Biseda | Sports

Albin Tahiri: Ndihem më pak në siklet që jam i pari, sesa fakti që jam i vetmi

Nga - 09.02.2018

Sportisti i parë nga Kosova në Olimpiadën Dimërore flet për peshën e pritjeve, përpjekjet individuale për kualifikim dhe rolin e sportit në përpjekjet e Kosovës për njohje.

Gjëja e parë që vërehet te 28 vjeçari Albin Tahiri është pamja prej një sportist, një tip që ushtron më shumë se njerëzit e zakonshëm. Flokët e prera shkurt, kofshat me muskuj ja zgjerojnë farmerkat e ngushta ngjyrë hiri, dhe qëndrimin e ka të drejtë. Është i veshur me një jakne të skijimit ngjyrë të dhezur, me flamurin verdhë e kaltërt të Kosovës, dhe simbolin e Federatës Skitare të Kosovës.

Foto: Jorgen Samso.

Gjëja tjetër që vërehet tek ai është që nuk e flet gjuhën shqipe. Ose të paktën jo edhe aq mirë.

“Po, po. Falemnderit, falemnderit”, i thotë ai stafit në hollin e Hotel Sirius në Prishtinë, ku K2.0 takohet me të për një intervistë disa ditë para se ai të niset për në Korenë e Jugut për t’u bërë garuesi i parë nga radhët e Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore 2018 në PyeongChang.

“I di bazat e gjuhës dhe po mundohem ta mësojë”, thotë ai deri sa na çon lifti në katin e fundit, duke shpjeguar se më shumë mund ta kuptojë se ta flasë gjuhën shqipe.

“E kam të vështirë të flasë, të shprehem dhe të përgjigjem, por mendoj se gjindemi disi në fund. Ndihem sikur më pranojnë si kosovar. Problemi i vetëm është që nuk e flas rrjedhshëm gjuhën shqipe. Por unë jam lindur dhe rritur në një kulturë tjetër”.

Tahiri është i biri i një dashurie të vërtetë jugosllave. Në vitin 1973, babai i tij, shqiptar i Kosovës, u njoftua me nënën e tij në Slloveni dhe vendosi të qëndronte atje. Tani, 45 vite më vonë, Albin Tahiri – kosovari i lindur në Slloveni – po i kthehet rrënjëve të tij duke u bërë sportisti i parë i Kosovës që merr pjesë në Olimpiadën Dimërore. Ai është gjithashtu i vetmi sportist nga Kosova që po merr pjesë në Olimpiadën e 23-të Dimërore.

Foto: Michael Kappeler.

“Ndihem pak më në siklet për shkak se jam i vetmi. Kjo është sfida më e madhe për mua – jo që jam i pari, por që jam i vetmi. Sepse nëse nuk performoj si duhet, atëherë kush do të garojë?”, thotë ai.

Pesha e momentit historik olimpik do të zmadhohet nga fakti se Lojërat Olimpike, të cilat zgjasin tri javë, po mbahen në të njejtën kohë kur Kosova po e feston një dekadë të pavarësisë. Përveç kësaj, në një nivel më personal, Albin Tahiri gjithashtu do ta festojë ditëlindjën e tij gjatë garave në Kore të Jugut, duke i mbushur 29 vjet.

Skiatori kosovar, i cili është edhe dentist i kualifikuar, do të garojë në të gjitha pesë disiplinat alpine olimpike: tatëpjetë, super-G, përzierja alpine, sllalom dhe sllalom gjigant. Pasi këtë javë i përfundoi dy seanca zyrtare stërvitore në malet e Koreës, lëshimin e parë do ta bëjë më 11 shkurt, në disiplinën e tij të preferuar – tatëpjetë.

Kur Tahiri doli me flamur të Kosovës para 35,000 spektatorëve në Stadiumin Olimpik Pyeongchang, i shikuar nga miliona njerëz rreth botës në kohë të drekës në ditën e premte, ai i ndoqi hapat e Majlinda Kelmendit, xhudistes nga Peja, e cila e mbajti e para flamurin e Kosovës në Olimpiadën Rio 2016, pas njohjes së Kosovës nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik në dhjetor 2014.

Por, ndonëse Kelmendi e fitoi me përplot emocione medaljen e parë të artë olimpike për Kosovën, pritjet e Tahirit janë më modeste. Për shkak se ka mbështetje të kufizuar në krahasim me skiatorët më të mirë ndërkombëtar – ai duhet t’i përgatisë vet skijat dhe të udhëtojë vet me veturë deri në gara – Tahiri është krenar që është kualifikuar në mënyrë automatike për “Shfaqjen më të Mirë në Botë” për ta përfaqësuar Kosovën në arenën botërore.

K2.0: Je në prag të bëhesh personi i parë që garon për Kosovën ne Lojërat Olimpike Dimërore. A po e ndjenë peshën e pritjeve?

Albin Tahiri: Më duhet të them se po. Nuk jam i sigurt si ta shpjegojë. Por po ndihem pak më në siklet për shkak se jam i vetmi. Kjo është sfida më e madhe për mua; jo që jam i pari, por fakti që jam i vetmi. Sepse nëse nuk performoj unë si duhet, kush do të garojë pastaj?

Mundohem ta harrojë kur jam në staza. Kur jam te pika fillestare, duhet të fokusohem në performancën time. Mendoj se synimi ynë më i madh është pjesëmarrja, pa marrë parasysh tjerat. Thjeshtë të marrim pjesë dhe të garojmë, dhe këtë e kemi arritur. Pra, synimi dhe pritjet e mija veç se janë përmbushur. Pa marrë parasysh rezultatin, ne jemi të suksesshëm.

Mendoj se është nder i madh për Kosovën – e cila nuk ka ndonjë sport tjetër përveç skijimit alpin në Olimpiadën Dimërore – që të paktën ta ketë një sportist aty për herë të parë.

Foto: GEPA pictures / Harald Steiner.

Çfarë mendoni për mbajtjen e flamurin në ceremoninë e hapjes?

Shumë njerëz më kanë pyetur. Nuk jam në siklet tani. Thjeshtë jam i ngazëllyer, dhe sigurisht do të jem i nderuar dhe krenar kur ta mbajë dhe veshi flamurin. Por mendoj se minutat e fundit para se të dal për të ecur në stadium do të jenë më të sikletshme.

Si i lindur dhe i rritur në Slloveni, kur vendose të garosh për Kosovën?

Në vitin 2008, menjëherë kur Kosova shpalli pavarësinë. Idea e pjesëmarrjes për Kosovën erdhi para vitit 2008, kur po e diskutoja me babin tim. Fillimisht ishte si hajgare. Nuk mendonim që do të ndodhte me të vërtetë një ditë. Por kur Kosova e shpalli pavarësinë thamë ‘pse jo?’ Gjithashtu, më kontaktoi Federata Skitare e Kosovës dhe mendova pse të mos e provojë… s’kam gjë për të humbur.

"Ne kemi shumë sportistë dhe sportiste të suksesshme - yje - jashtë vendit, pra mendoj që populli i Kosovës i vlerëson të gjithë që janë kthyer dhe mund të ndihmojnë në një mënyrë më ndryshe."

Arsyeja e parë ishte pavarësia. Arsyeja e dytë ishte që mbetëm pa para dhe nuk kishim mundësi t’i paguanim të gjitha kostot që janë pjesë e skijimit profesional, sepse është sport shumë i shtrenjtë. Në Slloveni është shumë e vështirë sepse ka shumë sportistë të mirë dhe nëse nuk ke mbështetje, nuk mund të garosh me ta. Kosova ma ofroi një mundësi për mbështetje dhe desha të bëhem pjesë e Ekipit Olimpik të Kosovës.

Si të kanë pritur këtu, prej që është marrë vesh që do të garosh për Kosovën? A mendon se të kanë pranuar si kosovar?

Më kanë trajtuar shumë mirë. Kur erdha në aeroport, gazetarët ishin duke më pritur, hëngra drekë me kryeministrin dhe e piva edhe një kafe sot me të. Më priti edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili ma dha flamurin [për ceremoninë e hapjes]. Njerëzit janë shumë të mirë, por kështu të mirë e të dashur kanë qenë gjithmonë. Është shumë mirë që jam këtu dhe më kanë pritur shumë mirë.

Jam takuar me disa njerëz në rrugë të cilët më kanë pyetur për këshilla të skijimit dhe më kanë uruar fat. Ndihem i pranuar si kosovar. I vetmi problem është që nuk e flas rrjedhshëm gjuhën shqipe. Arsyen për këtë nuk e kuptojnë disa njerëz. Por unë jam lindur dhe rritur në një kulturë tjetër. Ky është problemi im. Por jam duke u munduar ta mësojë gjuhën.

Por përndryshe, sigurisht se janë krenar me mua, sepse nuk jam i vetmi sportist i cili ka shkuar jashtë vendit dhe që e ka familjen nga Kosova apo Shqipëria. Ne kemi shumë sportistë dhe sportiste të suksesshme – yje – jashtë vendit, pra mendoj që populli i Kosovës i vlerëson të gjithë që janë kthyer dhe mund të ndihmojnë në një mënyrë më ndryshe.

Të flasim edhe pak për fillimin e udhëtimit tënd Olimpik. Si fillove të merresh me skijim?

Ka shumë skijatorë në vendin ku jetoj unë në Slloveni. Është një qytet i vogël i rrethuar me male, dhe Austria – vendi më i madh sa i përket skijimit alpin – është vetëm 50 minuta larg. Pra nuk ishte vendim i vështirë, sepse në rajonin tonë të gjithë fëmijët e shkollave skijojnë. Është vetëm çështja se a do të vazhdosh si sportist apo jo.

Kisha rezultate të mira menjëherë, kur isha më i ri, dhe kështu babi më tha: “Eh po, do të skijojmë”. Dhe unë isha për këtë ide.

Foto: GEPA pictures/ Mario Kneisl.

Pra ai ishte momenti kur vendose ta ndjekësh këtë rrugë?

Po. Mendoj se isha 7 vjeçar. Prej moshës 4 deri në 6 vjeç mbajta orë për t’u mësuar, por kur i bërë 7 vjeç u anëtarësova në një klub lokal, ku fillova të stërvitesha. Pra mund të them se realisht kam filluar të stërvitem në mënyrë profesionale që nga mosha 7 vjeçare.

Me sa duket babai yt – i cili gjithashtu ishte sportist – ka luajtur rol të madh për të inkurajuar të garosh.

Ai ishte sportist, vrapues i maratonave, dhe ishte i magjepsur me sportin. Kështu edhe erdhi idea për t’u bërë edhe unë sportist.

Ai është faktori më i rëndësishëm dhe arsyeja që unë fillova të merrja pjesë në gara, sepse ai vet është shumë tip garues. Po të mos ishte ai, unë nuk do të isha këtu tani, duke shkuar në Lojërat Dimërore.

"Kur je vet, është shumë e vështirë. Po udhëtoja me veturë, po i përgatisja vet skijat dhe në fakt po i kryeja punët e dy tre njerëzve".

A të kujtohet kur i ke vendosur skijat për herë të parë në këmbë?

Unë kam skijuar për aq gjatë sa kam kujtime. Është jeta ime. Nuk di çfarë do të bëja po të mos skijoja. I gjithë ky udhëtim ka qenë shumë i veçantë për mua. Mendoj se momenti më i veçantë do të jetë tani, kur ta mbajë flamurin në ceremoninë e hapjes.

A ke skijuar ndonjëherë në Kosovë?

Po. Kam shkuar në Brezovicë dhe poashtu kam skijuar edhe në Dragash. Kushtet nuk ishin aq të mira. Prej ç’kam ndëgjuar, në kohën e Jugosllavisë, Brezovica ishte staza më e mirë. Në fakt ka staza shumë të mira në Kosovë, por duhet të rregullohet infrastruktura.

Mundohem të stërvitem në zonën ku jetoj. Për momentin jetoj në Ljubljanë dhe për 30 minuta shkoj me veturë në qendrat më të mira të skijimit në Evropë. Kur vij në Kosovë është e domosdoshme të jem pjesë e ekipit dhe të shkëmbejmë përvoja, përndryshe jam në Evropë gjatë gjithë kohës.

Si duket zakonisht regjimi i stervitjeve tua?

Gjatë sezonës ushtroj në staza. Zgjohem herët, rreth orës 5, ha mëngjes dhe shkoj deri te stazat dhe stërvitem atje deri në ora 12 të ditës.

Kur kthehem në shtëpi, më duhet t’i përgatis skijat për ditën e ardhshme, dhe ndonjëherë bëj ushtrime fizike në mbrëmje. Gjatë sezonës thjeshtë duhet t’i mbash të fortë muskujt.

Duhet t’i bësh të gjitha këto përgatitje fizike gjatë sezones së verës. Zakonisht shkojmë dhe përgatitemi në bregdet dhe në qendra të fitnesit, por gjatë sezonës vetëm skijojmë, sepse ta merr gjithë energjinë.

Foto: GEPA pictures/ Mario Kneisl.

Gjatë përpjekjeve për kualifikim në Olimpiadë kishte një periudhë përplot me punë. Si të shkoi ai proces?

Po, peirudha e kualifikimit ishte shumë e zënë. Zgjati nga sezona e kaluar, deri më 28 janar. Desha t’i përfundoja normat Olimpike vitin e kaluar që këtë sezonë të fokusohem në stërvitje dhe të mos e ndjeki normën.

Prandaj po garoja çdo ditë në gara të ndryshme dhe disiplina të ndryshme. Duhet të zhvillosh shumë gara për të mbledhur pikë, dhe është shumë stresuese. Në fund të sezonës isha krejtësisht i rraskapitur.

"Vetëm duke më njohur mua, ata e din tash që ne skijojmë këtu. Përndryshe nuk do ta dinin as që ekzistojmë".

Para Kampionatit Botëror në Shën Moris [Austri, dhjetor 2017] morra pjesë në pesë disiplina gjatë 14 ditëve, dhe menjëherë u ktheva në shtëpi, i bëra gati skijat dhe udhëtova për një muaj të tërë.

Kur je vet, është shumë e vështirë. Po udhëtoja me veturë, po i përgatisja vet skijat dhe në fakt po i kryeja punët e dy tre njerëzve. Ishte shumë e vështirë, por në fund u shpërbleva dhe mblodha pikë të mjaftueshme në të gjitha disiplinat.

Çfarë po shpreson sa i përket medaljeve në Pyeongchang?

Nëse fitoj medalje, do të jem shumë i lumtur. Shumë do të gëzohesha po ta fitoja një medalje, por duhet ta pranojë se nuk kam edhe shumë shansa, sepse tjerët kanë shumë mbështetje; janë të përgatitur më mirë se unë. Por them se gjithçka është e mundur. Ta shohim si do të shkojë. Por synimi im realist është të futem në top 30, dhe të shohim – ndoshta do të kthehem me një dhuratë!

Të kalojmë në një temë tjetër. Si mendoni që po i ndihmoni Kosovës me sportin tënd?

Mendoj se i ndihmoj shumë. Fillimisht, e përfaqësoj, duke e mbajtur flamurin dhe duke na parë e gjithë bota. Kam zhvilluar intervista me gazetarë nga Japonia dhe Korea e Jugut, e edhe kjo është nder i madh.

Së dyti, kam ndihmuar ta zhvillojë sportin këtu [në Kosovë]. Nëse fëmijët e Kosovës më shohin në Olimpiadë, ata do të brohorisin për mua dhe do të jenë krenar me mua. Fansat më kanë dërguar shumë mesazhe në Facebook dhe Twitter duke më thënë: ‘E kam ëndërr ta bëjë këtë që po e bën ti. Është nder i vërtetë për neve. Vetëm vazhdo. Jemi duke të shikuar dhe duke brohoritur për ty’.

Është mirë kur e sheh që disa njerëz në fakt e vlerësojnë, dhe ndoshta disa prej tyre do t’i shtyejnë fëmijët e tyre ta ndjekin të njejtën rrugë. Ky është mesazhi më i rëndësishëm, përveç që i tregojmë botës kush jemi dhe ku jemi, e kështu me radhë.

Foto: Michael Kappeler.

Kosova po pritet ta festojë 10 vjetorin e pavarësisë. Çfarë domethënie kishte pavarësia e Kosovës për ty?

Në atë kohë, në datën e saktë [në vitin 2008] kur Kosova e shpalli pavarësinë, ne ishim duke festuar në shtëpi [në Ljubljanë]. Por atëherë nuk e kuptoja saktësisht. Nuk e dija çfarë do të sillte për mua.

Por doli që deri më tani, ka qenë gjëja më e mirë që ka mundur të ndodh për mua, se përndryshe nuk do të kisha mundësi për të marrë pjesë në Lojëra Olimpike për Kosovën. Do të thotë shumë për mua, sepse i kam parë familjarët e mi duke vuajtur gjatë luftës.

Pas 10 viteve e shoh Kosovën duke u përmirësuar. Kur erdha këtu për herë të parë, situata ishte e keqe, dhe ende nuk e dinim se si do të zhvillohej. Tani mendoj se ka të paktën disa përmirësime. Ka rend, në një farë mënyre. Ende nuk është si në Slloveni, por mendoj se është në një rrugë të mirë, përderisa ata [liderët politik] po i zbatojnë rekomandimet e kombeve tjera.

Pra tashmë që po afrohet 10 vjetori i pavarësisë së Kosovës, a e sheh ndonjë rol për vete në atë pavarësi?

Po, mendoj se do ta kem rolin tim këtu. Nuk e di nëse jam i dobishëm për vet shtetin, por mendoj se mund të jem model për disa sportistë të rinj – shpresoj. Mendoj se unë i kam sjell shumë gjëra të reja në Kosovë sa i përket sporteve dimërore.

Shumë njerëz në Kampionatin Botëror po më pyesnin: ‘Pse paska Kosova skiajtor alpin?’ Vetëm duke më njohur mua, ata e din tash që ne skijojmë këtu. Përndryshe nuk do ta dinin as që ekzistojmë.K

Olimpiada Dimërore po mbahet në Pyeongchang, Korenë e Jugut, nga 9 shkurti deri më 26.

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është mbajtë në gjuhën angleze.

Foto kryesore: Jorgen Samso.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO