Shkurt | LGBTI

Aktivistët lajmërojnë Paradën e Krenarisë

Nga - 05.10.2017

Më 10 tetor, për herë të parë në Kosovë do të mbahet Parada e Krenarisë.

Lëvizja LGBTI në Kosovë po pritet të shënojë një moment shumë të rëndësishëm. Është lajmëruar se Parada e Krenarisë do të mbahet të martën e ardhshme (10 tetor). Pas marsheve që u mbajtën për tre vite të fundit më 17 maj, në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë, kjo do të jetë parada e parë LGBTI në Kosovë.

Parada do të nisë në 11:30 në Sheshin Skenderbeu dhe do të mbyllet me një koncert të shkurtër në Sheshin Zahir Pajaziti.

Paradat e Krenarisë nëpër botë, të njohura edhe si Marshet e Krenarisë dhe Festivalet e Krenarisë, janë ngjarje të cilat e festojnë kulturën, krenarinë, shumëllojshmërinë dhe lirinë e komunitetit LGBTI. Paradat kombëtare gjithashtu kanë për qëllim të japin mesazh kundër diskriminimit dhe dhunës ndaj personave LGBTI, duke shtuar njëkohësisht dukshmërinë e tyre si grup shoqëror, si dhe duke promovuar të drejtat e barabarta.

Secili shtet që e feston Krenarinë – në rajon dhe në botë – e ka ditën përkatëse kombëtare për këtë festë; me lajmërimin e sotëm u kuptua se 10 tetori do të bëhet Dita Kombëtare e Kosovës për Paradën e Krenarisë LGBTI.

Me moton “Në Emër të Dashnisë”, Java e Krenarisë – seri e ngjarjeve dhe aktiviteteve të fokusuara në kulturën dhe të drejtat LGBTI – do të mbahet në datat 6-9 tetor.

“Kjo moto ka për qëllim ngritjen e vetëdijes te qytetarët për të treguar se komuniteti LGBTI ashtu si edhe e gjithë shoqëria mund të duan dhe të dashurojnë, si dhe largimin e paragjykimeve që shoqëria kosovare i ka për komunitetin”, shkruan në kumtesën për media që u publikua sot nga organizatorët e Krenarisë, gjegjësisht grupet që punojnë për të drejtat LGBTI dhe organizatat tjera që punojnë për të drejtat e njeriut dhe ato civile. “Gjithashtu, ftohen institucionet relevante që të angazhohen më shumë në zbatimin e ligjeve, strategjive të parandalimit të dhunës ndaj komunitetit LGBTI dhe ofrimin e shërbimeve për mbrojtjen dhe mirëqenien e viktimave”.

Organizatorët i ftuan të gjithë qytetarët kosovarë t’i bashkohen Paradës së Krenarisë që të krijohet një lëvizje më e zëshme për një shoqëri më tolerante dhe më pranuese ndaj shumëllojshmërisë dhe dashurisë.

Në atë kumtesë për media u theksua edhe sondazhi i vitit 2015, i drejtuar nga National Democratic Institute (NDI), me të cilin u analizua opinioni publik për personat LGBTI në Ballkanin Perendimor; sipas hulumtimeve, Kosova është shteti me nivelin më të lartë të homofobisë në rajon. Në Kosovë, personat LGBTI diskriminohen në të gjitha sferat e jetës.

Organizatorët e Paradës së Krenarisë janë: Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD, Qendra për Liri dhe Barazi – CEL, Rrjeti i Grupevetë Grave të Kosovës – RrGGK, Qendra për Art dhe Komunitet – ARTPOLIS, Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut – YIHR, Këshilli Rinor Kosovar – KYC, Qendra Kosovare për Studime Gjinore – QKSGj, Koalicioni Të Drejtat e Barabarta për të Gjithë – ERAC, Programi Univerzitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore, Alter Habitus dhe Grupi “Qashtu qysh jom”.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO