Biseda | Politika

Albin Kurti: “Politika nuk është art i së mundshmes. Politika është art. Thjesht, art.”

Nga - 11.10.2017

Në këtë vit zgjedhor, deputeti më i votuar shpalos idetë e tij rreth politikëbërjes në Kosovë dhe komenton zhvillimet e këtij viti.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, Albin Kurti doli deputeti më i votuar në Kosovë me mbi 143,000 vota derisa garonte si kandidat i Vetëvendosjes për kryeministër. Ndërkohë, LVV si parti pësoi një rritje të jashtëzakonshme – nga 88,000 vota kur morën pjesë për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2010, në 200,000 vota në qershorin e këtij viti.

Zgjedhjet e ardhshme lokale siç duket do të jenë testi i radhës për partinë që ai e themeloi si Lëvizje më 2005. Përderisa rezultatet do të dihen pas 22 tetorit, ajo çka është e qartë është se Kurti dhe LVV-ja ndiejnë një shtysë më të madhe në synimin e tyre për qeverisje.

Në një intervistë me Kosovo 2.0, Kurti flet për vlerat dhe idealizmin e përhershëm që ai i sheh në Vetëvendosje. Po ashtu, ai ndau pikëpamjet e tij rreth zhvillimeve politike dhe koalicioneve para dhe paszgjedhore, mundësitë e bashkëpunimit me parti të tjera në të ardhmen, derisa të ardhmen e tij politike ia lë anëtarësisë së Vetëvendosjes.

K2.0: Meqë jemi në prag të zgjedhjeve lokale, cilat janë pritshmëritë e Lëvizjes Vetëvendosje?

Albin Kurti: Në zgjedhjet e fundit parlamentare më 11 qershor, Vetëvendosja është dyfishuar në nivel vendi. Por ajo që aktualisht është më e rëndësishme është që Vetëvendosja në ato zgjedhje ka dalur si subjekti i parë në 10 komuna, nëse të tjerët i konsiderojmë si koalicione zgjedhore. Ndërkaq nëse të tjerët i zbërthejmë në partitë politike që i kanë bërë këto koalicione, atëherë ne kemi dalë edhe partia e parë edhe në gjashtë komuna të tjera. Rrjedhimisht, që është e pritshme prej nesh, që në 16 komuna ose të jemi fitues ose të shkojmë në balotazh. Pra, ose të fillojmë të festojmë menjëherë më 22 tetor në orët e vona të mbrëmjes ose të vazhdojmë punën për katër javët e ardhshme drejt 19 nëntorit kur e kemi balotazhin. Këto janë pritjet tona.

A jeni zënë në befasi nga rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme dhe sa është duke ndikuar kjo në garën për komuna të ndryshme?

Besoj që më 11 qershor ka ndodhur një zhvillim i jashtëzakonshëm në mendjet dhe zemrat e qytetarëve të Kosovës e rrjedhimisht edhe në mbështetje për Vetëvendosjen. Është fryma e përgjithshme në popull ajo që është bërë shumë më tepër vendimtare se sa organizata e Lëvizjes sonë. Nëse në Kuvendin e Republikës jemi dyfishuar, unë pres që nëpër kuvendet komunale të shumëfishohemi.

A mendoni se kjo frymë siç e përshkruani mund të ketë edhe efekte anësore të dëmtimit pasi ka pasur prurje të reja nga partitë e tjera ― kritikë të ndryshëm ju kanë akuzuar se po ricikloni individë që kanë qenë të kyçur në partitë e tjera gjithë këto vite të pasluftës. A po besoni se koncepti i Vetëvendosjes është më i fuqishëm sa t’i transformojë edhe ata që kanë qenë pjesë e partive tjera?

Së pari, unë besoj në përmisimin e njerëzve dhe gjithashtu besoj edhe në përmirësimin e vetvetes. Qoftë si Albin, qoftë si aktivist i Vetëvendosjes, qoftë si Lëvizje në përgjithësi. Së dyti, përderisa në arsimin kosovar kemi diploma pa shkollë, Lëvizja Vetëvendosje është njëfarë shkolle pa diplomë. Pra, njerëzit kur vijnë në Lëvizjen Vetëvendosje, jo vetëm se angazhohen në aktivitete por në të njëjtën kohë ata edhe marrin pjesë nëpër diskutime dhe kësisoj Lëvizja Vetëvendosje është forumi kryesor i debatit sot në Kosovë. Prandaj gjithë ata që vijnë në Lëvizjen Vetëvendosje, nuk është se janë vetëm emra të pasaçëm por janë edhe pjesamarrës në këtë forum debati i cili vërtetë i ndryshon ata, por na ndryshon edhe neve. Por le të jetë kështu për shkak se diskutimet racionale, nuancat e bindjeve të ndryshme, unë besoj se janë vlerë e jona.

Nuk është e vertetë që ne duam të qëndrojmë në opozitë. Fare. As në nivelin komunal e as në ate qendror. Ne duam të vijmë në qeverisje sa më parë.

Dhe së fundi, mos të harrojmë se nuk janë krejt njerëzit e këqinj në partitë e tjera. Se dikush ka qenë në partitë e tjera ose vazhdon të jetë me një parti politike nuk na jep neve apriori të drejtën për ta gjykuar moralisht atë person. Nuk është e mjaftueshme që për një person të thuash që është i mirë ose i keq, i ditur ose i paditur, varësisht se në cilën parti politike ndodhet. Sidomos nëse nuk është në nivelin shumë të lartë. Dhe neve na kanë ardhë shumë njerëz nga partitë politike. Mbase më së shumti nga PDK dhe LDK, por kjo nuk është për shkak se këta njerëz ishin të pakënaqur me përmbushjen e ambicieve personale atje, por ishin të pakënaqur me devijimin që e kanë pësuar këto parti e që ka qenë i papritur për këta njerëz që pastaj vijnë tek ne.

Le të flasim për bashkëpunimin mes Vetëvendosjes dhe partive të tjera politike. Kemi parë që pas zgjedhjeve nuk keni arritur marrëveshje me partitë e tjera e sidomos me koalicionin LAA. Ndonëse keni pasë disa takime, ish-kandidati për kryeministër nga LAA, Avdullah Hoti, ka thënë se keni arritur të pajtoheni me gjysmën e pikave të Vetëvendosjes. Në anën tjetër, ju keni theksuar vijat e kuqe vazhdimisht për PDK-në, dhe tashmë partnerët e saj në koalicionin qeverisës AAK, NISMA dhe AKR duken edhe më larg Vetëvendosjes. Pra, është shumë e rëndësishme për publikun ta dijë se si Vetëvendosja do ta marrë pushtetin pa bërë koalicion me partitë e tjera dhe t’i shtyjë përpara idetë e veta politike?

Në zgjedhjet e 11 qershorit ne u rritëm 100 për qind, tash për të qeverisur pa koalicion nuk ka nevojë të rritemi 100 për qind. Tash ka nevojë të rritemi vetëm edhe 50 për qind.

Pra ju po synoni të fitoni shumicën si e vetme? Mos po doni fitoren e llojit të Edi Ramës në Shqipëri?

Jo, jo. Veç po du me thanë që rritja e madhe, e domosdoshme, tashmë ka ndodhur. Ajo çka na duhet nuk është ajo [në] çfarë tashmë jemi rritur për ta bërë qeverisjen. Por ne synojmë koalicion. Ne edhe po të jetë e mundur të qeverisim vet, sërish do të dëshironim që të ishim në koalicon.

Me kë për ju do të ishte më i lehtë koalicioni meqë ju nuk po dakordoheni me këto parti politike ekzistuese?

Ne në vitin 2014 patëm formuar VLAN-in dhe patëm nënshkruar një marrëveshje më 10 shtator, 2014. Para VLAN-it, konsiderohej se Vetëvendosja nuk dëshiron të bëjë koalicion me askënd tjetër edhe etiketa e të qenët eksluziv në kuptimin pezhorativ të fjalës i vishej Lëvizjes Vetëvendosje. Që prej atëherë, ngadalë por sigurtë është parë që për koalicion nuk është Vetëvendosja problemi, janë të tjerët që bëheshin bashkë me neve e pastaj na braktisnin. Në njëfarë mënyre, u rritej çmimi në treg nga bashkëpunimi me neve që të shiteshin më tepër tek PDK-ja.

Kjo ka ndodhur përgjatë këtyre viteve. Ne gjithmonë kemi qenë të hapur. Nuk kemi mbajtur inate asnjëherë, pa mendjemadhësi e dogmatizëm. Erdhëm te kjo situata e fundit ku të tjerët bënë koalicione parazgjedhore e ne garuam vet. Dhe prandaj deputeti i Vetëvendosjes është i jashtëzakonshëm sepse i ka votat që e kanë votuar [si] Vetëvendosje dhe jo të ndonjë koalicioni. Deputeti i Vetëvendosjes nuk ka marrur vota nga partitë e tjera, ka marr vota vetëm prej votuesit të Vetëvendosjes.

Foto: Majlinda Hoxha /K2.0.

Ka edhe të tillë që kanë thënë se nuk keni qenë të gatshëm për të marrë timonin qeverisës?

Nuk është e vertetë që ne duam të qëndrojmë në opozitë. Fare. As në nivelin komunal e as në atë qendror. Ne duam të vijmë në qeverisje sa më parë për shkak se e kemi guximin për t’u përballur me të keqën edhe planin për të sjellur të mirat.

Por siç po e përshkruani ju, partitë politike kanë bërë politikë të pazareve dhe e kanë braktisur Vetëvendosjen. Po tingëllon sikur nuk po mbetet hapërsirë për koalicione me partitë e tjera derisa ato po e kanë më të lehtë të bëjnë koalicion me njëra-tjetrën dhe të pamundshme një koalicion me Vetëvendosjen?

Ne jemi të hapur për shkak se e duam shumë Kosovën. Nuk janë këto koalicione nga dashuria. Ne aq shumë e duam popullin sa që ai na e shterr gjithë kapacitetin tonë për dashuri. Veçse shteti i kapur i Kosovës për t’u demokratizuar, për t’u zhvilluar, nuk ka kohë për të humbur.

Të kthehemi te mundësia e koalicioneve që kishit me partitë e tjera dhe çështjet programore. Siç është raportuar, me AKR-në kishit përafëruar programet politike por në fund dështuan pasi ata iu bashkangjitën LDK-së. Poashtu për Nismën për Kosovën, ju kam dëgjuar t’i identifikoni si parti socialdemokrate me program të majtë. Por themeluesi dhe lidershipi i Nismës për Kosovën ka qenë në krye të PDK-së për një dekadë e që kanë drejtuar edhe procesin e privatizimit, të cilin ju ashpër e keni kritikuar. Pse është i mundur koalicioni me këto parti dhe sipas jush cili është dallimi mes tyre dhe PDK-së?

Ka disa aktivistë e zyrtarë të PDK-së e të LDK-së që kanë ardhur në Vetëvendosje dhe mund të them që në një aspekt të rëndësishëm ata janë më të vlefshëm edhe më shumë se ne aktivistët e Vetëvendosjes që jemi aty prej fillimit. [Kjo] për shkak se në një moment devijimi që ka rezultuar edhe me korrupsion në PDK edhe LDK, këta janë distancuar. Dhe nga distancimi edhe nga kundërshtia që kanë pasur me ta, ata kanë filluar që t’i lexojnë retroaktivisht shenjat e atij korruptimi më herët.

Kur një zyrtar i PDK-së vjen në Vetëvendosje, ai është shumë i vlefshëm sepse ai e din qysh ndodh korruptimi në PDK dhe na ndihmon që të mos bëhemi kurrë ashtu. Ne nuk e kemi atë përvojë.

Ne kemi bërë kompromise por Vetëvendosja nuk bën pazare. Vetëvendosja kompromise ka bërë dhe bën. Edhe po të ishte koalicionin parazgjedhor me AKR-në, nuk do të ishte programi qind për qind i Vetëvendosjes. Edhe nesër kur do të jemi në qeveri me ndonjë parti tjetër nuk do të jetë qind për qind programi i Vetëvendosjes.

Kontaktin e fundit me Mustafën e kam me 17 korrik. Prej 6 korrikut deri me 17 korrik kemi pas komunikim sporadik. Më pas, ka gati dy muaj, që ka një shkëputje komunikimi që unë besoj që ai sinqerisht duhet ta shpjegojë. Se, pse u takua ai me ne pra?

Ti kthehemi pyetjes më konkretisht…

Krejt ju përgjigjem po nuk mund t’i bëj tre kilometra me një hap s’i bëj dot. Po më duhet me ta shpjegu kontekstin edhe kronologjinë. Ne jemi përpjekur me AKR-në të bëjmë koalicion parazgjedhor edhe kemi filluar që të diskutojmë programet tona dhe jemi dakorduar në shumicën dërrmuese të çështjeve. Por AKR vendosi në momentet e fundit të shkojë te LDK e me LDK-në u dakorduan që të garojnë para zgjedhjeve bashkë. Për neve është e pritshme që  edhe LDK-ja [të bëjë koalicion me Vetëvendosjen] kur AKR-ja e cila është liberale edhe një çikë më djathtas se LDK-ja thuajse u dakordua me ne. Prandaj ky ishte optimizmi ynë që të provojmë eksluzivisht me LAA-në ku ndodhej edhe AKR-ja brenda.

A ka qenë mosbërja e koalicionit me LDK-në vetëm çështje programore?

Unë besoj se kur jam takuar me [Isa] Mustafën dhe [Lutfi] Hazirin, unë dhe Visari [Ymeri, kryetar i LVV-së], në njëfarë mënyre ne u morëm vesh që po merremi vesh. Kjo është e rëndësishme. Unë kam qenë optimist edhe unë u kam thënë të flasim me ekipe për programe. Kontaktin e fundit me Mustafën e kam pasë më 17 korrik. Prej 6 korrikut deri me 17 korrik kemi pasë komunikim sporadik. Më pas, ka gati dy muaj, që ka një shkëputje komunikimi që unë besoj që ai sinqerisht duhet ta shpjegojë. Se, pse u takua ai me ne pra?

Pra, sipas jush Mustafa e ka ngulfatur LDK-në duke e pamundësuar një koalicion me juve. A besoni se personalisht Mustafa e ka bllokuar një koalicion për shkak të inateve të tij personale apo mendoni se ky ka qenë vullneti i LDK-së?

Unë besoj se Mustafa ka udhëhequr gabueshëm LDK-në në verën e vitit 2017, ashtu qysh e ka udhëhequr LDK-në në vjeshtën e vitit 2014. Mustafa po flet me inat për gazin lotësjellës e demonstratat tona, por nuk po flet për nënshkrimin e Zajednicës që e ka bërë. Ne nuk kemi përdorë gaz lotësjellës për atë se e ka emrin Isa Mustafa, për atë se si duket ose kush është personalisht, por për shkak të veprimeve të tij. Ne nuk kemi hedhur gaz lotësjellës kur është zgjedhë qeveria Mustafa.

Po të organizohej referendum brenda LDK-së, jam i bindur se me shumicë dërrmuese anëtarësia e LDK-së do të ishte për koalicion me ne. Anëtarësia e LDK-së ështe kundër Zajednicës së Serbisë në Kosovë; anëtarësia e LDK-së është kundër demarkacionit të kufirit me Malin e Zi në formën e tij aktuale.

Në çfarë bazoheni kur thoni se anëtarësia e LDK-së është kundër këtyre dy çështjeve?

Nga nënshkrimet që na kanë dhënë në peticion. Nga njerëzit që i kemi kontaktuar po të organizohej referendumi unë jam i bindur se me shumicë do të ishin për koalicion me Vetëvendosjen. Dhe anëtarësia e LDK-së ka qenë kundër koalicionit me PDK-në. Edhe rrjedhimisht nëse kanë qenë kundër koalicionit me PDK-në, unë besoj se shumë më kollaj do ta bënin koalicionin me neve.

Pra ju po sugjeroni se duhet të ketë fillimisht një ndryshim në lidershipin e LDK-së në mënyrë që të bënit koalicion. A ju kam kuptuar drejt?

Për bindjen time është e padrejtë qysh pasi që u rrëzua qeveria Mustafa, ata nuk e bënë një reflektim edhe asaj pakicës së atyre deputetëve që kanë qenë konsistentë, nuk u thanë që paskeni pasur të drejtë. Shpëtim Bulliqi, Fatmir Rexhepi, Vjosa Osmani pasi që u dëshmua se paskan pasur të drejtë u ndëshkuan për së dyti.

Foto: Majlinda Hoxha /K2.0.

Por a po i amnistoni disa eksponentë tjerë? Për shembull, Fatmir Limaj nga Nisma, në momentin që po flasim është duke u hetuar për një aferë korruptive që kap shifrat milonëshe?

Unë nuk jam gjykatës të amnistoj.

Absolutisht nuk jeni gjykatës por ju po arrini të gjykoni se PDK-ja është e keqja e vendit pasi e ka korruptuar dhe e ka kapur shtetin. A mos janë standarte të dyfishta?

Jo secili njeri në PDK është i tillë. Së dyti, Fatmir Limaj ka dalë prej PDK-së. Së treti, Fatmir Limaj tash është kthyer në PDK.

Por a nuk është e mjaftueshme kjo jokonsistencë e tij për ta përjashtuar atë si mundësi për koalicion në të ardhmen, ose Behgjet Pacolli që iu bashkua PAN-it?

Vetëvendosje është shansë për ndryshim, për ndryshimin e Kosovës. Ne nuk jemi superstrukturë që i mbivendoset qoftë popullit apo qoftë partive të tjera. Na jemi infrastrukturë për të gjithë ata që duan ndryshime. Unë po e them, unë besoj në përmirësimin e njerëzve.

Nëse besoni në përmirësimin e njerëzve, a e besoni përmirësimin e Kadri Veselit, kryetarit të PDK-së?

Unë mendoj se çdo njeri mund të përmirësohet por, unë nuk mund ta amnistoj askënd për çfarë kanë bërë. Këtu duhet ta bëni një dallim. Unë nuk mund ta fal dikë për krime që kanë bërë. As nuk kam dëshirë e as të drejtë për ta falë dikënd për një krim ama siç edhe çdo njeri mund të koritet. Siç thotë një fjalë e jona popullore, pesë minuta para vdekjes mund të koritet njeriu. Në një anë, jam progresiv duke besuar se mund të përmirësohet njeriu, e në anën tjetër jam edhe shumë i kujdesshëm sepse është e mundur të dështosh e të gabosh.

Unë nuk besoj se progresi vjen nga konsensusi. Bile konsensusi në jo pak raste ma parafytyron moçalin. Lëvizja është lum që rrjedh. Progresi është lum e nuk është moçal. Pra, progresi vjen përmes kritikës, vetëkritikës edhe kundërthënieve.

Një pyetje shumë thelbërore që duhet ta shtroj. Nëse siç po thuani kemi 18 vjet të politikës së pazareve, ku partitë politike shohin interesat e ngushta dhe Vetëvendosja dështon të futet në pazar, a rrezikon kjo që të ju lërë jashtë qeverisjes për shkak se partitë e tjera politike do ta kenë më të lehtë alternimin e pushtetit me njëra-tjetrën sesa kompromisin me Vetëvendosje?

Edhe një herë po them. Nuk është qëllimi ynë që qeverinë e ardhshme ta formojmë pa koalicion. Absolutisht jo. Por natyrisht që ne kemi prioritet orientimin tonë programor, konceptin tonë politik dhe tash jemi partia më e madhe në vend. Pyetja juaj do të ishte shumë më legjitime para 11 qershorit mirëpo, nuk duhet ta nënçmoni faktin që populli i ndëshkoi pazarxhinjtë. Zgjedhjet e 11 qershorit i kanë ndëshkuar tre partitë që janë më të moshuara se Vetëvendosja. PDK, LDK dhe AAK janë ndëshkuar — të vjetrat — dhe ka fituar e reja.

Por jo mjaftueshëm sa për t’i lënë jashtë pushtetit?

Kjo është nëse e bëni prerjen e situatës sot. Por nëse e shihni trendin, nuk po them që i kanë  ditët, por javët e në rastin më të keq, muajt e numëruar.

Për të shterrur debatin rreth koalicioneve, ka edhe kritikë të atillë që thonë se në rast se  hipotetikisht Vetëvendosja do të nënshkruante marrëveshje me LAA-në, do të rrezikohej të shihej në sytë e qytetarëve si krejt partitë e tjera që e shohin vetëm interesin e ngushtë. Si i përgjigjeni këtij rezervimi?

Foto: Majlinda Hoxha /K2.0.

Përderisa Vetëvendosja e mirëmban orientimin e vet programor, përderisa Vetëvendosja përbëhet e udhëhiqet prej aktivistëve e politikanëve që nuk pasurohen nga politika, që janë të pakorruptuar e të pakorruptueshëm, dhe përderisa udhëheqja e Vetëvendosjes është besnike ndaj angazhimit dhe aktivitetit të anëtarësisë — ju e keni parë që deputeti ynë është në ballë të protestave. Nuk rrin deputeti ynë me çaj para televizorit kur aktivisti tjetër bën protesta. Pra, janë këto tre teste të vërtetësisë. Konsistenca dhe koherenca e diskursit, mospasurimi nga politika, edhe besnikëria ndaj angazhimit të aktivistit që kanë kriju një besim aq të madh të popullit te Lëvizja Vetëvendosje, saqë me këdo që bashkëpunojmë ne, populli na beson neve. Dhe besoj se ka të drejtë në këtë pikë që na beson.

Por përveç nevojës së koalicionit me partitë shqiptare, hipotetikisht nëse do ta kishit të drejtën të krijonit qeverinë e ardhshme, do të duhej që në përbërje të qeverisë ta kishit edhe komunitetin serb. Ju kam dëgjuar të thoni se nuk është detyrim që ta kemi Listën Serbe në qeverinë e Kosovës. Por në anën tjetër Lista Serbe ka fituar mbi 80 për qind të votave të komunitetit serb në Kosovë dhe po e dominon bindshëm përfaqësimin e komunitetit serb në Kuvend. A do të krijonit koalicion me Listën Serbe dhe si do të dukej përfaqësimi i serbëve të Kosovës në një qeveri të Vetëvendosjes?

Lista Srpska nuk është kategori kushtetuese. Unë mendoj se nuk vjen në shprehje dikush të bëhet ministër nga Lista Serbe — para se kjo të bëhet me njerëz si Nenad Rasiq [Partia Demokratike Progresive] e Slobodan Petroviq [Partia e Pavarur Liberale]. Është e padrejtë ndaj Republikës së Kosovës, edhe për mendimin tim edhe ndaj serbëve të Kosovës.

Si e shihni qasjen e Listës Serbe karshi shtetit të Kosovës?

Lista Serbe prej origjinës deri te orientimi, synimet e kontrolli [i saj], nuk paraqet partinë e serbëve të Kosovës por ambasadën politike të Serbisë në Kosovë.

Ju nuk keni besim në përmirësimin e Listës Serbe?

Sigurisht që kam besim por në rast se ata nuk do të shkonin në Beograd e Moskë për çdo javë, siç po bëjnë në Beograd e madje edhe në Moskë. Ata duhet të lidhen me qytetarët serbë të Kosovës.

Por ata kanë shumicën e votës së qytetarëve serbë?

Unë mendoj se te serbët ka shumë ma shumë njerëz të aftë e të mirë të bëhen deputet.

E çka nëse ata prapë dalin fitues me shumicë dërrmuese. A do ta shfuqizonit vullnetin e shumicës së komunitetit serb duke emëruar individë tjerë të përkatësisë serbe?

Ne synojmë që ministrin serb në qeverinë tonë të mos jetë i Listës Serbe. Kushtetuta thotë që duhet të jetë serb. Nuk mund të lejojmë që të qenët serb të definohet si anëtarësi partiake. Të qenët serb është përkatësi kombëtare dhe jo partiake.

Por këto kushte që po i vendosni mund të ndikojnë te një reagim edhe të komunitetit ndërkombëtar. Si mendoni se do të ishte reagimi i tyre?

Komuniteti ndërkombëtar e dëgjon zërin e popullit.

Pikërisht pra, ata mund të insistojnë se Lista Serbe është zëri i komuniteti serb në Kosovë…

Kur ata e shohin se ti ke krijuar shumicë me Slobodan Petroviqin dhe do ta bësh Nenad Rasiqin ministër, e Slobodan Petroviqin nënkryetar Kuvendi. Nuk ka aty arsye pse komuniteti ndërkombëtar të reagojë.

Foto: Majlinda Hoxha /K2.0.

Pasi jemi te komuniteti ndërkombëtar, ju sikur keni pasur më herët një raport të ngrirë me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë. Por pas zgjedhjeve sikur kanë ndryshuar gjërat. Ju jeni takuar dy herë me ambasadorin amerikan Gregory Delawie dhe keni shpeshtuar takimet me përfaqësues të tjerë të ambasadave në Kosovë. Çka do të thotë kjo?

Mendoj se ky është kryekëput rezultat i rezultateve të 11 qershorit. Dhe, thjesht në situatën që ndodhemi nuk është për shkak tonin as për shkak të ambasadës amerikane. Është për shkak të popullit. Është populli ai që ka vendosur që kështu të jetë. Dallimi është se në vitin 2014 faktori ndërkombëtar ka pasur bonus kritere për Vetevendosjen që të jetë në qeverisje.

Për çfarë kriteresh e keni fjalën?

Përpara thuhej se çështja e dialogut dhe e marrëveshjeve me Serbinë, çështja e ashpërsisë së Vetëvendosjes, e ashpërsisë së Vetëvendosjes në demonstrata.

Tash nuk ka rezerva për ashpërsinë e Vetëvendosjes nga komuniteti ndërkombëtar?

Jo, ata nuk po them që i mbështesin metodat tona. Por po them se janë të vetëdijshëm që populli ia dha mbështetjen Vetëvendosjes. Do të thotë, ata janë përfaqësi diplomatike këtu.

Me të cilët për një kohë të gjatë nuk keni pasë raporte të mira…

Shiqoni, intelektualisht ne jemi fëmijë të Perëndimit. Mendimin kritik Perendimi na e ka mësuar. Pikërisht shtetet me historinë e tyre prej nga vijnë këta ambasadorë na bëjnë të mendojmë kështu se si mendojmë. Unë nuk besoj se ka progres pa kritikë. Unë nuk besoj se progresi vjen nga konsensusi. Bile konsensusi në jo pak raste ma parafytyron moçalin. Lëvizja është lum që rrjedh. Progresi është lum e nuk është moçal. Pra, progresi vjen përmes kritikës, vetëkritikës edhe kundërthënieve.

Foto: Majlinda Hoxha /K2.0.

Si e definoni ju konsensusin?

Konsensusi është gjithmonë paqe e përkohshme. Konsensusi është emëruesi më i vogël i përbashkët, i cili zbut tensionet duke u frikësuar nga rreziqet paçka se nuk mundëson ecjen para.

A do të ndiheshit se do ta tradhonit votuesin tuaj të majtë nëse do të bënit koalicion me parti të djathta e neoliberale?

Kur kemi biseduar për programet dhe dakordimet programore, unë nuk besoj se [ato] janë devijim nga socialdemokracia. Ato janë tekste të shkruara të cilat mund të gjenden. Sfidat do të ishin në praktikë.

Kënd e shihni të majtë në skenën politike në Kosovë?

Shumica dërmuese e qytetarëve janë të majtë po fole për tema pa thënë majtas-djathtas, pa thënë konservative, socialiste, demokratike e liberale, pa i dhënë etiketa. Po fole pa etiketa janë të majtë.

Po sugjeroni se lidershipi i partive po i shtyn nga e djathta?

Besoj se lidershipet politike, dhe në anën tjetër [janë] marrëdhëniet e tyre me biznesin, klientelizmi, tendoromania që i shtyn andej.

Pse jeni socialdemokrat dhe pse i nevojitet vendit një model i tillë qeverisjeje?

Unë besoj se tre shtyllat e Bashkimit Evropian janë si vijon. [Shtylla e parë] paqja me antifashizëm, fjalimi i famshëm i Robert Shumanit [ish-ministër i jashtëm i Francës] më 9 maj 1950 që përputhet me ngadhnjimin e anti-fashizmit mbi fazhizmin në Luftën e Dytë Botërore. Jo vetëm paqja por, me anti-fashizëm që është luhatur në Evropë sepse ka filluar të flitet për një paqe pa antifashizëm. E paqja pa antifashizëm është edhe paqe me elemente fashiste. Prandaj është një tolerim i tepruar i ksenofobisë.

Të jesh qytetar është akt politik. Nuk e shoh veten jashtë të qenit qytetar, nuk e shoh angazhimin qytetar jashtë politikës dhe nuk e shoh politikën e angazhuar jashtë Vetëvendosjes.

Shteti i mirëqenies është shtylla e dytë. Ky aspekt vleror është i kuptimtë kur është i shoqëruar me barazinë, drejtësinë dhe solidaritetin mes njerëzve. Pa këto, ajo më nuk është liri por frikë. Ti mund të jesh i lirë edhe në xhungëll por, liria e cila është plot frikë nuk është liri. Dhe shtylla e tretë është ombrella e sigurisë së NATO-së. Unë besoj në të trijat. Jam thellësisht për Bashkim Evropian.

Tema e fundit të cilën do ta diskutoja është e ardhmja e juaj politike. Në një intervistë së fundmi në një medium keni thënë se “tash është shumë vonë të tërhiqem nga politika”. Pyetja është se çka do ta bënte Albin Kurtin të tërhiqej nga politika dhe aktiviteti politik, dhe a mundet Albin Kurti të jetojë pa qenë aktivist politik?

Unë me profesion jam inxhinier i elektroteknikës dhe jam adhurues i matematikës, filozofisë, i artit, i kulturës edhe kam shumë preokupime. Por fati im pashkëputshëm është i lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje. Unë Vetëvendosjen e përjetoj si parim e synim kolektiv dhe rrjedhimisht për veten time nuk vetëvendosi. Unë besoj se populli i Kosovës duhet të vetëvendosë, jo Albini.

Por, po flasim këtu për një vendim qe ju takon edhe juve. Pra, pyetja konkrete është se çka do të ju bënte juve të mendoni të tërhiqeshit nga politika?

Kjo është tërësisht çështje e anëtarësisë së Vetëvendosjes dhe e organeve të Vetëvendosjes. A po kupton?

Foto: Majlinda Hoxha /K2.0.

A nuk është çështje individuale po ashtu?

Unë me pantollona ‘slim fit’ nuk jam fare rehat, por nëse shefi i shtabit më thotë duhet të vishesh me xhaketë, me pantollona të kaltëra dhe me këtë kravatë, unë s’kam tjetër përpos t’i bindem.

Kjo kuptohet derisa ushtroni aktivitetin politik. Por unë jam duke ju pyetur për momentumin politik që do të ju bënte të tërhiqeshit nga politika pas gjithë këtyre viteve në politikë?

Mos më keqkupto por nuk je duke më kuptuar. Nuk jam unë ashtu vet. Nuk e mendoj veten vet. Ti je duke menduar qe unë e mendoj veten si Albin. Unë nuk e mendoj. Tash e 12 vjet jam në Lëvizjen Vetëvendosje e më parë me organizime.

A ndiheni i përjetshëm në Vetëvendosje?

Qysh i përjetshëm?

Mendoj, nëse anëtarësia vendos t’ju lërë gjithë jetën në politikë?

Po, është e mundshme. Shumë e mundshme është që tërë jetën do ta kaloj në Vetëvendosje nëpër detyra që m’i ndajnë.

Pra, nëse tash po ju kuptoj drejt, ju po e përjashtoni veten që të vetëvendosni për veten tuaj?

Po, ashtu. Tamam ashtu. Vetëvendosjen nuk e kuptoj individualisht. Domethënia e Vetëvendosjes nuk është ai aspekti individual personal. A din ku jam ashtu vetëvendosës? Jam në shijet e mia, në preferencat kulturoro-artistike të mia dhe në jetën time personale dhe private.

Politikisht, ideologjikisht, njerëzit shpenzojnë dekada jetësore me mbrri në një organizatë autentike, me përputhshmëri intelektuale e shpirtërore e unë kam pasë fatin me e bë këtë më herët. Nuk e shoh vetën jashtë politikës dhe nuk shoh politikë të angazhuar jashtë Vetëvendosjes në Kosovë. Të jesh qytetar është akt politik. Nuk e shoh veten jashtë të qenit qytetar, nuk e shoh angazhimin qytetar jashtë politikës dhe nuk e shoh politikën e angazhuar jashtë Vetëvendosjes.

Sikurse në art edhe në politikë, lëvizjet paraprihen nga një tjetër lëvizje, lëvizjet lindin në kundërshti me një të tillë tashmë të bërë regjim. Para një shekulli Dadaizmi e pat shtruar terrenin për Surrealizmin. Ndërkaq më vonë minimalizmi ishte reagim ndaj ekspresionizmit abstrakt. Te Lëvizja jonë ndodhën të dyja. Vetëvendosje vie nga tradita e lëvizjeve protestuese e kryengritëse shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit 20, të cilat organizonin solidaritet shoqëror e kombëtar për çlirim, demokraci, pavarësi, barazi e drejtësi. Dhe, ajo lindi para më shumë se 12 vjetëve nga kundërshtia me burokracinë autoritare ndërkombëtare dhe servilitetin e korruptuar vendës. Në kuptimin socio-historik dhe jo në atë teknik, politika nuk është art i së mundshmes. Politika është art. Thjesht, art. K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Photo: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO