vota.

Fitorja e vetme e cila duket e sigurtë për Vetëvendosjen është në qytetin lindor të Kamenicës, ku Qendron Kastrati e rriti avantazhin e raundit të parë ndaj ish-kryetarit Shaip Surdulli nga radhët e LDK-së – i cili ka udhëhequr për katër mandate në këtë komunë – pavarësisht faktit se LDK-ja e kishte siguruar mbështetjen e PDK-së para balotazhit.

Shumë për të mësuar

Ndonëse partitë dhe kandidatët ende janë duke i pritur rezultatet e certifikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, ata veçse kanë çka të mësojnë nga elektorati – mësime të rëndësishme madje.

Fillimisht, përkrah rezultateve shokuese të zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën në qershor, me sa duket edhe një klishe do të hyjë në fjalorin tonë politik: “Nuk ka bastione politike”. Kjo nuk do të thotë se tani më nuk blihen kurrë votat, dhe se brenda natës janë ndriçuar mendjet e të gjithëve. Por votuesit kosovarë po fillojnë të dëshmojnë se nuk janë të kënaqur me situatën aktuale. Me sa duket ata kanë votuar qoftë për t’i dënuar kandidatët të cilët nuk kanë bërë sa duhet, apo për t’i detyruar që të reflektojnë ata që janë zgjedhur.

Në rastin e Prizrenit, votuesit i kanë treguar PDK-së se sllogani që thoshte se ky qytet është “Jerusalemi” i tyre tani më nuk vlen. PDK-ja gjithashtu duhet të mësojë se duhet më shumë përpjekje për t’i bindur votuesit se me ndryshime të thjeshta kozmetike, siç është prurja e personaliteteve nga shoqëria civile si në rastin e Mitrovicës. Në vend të kësaj duhet të bëjnë reforma rrënjësore përbrenda partisë. PDK-ja duhet të reflektojë edhe rreth arsyeve që i kanë shtyrë partitë e tjera të bëjnë koalicione formale apo joformale me njëra-tjetrën, vetëm për ta rrëzuar PDK-në.

Rasti i Ferizajit duhet të shërbejë si shembull për atë se partitë nuk duhet të ndihen të patrazuara me pushtetin e tyre, apo të aplikojnë praktika që janë refuzuar më parë nëpërmjet kutive të votimit. Në këtë komunë, votuesit refuzuan ta mbështesin LDK-në në raundin e dytë, duke i dënuar ata për faktin se kanë dështuar të vendosin praktika të tjera pos nepotizmit dhe klientelizmit në katër vitet e fundit; paradoksalisht, duke bërë këtë, ua kanë kthyer pushtetin atyre të cilëve ua morën para katër viteve.

Duke refuzuar t’i akomodojnë politikanët të cilët i marrin votat për të dhëna, votuesit kosovar po kontribuojnë në zvogëlimin e mundësive për keqpërodrim të pushtetit dhe krijimin e monopoleve të pushtetit.

Në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje duhet të reflektojë për konsensusin e domosdoshëm, si dhe për politikat e polarizuara të cilat kjo lëvizje ka ndihmuar t’i kultivojë, e të cilat pastaj ia kanë rrezikuar pushtetin në kryeqytet. Rezultatet paraprake që tregojnë një fitore të ngushtë në Prishtinë duhet të lexohen edhe si sinjal që Ahmeti të tregohet më pak arrogant. Katër vitet e ardhshme do të jenë testi më i madh që e ka përjetuar ai deri më tani.

LVV-ja mund të mësojë edhe prej rezultateve që i prodhuan kandidatët që mbështeten në profesionalizëm, e jo në profilet e së kaluarës së tyre. Por ata duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje dhe të jenë më të angazhuar në qytetet e mëdha si Ferizaji, Mitrovica, Gjakova dhe Peja, ku strukturat lokale kanë qenë të dobëta sa i përket organizimit. Nëse LVV-ja ka supozuar se votat e zgjedhjeve parlamentare domosdoshmërisht do të konvertoheshin në mbështetje në nivel lokal, atëherë ka gabuar. Angazhimi i tyre në disa komuna lokale ka qenë modest.

Nëse sistemi me dy raunde në zgjedhjet lokale do të zbatohet edhe në të ardhmen – ska pasur shumë sugjerime që të heqim dorë prej këtij sistemi – partitë politike duhet të bëjnë kalkulime për atë se a ka gjasa që kandidatët e tyre të pranohen në mënyrë më universale, apo janë të njohur për mbështetësit thelbësorë e i tjetërsojnë personat e tjerë.

Duke refuzuar t’i akomodojnë politikanët të cilët i marrin votat si të nënkuptueshme, votuesit kosovarë po kontribuojnë në zvogëlimin e mundësive për keqpërodrim të pushtetit dhe krijimin e monopoleve të pushtetit. Në fund kjo mund t’i edukojë politikanët në krejt spektrin politik, qofshin ata të vjetër apo të rinj, duke i mësuar se egoizmi dhe pushteti janë jetëshkurtër – politikat e parimeve do të mbesin, dhe ato kërkohen dëshpërimisht nga qytetarët e rëndomtë.K

Foto kryesore: K2.0.