albert
Në thelb | Sporti

Albert Bunjaki: burri që po bëhet gati ta prezantojë futbollin e Kosovës në botë

Nga - 03.06.2016

Menaxheri i ekipit kombëtar Albert Bunjaki i gatshëm për rolin historik.

Sonte (e premte, 3 qershor) ekipi kombëtar i Kosovës në futboll do ta luaj ndeshjen e parë si anëtar i plotë i FIFA. Albert Bunjaki është ai që do ta udhëheqë ekipin, ai emri i të cilit do të përjetësohet nga virtyti i të qenit kryetrajneri i parë i Kosovës, edhe para e edhe pas njohjes nga FIFA. Është çmim i përshtatshëm për një burrë që ka qenë shumë i vendosur me përkushtimin e tij ndaj futbollit në Kosovë, pavarësisht sfidave të paraqitura nga politika, lufta dhe migrimi i detyruar.

Bunjaki u lind dhe rrit në lagjen Ulpianë në Prishtinë. Edhe kur kujton fëmijërinë e tij, gëzimet e futbollit përzihen me një botë më të errët të krijuar nga situata e tensionuar politike. Kujtimet kryesore të tij janë ato të një jete të qetë por të shoqërueshme, plot ndeshje futbolli në rrugët e Ulpianës. Por Bunjaki gjithashtu ka kujtime të qarta fotografike të protestave të studentëve në Prishtinë në 1981, ku pati përleshje të dhunshme në mes të protestuesve dhe policisë.

Bunjaki nuk luajti futboll vetëm në rrugë. Në moshën tetë vjeçare ai iu bashkua ekipit të të rinjve në KF Prishtina, dhe mbeti me klubin në çdo nivel të futbollit të të rinjve. Koha e tij aty përkoi me vitet më të mira të Prishtinës. Një ekip pjesë e të cilit ishte edhe kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, e fitoi divizionin e dytë jugosllav në 1983, dhe klubi mbeti në nivelin më të lartë të futbollit jugosllav për pesë sezonat e ardhshme.

Herën e parë që Prishtina luajti me Partizanin e Beogradit, ekipi i të rinjve, pjesë e të cilit ishte edhe Bunjaku, ishin pjesë e zbavitjeve para ndeshjes, ku u përballën me homologët e tyre nga Partizani. “Në stadion ishin rreth 30,000 shikues”, rikujton Bunjaku. “Për një djalë 10-11 vjeçar, ishte thjeshtë mahnitëse. Ndjenjë e pabesueshme. Ende më kujtohet ajo ndeshje sa herë të eci në atë fushë, me stadion plot dhe shumë zhurmë për të na mbështetur. Ishte motivim shumë i mirë”.

Deri në fund të 1980-ave, kariera futbollistike e Bunjakut filloi të lulëzonte. Pasi morri pjesë në një kamp trajnimi, ai u zgjodh për t’iu bashkuar ekipit të parë të Prishtinës, një nga vetëm katër lojtarë prej 74 që po shpresonin atë ditë. Megjithatë, situata e tensionuar politike në Kosovë veç se kishte filluar të shkaktonte probleme. Bunjaki kujton një udhëtim të anuluar për një turne në Lausanne në 1989, për të cilin ekipi ishte përgatitur për më shumë se një muaj. “Udhëtimi për në Lausanne u anulua dy ditë më herët për shkak të arsyeve politike”, thotë Bunjaki. Disa ditë më vonë Slobodan Milosevic e dha fjalimin e tij tanimë famëkeq në Gazimestan, gjatë të cilit u duk se po paralajmëronte përçarjen e përgjakshme të Jugosllavisë që do të vinte më pas.

Nuk po bënte progres vetëm kariera futbollistike e Bunjakit në Prishtinë; edhe në universitet i kishte punët mirë. Si student i mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ai u zgjodh si kreu i Unionit të Studentëve në vit të parë. Kishte edhe të dashur. Duke përshkruar jetën e tij në atë kohë, Bunjaki thotë se ishte “thjeshtë e shkëlqyeshme, por edhe e rrezikshme”.

Një rrezik ne fund u bë i pashmangshëm: shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Në tri raste familja e tij i kishte ndihmuar ati që t’i shmangej rekrutimit, por në vjeshtë të vitit 1991, policia ushtarake po e kërkonte Bunjakin. Ai u thirr për t’iu bashkuar operacioneve të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë në Betejën e Vukovarit në Kroaci. Këto operacionie u shndërruan në rrethim 87 ditor që, sipas shifrave zyrtare, morri jetët e gati 2,000 ushtarëve dhe 1,000 civilëve.

“Nuk kisha shumë kohë”, kujton Bunjaki. “Dhe pothuaj atë ditë vendosëm që unë duhet të largohem shumë shpejt. Isha naiv dhe nuk kuptoja se kjo rrugë do ta ndryshonte jetën time. Nga frika më kujtohet se as nuk arrita të përshëndetem me familjen time. Morra rrugë duke mos ditur se ku po shkoj e sa gjatë do qëndroj. Zemra më ishte thyer tërësisht”.

Në fund, Bunjaki u detyrua të përpiqej të krijojë jetë përsëri në kamp të refugjatëve në Suedi, dhe futbolli natyrisht ishte pjesë e madhe e procesit. Ati iu bashkuan në kamp disa lojtarë tjerë nga ekipi shqiptar Flamurtari, nga Vlora; futbollistët të gjithë e ndanë një dhomë së bashku, dhe i kalonin ditët e tyre duke luajtur futboll. Siç thotë Bunjaki, “futbolli ishte ai që më mbante, me kujtime nga jeta më herët”.

Ankthi i braktisjes së familjes së tij në Kosovë dhe jeta e vështirë e një refugjati e parandaluan Bunjakin nga arritja e niveleve të njejta në futboll suedez, si ato që i kishte gëzuar në Prishtinë, por pati karierë modeste, duke luajtur për pesë ekipe në liga më të ulëta. Futbolli gjithashtu i hapi disa dyer në Suedi, duke i ndihmuar Bunjakit që të bëjë shokë, të gjejë punë dhe ngadalë të ndërtojë jetë.

Drejt fundit të karierës së tij futbollistike si lojtar, Bunjaki u interesua në rolin e trajnerit, dhe kështu i zhvilloi aftësitë e tij të lidershipit, duke u përfshirë në zhvillim të lojtarëve. Ai shfrytëzoi mundësinë që klubet suedeze ua japin lojtarëve për t’u arsimuar, dhe kështu përfundoi çdo liçensë të trajnimit UEFA, deri në atë më të lartën, UEFA Pro. Ditët e universitetit gjithashtu erdhën përsëri, pasi që Bunjaki zgjodhi që të studionte për një diplomë akademike për trajnim të futbollit në Orebro University.

Me diplomën dhe liçensën e tij për trajnim, Bunjaki gjeti punë në disa klube suedeze. Më i dalluar ishte roli i tij si menaxher asistent në Kalmar. Gjatë kohës së tij aty, ata fituan kupën suedeze në 2007 dhe Allsvenskan – ligën më të lartë suedeze – një vit më vonë.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës në 2008 përkoi me kohën kur Bunjaki arriti pikën më të lartë të reputacionit të tij si trajner. Roli i tij në suksesin e Kalmar kishte tërhequr vëmendje. “Shumë klube suedeze filluan të interesohen më shumë në mua”, kujton Bunjaki. “Edhe pse isha në moshë të re dhe isha trajner i dytë, kisha përgjegjësi të madhe dhe liri shumë të madhe për zhvillim të lojtarëve në klub. Thjeshtë isha në ngritje”.

Pra kur federata e sapolindur e futbollit të Kosovës e kontaktoi Bunjakin me ofertë në 2009, nuk i shfaqi menjëherë ndjenjat e tij. Ai nuk e kishte harruar atdheun e tij, pavarësisht suksesit të tij në Suedi. Siç thotë ai, “ëndërroj për vendin tim, mendoj për të çdo ditë”. Ai nuk i kishte ndihmuar mëmëdheut të tij nga Suedia vetëm në ëndrra. Në 2001, ai ishte pjesë e një projekti promovonte marrëdhënie në mes të federatave të futbollit të Kosovës dhe Suedisë, në të cilin 30 trajnerë kosovarë u arsimuan në Suedi, dhe morrën liçensa UEFA B.

Megjithatë koha kur erdhi oferta ishte e papërshtatshme. “Për mua ishte e vështirë të bëjë një hap të tillë; të kalojë nga një klub të suksesshëm ekonomikisht dhe në sport, në Kosovë”, shpjegon Bunjaki. “Ishte akoma faza e shtetndërtimit, dhe ekonomia ishte shumë e kufizuar”.

Ajo që e bindi Bunjakin në fund që ta marrë pozitën ishte dëshira e tij për “të krijojë një platformë të shëndoshë pune, e cila më vonë do iu shërbente gjitha gjeneratave”. Ai gjithashtu ishte i vendosur që të mos e linte atë punë në duar tjera, jo edhe aq dashamirëse. “E dija se në kohën kur Kosova do pranohej në UEFA dhe FIFA, në Kosovë do vinin shumë “patriotë” të cilët në emër të ndihmës do të tentonin të merrnin postin e selektorit për interesa personale dhe për karierë të tyre”, shpjegon Bunjaki. “Kjo më bëri që të mendoj dhe veproj, sepse Kosova meritonte një bazë të shëndoshë e cila më vonë natyrisht do të mund të ndryshohej e zhvillohej më tej; por ishte e rëndësishme që themelet të janë të vërteta e të shëndosha, dhe këtë mendoj se e kemi realizu, edhe pse na janë dashur 7 vjet”.

Foto: Kushtrim Tërnava

Foto: Kushtrim Tërnava

Ato shtatë vjet prej emërimit të Bunjakit deri te njohja e Kosovës nga FIFA në maj 2016 nuk kanë qenë krejtë të lehtë. Një prej problemeve të para ishte gjetja e lojtarëve. Me një diasporë aq të shpërndarë nëpër Evropë siç është ajo e Kosovës, përpilimi i një databaze me lojtarë të pranueshëm morri kohë dhe mund, por tani është shpërblyer. “Sot kemi sistemin e përcjelljes së lojtarëve”, shpjegon Bunjaki. “Kemi krijuar rrjete të komunikimit po thuaj në të gjitha vendet ku kemi lojtar dhe puna jonë është shumë më e lehtë tani”.

Ky theks në diasporë gjithashtu ishte problem. Prej 18 lojtarëve të zgjedhur për ta përfaqësuar Kosovën kundër Ishujve Faro, vetëm katër u rritën në Kosovë, dhe u zhvilluan në sistemin vendor. 14 tjerët ose u lindën ose u rritën jashtë vendit, dhe të gjithë kanë luajtur futboll ndërkombëtar në nivel të të rinjve për shtete tjera.

Si vet anëtar i diasporës, kryetrajneri është i vendosur në qendrimin e tij mbi këtë çështje. “Që nga dita ime e parë e punës, ne jemi përqëndruar në procese të punës vendore”, deklaron Bunjaki, duke bërë me gisht kah një raport 1,000 faqësh i krijuar nga FFK, në të cilin ipen detaje për kërkesat dhe punën që duhet të bëhet për ta përmirësuar ligën e Kosovës.

Ai gjithashtu tregon për për kampin vjetor të përzgjedhjes, të krijuar nga ai dhe ekipi i tij, projekt që synon zhvillimin e lojtarëve kosovar. “Që nga dita e parë në dispozicion i kemi pasë 141 lojtarë gjithsej”, shpjegon trajneri. “Nga ai grup, 92 lojtarë ishin nga liga kosovare; më shumë se 62 përqind. Pra faktet dhe statistikat tregojnë që ne prioritet e kishim ligën vendore, por me ardhjen e lojtarëve më kualitativ – si Samir Ujkani, Loret Sadiku, Albert Bunjaku, Besart Celina i Manchester City, Besar Halimi i Mainz – normal ishte më e vështirë për ata [që luajnë në Kosovë] që të hynë në ekip.

Bunjaki flet qartë që politika e tij është që t’i zgjedh lojtarët më të mirë, veçanërisht në ndeshjet garuese që janë në horizon. “Pavarësisht se ku gjinden, të gjithë fundi i fundit janë kosovarë”, deklaron ai. “Pra kjo dikujt mund të mos i pëlqejë, nga se nuk mund të ndikojnë në vendime të mija, por në Kosovë duhet të implementohen procese profesionale”.

Nuk ka pasur gjithmonë vetëm dilema e zgjidhje të problemeve për Bunjakin; ka pasur edhe momente të krenarisë dhe gëzimit në ato shtatë vite. Bunjaki e përshkruan si ‘ndjenjë të veçantë’ udhëheqjen e Kosovës për miqësorën e parë të njohur nga FIFA, kundër Haitit në 2014.

Trajneri është gjithashtu i lumtur me futbollin që e ka luajtur ekipi i tij në ndeshje miqësore nën drejtimin e tij. Ai flet për një rekord të fuqishëm – vetëm katër disfata në 13 ndeshje – dhe është krenar që i ka dhënë debutime lojtarëve si Enis Alushi dhe Celina në mosha të reja, 16 dhe 17 përkatësisht.

Ai gjithashtu bëri një lëvizje relativisht të suksesshme duke e sjellur Tord Grip, suedezin veteran, me vete nga Suedia për t’iu bashkuar si asistent në 2014. “Ai është unik me përvojën e tij në shtatë Kupa Botërore dhe tri Kampionate Evropiane”, thotë Bunjaki. “Pra unë kam ndihmësin më të mirë në botë”. Grip ishte kryetrajner i kombëtarës norvegjeze dhe ekipit U21 të Suedisë, dhe ka qenë menaxher asistent në kombëtaret e Suedisë, Meksikës, Bregut të Fildishtë dhe Anglisë, si dhe në Lazio e Manchester City.

Dy disfata të rënda të Kosovës në 2014 – 1-3 kundër Senegalit dhe 1-6 kundër Turqisë – Bunjaki i konsideron si mësime të rëndësihsme. “Mësuam shumë prej tyre”, thotë ai. “Dhe pas këtyre ndeshjeve dhe me kthimin e lojtarëve, kemi shkuar duke u ngritur. Por rruga jonë sapo ka filluar dhe do të kemi nevojë për durim dhe kohë, e natyrisht gjithmonë edhe përkrahje. Kosova ka një të ardhme shumë të mirë”.

E ardhmja e futbollit kosovar tani po duket më e shndritshme se kurrë, pas pranimit në FIFA dhe UEFA. Bunjaki beson se do të ketë edhe më shumë vështirësi të vendosë se kë ta zgjedh, pasi që shumë e më shumë lojtarë po janë në dispozicion, veçanërisht nga diaspora. “Jam i bindur që pas Evropianit do ketë lëvizje të lojtarëve”, thotë ai. “Ata do të kenë dëshirë ta përfaqësojnë shtetin e tyre, dhe mendoj se kjo e drejtë duhet të respektohet nga të gjithë, edhe pse për disa federata do jetë e dhimbshme”.

Është edhe çështja se në cilin grup Kosova do të hyjë në kualifikim për Kupën e Botës 2018 në Rusi, çështje që pritet të zgjidhet nga UEFA së shpejti. Fillimisht u prit që Kosova do t’i bashkohej Grupit I, me Kroacinë, Islandën, Ukrainën, Turqinë dhe Finlanën, dhe Rusinë e parakualifikuar, duke luajtur një seri të ndeshjeve miqësore kundër ekipeve nga grupi tjetër me vetëm pesë anëtar, Grupi H. Megjithatë, pranimi i Gjibraltarit në FIFA në të njejtën kohë si Kosova i ka ndërlikuar punët.

Por kryetrajneri duket se është më i shqetësuar për atë se kush do të luaj për Kosovën, e jo se kush do të luaj kundër saj. “A mund ta kuptoni se sa e vështirë do jetë për ne?”, pyet Bunjaki. “Tre muaj para fillimit të kualifikimeve për Botëror ne akoma nuk e dimë nëse lojtarët [që veç se kanë përfaqësuar] nga kombëtarët tjera do kenë mundësi të vinë”.

25 vjet pasi u detyrua të largohej nga atdheu i tij për shkak të luftës në mes të serbëve dhe kroatëve, Albert Bunjaki ende po përballet me probleme të shkaktuara nga kombësitë e kontestuara. Por fakti se tani përballet me këto probleme si menaxher i një ekipi komëbtar futbollisitik është dëshmi e vendosmërisë së tij. Edhe menaxheri, edhe ekipi i tij, janë optimistë për të ardhmën futbollistike. “Asgjë nuk na frikëson”, deklaron Bunjaki. “Nga se tani të paktën e dimë që jemi të barabartë, dhe me kohë ne do ta vërtetojmë se Kosova ka talent, por edhe lojtarë që dëshirojnë të punojnë. Kosova ka një rrugë të gjatë para vetës, por jam shumë i sigurt se me durim dhe kohë, do kemi suksese të mëdha”.K

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO