human-rights
Shkurt | Të drejtat e njeriut

Aktivistët kosovarë përgatiten për shënimin e Ditës së të Drejtave të Njeriut

Nga - 09.12.2016

Në kuadër të kësaj dite planifikohet një varg akitivitetesh për t'i adresuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Aktivistët kosovarë të të drejtave të njeriut nesër (10 dhjetor) do ta shënojnë Ditën e të Drejtave të Njeriut me një varg aktivitetesh dhe ngjarjesh në rrugë.  Këto aktivitete do të adresojnë një numër shkeljesh të të drejtave të njeriut dhe nevojën për mbrojtjen e grupeve të ndjeshme. 10 dhjetori shënohen botërisht si përvjetori i miratimit dhe i shpalljes së Deklaratës Univerzale të të Drejtave të Njeriut nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në vitin 1948.

Zyra kosovare e organizatës rajonale Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) u ka kushtuar javën e kaluar aktiviteteve të të drejtave të njeriut duke përfshirë edhe publikimin e një raporti mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe shfaqjen e dokumentarit “Snowden” i cili u përcoll me një diskutim mbi të drejtat e privatësisë.

Ndërsa për vetë Ditën e të Drejtave të Njeirut, YIHR-ja ka vendosur të fokusohet në çështjen specifike të edukimit.  Drejtoresha ekzekutive, Teuta Hoxha, i tha K2.0 se kësaj radhe po shkëputen nga e kaluara, ku YIHR-ja e shënonte këtë ditë duke ngritur zërin për çështjet e të drejtave të njeriut në përgjithësi.

“Kësaj radhe jemi më specifikë dhe kemi përzgjedhur shkolla.  [Këtë e kemi bërë] si rezultat i shumë problemeve, siç është mungesa e sigurisë nëpër shkolla, apo dhuna nëpër shkolla – si nga arsimtarët ashtu edhe nga vetë nxënësit – dhe jo më larg se të mërkurën e kishim një rast të vrasjes së një të riu”.

Hoxha i referohet vrasjes së 22-vjeçarit i cili gjeti vdekjen përpara shkollës Frank Bardhi në Mitrovicë, ndërsa dy të rinj 17-vjeçarë u arrestuan nën dyshime për kryerjen e këtij krimi.

Si pjesë e aksionit të nesërm, aktivistët e YIHR-së do të dalin në rrugë duke improvizuar një klasë në sheshin Skenderbeu. Aktivistët do të mbajnë pankarta me deklarata si: “Shkollat tona nuk janë vende të sigurta”, “Duam shkolla gjithëpërfshirëse”. dhe “Nuk duam ndarje racore nëpër shkolla”.

teuta-hoxha

Teuta Hoxha është drejtoreshë ekzekutive e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, e cila do t’i fokusohej veprimet e saj Ditën e të Drejtave të Njeriut këtë vit nëpër shkolla.

Hoxha shpjegoi se të gjitha porositë bazohen në çështjet që tashmë janë ngritur në raporte të ndryshme si dhe në media.  Duke e komentuar pankartën “Duam shkolla gjithëpërfshirëse”, Hoxha vuri në pah se diskriminimi i nxënësve romë, ashkalinj e egjiptas nëpër shkolla mbetet shqetësim serioz.

Në vitin shkollor 2012/13, politikat segregacioniste në shkollën Mustafa Bakija në Gjakovë, ku nxënësit romë, ashkalinj e egjiptas u vendosën në klasë të posaçme, tërhoqën vëmendjen vendore e ndërkombëtare. Shkolla menjëherë reagoi duke i kthyer nxënësit e komuniteteve pakicë nëpër klasa me shqiptarët. Edhe pse politikat segregacioniste më nuk janë raportuar në Kosovë, fëmijët e komuniteteve pakicë vazhdojnë të diskriminohen nëpër shkolla; rastet që përmenden tregojnë se si individëve të caktuar prapë u thuhet të ulen në rreshtat e fundit, prapë neglizhohen dhe vazhdojnë të mos nxiten të marrin pjesë në aktivitete jashtëshkollore së bashku me fëmijët e komuniteteve tjera.

“Ishte vetë ideja e aktivistëve që përqendrimi të jetë te shkollat, meqë procesi i edukimit është tejet i rëndësishëm për mënyrën se si ndërtohen dhe dekonstruktohen mendimet në lidhje me çështjet e ndryshme” tha Hoxha, duke vënë theksin në procesin e hartimit të fundit të planprogramit të ri shkollor, gjatë së cilit Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) nuk bashkëpunoi me OJQ-të.

Aktivistët do t’i ftojnë kalimtarët e rastit të shkruajnë mesazhe në tabelë, e cila në fund të këtij aksioni do të vendoset përpara Ministrisë së Arsimit.

Duke u thirrur në raportin e publikuar të hënën, Hoxha tha se të gjeturat e përgjithshme ishin pesimiste, me probleme të theksuara në secilën fushë të të drejtave të njeriut.  “Dhuna gjinore mbetet në nivel të lartë, ndërsa dënimet për kryesit janë ose të vogla ose shpallen të pafajshëm”, tha Hoxha.  “Pastaj kemi persona me nevoja të veçanta dhe qasjen e tyre në institucione, çështjen e personave të zhdukur si dhe mungesën e përgjegjësisë për adresimin e kësaj çështjeje”.

Ajo sugjeroi se e vetmja gjë pozitive që u përmend në këtë raport është marshi për të drejtat e komunitetit LGBTI i cili u organizua në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, që gëzoi mbështetjen e institucioneve, OJQ-ve dhe aktivistëve.

Megjithatë, edhe pse marshi rrodhi pa ndonjë incident, komuniteti LGBTI vazhdon të mbetet tejet i margjinalizuar dhe i ndjeshëm brenda shoqërisë kosovare. Për të adresuar shkeljet e të drejtave të personave LGBTI, tri organizata që punojnë në fushën e të drejtave të personave LGBTI – Qendra për Barazi dhe Liri (CEL), Qendra për Emancipim Shoqërorr(QESh), dhe Qendra për Zhvillim të Grupeve Sociale (CSGD) – po organizojnë një varg aktivitetesh të cilat do të përmbyllen të mërkuren me publikimin e raportit me titull “Mbrojtja sociale dhe qasja në shëndetësi e transgjinorëve në Kosovë”, në amfiteatrin e Fakultetit të Filozofizë, në Universitetin e Prishtinës.

Blert Morina, menaxher programi i CEL-it, i tha K2.0 se meqë ky është raporti i parë i këtij lloji, ai shpreson se ai do të nxisë më shumë diskutime, më shumë dukshmëri dhe debat në lidhje me diskriminimin kundër transgjinorëve në Kosovë.

bert-morina

Blert Morina është menaxher i programit në Qendrën për Barazi dhe Liri, një nga tre organizatat LGBTI në Kosovë, që janë duke zhvilluar një sërë veprimesh për të shënuar Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Sot (9 dhjetor) këto tri grupe po e lansojnë një video-fushatë me mesazhe të ndryshme që e vënë theksin mbi çështjet e personave LGBTI, derisa të marten që vjen (13 dhjetor) ato do ta organizojnë një tryezë diskutimi me gjykatës dhe prokurorë për ta adresuar trajtimin e personave LGBTI në sistemin gjyqësor.

Si bazë për këtë diskutim, ata do ta marrin rastin e fundit në Ferizaj, ku një rast që kishte të bënte me sulmin ndaj dy qytetarëve të komunitetit LGBTI në vendin e tyre të punës u dërgua në gjykatë; kjo është hera e parë që një rast i tillë dërgohet për gjykim, përkundër 18 sulmeve kundër pjesëtarëve të komunitetit LGBTI që ishin raportuar në Policinë e Kosovës që nga paslufta.

“Në fillim këtë e kemi parë si progres, duke konsideruar që së paku kemi bazë për këtë rast, meqë 18 rastet që nga paslufta asnjëherë nuk janë zgjidhur”, tha Morina.  

Megjithatë, kemi shprehur frustrimin tonë se me rastin e dënimit të kryesve, Gjykata Themelore në Ferizaj nuk e ka marrë parasysh motivin e këtij sulmi kriminal që ka të bëjë me orientimin seksual të viktimave.  “Mirëpo kjo nuk ndodh vetëm me komunitetin LGBTI, por këtë e shohim edhe në rastet tjera në përgjithësi – se si gjyqësori nuk funksionon në Kosovë”, tha ai. K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO