Andrra_FatimeKosumi
Biseda | Muzikë

ANDRRA: Eksplorimi i rapsodive shqiptare i jep kuptim të kaluarës së prindërve të mi dhe të ardhmes sime

Nga - 13.01.2017

Artistja e toplistave muzikore flet për albumin e ardhshëm, muzikën folklorike të grave dhe përshtatjen kulturore.

Posteri i kryeveprës kinematografike Tokyo Story (Rrëfimi i Tokios) të Yasujiro Ozu-së kuptohet qartë në apartamentin e Fatime Kosumit në Berlin, teksa Kosovo 2.0 bisedon me këngëtaren nëpërmjet Skype-it. Filmi i vitit 1953 i cili i hedh vështrim rrëfimit të familjes dhe marrëdhënieve ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes nëpër breza të ndryshëm, përputhen në masë të madhe edhe me punën e Fatime Kosumit, e cila në projektin e saj të ri eksploron ndikim e traditave dhe të gjeneratave të vjetra në jetën e tanishme.

Artistja 36-vjeçare me origjinë kosovare, e cila gjithashtu njihet si ANDRRA, ka lansuar videoklipin e këngës së saj “Kalle Llamen” më 2 janar, dhe shumë shpejt ka mbërritur majat e toplistave muzikore si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Kjo këngë është singli i saj i parë i albumit të saj të ardhshëm “Palinë”, i cili flet për vajzat shqiptare të cilat martohen në moshën e re — praktikë e cila ende është e pranishme anembanë trojeve shqipfolëse.

Kalle Llamen lyics

Kënga e fundit e ANDRRËS, “Kalle Llamem” është duke kryesuar top-listat muzikore në Shqipëri dhe në Kosovë dhe është pjesë e albumit të saj të ardhshëm, “Palinë”. Fotografitë janë marrë nga arkivi i ANDRRËS.

Albumi i ardhshëm, i mbështetur nga producenti dhe kompozitori PC Nack nga Berlini, përmban pesë këngë. Titulli bazohet në rrëfimin e 14-vjeçares Palinë, protagoniste e një kënge të vjetër folklorike nga Ulqini, të cilën po e marton familja e saj. Në gjithë albumin, ANDRRA përdor tekste nga këngët tradicionale të Kanagjegjit, të cilat u këndohen nuseve të reja natën para martesës.

Këngëtarja-tekstshkruesja dhe producentja ANDRRA u lind në Rosenheim, Gjermani, me prindër shqiptarë nga Kosova. Në vitin 2001 u largua nga qyteti gjerman dhe erdhi në Kosovë, ku jetoi deri në vitin 2010. Me emrin Fatime Kosumi u bë pjesë e famshme e sferës së muzikës pop gjatë gjithë dekadës.

“Ekziston një tranzicion prej këngëve që i kam bërë si Fatime Kosumi, dhe këngëve që po i bëj si ANDRRA”, i shpjegon ajo ekipit të K2.0. “Fatime Kosumi ishte gjithçka — potpuri zhanresh. Prandaj kisha nevojë të krijoja emër artistik ku do të filloja nga zeroja”.

Identiteti i saj artistik si ANDRRA filloi kur u kthye në Berlin në vitin 2011, dhe kur interesimi i saj për tekstet folklorike shqiptare — dhe futja e tyre në muzikën e saj — filloi të rritet. Ajo e përshkruan rezultatin si “pop-avantgarde.”

“Muzika popullore në albumin e ri dhe ‘Kalle Llamen’ është vetëm në përmbajtje, jo në fjalë”, thotë ANDRRA. “Asgjë tjetër s’është popullore. Ndoshta kohë pas kohe paraqitet ndonjë instrument, si fyelli, por ai del në një formë shumë subtile”.

Së bashku me regjisorin francez Vincent Moon (i cili gjithashtu ka punuar me grupet Arcade Fire, REM, Beirut dhe të tjerët), dhe me mbështetje të institucionit shtetëor Musicboard Berlin dhe të Komunës së Prishtinës, ajo udhëtoi nëpër Kosovë në maj të vitit 2014 për të gjetur dhe për të regjistruar këngët e vjetra folklorike. Ata në veçanti po kërkonin qasje specifike ndaj muzikës folklorike, këngë rapsodike të kënduara nga gratë rurale. Ky kërkim dhe rrugëtim do të shfaqet në një dokumentar të shkurtë “Kang e Defa — Rapsodi Grash nga Kosova”, i cili do të lansohet së bashku me albumin në maj të këtij viti.

K2.0 foli me artisten ANDRRA në lidhje me singlin e saj të fundit “Kalle Llamen” që arriti majat e toplistave, për rrugëtimin e saj në kërkim të rapsodive të kënduara nga gratë gjatë ceremonive të martesës, si dhe për ambicien e saj që çështjet sociale të cilat ajo i adreson, siç janë martesat e të miturve, të bëhen pjesë e diskursit të rëndomtë.

K2.0: Kur filloi interesimi yt për të ekploruar tekste të muzikës folklorike shqiptare?

ANDRRA: Interesimi ka ardhë prej se jam në Berlin, gati shtatë vjet. Atëherë kam fillu me dëgju më shumë [muzikë] shqip. Kur kam jetu në Kosovë nuk kam dëgju shqip.

Tingëllon si nostalgji e një mërgimtareje që ka mall për shtëpinë…

Po të lindë dashuria për vend, dashuria për këngë. Muzika është ajo që të bashkon me vendin kur s’je afër. Muzika popullore m’ka interesu gjithëmonë, por jo në atë mënyrë si m’ka interesu në Berlin. Pëlqimi im s’ka qenë me njëfar patetizmi nacionalist. Por kur kam dëgju [muzikë popullore] dhe muzikalisht kur kam fillu me analizu, më kanë pëlqy për shkak se janë të guximshme si komponime. Tani më kanë përkujtu edhe storytelling qysh e ka muzika blues, që mu më pëlqen shumë. Kam fillu me dëgju më shumë blues të Amerikës, e cila ma ka kujtu vendin tonë, muzikën tonë. Pastaj jam fokusu në këngët tona që i kemi të këtij lloji, që për mu janë të ngjajshme me muzikën blues të Amerikës, që ka qenë zakonisht [e përhapur] në vendet më të varfëra, në grupacionet më të varfëra, njëjtë si me këngët e rapsodëve edhe në Kosovë.

Edhe tekstet më kanë pëlqy për shkak se kanë qenë shumë më të sinqerta, shumë më autentike. Këngët qytetare kanë qenë shumë të bukura, mirëpo këto kangët e rapsodoëve s’kanë qenë domosdso të bukura, por kanë qenë të vërteta. Dhe ajo m’ka pëlqy, e vërteta e ashpër.

I ke kushtuar vëmendje të veçantë rapsodive të kënduara nga gratë rurale …

Mu patën kujtu disa kaseta që i ka pasë nëna ime, derisa jam rritë në Gjermani. Nëna ime i ka pasë disa kaseta të këngëve me defa që i kanë këndu kushërinat e mija nëpër dasma të ndryshme tek të afërmit tonë. Por, fatkeqesisht atë kohë na kemi qenë të interesum në gjithçka, pos në [gjuhën] dhe kulturën tonë, dhe për shkak se s’kemi folë shumë mirë shqip. Me muzikën [shqipe] s’kemi pasë lidhje dhe fatkeqësisht ato kaseta i kemi incizu me Courtney Love dhe “Hair”, ose çka do që na ka pëlqy atë kohë. Para dy vjetëve mu kanë kujtu ato kaseta dhe m’kanë mbet shumë merak që si kemi më. Kështu që ato kaseta janë zhdukë, nuk eksiztojnë më. Vet i kemi zhdukë.

Dhe kam fillu me hulumtu këngë të defagjikeve në internet dhe kam gjetë shumë këngë. Pastaj pat lind ideja e filmit dokumentar, që ka qenë me shku nëpër katune, dhe me lypë se kush i njeh ato kangë, mu inspiru nga ato dhe me marrë prej atyne kangëve dhe me kriju diçka të re.

Por, gjatë hulumtimit nuk kemi gjetë shumë këngë. Kemi gjetë këngë të ritualeve tjera që janë pjesë e filmit, por të Kanagjegjeve shumë pak, e mu më interesojke ajo temë. Pastaj kam gjetë shumë libra që në vitet ‘80 i ka publiku “Rilindja”, me tekste që i ka mbledhë Anton Çeta kur ka udhëtu nëpër troje të ndryshme shqiptare. Ato nuk kanë melodi, nuk kanë ritëm, nuk dihet qysh është kënga, por së paku dihet çfarë teksti ka pasë.

"Kur i dëgjoj rapsoditë, në njëfar mënyre mu më spjegohet e kaluara ime."

Kështu paske ardhur deri te Palina…

Palina ka ardhë te unë përmës këtyre librave, me një këngë për  Palinën. Fillon me “Çke Palinë që je idhnu? Po don baba me më martu”.

Ky tekst i këndohet Palinës dhe mu m’ka pëlqy shumë si emër. Është këngë nga Ulqini, që i këndohet Palinës, para se të jepet në martesë [të hershme].

Albumi me pesë këngë të gjetura prej trojeve të ndryshme shqiptare do ta tregojë historinë e Palinës. Është një life circle i Palinës, prej momentit kur Palina e kupton që e kanë dhanë, deri në momentin e revoltës kur i lutet nënës mos me i’a çel derën krushqëve që po vinë. Është fati i shumë vajzave, por unë e kam marrë Palinën si shembull.

Përshkrimi i videoklipit “Kalle Llamen” thotë se nëna jote gjithashtu ishte martuar me mësit. A ka pasur ky rrëfim familjar ndikim në punën tënde?

Nënën e kanë feju kur i ka pasë 14 vjet dhe e kanë martu kur i ka pasë 17 vjet. Për mu këto tema nuk janë ekzotike, që unë prej Gjermanisë me thanë ‘Oh, sa interesant, paska pasë njerëz që i kanë martu me 14 vjet”. Nuk është kjo qasje ime. Qasja ime ështe që unë përmes këtyne këngëve i gjej tregimet e nënës time, i gjej tregimet e babait tim. Kur i dëgjoj rapsoditë, në njëfar mënyre mu më spjegohet e kaluara ime. Dhe me thanë të drejtën mendoj që ne si individë, ne si fëmijë, i bartim traumat dhe përjetimet e prindërve nëse ata nuk i kanë dhanë kuptim atyne. Mu më duket që disa trauma barten me ADN, dhe si shoqëri nëse nuk merremi me të kaluarën, mi dhanë kuptim asaj, ajo do të përsëritet. Në njëfar mënyre jam tu u mundu me krejt këto mi dhanë kuptim të kaluarës të prindërve  të mi, që me pasë kuptim e ardhmja ime.

Rituali i temenasë [rituali i respektimit të nuseve të reja ndaj të afërmve të bashkëshortit] përdoret si element vizual i videos. Ai është edhe titulli i njërës prej këngëve tuaja të mëhershme të bazuara në tekstet e muzikës folklorike. Çka përfaqëson për ty akti i temenasë?

Kur kam qenë shumë më e re, temenaja për mu ka qenë mëshirim i nënshtrimit. Fakti që [nuseve] i’u këndohet “çoje dorën” dhe ajo e ngrit dorën – gjithçka mu ka rebelu kur e kam pa temenanë. Tash e shoh edhe në mënyrë estetike. Ka njëfar bukurie në të, por në Kosovë fatkeqësisht ka kuptimin e nënshtrimit.

Videoklipi “Kalle Llamen” u bë me familjen tënde dhe në fshatin e familjes në Bajqinë, Podujevë. Si ishte kjo përvojë?

Ka qenë e jashtëzakonshme. Ka qenë si angazhim familjar. Kemi qenë ekip shumë i vogël profesional – unë, Alban Nuhiu, që është bashkëregjisor dhe kameraman, Jetmir Idrizi, që i ka bërë fotot dhe Dardan Zhegrova, si asistent i Albanit. Qika [që ka bërë] grimin është qika e dajës, dhe kur [pas xhirimeve] jemi kthy aty në shpi ushqimin na ka bërë nëna. Krejt qikat që shihen në video janë kushërinat e mija dhe kanë fjetë në shtëpinë tonë. Kështu që ka qenë shumë lezet i madh sepse jemi çu aty, nuk kemi pasë udhëtime të mëdhaja, nuk kemi pasë shumë njerëz në ekip, ka qenë shumë lehtë.

Photo Jetmir Idrizi. Still from the video

ANDRRA ka xhiruar videon e këngës së saj “Kalle Llamen” me kushërirat e saja në shtëpinë e fshatit të familjes së saj. Fotografia: Jetmir Idrizi.

Vajzat në videoklip — në gjysmën e parë duken më të rrebeluara dhe me më shumë stil, ndërsa pastaj i shohim më të përshtatura dhe të veshura njëjtë. Pastaj koreografia, lëvizjet identike të vajzave…

Unë mendoj që në disa rrethe qikat e reja janë individualiste, janë karaktere në vete. Kanë veti shumë të veçanta, dhe secila qikë është e veçantë në mënyrën e vet. Ajo  është vetvetja, si Palina derisa martohet, derisa e japin dhe pastaj uniformëzohet. Bëhet nuse dhe humb krejt individualitetin, dhe pastaj ato i kanë lëvizjet e njëjta, i kanë veshjet e njëjta dhe frizurat e njëjta. Nëse nuk i ke të njëjta dallohesh për keq.

Ato lëvizje që i bajnë ato qikat, ajo koreografi e vogël është marrë nga “Vallja e Çlirimit”, ose “Vallja e Ushtarit”, që si duket është valle shumë e vjetër. E kam gjetë një incizim shumë të dobët në YouTube, por mjaftojke me pa që i ka disa lëvizje që mu kanë dashtë [për koreografi], për shkak se vallja aty simbolizon çlirimin nga okupimi, në atë kohë okupimi osman. Ato lëvizje të atyne valltarëve, që janë të okupum dhe që nuk janë të lirë –  ato lëvizje më kanë pëlqy dhe mu kanë përshtatë shumë për kontekstin e Palinës.

Martesat e aranzhuara dhe martesat e të miturve janë tema kryesore e albumit “Paline.” A mendon se shoqëria kosovare duhet ta trajtojë këtë temë më seriozisht?

Unë e shoh si temë globale më shumë. Thuhet që tash janë diku rreth 700 milionë gra që janë martu si fëmijë. 700 milionë është numër i madh për mos me ndodhë kjo temë në pop-kulturë. Unë mëndoj që pop-kultura në përgjithësi në botë është e varfër në aspektin e storytelling. Ndryshojnë zhanret, estetikat, por në storytelling janë temat e njëjta.

Mu më mungon diversiteti në storytelling, ka shumë më shumë lloje të ndryshme të jetesës [se sa i shohim]. Unë e shoh si temë globale, që du me i’u qasë nga perspektiva shqiptare. Se kam shikimin te Kosova, por vi prej Kosovës dhe po du me marrë këtë temë në binën globale.

Nuk ka shumë filma e vepra me këtë temë, por edhe kur ndodhë, ndodhë në njëfar mënyre estetike që nuk na intereson shumë.

Për mu është e rëndësishme me adresu këto tema, që na kanë preokupu dhe na preokupojnë ala, me marrë pjesë në debatin kulturor, edhe nëna ime dhe kushërinat e mija me qenë pjesë e këtyne tregimeve. Nënat e kushërinave që janë në klip, të gjitha janë martu shumë herët. Por puna është që ato kur dëgjojnë muzikë, dëgjojnë këngë që s’kane të bëjnë me ato hiç, me një lifestyle që s’ka të bëjë me jetën e tyre. Mu më duket absurde që diku rreth 80 përqind të grave të fshatrave i kanë martu në moshë të re dhe ato se gjejnë veten askund në pop-kulturë. Tregimet e tyre nuk ndodhën në pop-kulturë.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është bërë në gjuhën shqipe.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO