Pikëpamje | E kaluara, tani | Politika

A është kërkimi i së vërtetës ende i mundshëm në shtetet ish-jugosllave?

Nga - 28.09.2018

Si të kalojmë nga masat e pjesshme dhe josistematike tek përpjekjet koherente dhe dobiprurëse për ndërtimin e paqes.

Unë dhe motra ime jemi rritur në të njejtën shtëpi, në të njejtën kohë, por disa prej ngjarjeve të fëmijërisë i kujtojmë shumë ndryshe nga njëra tjetra. Ndonjëherë shtyhemi: ka ndodhur kështu, ka ndodhur ashtu, ka thënë kështu ndonjë anëtar i familjes, jo ka thënë ashtu.

Kujtesa individuale dhe shoqërore funksionojnë në mënyrë të ngjashme. Derisa faktet janë të fiksuara, perceptimet dhe kujtimet janë fluide dhe ndryshojnë, duke u varur nga konteksti dhe individët.

Në Kosovë dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor kjo ka implikime të rëndësishme për kërkimin e të vërtetës (apo tregimin e të vërtetës) – pra, procesin e dokumentimit dhe pranimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut, nëpërmjet të të cilit shteti dhe shoqëria e tregojnë historinë e të kaluarës traumatike për t’i kompensuar viktimat dhe për ta ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe paqësore. Ky definicion dhe qasjet konceptuale të përdorura në këtë artikull, janë të frymëzuara nga Qendra Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale (ICTJ) dhe punë të tjera që lidhen me tregimin e të vërtetës në rajon.

Kërkimi i të vërtetës bëhet përmes fakteve dhe perceptimeve të fakteve. Pra, kërkimi i të vërtetës, në njërën anë, ka të bëjë me gjetjen e fakteve: me vërtetimin e fakteve për ta prodhuar një version të vetëm kuazi-dëshmues të ngjarjeve, duke kontribuar kështu në fakte historike dhe duke parandaluar manipulimin apo rishkrimin e historisë. Kërkimi i së vërtetës i shërben të ashtuquajturës ‘të drejtës për të ditur’ dhe shkon përtej ‘të vërtetave të gjykuara’, duke e treguar një pjesë tjetër më të madhe të dhunës dhe traumës.

Në njërën anë, kërkimi i të vërtetës i shërben një synimit tjetër që është më pak i bazuar në fakte: atë të krijimit të një platforme, ku të gjithë protagonistët e konfliktit mund të flasin për të vërtetat e tyre. Procesi i tregimit dhe dëgjimit të ngjarjeve thuhet se ka tipare të forta psikosociale; sjell njohje dhe kompensim për viktima, duke i kujtuar si individë (jo thjeshtë si elemente të procesit gjyqësor). Gjithashtu, ky fokus tek individët shpeshherë i bën të ‘njerëzishëm’ ata që janë zënë në konflikt, përfshirë këtu ata të palës ‘tjetër’, dhe kështu bëhet progres drejt pajtimit.

Me fjalë të tjera, kërkimi i të vërtetës edhe është për fakte edhe nuk është për fakte. E atëherë, si mund qoftë edhe të ëndërrojmë që të arrijmë tek një version i përbashkët i të vërtetës?

Intervistat me nxënës të shkollave të mesme të rajoneve që janë prekur rëndë nga lufta tregojnë, për shembull, se ata kanë tendencë më të madhe të ndjejnë keqardhje për të gjitha viktimat - pa dallim etnie - sesa nxënësit e rajoneve që nuk janë prekur shumë nga lufta.

Kthehemi tek grindjet për ngjarjet e fëmijërisë. Këtu hyn në lojë një element dhe synim i tretë i kërkimit të së vërtetës, i cili bazohet në dy të parët: ofrimi i një forumi për ta zhvilluar një kujtesë – apo një të vërtetë – të përbashkët.

Në Kosovë, faktet e vërtetuara nga procedurat gjyqësore para entiteteve të ndryshme ligjore dhe nëpërmjet metodave të tjera joformale për gjetje të fakteve, paraqesin një bazë të fortë për zhvillimin e një versionit të vërtetës së përbashkët. Por, faktet nuk janë të mjaftueshme për ta kapur diversitetin, kompleksitetin dhe emocionin e të vërtetave të ndryshme që i mbulojnë dhe mbështjellin faktet si shtresa të qepës. Këto shtresa varen nga njëra tjetra dhe nga niveli i arsimimit, gjinisë, moshës, etnisë, personalitetit dhe shumë karakteristikave të tjera të individëve.

Natyrisht, shqiptarët dhe serbët e Kosovës i mendojmë si të ekspozuar ndaj rrëfenjave armiqësore, prandaj edhe kanë të vërteta të ndryshme për të kaluarën të cilën e kanë të përbashkët. Edhe në mesin e shqiptarëve të Kosovës mbështeten të vërteta të ndryshme. Intervistat me nxënës të shkollave të mesme të rajoneve që janë prekur rëndë nga lufta tregojnë, për shembull, se ata kanë tendencë më të madhe të ndjejnë keqardhje për të gjitha viktimat – pa dallim etnie – sesa nxënësit e rajoneve që nuk janë prekur shumë nga lufta.

Në Kosovë ekziston tendenca që ashkalinjtë, boshnjakët, kroatët, egjiptianët, maqedonët, goranët, malazezët, romët, turqit dhe grupet e tjera etnike, kombëtare, religjioze e tjerë, të kenë kujtime të ndryshme nga njëra tjetra, por njëlloj mund të ketë dallime të tilla edhe brenda këtyre grupeve – edhe pse të kaluarën e kanë të përbashkët.

Diversiteti i të vërtetave nuk duhet të jetë problematik. Por në Kosovë, nëpër grupe të ndryshme etnike, ekzistenca e të vërtetave të ndryshme që e kundërshtojnë njëra tjetrën ende po i kontribuon ndarjeve etnike dhe antagonizmit. Për ta arritur pajtimin, të vërtetat e tilla duhet ta përbëjnë një version bazik dhe faktik të miratuar që i njeh dhe respekton tregimet e të gjitha palëve, duke i dekonstruktuar mitet dhe duke i dalluar faktet nga trillimet dhe perceptimet – duhet të zhvillohet një forum në të cilin dëgjohen të gjithë zërat nga e kaluara.

Dështimet në kërkim të së vërtetës në rajon

Pavarësisht përpjekjeve për kërkim të së vërtetës, Kosovës – si dhe shteteve të tjera të dala nga Jugosllavia – ende po u mungon një hapësirë ku mund t’i qasen një versionit të përbashkët për të vërtetën, që do mund të shërbente për krijimin e themelit për një të ardhme të përbashkët.

Pavarësisht dominimit të madh të qasjes së drejtësisë penale sa i përket ballafaqimit me të kaluarën në rajon, disa nisma shtetërore apo rajonale janë ngritur… dhe kanë rënë, shumica prej tyre ende pa e kryer mandatin.

Në vitin 2001, Vojislav Kostunica, president i Republikës Federative të Jugosllavisë (që në atë kohë përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi, që ende ishin të bashkuara), lajmëroi krijimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Jugosllavi, për t’i hetuar shkaqet e konflikteve në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Përfaqësimi i vogël i minoriteteve dhe njëanshmëria e perceptuar, kontribuoi tek mungesa e mbështetjes për mandatin e këtij komisioni në mesin e grupeve të shoqërisë civile dhe publikut të përgjithshëm: Komisioni u mbyll pas një viti.

Në Bosnje, dy përpjekje për ta themeluar një komision zyrtar për të vërtetën (në fillim dhe mes viteve të 2000-ta) nuk u miratuan nga parlamenti e as nuk u mbështetën nga publiku për shkak se u perceptua se mungonte transparenca dhe këshillimi në këto procese. Gjithashtu, këto nisma nuk u mirëpritën nga frika se mandatet e tyre gjoja ishin të frymëzuara nga Komisioni i Afrikës së Jugut, në vend se të jenë të rrënjosura në një kontekst lokal – mungonte pronësia.

Paralelisht u formuan tri organe lokale hetuese në Sarajevë (Komisioni për Hetimin e të Vërtetës në Lidhje me Vuajtjet e Serbëve, Kroatëve, Boshnjakëve, Çifutëve dhe të Tjerë në Sarajevë në Periudhën mes 1992-1995), Bijeljinë (Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin i Kuvendit Komunal të Bijeljinës) dhe Srebrenicë (Komisioni për Hetimin e Ngjarjeve Brenda dhe Rreth Srebrenicës mes 10 – 19 korrik 1995).

Në të gjitha rastet u pa se sa jetike është transparenca, pronësia lokale dhe mbështetja publike, në mënyrë që proceset e tilla të shkojnë përtej themelimit të thjeshtë të tyre.

Vetëm kjo e fundit prodhoi rezultate të qarta: një raport që u publikua në qershor 2004. Raporti u bë publik dhe përbënte bazën e njohjes dhe kërkimfaljen publike nga ana e qeverisë së Republika Srpskës, për krimet e luftës që u kryen në Srebrenicë… deri kur së fundmi u refuzua formalisht nga lidershipi aktual i entitetit.

Asnjëri nga mandatet e këtyre organeve nuk ua mundësoi viktimave të flasin publikisht. Secili prej tyre ishte disi i kritikuar për mungesë të transparencës dhe për mandate të paqarta.

Këta shembuj të ndryshëm kishin plot veçanti të tjera që nuk analizohen në këtë artikull. Në të gjitha rastet, zgjedhja e mandateve lokale, kombëtare apo rajonale, përkohshmëritë e ndryshme të krimeve që po shqyrtoheshin, koha dhe konteksti i themelimit të tyre dhe mbështetja nga autoritetet (vendim presidencial apo parlamentar, ndikim i jashtëm etj.) ndikuan tek qenësia e tyre dhe perceptimi i publikut.

Në të gjitha rastet u pa se sa jetike është transparenca, pronësia lokale dhe mbështetja publike, në mënyrë që proceset e tilla të shkojnë përtej themelimit të thjeshtë të tyre. Puna analitike e kryer në Bosnje pas ngritjes dhe rënies së këtyre komisioneve, tregoi gjithashtu se mungesa e informimit të popullit për përfitimet që i sjell kërkimi i të vërtetës, kontribuoi tek kufizimi i mbështetjes publike.

Nga maji i vitit 2006, pas këtyre dështimeve, një rrjet i organizatave të shoqërisë civile nga shtetet e dala nga Jugosllavia, u bashkuan rreth një vizioni të përbashkët: atë për një qasje rajonale për kërkim të së vërtetës. Një qasje e tillë ishte e domosdoshme marrë parasysh historinë, dimensionin rajonal të krimeve të luftës dhe shpërndarjen e viktimave dhe autorëve të krimeve në shtetet e dala nga Jugosllavia. Ky koalicion filloi avokimin për themelimin e Komisionit Rajonal për Vërtetimin e Fakteve mbi Krimet e luftës dhe shkeljeve tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në ish-Jugosllavi nga 1 janar 1991 deri më 31 dhjetor 2001 (i njohur sipas akronimit KOMRA).

Ideja e promovuar nga Koalicioni për KOMRA-n fillimisht nxiti përfshirje dhe mbështetje të paprecedent në shtatë shtetet e dala nga Jugosllavia: në të u përfshinë 6,700 përfaqësues të shoqërisë civile dhe u mbajtën 128 samite lokale dhe rajonale e 8 forume ndërkombëtare për drejtësi tranzicionale. 555,000 qytetarë të shteteve të dala nga Jugosllavia shprehën publikisht mbështetjen e tyre për nismën.

Fatkeqësisht, një dekadë më vonë, Koalicioni për KOMRA-n nuk ka arritur ta mbajë dhe ta shtojë vrullin e krijuar nga fillimi nxitës dhe nga drejtësia e mandatit të tij. Koalicioni e ka humbur në mënyrë progresive potencialin për t’i dhënë formë të kuptimshme dhe efikase përpjekjeve për kërkim të së vërtetës në rajon.

Adresimi i shkaqeve fillestare të konfliktit, si rrëfenjat antagoniste dhe revizioniste për të kaluarën, janë e vetmja mënyrë për t’i ikur status kuosë së ngrirë në Ballkanin Perëndimor.

Kjo kryesisht për shkak të faktit se suksesi (dhe në fakt edhe themelimi) i KOMRA-s lidhet me perspektivën joreale që shtetet e dala nga Jugosllavia – apo më saktësisht, qeveritë dhe politikanët e tyre – do të pajtohen ta mbështesin këtë ndërmarrje rajonale për t’u ballafaquar së bashku me të kaluarën. Kjo pritje e mbivlerëson ndikimin që mund ta kenë organizatat e shoqërisë civile në kontekstin e Ballkanit, ku retorikat dhe angazhimet e shteteve ende janë shumë të dominuara nga rezistenca ndaj llogaridhënies dhe transparencës për të kaluarën.

Po ta kishte luajtur BE-ja lojën, kjo perspektivë mund të mos kishte qenë kaq utopike, por samiti i fundit i procesit të Berlinit që u mbajt në Londër – një samit ndërkombëtar për Ballkanin Perëndimor ku Koalicioni loboi fuqishëm për mbështetjen e BE-së për KOMRA – tregoi se BE-ja nuk ka vullnet ta mbështesë pa kompromis këtë nismë, përtej mbështetjes së madhe financiare që e ka dhënë për Koalicionin. Para samitit, Koalicioni kishte arritur sukses duke i bindur të përkushtohen qeveritë e Malit të Zi, Maqedonisë, por edhe Serbisë dhe Kosovës, për ta themeluar KOMRA-n. Kishte shumë pritje (ndoshta edhe ishin joreale) që një ‘shtytje’ tjetër nga BE do të krijonte nxitje të mjaftueshme për ta ruajtur mbështetjen e qeverive dhe për t’i bindur shtetet e tjera të Ballkanit që të përkushtohen dhe ta sjellin KOMRA-n në jetë.

Në fund, KOMRA u hoq nga agjenda e takimit dhe fokusi u kthye në çështje më ‘urgjente’ si roli i ‘rrugës së Ballkanit’ në krizën e migrimit dhe rritja e rrezikut nga dhuna ekstremiste në Evropë.

Kjo agjendë tregoi qartë se liderët e BE-së kanë mungesë të guximit politik – është reaksionare dhe simptomatike. Nuk e merr parasysh faktin se adresimi i shkaqeve fillestare të konfliktit, si rrëfenjat antagoniste dhe revizioniste për të kaluarën, janë e vetmja mënyrë për t’i ikur status kuosë së ngrirë në Ballkanin Perëndimor dhe mënyra e vetme për ta ruajtur paqen në rajon.

Për shkak të mungesës së progresit dhe pasi nuk shihet si diçka që është në kundërshtim me mandatin rajonal të KOMRA-s, disa anëtarë të koalicionit e kaluan mbështetjen e tyre, në mënyrë formale apo joformale, tek nismat ekzistuese kombëtare për kërkim të së vërtetës, si nisma presidenciale në Kosovë për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, e nisur me lansimin e Ekipit Përgatitor të saj në dhjetor 2017.

Kjo alternativë kombëtare e ka mbështetjen institucionale që i mungonte KOMRAS-s, por ka dështuar në departamentin e transparencës dhe pavarësisë. Shembujt e nismave rajonale të së kaluarës na bëjnë të mos besojmë se kjo nismë do të bëjë diçka më shumë se të paraqitet në kryetituj dhe ta tërheqë vëmendjen e opinionit. Kjo mungesë e transparencës është e rrezikshme sepse po e parandalon observimin kritik të asaj që mund të zhvillohet në një përpjekje kundërproduktive për drejtësi tranzicionale.

Shembujt nga vendet e tjera (përfshirë këtu rastin e Afrikës së Jugut) dhe letërsia që flet për drejtësinë tranzicionale, na tregojnë se sa i rrezikshëm mund të jetë një proces për kërkim të së vërtetës që zhvillohet në mënyrë të gabuar. Për t’i përmendur vetëm disa rreziqe: ritraumatizimi i viktimave, rishkrimi i historisë nga ana e fituesit duke mos lejuar vënien e saj në dyshim, largimi i përgjegjësisë si këmbim, margjinalizimi i disa grupeve, për të përmendur vetëm disa. Këto janë rreziqe që Kosova dhe rajoni nuk mund t’i përballojnë.

Këto përvoja dhe hulumtime gjithashtu kanë theksuar elemente për një kërkim të suksesshëm për të vërtetën. Kërkimi i së vërtetës duhet të vazhdojë nga një përpjekje ndërkomunitare që tregon të vërteta të ndryshme – si shtresat e qepës që i përmendëm më herët. Kërkesa lokale dhe pronësia lokale janë pjesët tjera kyçe, bashkë me konsultimet përfshirëse dhe pavarësinë politike e financiare.

Gjithashtu do ta shtoja në këtë listë angazhimin e rinisë si në kërkim të të vërtetës ashtu dhe të drejtësisë tranzicionale, jo vetëm pse të rinjtë do të jetojnë me trashëgiminë, por edhe për shkak se versioni i tyre për atë se si i përjetojnë pasojat e luftës duhet ta informojë çdo iniciativë për kërkimit e së vërtetës. Ka aspekte në të cilat Komisioni i Kosovës për të Vërtetën dhe Pajtimin (dhe në fakt të gjitha përpjekjet e mëhershme institucionale për kërkim të së vërtetës) ka dështuar që deri më tani të demonstrojë standarde të kënaqshme.

Në fakt kanë nxjerrë shumë mësime prej vendeve të tjera dhe i kanë mbledhur ato në direktiva të përgjithshme për kërkim të së vërtetës, përfshirë këtu, mes tjerash, direktivat e ICTJ-së për kërkim të së vërtetës. Këto qasje dhe metoda janë dobiprurëse, por duhet të kenë rrënjë në kontekstin specifik për realitetet lokale.

Si mund ta plotësojë Kosova boshllëkun e së vërtetës?

Në Kosovë pyetjet në lidhje me drejtësinë tranzicionale tepër shpesh janë karakterizuar nga një stil i shkopit magjik: Si duhet ta adresojmë këtë? Hajde ta bëjmë këtë! Mendoj se nuk duhet të kërkojmë alternativa të tjera në Kosovë, ku lodhja e përgjithshme me mekanizma ad hoc – dhe pothuajse magjik – ndërkombëtar për ballafaqim me të kaluarën duhet t’i informojë vendimet e së ardhmes sa i përket kësaj çështjeje.

Në fakt, në Kosovë, për shkak të mungesës së kërkimit zyrtar dhe efikas të së vërtetës, kanë lindur disa nisma të ndryshme të drejtuara nga organizata të shoqërisë civile që kanë kanë bashkëpunim dhe kohezion të pakët, por sidoqoftë ato janë të sinqerta, përfshirëse dhe kanë pronësi lokale – e prandaj edhe kanë potencial të madh për kërkim individual dhe shoqëror të së vërtetës.

Libri Kujtimi i Kosovës – që erdhi pas shembujve rajonal në Bosnje, Serbi dhe Kroaci që kishin për qëllim të shërbejnë si bazë për pajtim dhe KOMRA ka prodhuar një regjistër shumë të saktë të viktimave të konfliktit të armatosur në Kosovë, që i dokumenton 13,517 viktima të luftës dhe 1,603 viktima potenciale, statusi i të cilëve nuk është qartësuar plotësisht ende.

Metodologjia strikte e databazës së saj, që pararqet burime origjinale të të gjitha të dhënave dhe i lidh mesatarisht tetë burime për secilën viktimë apo ngjarje, pas një protokolli të rreptë të verifikimit të tërthortë dhe shqyrtimit sistematik të paanshmërisë së burimeve, është vlerësuar në mënyrë të pavarur se ka arritur t’i dokumentojë të gjitha apo gati të gjitha humbjet e njerëzve gjatë konfliktit në Kosovë, minus disa dhjetëra vdekje të padokumentuara. Shoqëria civile në shoqëri të tjera në tranzicion të pasluftës si Iraku dhe Sudani Jugor tani po trajnohen për të përdorur metodologji të ngjashme për vërtetim të llogarive faktike të viktimave.

Prej vitit 2012, Iniciativa e Historisë Gojore i ka dhënë zë një numrit të madh të njerëzve, duke u fokusuar në përvojën e tyre treguar të vërtetën.

Duhet të kërkojmë t’i zhvillojmë nismat ekzistuese dhe format e metodologjitë e ndryshme të tyre.

Këta dy shembuj që i ilustrojnë dy përbërësit e parë të kërkimit të së vërtetës siç u shpjegua më lart – pra gjetjen e fakteve dhe të vërtetave të perceptuara – nuk i përfaqësojnë si duhet kontributet që janë dhënë për tregimin e së vërtetës dhe ruajtjen e kujtesës në Kosovë. Nëpërmjet kësaj, me kohë, organizatat e shoqërisë civile kanë mbledhur një sasi të paçmueshme (dhe të pareplikueshme) të të dhënave parësore për tregimet e viktimave dhe të tjerëve. Pjesa më e madhe e kësaj pune ka potencial të madh, por i mungojnë burimet, mbështetja dhe hapësira. Pse të mos i përdorim ato që i kemi, në vend se të shpikim diçka të re?

Kur bëhen bashkë, këto tregime pikturojnë një pikturë komplekse, shumëngjyrëshe, dinamike dhe njerëzore të së kaluarës së Kosovës. Aktualisht, kompleksiteti i afrohet më së shumti që është e mundur të vërtetës së përbashkët. Siç është përmbledhur më lartë, një mekanizëm i ri dhe formal për kërkim të së vërtetës, për të qenë i sinqertë dhe efikas, do të duhej të parashikonte konsultime transparente dhe përfshirëse.

Nuk kam besim se kjo është e mundur në Kosovën bashkëkohore. Gjithashtu, nuk mendoj se duhet të ‘rrezikojmë’ duke prodhuar një të vërtetë të unifikuar institucionale që i konkretizon versionet unilaterale të historisë dhe e ngrinë dialogun dobiprurës për të kaluarën. Gjithashtu, besoj se janë shpenzuar mjaft paratë e donatorëve dhe shpresat e njerëzve për ndryshim në perspektiva joreale. Duhet të kërkojmë t’i zhvillojmë nismat ekzistuese dhe format e metodologjitë e ndryshme të tyre.

Kjo mund të bëhet fillimisht nëse organizatat e shoqërisë civile që punojnë me ballafaqimin me të kaluarën në Kosovë dhe në veçanti ato që kanë material për kërkim të së vërtetës bëhen bashkë për të punuar në mënyrë të sinqertë, duke filluar nga përcaktimi i kontributeve të ndryshme dhe të vlefshme për kërkim të së vërtetës dhe për kujtesë, si dhe përçojnë unitet të disa të vërtetave para publikut. Së dyti, me këtë bashkim civil dhe me ndikimin e donatorëve që e mbështesin këtë partneritet, qeveria e Kosovës nuk do të kishte më zgjidhje, përpos t’i miratonte përpjekjet ekzistuese për kërkim të së vërtetës dhe të ofronte burimet dhe mbështetjen e nevojshme.

A po mungon pragmatizmi edhe në këtë ide? A mund të presim realisht se organizatat e shoqërisë civile në Kosovë do të bëhen bashkë dhe të kërkojnë mbështetje qeveritare për punën e tyre të shkëlqyeshme, por të pjesshme dhe josistematike, e shpeshherë tepër të orientuar drejt donatorëve siç po e bëjnë aktualisht? Unë mendoj se më e realizueshme është kjo se të kërkojmë nga liderët e Serbisë, Kroacisë, BeH dhe Kosovës – kredibiliteti politik i të cilëve do të sfidohej nga një dialog i hapur dhe përfshirës për të kaluarën – që të pajtohen për KOMRA-n. Më shumë mund ta presim bashkëpunimin e organizatave se që mund të presim paanshmëri, transparencë dhe përfshirje nga Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Kjo zgjidhje ‘vetëm’ kërkon që liderët e shoqërisë civile në Kosovë t’i tejkalojnë disa prej rivaliteteve reale apo të perceptuara që i kanë mes vete, për t’i ikur garës së dëmshme dhe të shmangshme për financim të drejtësisë tranzicionale në Kosovë dhe për të filluar ndërtimin e të vërtetës së përbashkët.

Shënim: Ky artikull i pasqyron pikëpamjet personale të autores dhe jo pikëpamjet e oganizatës me të cilën është e asociuar.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO