S`fundmi | Kulturë

Krejtë çka ka mbetë pas Jugosllavisë

Nga - 20.06.2018

Ekspozita në Beograd analizon jetën e punëtorëve jugosllavë.

Në hapjen e ekspozitës “Ne Kemi Ndërtuar Qytete për Ju”, që u mbajt më 13 qershor në Pavijonin e Artit Cvijeta Zuzorić në Beograd, u mblodhën artistë dhe hulumtues nga të gjitha shtetet që dikur e përbënin Jugosllavinë.

Ekspozita u organizua si pjesë e ngjarjeve përkujtimore për 20 vjetorin e ekspozitës Përtej (Beyond) që u mbajt në vitin 1997, kur artistët nga Kosova ekspozuan punimet e tyre në Beograd. 20 vite më vonë, organizatorët po mundohen të shikojnë përtej kufijve të tjerë.

“Ne Kemi Ndërtuar Qytete Për Ju” është një eksplorim i tranzicionit nga prodhimi industrial në epokën e socializmit në ekonomitë e vogla kapitaliste që u formuan pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Me të hyrë në ekspozitë, menjëherë i dallon shkronjat e kuqe të shkruara në murin përballë hyrjes:

I kuq është gjaku që

vlon në trupat tonë

I kuq është guximi që copëtohet

nëpër re

I kuq është qielli kur

qesh në agim

I kuq është flamuri ynë

që valëvitet me krenari

Këto janë vargjet e poezisë “Kuq” e shkruar nga Kosta Abrašević në vitin 1894. 80 vite më vonë, në prill 1974, kjo poezi u përfshi në ballinën e gazetës së krijuar dhe distribuar nga punëtorët e fabrikës së tekstilit Astibo në Maqedoni. Qëllimi i poezisë është i qartë: ngritja e moralit të punëtorëve të industrisë dhe përmbushja e nevojave të punëtorëve në kohën e tyre të lirë.

Ekspozita e trajton jetën dhe punën në ish-Jugosllavi dhe kjo poezi është vetëm një aspekt i tyre. “Ne Kemi Ndërtuar Qytete për Ju” i fton vizitorët për të reflektuar për periudhën e socializmit dhe kontradiktat e saj duke eksploruar ekonominë, politikën, vetëmenaxhimin e punëtorëve, kohën e lirë, mediat, kulturën dhe artin.

Vizitorëve u prezantohen disa studime të rasteve që lidhen me zona industriale nëpër Jugosllavi dhe me sfera të ndryshme të aktiviteteve shoqërore, veçanërisht kulturën. Vida Knežević dhe Marko Mitrović, kuratorët e ekspozitës, thanë për K2.0 se qëllimi i tyre ishte të reflektojnë për kompleksitetin e përgjithshëm të qasjes ndaj socializmit jugosllav, nëpërmjet hulumtimeve të gjëra.

Kuratorët e ekspozitës, Vida Knežević dhe Marko Mitrović, u fokusuan veçanërisht në sektorin e punës, për shkak se në të janë parë ndryshimet më të dalluara në tranzicionin post jugosllav. Foto: Srdan Veljović.

“Sfera e kulturës është veçanërisht interesante për shkak se nëpërmjet kulturës reflektohet ideologjia liberale hegjemonike të lidhura me politika nacionaliste”, tha Knežević.   

Kuratorët shpjeguan se jeta e punës në Jugosllavi u zgjodh si temë e ekspozitës për shkak se “rezultatet e procesit të transformimit, që ka zgjatur disa dekada, janë më të dalluara dhe më të matshme në sferën e punës”.

Knežević shpjegoi se kjo ekspozitë i bashkon tri elemente: përpjekjet e klasës punëtore për jetë më të mirë, misionin e Lidhjes së Komunistëve për ta forcuar ideologjinë dhe logjikën e parasë dhe kapitalit.

“Këto tri rrjedha e kishin kontradiktuar njëra tjetrën, duke krijuar situata të ndryshme në periudha të gjata kohore që kanë ndikuar tek jetët e shumë njerëzve. Këto deshëm t’i eksplorojmë për këtë ekspozitë”, vjen në përfundim Knežević.

Protesta kundër kapitalizmit

Prezantimi i kapitalizmit në hapësirën publike nuk ndodhi në mënyrë lineare dhe pa rezistencë. Ky ndryshim u shoqërua me konflikte, në nivelin makro, pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe në nivelin mikro, në fabrika dhe kombinate, si rrjedhojë e rezistencës ndaj ndryshimeve të imponuara.

Në 1980-at, grevat ishin gjë e zakonshme nëpër qytete të ndryshme të federatës. Nga Trepça te TAM, nga Labin te Zmaj, punëtorët mbanin grevë duke kërkuar kushte më të mira të punës dhe të jetës, duke protestuar kundër masave shtrënguese dhe ristrukturimit neoliberal të Jugosllavisë, që mbështetej dhe imponohej parimisht nga lidershipi politik dhe ekonomik.

Ndryshimi në sektorin e punës, nga socializmi në kapitalizëm, i krijoi disa pasoja kontradiktore politike, ekonomike dhe kulturore. Me zhvillimin e kapitalizmit, brenda shoqërive të vogla post jugosllave imponohen disa rregulla më ndryshe prej atyre të socializmit: punëtorët punojnë edhe pas përfundimit të orarit, shumë shpesh në fundjavë dhe ditë pushimi, pa kompensim financiar dhe nën presion shumë të madh për t’i përmbushur kutoat më të larta të prodhimit. Të hyrat mujore ishin shpeshherë më të ulëta dhe qasja ndaj punëtorëve dhe trajtimi i tyre ndonjëherë kishte elemente të dhunës psikologjike.

Për shembull, si pjesë e hulumtimeve të kryera nga ekspozita u bënë matje të pranisë së llojeve të pasigurta të punës, dhe prej tyre doli se Kroacia është vendi që kryeson në Evropë për këtë aspekt. Në vitin 2017, më shumë se 8 përqind e punëtorëve ishin të punësuar në domenin e punëve të ashtuquajtura të pasigurta.

Nëpërmjet hulumtimeve u gjet gjithashtu se 90 përqind e punëtorëve të sapopunësuar, si rregull, kanë gjetur punësim në forma të pasigurta të punës, punë me orar të pjesshëm dhe punë sezonale; këto forma nuk kanë të hyra të qëndrueshme, sigurim pensional, vite kualifikuese të puënsimit dhe pushim shëndetësor.

Një nga vendet e pakta të punës në Kroaci në të cilat punëtorët ende mund t’i shprehin mendimet e tyre është fabrika e plehrave minerale Petrokemija në Kutina. Historia bashkëkohore e fabrikës është dokumentuar nga fotografi Bojan Mrdenović, i cili i ka ekspozuar punimet e tij në “Ne Kemi Ndërtuar Qytete për Ju”.

Foto: Srđan Veljović.

“Petrokemija ende është pronë e shtetit, por privatizimi po afrohet”, shpjegoi Mrdenovic për K2.0. “Punëtorët po avokojnë kundër privatizimit. Pavarësisht përpjekjeve të institucioneve të ndryshme lokale për privatizim të fabrikës, veprimet e përbashkëta të punëtorëve të sindikatës i kanë parandaluar të gjitha përpjekjet e këtij lloji deri më sot.

Sindikata e Petrokemija është shembull i rrallë i promovimit të suksesshëm të të drejtave të punëtorëve dhe parandalimit të privatizimit. Punimet e ekspozuara nga Mrdenovic kombinojnë fotografi të bëra nga vet fotografi gjatë eksplorimit të zonës industriale në Kutina, si dhe fotografi nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar.

Në këtë mënyrë, Mrdenović u mundua të kontekstualizojë evolucionin e prodhimit industrial në Kutina prej themelimit të tij në Jugosllavinë socialiste e deri më sot.

“Në ditët e sotme në Kutina, e kemi lëvizjen e fuqishme të krahut të djathtë dhe ndikimi i rrëfenjave nacionaliste është i gjithëpranishëm”, thotë Mrdenović. “Pa marrë parasysh rrëfenjën, askush nuk mund ta kundërshtojë faktin se mundësitë për të gjetur punë nuk ishin kurrë në nivel të lartë si në 1980-at, kohët e arta të Petrokemija”, shpjegoi ai.

“Kutina është aktualisht në fazë të pasigurisë ekonomike dhe ekzistenciale për shkak të presioneve për privatizim dhe unë po planifikoj ta dokumentoj rrjedhën e ngjrajeve tash e tutje”, tha Mrdenović.

Një hapësirë politike për emancipim

Ndryshe nga Kutina, qyteti maqedon Shtip veç se është zhytur plotësisht në kulturën kapitaliste të punës. Shtipi dikur kishte një industri të fuqishme të tekstilit. Ishte dega kryesore industriale në këtë qytet. Me ardhjen e privatizimit, kompanitë më të mëdha në Shtip, Makedonka dhe Astibo, u copëtuan në qindra prodhimtari private, duke i ndryshuar drastikisht marrëdhëniet e punës.

Në “Ne e Kemi Ndërtuar Qytetin për Ju”, punimi i Filip Jovanovski “Textile and Sorrow” (Tekstil dhe Pikëllim) analizon industrinë e tekstilit në Shtip dhe metodat që i përdorin organizatat e punëtorëve të tekstilit në këtë qytet për t’i përmirësuar të drejtat e punëtorëve dhe të drejtat e njeriut.

Për Jovanovskin, në të kaluarën Shtipi përballej me shkatërrimin e kulturës komplekse të tij gjatë “periudhës së errët të diktaturës” (2006-2017). Ai mendon se fuqizimi i ndjesive konservatore patriotike dhe rreptësisht ortodokse nuk ishte për të mirën e punëtorëve, por me sa duket ende është e pranishme rezistenca.

Punimi i tij prezantohet në formë të gazetës që e ka redaktuar me punëtorët dhe aktivistët nga Loud Textile Worker Initiative (Nisma e Punëtorëve të Zhurmshëm të Tekstilit). “Ne e shohim gazetën si hapësirë (politike) për emancipim dhe veprim kolektiv për të drejta më të mira të punëtorëve dhe të njeriut”, deklaroi artisti.

Një artist tjetër i cili i analizoi të drejtat e punëtorëve është regjisori i filmit nga Kroacia, Srdan Kovačević, i cili i kaloi 37 ditë në Ljubljanë me Delavska Svetovalnica (Shërbimi për Këshillim të Punëtorëve), një OJQ që i ndihmon punëtorët emigrantë me administrim dhe dokumenta, duke ua bërë jetën më pak të ndërlikuar.

“Më së shumti më preku fakti se 10 deri në 30 njerëz në ditë vijnë në zyret e Delavska Svetovalnica dhe flasin për kushte katastrofale të punës”, tha Kovačević për K2.0. “Më preku shumë padrejtësia që pashë”.

Drejtori shtoi se i vetmi dallim ndërmjet tij dhe punëtorëve që erdhën për të kërkuar ndihmë ishte se në pjesën më të madhe të rasteve, ata po punonin në kushte të cilat ishin fizikisht më të këqija. Të përbashkëta i kanë kontratat e përkohshme, rrogat e vonuara dhe presionin e madh për të prodhuar.

“Kur e pashë këtë, më erdhi vullneti për t’u angazhuar politikisht dhe për të avokuar kundër praktikave të tilla dhe jo vetëm t’i prezantoj ato nga një pikëpamje artistike”, tha Kovačević.

Foto: Srđan Veljović.

Ndërsa hulumtuesja Irena Pejić e analizoi rastin e gazetës së përditshme të Sarajevës, Oslobodenje (Çlirimi), e cila ishte në pronë të Shoqatës Socialiste të Punëtorëve të Bosnjes dhe Hercegovinës dhe ishte me të vërtetë gazetë e orientuar drejt Jugosllavisë gjatë 1980-at. Materialet e arkivës së kësaj gazete përbëjnë një pjesë të ekspozitës.

“Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, u ndërruan pronarët e Oslobodenje dhe kjo gazetë u ballafaqua me vështirësi të vazhdueshme gjatë përpjekjeve për mbijetesë”, shpjegon Pejić në tekstin që e shoqëron punimin e saj. Stafi redaksional sot e përshkruan Oslobodenje si “barazisht serbe, kroate dhe boshnjake, sepse i përket të gjithë njerëzve dhe qytetarëve të Bosnjes dhe Hercegovinës”.

Edhe pse Jugosllavia shpeshherë përmendet si shtet i karakterizuar nga censurimi partiak dhe mungesa e kritikës, rasti i Oslobodenje tregon se situata nuk është kaq bardh e zi. Gjatë kohëve të thellimit të krizës ekonomike dhe shoqërore, kur gjithçka ishte në kontrollin e qëndrueshëm të Partisë Komuniste, Oslobodenje ishte në anën e punëtorëve. “Kjo është diçka që nuk duhet të shpërfillet”, deklaron Pejić.

Duke i marrë parasysh këto shembuj, me sa duket qëllimi i ekspozitës “Ne Kemi Ndërtuar Qytete për Ju” nuk lidhej thjeshtë me kulturën. Në punimin e ekspozuar lidhet edhe idea politike, që implikon se edhe pse socializmi jugosllav dhe arritjet emancipuese nuk mund transpozohen në kontekstin e kohëve bashkëkohore, ato prapëseprapë përmbajnë mësime të caktuara politike – të paktën një mësim për domosdoshmërinë e përpjekjeve si kolektiv i organizuar që kishte synimin e krijimit të një shoqërie të re, të lirë, të barabartë dhe me solidaritet.K

Ekspozita “Ne Kemi Ndërtuar Qytete për Ju” është e hapur në Pavijonin Cvijeta Zuzorić deri më 2 korrik.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Foto e fundit: Srdan Veljović.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO