S`fundmi | Policia

Amnesty International Bën Thirrje për Hetime Urgjente të Veprimeve të Policisë së Kosovës

Nga - 30.11.2015

Thuhet se është përdorur “forcë e tepërt” gjatë bastisjes në Vetëvendosje.

Amnesty International ka bërë thirrje për hetime urgjente të veprimeve të Policisë së Kosovës, pas arrestimeve dhe keqtrajtimeve të supozuara të dhjetëra aktivistëve të Vetëvendosjes të shtunën.

“Prej videove dhe fotografive që i kemi parë, duket se Policia e Kosovës përdori forcë të tepërt gjatë operacionit për të arrestuar anëtarë të Vetëvendosjes në zyret e kësaj partie gjatë ditës së shtunë”, tha për Kosovo 2.0, Sian Jones, hulumtuese e Amnesty International për Ballkanin.

“Jemi në proces të mbledhjes së informatave të mëtutjeshme, por i nxisim autoritetet dhe Mekanizmin Parandalues Nacional të nisin menjëherë hetime ndaj sjelljes së policisë, dhe çdo akuze individuale për keqtrajtime”.

Në pasditen e së shtunës, pak pas përfundimit të manifestimit të organizuar nga opozita në sheshin Zahir Pajaziti, forca të armatosura speciale policore e rrethuan dhe bastisën selinë e Vetëvendosjes në një aksion që i ngjau operacioneve kundër terrorizmit. Policia ende nuk ka konfirmuar se a kishte urdhër nga prokuroria për ta kryer bastisjen. Përveç ekzekutimit të fletarrestit për deputetin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, policia gjithashtu lajmëroi se kishte arrestuar gjithsej 97 aktivistë, brenda zyreve dhe në rrugë.

Vetëvendosja printoi një listë të 61 emrave që ata thonë se “u morrën me forcë” prej brenda zyreve, duke pohuar se “mbi 150 qytetarë e aktivistë” janë mbajtur nga policia nëpërmjet veprimeve “brutale dhe të dhunshme” gjatë ditës. Gjithashtu raportuan se dhjetëra mbështetës dhe aktivistë ishin lënduar, disa shumë keq, në rrugë, në seli të partisë dhe derisa ishin në mbajtje nga policia, duke përfshirë edhe përdorimin e plumbave të gomës. Polica ka mohuar përdorimin e plumbave të gomës.

Përveç Amnesty International, organizata të mirënjohura të të drejtave të njeriut në Kosovë gjithashtu kanë shprehur shqetësimet e tyre dhe kanë dënuar veprimet e policisë ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes. Pas monitorimit të ngjarjeve të së shtunës dhe intervistimit të aktivistëve të arrestuar në stacionin e policisë në Prishtinë dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) deklaroi se  veprimet e Policisë së Kosovës ishin të panevojshme dhe joproporcionale dhe kurrësesi nuk mund të justifikohen.”Terrorizimi i qytetarëve–aktivistë përmes drejtimit të tytave automatike dhe goditjeve me to si dhe goditjet me shufra gome, madje me plumba gome, me grushte e shqelma përbëjnë poashtu keqtrajtim të rëndë fizik”, shkruan në deklaratën e QKRMT. Gjithashtu në deklaratë u tha se këto veprime janë shkelje e dispozitave ligjore dhe dhe akteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, që jan të zbatueshme edhe në Kosovë.

Kosovo 2.0 kontaktoi zyrën e Avokatit të Popullit në Kosovë, e cila tha se kishin monitoruar ngjarjet dhe është në proces të mbledhjes së fakteve dhe dëshmive, pas së cilave do të lansojë një raport. Ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i cili iu bashkua Vetëvendosjes para disa ditëve, ishte njëri prej aktivistëve të lënduar dhe i cili pati nevojë për trajtim mjekësor në QKUK.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) sot publikoi një raport në lidhje me ngjarjet e së shtunës dhe e vlerësoi përshkallëzimin si të panevojshëm pas protestës paqësore. KMDLNJ konkludoi se ndërhyrja policore ishte veprim jodemokratik që nuk përkon me të drejtat elementare të njeriut, lirinë e shprehjes dhe lirinë e organizimit politik. KMDLNJ i bën thirrje Inspektoratit të Policisë së Kosovës që të mos presin për raporte zyrtare të veprimeve të policisë, por ta nisin vet procesin e hetimit. “Në rrethana të trazirave të mëdha me të lënduar [Inspektoriati] duhet të reagojë dhe të hetojë ex oficio (sipas detyrës zyrtare) e në manifestimin e fundit ka shumë raste të tilla”, shkruan raporti i KMDLNJ-së.

Në kontrast me reagimet e organizatave të të drejtave të njeriut, një deklaratë e përbashkët nga ambasadat e katër nga pesë vendeve të Quint-it (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia – Gjermania nuk e nënshkroi deklaratën) e lëvdoi Policinë e Kosovës për veprimet e së shtunës. “Jemi të kënaqur që demonstratat ishin paqësore dhe duam t’i përgëzojmë të gjithë pjesëmarrësit, e sidomos  Policinë e Kosovës”.

Fotografitë: Vetvendosje