Biseda | Feminizmi

Ana Vasileva: “Rajoni ka një traditë të gjatë të feminizmit që është harruar”.

Nga - 08.10.2018

Bisedë për Feminizmin në Ballkan (Pjesa 6) – Aktivistja flet për nismat feministe në Maqedoni dhe rrënjët antikapitaliste të feminizmit në Ballkan.

Në fushën e feminizmit global, viti 2017 do të kujtohet për lëvizjen #MeToo.

Kjo nismë, e themeluar në SHBA pas skandalit të Harvey Weinstein – në të cilin prodhuesi i njohur i filmave është akuzuar për ngacmime dhe sulme seksuale kundër dhjetëra grave – u përhap në shtete të tjera, duke bërë që qindra e mijëra gra të thonë publikisht “me too” (“edhe unë”… jam viktimë e ngacmimit), për ta theksuar faktin se dhuna seksuale është problem i përhapur dhe serioz. Revista Time e shpalli lëvizjen “me too”, apo ato që e “thyen heshtjen”, si person të vitit.

Ndonëse “me too” arriti edhe Ballkanin, shtetet në këtë rajon ende përballen me beteja të ndryshme. Disa nga temat e theksuara nga aktivistët feministë në Ballkan janë e drejta për abortim, përfaqësimi i grave në pozita të vendimmarrjes, prania e grave në politikë dhe dhuna kundër grave.

Në një seri të Bisedave, K2.0 ka folur me disa prej feministeve më të shquara në rajon për zhvillimin dhe gjendjen aktuale të feminizmit në shtetet e tyre përkatëse dhe problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen.

Në Maqedoni, K2.0 bisedoi me Ana Vasileva, një aktiviste dhe anëtare e kolektivit feminist Бори се женски [Lufto si Grua]. Vasileva ka qenë pjesë e plot nismave, përfshirë këtu Jo vetëm më 8 mars, ПичПрич. Së fundmi ajo nisi një lëvizje shoqërore nën thurjen #CeraКажувам (#UnëNgrisZërinTani).

Foto: Gorjan Atanasov / K2.0.

K2.0: Në sistemin patriarkal, gruaja e ka vendin në shtëpi. Ju e kundërshtoni këtë nocion, dhe luftoni për një vend për gratë, dhe për veten në publik. Sa është e vështirë të jesh aktiviste dhe feministe në Maqedoninë e sotme?

Ana Vasileva: Unë mendoj se aktivizmi më jep përparësi në dy mënyra. Në një anë është një kanal nëpërmjet të cilit mund të punoj dhe ta shprehi veten dhe të ndjej se kam dobi shoqërore, pa u kushtëzuar. Mund të bëhem aktive në momentin që ndjej se ka nevojë dhe mund të injoroj atëherë kur mendoj se ka diçka të dyshimtë.

Tjetra është fakti se kam punë jashtë aktivizmit, që më jep pavarësi për ta distancuar veten nëse e kam ndjenjën se po punoj për agjendën e dikujt tjetër. Megjithatë, njëkohësisht mund t’i bashkohem aksioneve kur mendoj se synimi i tyre është i rëndësishëm.

Me qëllim e zgjodha këtë vend për intervistë. Monumenti para të cilit jemi quhet Luftëtarja, dhe u ngrit më 8 mars 1970, në nder të të gjitha luftëtareve gra që kanë luftuar për lirinë. Ju ishit pjesë e fushatës “Jo vetëm më 8 mars’. A është e vështirë të niset një fushatë e tillë në Maqedoni?

Maqedonia dhe rajoni në fakt, ka një traditë të feminizmit që është harruar. E arriti klimaksin gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, me pjesëmarrjen aktive të grave dhe më vonë me krijimin e Frontit Anti-Fashist të Grave [Antifašističko vijeće žena AFŽ]. Prandaj është monument i rëndësishëm. Ndonëse nuk i njoh hollësisht të gjitha lëvizjet e shekullit të fundit, ka historiane gra që kanë bërë hulumtime gjithëpërfshirëse për këto lëvizje, me gjithë kritikën e domosdoshme.

Mendoj se feminizmi jonë është shumë më shumë se ‘feminizmi i Hollywood-it’ që është bërë i njohur së fundmi – dhe të cilin e mbështeti deri në një pikë. Por e kemi një traditë mbi të cilën mund të ndërtojmë me beteja të reja, fronte të reja dhe solidaritet.

Më mirë është që feminizmi jonë i ka rrënjët tek lëvizjet anti-kapitaliste. Nuk është ‘pop-modernja’ e re që shet maica. Ka elemente të ndërgjegjësisë së klasës. Është i vetëdijshëm për të drejtat e klasës punëtore, e grupeve të margjinalizuara. Këto janë gjërat që i kemi harruar në këto vitet e tmerrshme të tranzicionit, që duken si të përhershme në rastin tonë, por tani po mundohemi t’i kthejmë.

Foto: Gorjan Atanasov / K2.0.

T’i kthehemi “Jo vetëm më 8 mars” – vet data është zhvleftësuar. Ishte një kohë kur thonim se gjithçka ishte në rregull sa i përket të drejtave të grave dhe shoqëria vet e pranonte këtë, dhe filloi ta festonte 8 marsin në kafehane. Nuk duhet të përqendrohen të gjitha aktivitetet në atë ditë, por shpeshherë të gjitha eventet që kanë synim ngritjen e nivelit të ndërgjegjësimit të publikut planifkohen në atë ditë, e kjo na tregon se realisht situata është keq.

Të drejtat e grave janë çështje për të cilën duhet të flasim sa herë të ketë nevojë; e arsyet e nevojat për to janë shfaqur shpeshherë. Janë çështjet si pushimi i lehonisë, mungesa në punë, abortimi… dhe nuk kanë qenë të rralla së fundmi.

Më tërhoqe vëmendjen kur the se feminizmi në Ballkan i ka rrënjët në kujdesin për të margjinalizuarit dhe në solidaritet. Ku jemi sot? A kujdeset feminizmi në mënyrë të barabartë për të gjitha gratë në vitin 2018?

Kam hulumtuar vetëm një aspekt: gratë rurale. Megjithatë, sipas hulumtimeve në nivel global, ka diskriminime të ndryshme. Mund të bazohet në identitet etnik, e mbi të e shtojmë varfërinë, ambientin rural, paaftësinë… të gjitha këto e bëjnë pothuajse të pamundur që disa gra të caktuara t’i ushtrojnë të drejtat njerëzore të tyre – edhe pse koncepti i të drejtave të njeriut është perendimor centrik, por ne këtu mund ta përdorim në një konotacion pozitiv.

Përderisa feminizmi jonë është i bazuar në gratë punëtore, ishte një ndjesi e ndihmës dhe solidaritetit për të dobëtit dhe të tjerët. Atë ndjenjë të solidaritetit e kemi humbur me tranzicionin dhe me mendimin e përbashkët “secili për vete”. Tani po mundohemi të ndryshojmë dhe ta ndërtojmë një valë të re të solidaritetit, në këmbë të brishta, por jemi duke ecur para.

"Kur ta krijojmë një kulturë në të cilën gratë e pranojnë pozitën e tyre si të merituar, atëherë gratë do të kenë mundësi ta ngrisin zërin e tyre".

Maqedonia e ka miratuar Konventën e Stambollit, konventën e Këshillit të Evropës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje që u nënshkrua në 2011, me plot probleme nga ana e qeverisë. A mund të na thoni më shumë për këtë proces?

Konventa u miratua, por nuk u ratifikua nga Parlamenti deri në qershor të këtij viti, kryesisht për arsye financiare. Konventa e Stambollit kërkon nga shtetet që e ratifikojnë të hapin strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës seksuale, dhe të themelojnë protokole në institucione mjekësore dhe departamente policore – e kjo kushton para.

Pyejta ishte se a ishte qeveria e gatshme të investonte një sasi serioze të parave, që për sende tjera lehtë shpenzohej, normalisht. Pastaj Mila Carovska, Ministrja e re e Punës dhe Politikave Sociale, e shtyu para ratifikimin në qershor dhe Konventa tani po hyn në efekt.

Prej qershorit e kam ndjekur këtë proces dhe duhet të them se jam e kënaqur me zhvillimin e tij. Konventa po zbatohet hap pas hapi, ashtu siç duhet. Mund të shohim se nuk po bëhet veç sa për të thënë se po bëjmë diçka. Ka më shumë investime në kapital njerëzor, nëpërmjet trajnimeve dhe në partneritet me palët tjera të interesit, shefat e sigurimit, organizatat ndërkombëtare. Kjo është diçka që po më pëlqen.

Ishte një kohë kur ishin vetëm dy strehimore…

Po, ishte një kohë kur situata ishte shumë e keqe. Por tani ka strehimore të reja që po hapen për të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe dhunës në familje, ku do të trajtohen qysh duhet.

Gratë kanë të drejtë për përfaqësim të barabartë në parti politike dhe lista të votimit në Maqedoni, por a janë të hapura partitë ndaj diversitetit dhe përfshirjes?

Edhe pse ka kuota, nëpërmjet të cilave mund të arrijmë barazinë deri në një nivel të caktuar, këto kuota, që kanë qenë në fuqi për një kohë të caktuar, tek tani po prodhojnë rezultate,. Kjo do të thotë se na duhet kohë për të krijuar një masë kritike ose për të arritur ndryshime.

Foto: Gorjan Atanasov / K2.0.

E njejta vlen për partitë politike, në të cilat fatkeqësisht përparohen vetëm interesat personale. Pushteti centralizohet, dhe të gjitha lëvizjet varen nga vullneti i pak personave. Prandaj gratë që përfshihen në parti shpeshherë nuk i adresojnë problemet e personave që i përfaqësojnë, por vetëm interesat personale të tyre.

Gjërat nuk do të ndryshojnë deri sa të decentralizohet pushteti në parti, e ky do të jetë një proces i gjatë, por rezultatet do të jenë më të mira dhe më afatgjate.

Maqedonia ka një numër rekord të grave deputete në këtë mandat, por prapëseprapë ato kanë pjesëmarrje të vogël në diskutime parlamentare. Pse mendoni se po ndodh kjo?

Këtu përsëri, si me kuotat, do të thoja se na duhet kohë. Ende nuk ndihen rehat në atë botë, dhe mendojnë se dikush u ka bërë mirë duke i vendosur në ato karrige. Nëse e ke ndjenjën se ja ke borxh pozitën dikujt, nuk do të ndihesh rehat për ta shprehur mendimin. Kur ta krijojmë një kulturë në të cilën gratë e pranojnë pozitën e tyre si të merituar, dhe partitë janë të decentralizuara, atëherë gratë do të kenë mundësi ta ngrisin zërin e tyre.

Meqë jemi te ngritja e nivelit të ndërgjegjësimit, mund ta shohim se festivali “Një Vajzë dhe Fëmiu i Parë”, që fokusohet në prezantimin e grave nga sferat e ndryshme kulturore lokale, ka arritur të prekë grupe të ndryshme të audiencës. Është edhe “Peach Preach”, të cilën e organizoni ju. A mund të na thoni më shumë për ngjarjen dhe qëllimin e saj?

Peach Preach është një duo femërore që fokusohet në promovimin e diskursit të grave dhe kundërshtimin e shtypjes patriarkale nëpërmjet tregimeve publike, duke e vazhduar traditën e historisë gojore të grave, në kontrast me historinë e shkruar dhe të kanonizuar mashkullore.

Peach Preach synon të ketë ndikim lokal duke organizuar ngjarje në qytete më të vogla rreth Maqedonisë, por synon gjithashtu të ketë ndikim rajonal duke ftuar tregimtarë nga rajoni për të performuar në ngjarje të caktuara. Kjo organizatë u formua në mars 2016 për shkak të nevojës për t’i adresuar problemet e grave në sferën publike, si dhe për t’i promovuar gratë si figura publike në një shoqëri tradicionalisht patriarkale, që dominohet nga zërat e burrave.

"E vetmja kohë kur janë në vëmendje repartet e lindjes është kur kemi raste të vdekjeve të të porsalindurve apo grave shtatzënë, por kushtet janë të tmerrshme".

E përmenda Peach Preach sepse pajtohem me ty se duhet të punojmë në nivelin bazë, dhe të krijojmë politika që i adresojnë problemet e grave, por pajtohem gjithashtu se ngritja e nivelit të ndërgjegjësimit është gjithashtu mjaft e rëndësishme. A është Peach Preach një platformë e mirë për ta realizuar këtë?

Po, kemi pasë situata ku tregimtarët tonë janë kritikuar shumë. Për shembull, vitin e kaluar Fatime Fetai, prokurorja speciale, u kritikua për paraqitjen e saj në panelin e Peach Preach.

Plot portale të lajmeve e ndanë storjen e saj, duke komentuar se nuk ishte në rregull që një grua me funksion shtetëror të flasë aq lirshëm. Vetëm një grua që ka një rol të themeluar shoqëror, dhe një pozitë të mirë shoqërore, mund të përballet me aq shumë presion.

Këto lloj situata mund të kenë edhe efekt pozitiv që përhapet shpejtë, kur publiku vendosë të punojë më shumë me këto çështje. Megjithatë, ekziston një lloj perde ndërmjet asaj që bëhet në Shkup dhe efektit që mund ta ketë në rajon, në qytete më të vogla, fshatra, komunitete.

E kemi një emision të rregullt në radio në Kanal 103 si Peach Preach, dhe në një prej epizodave kemi folur për përvojat e grave me mbarsje artificiale dhe isha e shokuar kur mësova për të gjitha procedurat dhe diskriminimin e qenësishëm dhe të drejtpërdrejtë ndaj grave brenda këtij procesi. Ndoshta nuk duhet të vijë si befasi, sepse kemi kushte të tmerrshme në reparte të lindjes përgjatë vendit. Madje edhe në Shkup, trajtimi, shërbimi… është tmerr, por nuk ndodh kurrë në qendër të vëmendjes.

E vetmja kohë kur janë në vëmendje repartet e lindjes është kur kemi raste të vdekjeve të të porsalindurve apo grave shtatzënë, por kushtet janë të tmerrshme. Bëhet fjalë për shëndetin riprodhues dhe gjenital të të gjitha grave, dhe veçanërisht nënave. Amësia është proces shumë i ndjeshëm, dhe gratë nuk mbështeten fare.

Duhet të punojmë shumë për këtë. Nuk kemi mekanizma për mbrojtje para dhe pas lindjes, trajtim të depresionit, rishoqërim etj. Edhe në nivel global këto çështje janë disi të shpërfillura. Kur e mendojmë, të gjithë prej neve jemi lindur, e kemi nëna. Na tregon se deri në çfarë niveli gratë trajtohen si të parëndësishme, sa që shpërfillet kjo çështje si e parëndësishme.

Për fund, dua të flas për thurjen #ISpeakUpNow dhe rëndësinë e saj në një shoqëri si e jona. A është e mundur të arrihet një ndryshim përmes një thurjes?

Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës dhe Politikave Sociale dhe Kryeministri të gjithë e mbështetën thurjen. Por unë mendoj se thurja kishte për qëllim të ishte një stimulim për këto institucione, që ato të krijojnë strategji dhe politika që i adresojnë këto probleme, dhe kjo nuk ndodhi.

Foto: Gorjan Atanasov / K2.0.

Shpeshherë kur një nismë vjen prej jashtë institucioneve, mund të thyhet lehtë dhe për shumë arsye. Duhet të vijë nga institucionet, e kjo është shumë e vështirë të arrihet në Maqedoni. Shpresoj se mund të bëhemi bashkë përsëri për ta bërë një hap në këtë drejtim.

Unë me të vërtetë kisha besim në thurjen #ISpeakUpNow. Ne nuk flasim fare për ngacmimin seksual. Perceptohet si diçka normale. [Lëvizja për ngritjen e zërit kundër ngacmimit seksual] origjinoi nga Hollywood, një vend shumë i pasigurt, por mund të themi se me aq shumë para dhe pushtet mund të ndikosh tek njerëzit, t’i detyrosh të bëjnë gjithçka. Gjithsesi, këtu nuk e shoh atë si të mundshme. Në fakt e kemi një gjeneratë me vlera tjera, që e perceptuan atë si normale.

Por tani bota po ndryshon, e njëlloj edhe vlerat. Ndoshta një grua apo vajzë do ta kuptojë nëpërmjet thurjes se dikush në Maqedoni e mbështetë atë. Ndonjëherë kjo mjafton. Ndonjëherë vetëm një person mjafton që të mos ndihesh e vetmuar. Tani po qarkullon idea se mund të mbështetësh te dikush nëse të ndodhë diçka.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e hapi një linjë telefonike për viktimat e ngacmimit seksual, që u frymëzua nga thurja. Çfarë mendimi keni për këtë?

Mendoj se kjo është zgjidhje shumë e pjesshme dhe e papërgjegjshme. Në fakt, është një zgjidhje e dobët dhe do të ishte e dobishme vetëm si veprim plotësues i një politike të mirë. Por këtu përsëri përgjegjësia e plotë e veprimit bie tek viktimat.

Nuk mund të presim nga viktimat të mobilizohen. Është shumë budallaki, dhe e padrejtë, të presim nga viktimat ta mbrojnë veten. Ne duhet të krijojmë kushte në të cilat nuk bëhen viktima – të punojmë me fëmijët dhe të veprojmë në arsim dhe kundër ngacmimit.

Nuk mund të presim viktimat të jenë ato që e shtyejnë para sistemin nëpërmjet raportimit dhe dëshmive. E gjithë kjo është barrë për jetën e viktimës dhe mund të çojë deri te riviktimizimi. Është koha për parandalim dhe jo për zgjidhje e mekanizma të përkohshëm.

Si funksionon feminizmi në Maqedoni?

Ka plot kthesa të gabuara, që mund të jenë edhe të kuptueshme në kushtet tona, por në skenën e madhe, mendoj se jemi duke përparuar. Është një cikël, sa herë që ka ndonjë zhvillim të madh, janë disa forca prapavajtëse që na çojnë mbas – një kundërplasje.

Në vitin 2006, kur u miratua Ligji për Mundësi të Barabarta, të gjitha partitë bashkëpunuan, përfshirë këtu VMRO-DPMNE dhe SDSM. Pas kësaj, lëvizja e grave disi u shpërnda dhe pasoi një periudhë e heshtjes. Kjo solli pasoja të rënda dhe tani është nisur një lëvizje e re. Po ecim në valë, por jemi duke u përmirësuar.K

Kjo është intervista e gjashtë në kuadër të serisë sonë ‘Bisedë për Feminizmin në Ballkan’, që trajton gjendjen e feminizmit në rajon. Na vizitoni javën e ardhshme për një intervistë tjetër me një feministe të shquar nga Ballkani Perëndimor.

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën maqedone.

Foto kryesore: Gorjan Atanasov / K2.0.