Pikëpamje | Serbia

Votat më të lira dhe më të shtrenjta për Aleksandar Vucic, erdhën nga Kosova

Nga - 07.04.2017

Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vucic janë nisur drejtë rrugës së tyre për në Bruksel.

Sivjet nuk ishte e sigurt se a do të mbaheshin zgjedhjet presidenciale serbe në territorin e Kosovës. Edhe pse Gjykata Kushtetuese e Serbisë vendosi në vitin 2014 që metoda aktuale e përcaktimit të rezultateve të votimit nga Kosova për zgjedhjet serbe nuk ishte në përputhje me ligjin, ky model i njejtë i mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë për zgjedhje serbe u zbatua prapë se prapë. Misioni OSBE -së e mbikëqyri procesin e zgjedhjeve, dhe pasi u mbyllën vendvotimet fletëvotimet u transportuan në Rashkë në jug të Serbisë dhe në Vranjë në qendër të Serbisë, ku u organizua numërimi i votave.

Gazetarë që punojnë për “Insajder, një ekip i gazetarëve hulumtues nga Serbia, e pyetën direkt Gjykatën Kushtetuese për rregullsinë e procesit të zgjedhjeve në Kosovë. Atyre u thanë se vendimi ishte në lidhje me zgjedhjet e vitit 2014, dhe kështu nuk ka pasoja ligjore për proceset e ardhshme zgjedhore.

Gjatë fushatës zgjedhore, autobusë plot me njerëz nga Kosova po udhëtonin nëpër Serbi duke përbërë një pjesë të madhe të njerëzve që merrnin pjesë në tubimet e fushatës presidenciale të Vucic.

Gjykatës Kushtetuese iu deshën dy vjet të tëra për të vendosur për mënyrën se si duhet të numërohen votat nga zgjedhjet e vitit 2014. Në qershor 2016, ajo vendosi që ishte e paligjshme marrja e votave jashtë Kosovës për numërim. Megjithatë, ky vendim ligjor nuk u zbatua kurrë. E kështu ky model i themeluar, që është i dyshimtë sa i përket rregullsisë së numërimit të votave, u përdor edhe këtë herë, e fjalia që u dëgjua më së shumti nga ana e qytetarëve ishte: “Nuk është e rëndësishme se kush voton, por se kush i numëron votat”.

Votim kolektiv

Ende nuk ka të dhëna të sakta për atë se sa vota i morri presidenti i ri i Serbisë në Kosovë, por partia e tij, Partia Progresive Serbe, flet për një 80 përqindësh. Do të shohim se çfarë do të paraqesin shifrat përfundimtare, por kjo përqindje nuk duhet të na befasojë nëse i marrim parasysh rrethanat në të cilat gjindeshin para dhe gjatë zgjedhjeve serbët e Kosovës më shumë se të gjithë votuesit tjerë.

Gjegjësisht, gjatë fushatës zgjedhore, autobusë plot me njerëz nga Kosova po udhëtonin nëpër Serbi duke përbërë një pjesë të madhe të njerëzve që merrnin pjesë në tubimet e fushatës presidenciale të Vucic. Këta njerëz janë kryesisht punëtorë të institucioneve të Serbisë që funksionojnë ende në Kosovë. Ironia e kësaj është se ai morri “mbështetje” nga ata që janë integruar në institucionet e Kosovës që prej marrëveshjes së Brukselit.

Një zhvillim tjetër interesant ndodhi në Kosovë – fenomeni i votimit kolektiv. Ata që janë të punësuar në ndërmarrje publike të Serbisë që operojnë në Kosovë u renditën për të votuar, të udhëhequr prej drejtorëve të tyre përkatës – krerët e Partisë Progresive Serbe në Kosovë.

Besojmë se mund t’ia qëllojmë me mjaft shumë saktësi se për kënd votuan në rrethana të tilla.

Kur ai tha se nuk kishte për qëllim që të ishte kandidat presidencial, nuk ishte hera e parë që e shprehi një të pavërtetë, por ishte ndoshta e pavërteta e fundit që populli e besoi si të vërtetë.

Votat e serbëve të Kosovës janë veçanërisht të rëndësishme për Vucic, jo vetëm për shkak të faktit se 105,000 njerëz mund ta kishin vendosur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, por edhe për shkak se ai ka nevojë për dëshmi që politikat e tij ndaj Kosovës po mbështetet. Kur i marrim parasysh të gjitha rrethanat e përmendura, nuk duhet të jetë e befasishme që serbët në Kosovë po sillen si konformistë, sa i përket qeverisë në Beograd; kemi qenë dëshmitar të kësaj në të kaluarën e afërt.

Por votat që i morri Vucic nga serbët e Kosovës (nëse u morrën në mënyrë të ligjshme) janë më të shtrenjtat dhe më të lirat njëkohësisht. Janë më të shtrenjtat për qytetarët, sepse votat e tyre nuk janë treguese të mbështetjes për marrëveshjen e Brukselit ose politikat ndaj Kosovës, por flasin për faktin se serbët e Kosovës nuk duan që t’i humbin lidhjet e tyre me Serbinë, lidhje që çdo ditë e më shumë po dobësohen. Për të njejtën arsye, janë edhe më të lirat për Vucic – është shumë e lehtë që t’i bësh shantazh një personi që mendon se ka shumë pak për të humbur.

Paralajmërimi për një dialog të nivelit më të lartë politik

Kur presidentët kosovar e serb, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Tomislav Nikolic, u fotografuan pranë kryeministrave të Kosovës e Serbisë, përkatësisht Isa Mustafës e Aleksandar Vucicit, dhe përfaqësueses së Lartë të BE për Punë të Jashtme, Federica Mogherini – me të cilën u takuan të gjithë për negociata në Bruksel menjëherë pas “aferës së trenit” – nuk u desht shumë dituri apo ndonjë analizë e thellë politike për t’i parashikuar planet e kryeministrit të atëhershëm dhe presidentit të tashëm të Serbisë. Kur ai tha se nuk kishte për qëllim që të ishte kandidat presidencial, nuk ishte hera e parë që e shprehi një të pavërtetë, por ishte ndoshta e pavërteta e fundit që populli e besoi si të vërtetë.

Dhe ja pra, ndodhi. Serbia e ka një president të ri që do ta udhëheqë dialogun për fatin e ardhmërinë e Kosovës, si dhe do t’i ushtrojë kompetencat e fuqitë tjera që do t’ia jep vetës. Për ta thënë thjeshtë, Aleksandar Vucic dhe Hashim Thaçi do të jenë ata që do të flasin në nivelin më të lartë politik në Bruksel.

Fuqizimi i kompetencave të presidentit ishte arritje e suksesshme e ish-presidentit Boris Tadic. Pra pse mos ta bëjë këtë edhe një burrë i cili veç se ka dëshmuar që e do gjithë fuqinë në duart e veta, përfshirë fuqinë për çështjen e Kosovës dhe për jetët e serbëve në Kosovë që votuan për të. Ky është një person i cili të gjithë e dimë se e sheh vetën si lider i ndërtimit të paqes në rajon, por në vend se ta bëjë këtë, ai krijon kriza për t’i zgjidhur më vonë e për t’u bërë hero pas çdo situate të tillë – mund të presim një qasje të ngjashme në vitet e arshshme të udhëheqjes së tij.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.