Shkurt | Arkitekturë

Arkitektët që synojnë ndikimin social

Nga - 23.03.2017

Një studio e vogël e themeluar nga tetë të sapodiplomuar.

Para tri viteve, kur arkitekti Rron Beqiri u njoftua me një djalë 13 vjeçar nga Malisheva, atij i erdhi një ide. Djali po vuante nga sindromi Tetra-amelia – defekt i lindjes ku personit i mungon një ose disa gjymtyrë – e kështu Beqiri vendosi që ta dizajnonte një tavolinë që do të ishte e përshtatshme për nevojat e adoleshentit që nuk kishte duar.

“Ai punonte në kompjuter dhe shkruante dhe bënte gjithçka me këmbët e tij”, thotë Beqiri. “Por nuk kishte tavolinë të përshtatshme”.

Bashkë me shtatë miq dhe studentë nga Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, Beqiri e projektoi dhe bëri tavolinën që i’u dërgua djalit në Malishevë vetëm një javë më vonë.

Pasi diplomuan, tetë miqtë vendosën që të vazhdojnë bashkëpunimin, duke e futur në përdorim entuziazmin e tyre për arkitekturë dhe dizajn për ndikim social. Vitin e kaluar ata themeluan Architecture for Humans (Arkitekturë për Njerëz), një studio e vogël ndërdisiplinore në Prishtinë që operon brenda fushave të arkitekturës, planifikimit, hapësirës urbane, dizajnit të hapësirave të brendshme, hulumtimit dhe publikimit. Ajo gjendet brenda Innovation Centre Kosovo (ICK – Qendra e Inovacionit në Kosovë), synimi i së cilës është të lidhë hulumtimet dhe zhvillimet shkencore me sektorin e biznesit.

Architecture for Humans u themelua vitin e kaluar nga një grup i tetë miqve të cilët së bashku diplomuan në drejtimin e arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Në bazë të rezultateve pozitive nga projekti i tyre para dy viteve, si dhe të nevojave të ndryshme për hapësira të dizajnuara në mënyrë të përshtatshme që i përjetojnë njerëzit në rrethana të ndryshme, Beqiri thotë se ekipi tani po përgatitet që ta lansojë zyrtarisht një projekt deri në fund të prillit, të quajtur ‘Modicular’ – shkrirje e fjalëve ‘modular’ (njësoj si në shqip) dhe ‘particular’ (shqip: e veçantë, e posaçme).

“Projekti Modicular do të krijojë mobilie për persona me nevoja të veçanta, e këto nevoja mund të jenë edhe të personave me aftësi të kufizuara”, thotë Beqiri. “Një gjë që ne e kuptojmë është se njerëzit kanë nevoja të ndryshme, dhe është interesante që ne jemi ata që u shpjegojmë atyre se çfarë nevoja kanë ata”.

Aktualisht, ekipi i Architecture for Humans është duke projektuar një zyrë brenda ICK-së që përdoret nga një ekip i programerëve, që rastësisht janë të gjithë më të gjatë se 195 cm.

Arta Bytyqi, një anëtare tjetër e ekipit Architecture for Humans, thotë se përveç punës me klientë, palë të interesuara dhe me komunitetin, kjo studio gjithashtu synon të punojë me profesionistë të fushave të ndryshme.

“Plani për secilin projekt në të ardhmen është që të konsultohemi me psikologë, sociologë dhe njerëz tjerë – për shembull kur personi në fjalë është fëmijë, ose person që ka aftësi të kufizuara”, thotë Bytyqi. “Gjithë këta muaj para lansimit të projektit na kanë ndihmuar që ta kuptojmë më mirë situatën, kufijtë dhe mundësitë në lidhje me çfarë mund të bëjmë ne në fakt – të kuptojmë më mirë se si ta bëjmë një dizajn që është i mirë, i arsyeshëm dhe ekonomik”.

Për ta bërë këtë, arkitektët i kanë përpiluar disa kritere kyçe për çfarëdo projekti që e ndërmarrin: dizajnet e tyre duhet të përmirësojnë jetën e njeriut, të zgjidhin problemin e tij dhe të jenë të thjeshta, të financiarisht të përballueshme dhe origjinale.

Arkitektët e kanë një filozofi të fuqishme të ndikimit social që e udhëheq punën e tyre.

Gjatë edicionit të pestë të KOSICT tech festival, që u mbajt tetorin e kaluar dhe përfshiu prezentime për disa tema aktuale në botën e teknologjisë informative, Architecture for Humans ekspozuan dizajnet e tyre konceptuale si pjesë e StartUp Fair, përkrah shumë ndërmarrësve tjerë të rinj kosovar.

“I kishim rreth pesë produkte, si prototipe, nëpërmjet të cilave deshëm që të shpjegojmë se çfarë duam të bëjmë”, thotë Bytyqi. “Ishin më shumë si skica, se sa dizajne të mirëfillta, por ishte kryesisht për të shpjeguar se çfarë kuptojmë me ‘nevoja të veçanta’”.

Mes ideve që i shpjeguan ata në konferencë ishte një kuzhinë për njerëzit që përdorin karrigen me rrota, si dhe një raft për persona shtatshkurtër.

Beqiri thotë se është e qartë nga porositë që i marrin se aktualisht ka kërkesë më shumë për produkte që kanë të bëjnë me hapësira të zyreve të punës; porosia që e marrin më së shumti është një tavolinë e madhe multi-funksionale, e ngjashme me atë që gjindet në qendër të studios së tyre. “Më pëlqen që njerëzit po mendojnë që t’i bëjnë zyret e tyre të rehatshme”, thotë ai. “Ne duam që të ofrojmë mundësinë e projektimit e të gjithë zyrës, sepse tetë orë [çdo ditë] nuk është periudhë e shkurtër kur e kalon në zyrë”.

Një prej produkteve që do ta lansojnë si pjesë e projektit Modicular është një kuzhinë portative e zyrës, që bazohet në përvojat e tyre duke punuar në vende të ndryshme. “Ne të gjithë kemi punuar në zyre të ndryshme”, thotë Beqiri. “Zakonisht zyret në Kosovë që merren [nga punëdhënësit] nuk kushtojnë shumë dhe ndërrohen shumë shpesh; njerëzit nuk kanë para për të investuar në kuzhina. Pra kjo do të jetë një kuzhinë e vogël portative”.

Vitin e kaluar, Architecture for Humans e fitoi çmimin e parë në një garë për ndërmarrës të rinj kosovarë të moshave 16-27, që u udhëhoq nga Kosovo Investment and Enterprise Support Agency (KIESA – Agjencia e Kosovës për Investime dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve).K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO