S`fundmi | Të drejtat e njeriut

Aktivistët kërkojnë t’i jepet fund dhunës gjinore

Nga - 26.11.2016

Aktivistët e Prishtinës i bashkohen fushatës ndërkombëtare.

Rreth 100 gra aktiviste të të drejtave të njeriut si dhe qytetarët tjerë marshuan sot në Prishtinë për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Grave. Me iniciativë të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), marshi i quajtur “Nuk Ka Arsyetim”, organizohet në kuadër të fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave, që zhvillohet çdo vit nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor  — Dita e të Drejtave të Njeriut. Fushata e OKB-së që zhvillohet anembanë botës ka për qëllim të përhapë vetëdijësimin se gratë në gjithë botën janë viktima të dhunimit, dhunës në familje, ngacmimit seksual si dhe të formave tjera të dhunës.

Aktivistët që mbanin pankarta me citime nga personat që i kanë mbijetuar dhunës gjinore kanë ecur nga Sheshi Zahit Pajaziti drejt Bulevardit Nënë Tereza para se të ndaleshin përpara ndërtesës së qeverisë në Sheshin Skenderbeu. Pankartat e tyre i lidhën në formë të instalacionit për rrethojat e ndërtesës qeveritare, duke kërkuar nga institucionet kosovare ta adresojnë dhunën gjinore. Njëra prej pjesëmarrëseve ishte edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahaga, mirëpo nuk kishte asnjë përfaqësues politik, grua a burrë, në mesin e aktivistëve tjerë.

“Sot, kemi dalur të marshojmë në mënyrë që të gjithë së bashku, si shoqëri kosovare, t’i luftrojmë të gjitha format e dhunës të cilat janë më shumë të theksuara tek vajzat dhe gratë” i tha ekipit të K2.0 Adelina Berisha nga RrGK-ja. “Nuk kemi dashur të mbajmë fjalime, por vendosëm që përmes këtyre citimeve, dhe përmes të dhënave të hulumtimit… të hedhim dritë mbi problemin e dhunës kundër grave dhe vajzave, me shpresë që institucionet tek të cilat i kemi vendosur këto pankarta do t’i marrin ato seriozisht dhe do ta trajtojnë dhunën gjinore me seriozitetin e merituar”.

majlinda-hoxha-16days-against-gender-based-violence-11-2016_2

Adelina Berisha.

Motoja “Nuk Ka Arsyetim” ishte gjithashtu titulli i një raporti hulumtues të RrGK-së të vitit 2015 i cili analizonte qëndrimet, incidentet dhe përgjigjet institucionale ndaj dhunës në familje në Kosovë.

“Mbase fakti më shqetësues është se në shoqërinë tonë dhuna është e pranueshme, dhe shumë shpesh shumë qytetarë kosovarë nuk kanë dijeni për format e dhunës, dhe prandaj nuk dinë si të veprojnë kur janë viktima të dhunës”, tha Berisha.

Statistikat dhe citimet nga raporti ishin në mesin e pankartave të ngjitura për rrethojat e ndërtesës së qeverisë. Sipas këtij raporti, 68 përqind e grave kosovare kanë përjetuar dhunë në familje në jetën e tyre, 41 përqind e grave kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës në familje vetëm në vitin 2014, ndërsa 21 përqind e grave dhe 22 përqind e burrave pajtohen që “nganjëherë është në rregull që burri ta rrahë gruan.”

Ndër citimet e tjera, në këtë marsh u panë edhe këto: “Policia e mbylli rastin sepse personi kishte njerëz të njohur në polici”, “Nuk dal jashtë vetë sepse nuk ndihem e sigurtë”, dhe “Erdhi policia. Viktima u dërgua në spital. Gjykata nuk reagoi. Procesi u zgjidh nga familja dhe gjërat iu kthyen normalitetit”.

“Siç mund të shihet [nga këto pankarta], ka gjithashtu citime ku thuhet se policia shpesh i mbyll rastet [pa i zgjidhur ato], që është shembull i cili dëshmon se ata nuk po e kryejnë punën si duhet”, tha Berisha. “Gjithashtu është shqetësuese që institucionet dështuan t’u ofronin ndihmë të duhur viktimave të dhunës, si në rastet e ngacmimit seksual ashtu edhe në ato të dhunës në familje. Prandaj duhet të punojmë shumë që ta përhapim vetëdijësimin që të mos kemi përqindje aq të lartë të dhunës në të ardhmen.

RrGK-ja vendosi ta titullonte raportin “Nuk ka arsyetim” pas vrasjes së Zejnepe Bytyçit-Berishës në vitin 2015, e cila u godit me thikë nga bashkëshorti i saj. Tragjedia shkaktoi hidhërim të jashtëzakonshëm te qytetarët e Kosovës pasi që familja e saj pohonte se Zejnepja e kishte raportuar dhunën tek autoritetet në 16 raste por thirrjet e saj për ndihmë u shpërfillën.

Ishim jashtëzakonisht të zemëruar me thashethëmet që dëgjonim nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, të cilët pëshpërisnin mbrapa dyerve të mbyllura”, thuhet në raport. “‘Ndoshta kishte biseduar me ndonjë burrë në telefon, dhe kjo e kishte zemëruar bashkëshortin e saj’ apo ‘ndoshta nuk ka qenë e moralshme’. U shokuam dhe u trishtuam me institucionet dhe me shoqërinë e cila vazhdonte ta fajësonte viktimën për një krim… NUK KA ARSYETIM për dhunë”.

Skord Retkoceri, student i psikologjisë i moshës 20-vjeçare ishte njëri prej pak pjesëmarrësve të gjinisë mashkullore në këtë ngjarje. Ai e shprehu zhgënjimin e tij me faktin se shumë prej shokëve të tij të cilët i kishte ftuar nuk kishin ardhur në marsh.

majlinda-hoxha-16days-against-gender-based-violence-11-2016_4

Skord Retkoceri.

“Ekziston njëfar turpi gjithmonë kur burrat ose djemtë dalin në protesta” I tha Retkoceri ekipit të K2.0. “Besoj që është stigma ‘pse po del ti për gra?’. Dhe më herët ndoshta ajo më ka pengu për me dalë [në protestë] për do sende, por e kam shtypë qat frikën që e kam pasë dhe kam dalë”.

Retkoceri konsideron se është shumë e rëndësishme që gratë dhe burrat të bashkohen për të luftuar më shumë për barazinë gjinore dhe për të drejtat e njeriut në përgjithësi. “Është shumë e rëndësishme [për të gjithë njerëzit] me dalë me e ngritë zanin për padrejtësitë që po ndodhin, jo vec për dhunën në familje ndaj grave, por në përgjithësi për gjithcka, qoftë për homofobi, qoftë për seksizëm, qoftë për diskrinim në baza etnike”.

Safete Rogova, njëra prej aktivisteve më të shquara për të drejtat e grave dhe për të drejtat e njeriut në përgjithësi që nga vitet e ’90-a ishte gjithashtu e pranishme në këtë marsh, megjithëse edhe ajo shprehu zhgënjimin e saj që numri i protestuesve nuk ishte më i madh.

majlinda-hoxha-16days-against-gender-based-violence-safete-11-2016

Safete Rogova.

“Edhe me këtë gripin që e kam, e kam ndjerë të nevojshme të protestoj, të jem bashkë me aktivistë, me gratë, ta mbështesim njëra-tjetrën” i tha Rogova ekipit të K2.0. ” Me gjithë këtë punë, gjatë gjithë këtyre viteve që kemi bërë [aktivizëm], ndonjëherë po zhgënjehemi me situatën; sikur kjo situatë politike po na rëndon, sikur po na ngecë mbrapa … por unë prapë besoj në forcën e gruas, lëvizjen e gruas dhe [që] do të përpiqemi të shkojmë përpara. Besoj në forcën e të rinjve, dhe në energjinë dhe vullnetin e tyre që ata do të ndërrojnë dicka, që do të bëjnë dicka për të nesërmen”.

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.