Në thelb | Shqipëria

Adem Reka dhe Ardit Gjoklaj përballë makinerive që u morrën jetën

Nga - 13.08.2018

A janë përmirësuar të drejtat e punëtorëve në Shqipëri që nga regjimi i Hoxhës?

Ditën e 17-të nëntorit të vitit 1966 Durrësin e kishte goditur stuhia. Moti po bënte dëme dhe pjesa më kritike ishte në portin e qytetit – ku dallgët dhe era po rrezikonin të rrëzonin bigën lundruese të portit. Punëtorët po përpiqeshin të sanonin dëmet dhe të mbanin bigën në këmbë.

Në mesin e tyre ishte edhe Adem Reka, që me përvojën e punës mbi 15 vjeçare që kishte, po jepte kontributin e tij. Përkundër se atë ditë ishte në pushim ai do shkonte në punë, që njëherish do shënonte ditën e fundit të punës për të.              

Një prej kabllove metalike që mbante të lidhur bigën ishte këputur dhe kishte goditur në kokë Adem Rekën, duke e lënë të vdekur.               

Vdekja e 39-vjeçarit nuk kaloi në heshtje. Pushtetarët më të lartë të asaj kohe kishin reaguar duke e cilësuar Rekën si një model për shoqërinë komuniste të Shqipërisë. Ata nuk kërkonin përgjegjësi për vdekjen e tij dhe as nuk flisnin për kushtet apo sigurinë në punë. Organizuan marshime nga e gjitha Shqipëria në drejtim të portit të Durrësit.

Njerëzit ecnin me kilometra të tëra, nga gjitha rrethet e Shqipërisë për të nderuar punëtorin e vdekur. Regjimi i atëhershëm nuk u mjaftua vetëm me marshe, ata shpallën Adem Rekën ‘‘Hero i Punës Socialiste’’ dhe për 45 vitet e diktaturës komuniste ai u përdor si model ‘‘se si duhej të ishte punëtori socialist’’.       

Kjo përmbajtje është pjesë e dokumentarit ‘‘Adem Reka’’ të regjisorit Ardian Arrëza që me 5 gusht u shfaq në kuadër të Dokufestit, në kategorinë ‘‘National’’. Regjisori 25-vjeçar nga Durrësi kishte detyrë shkollore të realizonte një dokumentar me temë ‘‘Përballja me të kaluarën’’. Nisur nga kjo ai filloi të hulumtonte për të kaluarën e qytetit të tij dhe në bisedë e sipër me babain e tij u përmend historia e Rekës – për të cilën edhe ai kishte dëgjuar edhe më parë.       

Dokumentari “Adem Reka” i regjisorit Ardian Arrëza i cili është shfaqur në DokuFest në kategorinë “National”, tregon se si sistemi i atëhershëm komunist, fatkeqësitë në punë i shndërronte në storie heroike. Foto: Atdhe Mulla / K2.0

U ngacmua edhe më shumë nga kjo histori kur kuptoi se disa prej të njohurve të tij e dinin e disa të tjerë jo historinë e Rekës. Më interesante për të e bënte se ata që kishin informacione për ngjarjen ishin të ndarë ‘‘se a e meritonte ai titullin hero apo jo’’. Kjo e shtyu Arrëzën të fillonte e të hulumtonte më tej dhe përfundimisht vendosi ta sjellte ngjarjen përmes ekranit të madh.        

Gjetja e parë ishte një pullë postare me emrin e Rekës. ‘‘Më bëri përshtypje kjo’’, thotë Arrëza për K2.0, duke komentuar se si ju duk’ ajo pamje atij; ‘‘Ademi aty është duke luftuar me dallgët dhe sipër kokës i kalon një prej dallgëve dhe duket sikurse vizatimet ikonografike kishtare’’.  Për të është e çuditshme se si sistemi i atëhershëm, fatkeqësitë në punë i shndërronte në storie heroike.

‘‘Duke mos pasur idhuj, këta heronjë janë perfekt për komunizmin sepse ata vdesin në punë dhe japin jetën për punën e për atdheun’’, thotë ai duke tentuar të analizoj një veprim të tillë.

Arrëza nuk e ka shumë në qejf të flet për punën e tij, më shumë i’a lë dokumentarit të shprehet për të. Megjithatë, kur flet për storien e Adem Rekës, e bën përmes fjalëve të personave që ishin pjesë e dokumentarit dhe e jetuan atë ngjarje. Ai kujton fjalët e vajzës së Ademit,për të cilën e gjitha ishte një fatkeqësi për familjen e saj.   

Në dokumentar ajo thekson momentet e vështira nëpër të cilat kishte kaluar familja e saj dhe shfrytëzimin e kësaj ngjarje nga regjimi i atëhershëm. Kujton llafet e asaj kohe që përhapeshin se nëna e saj po udhëtonte në Kore apo vende të tjera komuniste dhe se po trajtohej mirë nga regjimi. E sipas saj, asnjëra nga këto nuk ishte e vërtetë, e si argument përmendte se këmba e nënës së saj nuk kishte shkelur anjëherë jashtë Shqipërisë.        

E bija e Ademit kujton se gjatë asaj kohe nëna e saj brengosej nga marshet që organizoheshin për burrin e saj. ‘‘Obo obo do ma mallkojnë Ademin”, tha ajo, duke u bërë merak se do ta fajësojnë Rekën, pasi i kanë detyruar të ecin deri në Durrës.

Të drejtat e punëtorëve në Shqipërinë komuniste

Në mesin e personave që nga Tirana në Durrës, e që për më shumë se 35 kilometra kishin marshuar në këmbë, ishte edhe nëna e Gjergj Erebarës. Gazetari nga Tirana Erebara kujton këtë kohë duke insistuar se këto marshime ishin të detyruara edhe pse paraqiteshin si vullnetare. Sipas tij, aksidente fatale të punëtorëve në punë gjatë asaj kohe ishin të shpeshta dhe regjimi vendoste që disa prej tyre t’i përdorte për propagandë.

Kjo për Erebarën ishte mesazh ku tentohej t’u thuhej njerëzve se; ‘‘Regjimi pret që ti të vdesësh në punë. Nuk ka rëndësi jeta jote…e rëndësishme është që ti ta kryesh funksionin tënd në këtë shoqëri’’.   

Për gazetarin nga Tirana Gjergj Erebara, kushtet e punëtorëve nuk janë përmirësuar shumë nga regjimi i kaluar, ku punëtorët ende vdesin në vend të punës, keqpaguhen dhe shfrytëzohen. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Arlind Qori, profesor në Universitetin e Tiranës (UT) dhe aktivist i Organizatës Politike thotë se regjimi i kaluar ka pasur ‘‘marrëdhënie të vështirë me punëtorët’’ dhe është përballur me disa kontradikta brenda vetes. E para sipas tij, është se regjimi pretendonte që ishte ‘‘përfaqësues i klasës punëtore por që do të duhej ta ndërtonte atë prej hiqit’’. Sipas tij, teoria marksiste thotë se klasa punëtore i paraprinë çfardo lloj partie që pretendon të jetë e saj.   

Për Qorin, klasa punëtore nuk ekzistonte sepse Shqipëria në regjimin komunist ishte vend i pazhvilluar ekonomikisht dhe më shumë kishte fermerë dhe zanatçinj, por që më pas me industrializimin e vendit arritën që ta krijojnë pjesërisht klasën punëtore. Më tej, ai thotë se regjimi i Hoxhës edhe pse pretendonte se bazohej mbi interesin dhe pjesëmarrjen e klasës punëtore nuk veproi si i tillë. Për të, sistemi i atëhershëm komunist nuk intensifikoi marrëdhëniet me klasën punëtore sepse ja kishte frikën, pasi që mund të rritej pushteti i punëtorëve dhe kështu cënohej pushteti i burokratëve të asaj kohe.

Sipas tij, kasta politike e kishte ‘‘nevojën që përmes klasës punëtore jo vetëm të rriste industrializimin e vendit por edhe t’i mundësonin vetes të mira materiale’’. Përkundër kësaj, ai beson se regjimi i atëhershëm arriti që t’i plotësonte disa prej kërkesave.

Në anën tjetër, Erebara beson se klasa punëtore në atë kohë ishte në gjendje skllavërie. Sipas tij, paga ditore për një punëtorë ishte 15 lekë e ku një bukë kushtonte 5 lekë. ‘‘E kjo pagë në kohën e pensionit bëhej edhe më e vogël’’, thotë ai. Për të vendi i punës përdorej edhe si mjet politik ku me anë të saj netralizoheshin njerëzit që besohej se paraqisnin rrezik potencial për regjimin.

‘I fusnin njerëzit në burg sepse kishin nevojë për minatorë, kjo sepse njerëzit nuk donin të punonin aty se ishte rrezik si për sëmundje ashtu edhe për aksidente’’, thotë ai.

Për të, edhe puna vullnetare që thirrej atë kohë ishte mjet shfrytëzimi ‘‘për ndërtimin e atdheut’’. E që sipas tij nuk kishte aspak të bënte me vullnetarizëm por ishte e detyruar ku edhe vdisnin njerëzit. Për këtë kujton 17-vjeçaren Shkurte Vataj e cili kishte vdekur gjatë punës vullnetare në ndërtimin e një hekurudhe.

Arlind Qori thekson se regjimi ka përdorur edhe dhunën për t’i detyruar njërëzit të punojnë. ‘‘Ka përdorur punën e detyrueshme të të burgosurve – që është flagrante dhe e dukshme’’, thotë ai. Për të, sistemi bënte ‘‘propagandë mbytëse…ku në burgje ju thuhej se ca e keni hak që t’i shlyeni detyrimet ndaj shoqërisë dhe disave se puna do të ju bëj njerëz më të mirë’’.   

Tek puna vullnetare, Qori sheh një dimension tjetër, përkundër asaj se njerëzit punonin pa u paguar. Kryesisht të rinjtë u rekrutuan për punë vullnetare dhe, për Qorin, shfrytëzuan këtë mundësi për të shkuar në qytete të ndryshme, për t’u dashuruar dhe gjithashtu kjo ka luajtur një rol emancipues. ‘‘Nuk ishte që njerëzit shkonin me qef aty”, thotë ai. “Mirëpo, duhet pasur parasysh se Shqipëria ishte një vend goxha tradicional dhe i prapambetur. E shumë të rinj të asaj kohe e shfrytëzonin si mënyrë të daljes nga shtëpia…një lloj çlirimi nga mbikqyrja e familjes apo rrethit të ngushtë shoqëror’’, thotë ai.

Në fillim të viteve ‘70-ta dhe gjatë ‘80-ve lindi një klasë e re punëtore që kishte kërkesa më të larta, nuk mjaftohej me daljen jashtë shtëpisë. Sipas tij, kjo klasë e re nuk pranoi atë intenzitet të shfrytëzimit.

Për të ankesat më shumë vinin nga klasa punëtore që punonte nëpër fabrika e sidomos shfrytëzohej masa fshatare që punonte në kushte të vështira nëpër kooperativa bujqësore.  

Ai thotë për K2.0 se punëtorit i thuhej ngado që është ‘‘nder të punosh e të ndërtosh socializmin” që në fakt shpeshherë nënkuptonte privilegje të burokracisë. Por që, sipas tij, nuk është se kjo ka pasur shumë efekt dhe se njerëzit nuk e kanë besuar atë. ‘‘Njerëzit kanë pasur qëndrim neutral për sa kohë regjimi i shkuar ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë bazike të shoqërisë’’, thotë ai.  

Në fillim të viteve ‘70-ta dhe gjatë ‘80-ve lindi një klasë e re punëtore që kishte kërkesa më të larta, nuk mjaftohej me daljen jashtë shtëpisë. Sipas tij, kjo klasë e re nuk pranoi atë intenzitet të shfrytëzimit dhe për pasojë kishte pakënaqësi të mëdha e që i artikuloi në mënyra të ndryshme.   

‘‘Në fillim të viteve 80-të [punëtorët] mezi arrinin të ushqeheshin…dhe filloi rezistenca pasive, ku për pasojë qoi në revolucion politik dhe shoqëror’’, thotë Qori, duke vazhduar të thotë se është ironike që një prej hallkave që rrëzoi pushtetin e atëhershëm ishin punëtorët në emrin e të cilëve thirreshin pushtetarët e atij regjimi.   

Një epokë e re?

Në vitetet e 90-ta, pas rënies së komunizmit në Shqipëri u hapën mundësitë për ndryshime dhe rregullimi ekonomik u bë në bazë të modelit të tregut të lirë.

Ndryshimet rrënjësore të funksionimit dhe rregullimit ekonomik të shtetit, sipas Erebarës nuk është se sjellën shumë ndryshime e përmirësim të gjendjes së punëtorëve. Sipas tij, sot e asaj dite gjendja e punëtorëve është e rëndë. ‘‘Sot ti prapë vdes në punë, prapë je i keqpaguar e prapë i shfrytëzuar’’, thotë ai. Rrëzimi i sistemit të kaluar sipas gazetarit ka sjellë vetëm një ndryshim; ‘‘punëtori kishte të drejtë të arratisej nga vendi’’, thotë ai.    

Për profesor Qorin, punëtorëve ju ishte kthyer shpina porsa filloi sistemi i ri – ani pse ata kishin shpresa të mëdha tek ai sistem. Kjo sipas tij, erdhi për shkak se punëtorët u flakën në rrugë, u mbyllën fabrikat dhe mbeti shumë pak industri në vend.

Ai thotë se është i vetëdijshëm se jo të gjitha fabrikat mund të mbijetonin por të njëjtën kohë askush nuk bëri ndonjë studim për të parë se cilat prej fabrikave mund të vazhdonte prodhimin i cili do të përkthehej në mirëqenie për punëtorët e tyre.‘‘Thjeshtë vendosën t’i privatizojnë. Kur politikani vendos t’i shes ato ai edhe mund të përfitojë nga kjo’’, thotë ai.

Arlind Qori thotë se për kryeministrin dhe qeverinë, shfrytëzimi i tmerrshëm i punëtorëve, është qelësi i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Foto nga Arlind Qori.

Ai beson se me investime nga shteti shumë prej tyre mund të funskionalizoheshin e duke mos ndodhur kjo e vetmja mundësi punëtorëve u mbeti emigrimi. Për të kjo ‘‘e bëri traumën më të vogël të klasës punëtore’’ dhe shmangu mundësinë e përplasjeve të reja në vend.     

Për Erebarën edhe ata që mbetën në punë nuk është se e kishin më mirë. Ai merr shembull minatorët që për të janë në rrezik më të madh se sa ishin dikur, pasiqë minierat janë ndarë në seksione e shfrytëzohen nga kompani të ndryshme private. ‘‘Duke qenë se të gjitha bëjnë shpërthime për hesap të vetin, rreziku që shpërthimi i njërës kompani të vrasi punëtorët e kompanisë tjetër është i madh’’, thotë Erebara.   

Në minierat që ende janë funksionale në Shqipëri, shënohen vazhdimisht aksidente që në shumë raste lënë të vdekur minatorët. Mediat në Tiranë raportojnë se në dy dekadat e fundit në Shqipëri kanë vdekur mbi 300 minatorë dhe se vdekjet e tyre mbesin të pa ndëshkuara. Në raportet e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM) në shumë raste punëtorët mbesin fajtorë për vdekjet e tyre.   

Vdekja e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në vend të punës, nxiti protesta në vend si dhe muret e qytetit ishin mbushur me grafite në të cilat kërkohej drejtësi për vdekjen e tij. Foto nga Artan Rama.

Në vitin 2016, një vdekje tjetër në vendin e punës në Shqipëri pati nxitur reagime të shumta në vend. 50 vite pas vdekjes së Rekës në vendin e punës humbi jetën 17-vjeçari Ardit Gjoklaj në një vendgrumbullim dhe përpunim të mbeturinave në Sharrë të Tiranës. 17-vjeçari po punonte në kuadër të kompanisë ‘‘3R’’ e cila ushtronte aktivitetin e saj me leje nga Bashkia e Tiranës.

Ky ambient ishte vizituar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj disa herë ku edhe pati premtime se kushtet e atyre që punojnë aty do jenë të mira. Por kjo ishte larg të realitetit të ‘‘Landfillit të Sharrës’’. Aty u zbulua se punonin shumë të mitur dhe në kushte aspak të volitshme. Shumë nga punëtorët nuk ishin të regjistruar dhe sidomos si punëtorë sezonal ai ambient i punës mbushej me të mitur dhe punohej natën, si dhe kur moti ishte i vështirë.   

Për vdekjen e Gjoklajt prokuroria ka thënë se ai ka vdekur si pasojë e shtypjes nga një makineri e rëndë gjatë kohës sa po punonte në mesin e mbeturinave. Prokuroria akuzoi 4 persona për këtë ngjarje dhe me gjykatën u përballën vetëm vozitësi i makinerisë që i morri jetën Gjoklajt dhe administratori i turnit të asaj nate. Në maj të këtij viti gjykata liroi nga akuza dy të akuzuarit, ndërsa prokuroria apeloi vendimin.  

Arlind Qori thotë se kjo kompani ishte reklamuar si model nga i pari i Tiranës dhe në ‘‘modelin e kryetarit të Tiranës vdes një fëmijë, që s’duhej të punonte aty, se ishte fëmijë’’. Për të, mos dhënia e përgjegjësisë nga pronari i kompanisë si dhe ata që i dhanë leje atyre të shfrytëzojnë deponinë e mbeturinave është shqetësuese. Sipas tij, hetimet duhet të shtriheshin deri tek Bashkia e Tiranës.

Për vdekjen e të riut në Tiranë, ishin organizuar protesta dhe muret e qytetit ishin mbushur me grafite në të cilat kërkohej drejtësi për vdekjen e tij.

‘‘Puna në fasoneri është më e vështira, më shfrytëzuesja dhe më e keq paguara sot në Shqipëri".

Arlind Qori, profesor dhe aktivist i Organizatës Politike

Një sektor tjetër në Shqipëri me shumë të punësuar, janë edhe fabrikat për prodhimin e rrobave dhe këpucëve – apo që ndryshe njihen si fasoneri.

Qori thotë se nga analizat që kanë bërë në kuadër të Organizatës Politike del se ‘‘puna në fasoneri është më e vështira, më shfrytëzuesja dhe më e keq paguara sot në Shqipëri. Si argument të kësaj thekson lëvizshmërinë që kanë me punëtorët ky sektor. Nga kjo thotë se ‘‘për këtë arsye fasonerit kërkojnë vazhdimisht punëtorë’’.  

Sipas tij, kjo punë është me kushte kaq të këqija saqë njerëzit më shumë preferojnë të mos punojnë fare dhe të jetojnë me të ardhura minimale që ju vijnë nga emigrantët, se sa të punojnë aty. 

Për gazetarin Erebara, simbol i punëtorëve në Shqipëri janë ata të fasonerive, të cilët punojnë në kushte të mjerueshme. ‘‘Kam hulumtuar dhe kam parë se edhe në Bullgari apo Rumani prodhohen këpucë’’, thotë ai duke lidhur paralele me Shqipërinë. ‘‘Në këtë sektor, atje paga mesatare është 400 euro, ndërsa në Shqipëri është 150 euro’’, thotë Erebara.

Këtë pyetje ai e lidh me prononcimet e kryeminstrit Edi Rama i cili vazhdimisht kur flet për vende të reja të punës thotë se ‘‘punë ka por s’ka punëtorë’’, ku në shumë raste i ka quajtur njerëzit dembelë.

Për Qorin, qeveria duhet të pyes se pse po refuzohen dhe pse punëtorët po lënë vendet e punës në këtë sektor. Sipas tij pyetjet që do të duhej të bëheshin janë: sa paguhen këta punëtorë; sa shfrytëzohen; sa orë në javë punojnë; a kanë ndonjë ditë pushim, si dhe; a abuzohet me gjoba ndaj tyre të cilat përkthehen në heqje rroge?

Ai beson se institucionet shtetërore nuk janë të interesuara për këtë. Sipas tij, kryeminsitri dhe ministrat dalin përkrahë pronarëve të fasonerive dhe këtë sektor e paraqesin si e ardhmja. ‘‘Shfrytëzimi i tmerrshmën i punëtorëve për ta është një prej qelsave të zhvillimit të Shqipërisë’’, thotë ai.

Qori nuk beson se qeveria e ka në plan të thithë investime ose të hap vende pune që kërkojnë punë të kualifikuar dhe me intenzitet më të ulët të shfrytëzimit. Sipas tij, modeli i qeverisë është ‘‘punë e vështirë, më pak e kualifikuar, më pak e paguar’’, dhe e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo është që punëtorët të organizohen për një të ardhme më të mirë.

Me ndryshimin e sistemit politik dhe ekonomik, duket se kushtet e punës së punëtorëve nuk janë përmirësuar. Shfrytëzimi dhe vdekjet në vend të punës, vazhdojnë të jenë pjesë e jetës së përditshme. Veprimet e institucioneve duken të jenë të pasuksesshme në mbrotje të punëtorëve dhe 50 vite më vonë, fati i Adem Rekës ishte dhe i Ardit Gjoklaj.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO