Biseda | Hapësira Publike

Ares Shporta: “Kërkush nuk do të na i jap të gatshme gjërat – duhem me i marrë, me i lypë”

Nga - 09.04.2017

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit Lumbardhi flet për përpjekjet për të krijuar një qendër kulturore në Kosovë.

Së fundmi në Kosovë kemi parë seri të lëvizjeve të okupimit. Jo bash si ato në New York apo Seoul, por me identitet më lokal. Në Kosovë pas luftës kishte shumë ndërtesa të braktisura. Për shumicën e tyre, më e mira që mund ta bënte shteti ishte t’i shëndrronte në parkingje, por në disa raste kur zyrtarët e përdorën më shumë imagjinatën e tyre, erdhën ide për supermarkete e dyqane komerciale.

Megjithatë, disa njerëz nga sektori kulturor i Kosovës vendosën që më mirë ishte të ndërhyhet, në mënyrë që disa prej këtyre ndërtesave të përdoren më mirë. Në disa raste ata dështuan, si me ndërtesën e Unionit afër Teatrit Kombëtar, që u dogj e u shit e rindërtua si qendër komerciale. Por në raste tjera, si në rastin e kinemasë Jusuf Gërvalla në Pejë dhe kino “Lumbardh” në Prizren, lufta vazhdon, ndërsa Termokiss-i në Prishtinë së fundmi e ka filluar këtë “vallëzim burokratik” me zyrtarët shtetëror.

Lumbardhi u ndërtua në vitet e 50-ta por zyrtarisht u la vakant për 16 vite, prej 1999 deri në 2015. Në kohë të ndryshme gjatë asaj periudhe u përdor si klub për ish-punëtorë dhe persona të moshuar, dhe si kafene e paligjshme; ndërsa DokuFest filloi që ta përdorte si kinema në vitin 2002. Në korrik 2014, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) vendosi që ta likuidonte si pronë publike – edhe pse nuk e shprehën – në bazë të përvojave të së kaluarës, qëllimet dukeshin të qarta – që të shëndrrohej në parking.

Komuniteti kulturor dhe artistik i Prizrenit u ngrit për ta mbrojtur atë. Shumë prej tyre dhanë gjithçka për ta ndalur këtë pushtim. Sot një pjesë e madhe e barrës është mbi supet e Ares Shportës, i cili u emërua si drejtor ekzekutiv i Fondacionit Lumbardhi, pas themelimit të tij në prill 2015.

Kino Lumbardhi i Prizrenit është përdorur për organizimin e ngjarjeve kulturore prej viteve të 50-ta. Sot është pjesë thelbësore e DokuFest. Nga arkiva e Lumbardhit (majtas), Majlinda Hoxha / K2.0 (djathtas).

Edhe pse ka studiuar në degën e Menaxhimit të Biznesit në Istanbul Bilgi University, Shporta gjithmonë ka qenë i rrethuar prej, siç thotë ai, “artistëve, të cilët ose kanë punuar në DokuFest, ose kanë qenë muzikantë”.

Ky biznesmen, me zemër të artistit, deri në vitin 2011 nuk ishte i angazhuar realisht me ndonjë ngjarje kulturore. Në Summer Urban Festival – që u organizua në Prishtinë nga Erzen Shkololli, drejtor i Galerisë Kombëtare të Artit prej 2011 deri në 2015 – Shporta ishte asistent i projektit.

Nga kjo përvojë, Shporta u frymëzua për të organizuar disa evente në Stamboll, si një ekspozitë me 10 artistë, ku performuan muzikantët lokal kosovar si Shpat Deda, Genc Salihu, Gypsy Groove dhe Trio of Love, dhe më vonë u mbajt një koncert me Petrit Çekun.

Prej atëherë, ai ka vazhduar që të rritet. Pas emërimit të tij si drejtor ekzekutiv, ekipi i Fondacionit Lumbardhi ka kryer punime bazike për ta bërë të banueshme kinemanë e vjetër, dhe ka themeluar një program të aktiviteteve kulturore – por për momentin aktivitetet janë ndalur, meqë janë duke u kryer ndërtime në kulm, e plani është që të rifillohet programi qysh në muajin e ardhshëm.

“Është e rëndësishme që të mos e humbim komunitetin dhe rrethin e njerëzve që vinin këtu”, thotë Shporta. Ka shumë punë për të kryer sa i përket rindërtimit të vendit, rregullave të mërzitshme burokratike dhe nevojave të mëdha për kreativitet në krijim të programit. Shporta gjithashtu beson se imazhi i Lumbardhit ka nevojë për punë në aspektin e marrëdhënieve me publikun, veçanërisht me elementet më konservatore të popullsisë së Prizrenit. Sidoqoftë, ai ka besim, e ka gatishmërinë për të vazhduar e insistuar, si dhe e ka dëshirën për ta kryer këtë proces.

Ka shumë punë për t’u bërë në ndërtesën historike të Lumbardhit, por si drejtor ekzekutiv i Fondacionit Lumbardhi, Ares Shporta është i vendosur për të arritur sukses në këtë vend. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

K2.0 u takua me Shportën dhe e pyeti për interesimin e tij në çështjet kulturore në Kosovë, si dhe pasionin e tij për ringjalljen e kino Lumbardhit, e shëndrrimin e saj në një qendër kulturore për të rinjtë e Prizrenit.

K2.0: Kur ke rënë në kontakt me Lumbardhin për herë të parë?

Ares Shporta: Gjenerata ime, na me Lumbardhin e kemi kriju raportin më shumë përmes SHKA-së (Shoqëria Kulturo Artistike) që ka qenë një kafiq ilegal që ka funksionu brenda Lumbardhit. Lumbardhi ka qenë njëfar forme pronë e zaptume prej të 99-tës. Diku në 2012, një shok i joni e patë funksionalizu si kafiq, dhe aty ka qenë shumë underground, do ngjyra të mira vintage. Po ka qenë një zonë e lirisë së plotë. Midis Prizrenit me ik komplet, me ik prej korridorit të shtëpisë në njëfarë mënyre.

[SHKA] ta mundësojke ikjen jashtëzakonisht të bukur, me karrige ngjyra-ngjyra, me një oborr të bukur, me muzika që na pëlqenin, me pije të lira, me njerëz të rinjë që ndjeheshin rehat, me “giga” që ndodheshin aty, edhe ashtu jemi lidhë me vendin.

Natyrisht për shkak të DokuFestit na bike shpesh me pa filma aty. Mendojshim se çfarë mundemi me ba me atë far vendi, se gjynah që po rrinë i mbyllur. Kjo ka qenë shumë para se Agjensia e Privatizimit me shpallë në likuidim, na kemi fillu me mendu shumë ma herët për të. Ka qenë njëfar loj wishful thinking, i bazuar në muhabete të mëhershme që i kemi ba.

Nga raportimet e reagimet e dimë se problemet e Lumbardhit ka kohë që veç kishin filluar. Po cilat kanë qenë vitet më kritike, dhe kur e ke vendosur që t’i bashkangjitesh kësaj iniciative?

Në 2007 ka deshtë me rrëzu kryetari i komunës Lumbardhin. Po atëherë prapë DokuFesti edhe [OJQ] “Ec ma ndryshe” edhe plot aktivista të tjerë e kanë bërë një iniciativë edhe kampanjë, i kanë mbledhë 8,000 nënshkrime, kanë bërë akte të protestës, nëpër qytet edhe e kanë blloku këtë dëshirë të kryetarit. Edhe faktikisht mbas disa muajve kryetari ka hup në zgjedhje edhe ka shku prej pushetit.

Mbas asaj nuk ka pas ndonjë vazhdim se çka me ba. Okej u shpëtu, por ka vazhdu me u përdor sporadikisht gjatë verës ndonjëherë, edhe that was it.

Në kinemanë tradicionale të Lumbardhit në ambient të hapur mbahet tradicionalisht ceremonia e hapjes së DokuFest. Foto: Nga arkiva e Lumbardhit (majtas), Majlinda Hoxha / K2.0 (djathtas).

2014-ën kur është bërë iniciativa [kundër privatizimit dhe tjetërsimit të kinemasë] që është një çështje e madhe në vete, në korrik thamë se duhet me u ba diçka. Pa marrë parasysh a hupim a fitojmë duhet me reagu, unë kam qenë pjesë e një grupi shokëve prej Dokufesti, Hajrullahu [Ceku] prej “Ec ma ndryshe” dhe plot miq të ndryshëm. Edhe kemi thanë okej, më së pari hapja e DokuFestit është mbas tre javësh, do të duhet diçka aty. Edhe pastaj me shiqu qysh me vazhdu iniciativën. E pastaj në hapjen e DokuFestit [të po atij viti], e patëm shkruajt një tekst shumë poetik, edhe para 700-800 vetave, drejtori [Veton Nurkollari] patë dalë në skenë.

Në anën tjetër ish parulla e DokuFestit “Change don’t hide” (Ndrysho, mos u fsheh) edhe aty ishin prezent presidentja [Atifete Jahjaga] e ministrat e kulturës të të dy vendeve [Kosovës dhe Shqipërisë – respektivisht Memli Krasniqi dhe Mirela Kumbaro] edhe krytetari i komunës e AKP-ja [Agjencia Kosovare e Privatizimit], e krejt hisedarët. E Vetoni, bashkë me 60-70 vullnetarë mbrapa tij ja nisën me recitu, dmth. me kthy mbrapa këto fjaltë të cilat thoshin se po donë me na e marrë kinemanë, po këtu është bërë DokuFesti, këtu janë bërë ëndërrat tona, këtu jemi rrit ne të gjithë, edhe ata po donë me e marrë, edhe që ne nuk kemi me e lëshu. Edhe që kemi me luftu deri në fund, që nëse bëhemi bashkë edhe mundemi me e realizu këtë gjë.

E ditën e fundit të festivalit u ba një surprizë se erdhi Edi Rama, deshti me dal në skenë.

Pastaj vazhdoi filmi “Everyday Rebellion” (Çdo ditë rrebelim), që është film për krejt Occupy Movements nëpër botë, edhe në atë film po ndodhte i njëjti send. Edhe aty po protestonin, e në njëfarë forme ishte jehonë e asaj proteste që ndodhi në hapje të festivalit, në atë kohë ku zakonisht bëhen falënderimet për sponzorë, ku gjithkush sillet këndshëm, ne iu patëm kthy autoriteteve. E ditën e fundit të festivalit u ba një surprizë se erdhi Edi Rama, deshti me dal në skenë, doli në vend të Ministrit të Kulturës [Memli Krasniqit, ministër në atë kohë] dhe e dha një çmim në kategorinë kombëtare, e tha që “kryetarët shkojnë e vijnë, po shkoi njëherë DokuFesti, nuk kthehet më, dhe në vend se të bëhet parking duhet të mbesë kinema, dhe shpresoj se të gjitha autoritetet do të bëjnë çka iu takon atyre”.

Si u prit e gjithë kjo “formë proteste” nga institucionet tona, përfshirë edhe deklaratën e Edi Ramës, dhe a pati reagime nga ana e shoqërisë dhe organizatave civile?

Ke shumë “funny” [qesharake] se të nesërmen të gjithë u kthyen me reagime, QKK-ja [Qendra Kinematografike e Kosovës], AKP-ja [Agjencia Kosovare e Privatizimit], e ajo krijoi një mundësi jashtëzakonisht të mirë, se duhej me marrë mbrapa objektin. Tash komuna e Prizrenit u tregu dinake dhe tha se ne e shpallim zonë të interesit publik kino Lumbardhin dhe në të njejtën kohë me atë vendim e shtini klauzolë me zgjeru rrugën, rrugën ku është kinemaja, që nënkuptojke me rrëzu kinemanë automatikisht.

Edhe normal ne e kundërshtum atë. Në atë moment Hajrullahu [Çeku] e mori një rol pak më të madh me analizu situatën ligjore edhe çka mundemi me ba. Kino Lumbardhi si gjithçka tjetër ka qenë aset i mbrojtur për shkak se ka qenë në zonën historike, që ka një ligj që e mbron, por në vete nuk ka qenë zonë e trashëgimisë. E kino Jusuf Gërvalla [në Pejë] kish qenë monument i trashëgimisë edhe kemi thanë okej atëherë mundemi me ba edhe Lumbardhin.

Kino Lumbardhi ka qenë qendër kulturore për shumë gjenerata në Prizren. Foto: Nga arkiva e Kino Lumbardhit.

Atëherë na ndihmuan plot kolegë edhe që kanë punuar në institucione që kemi qenë të afërt me ta, por edhe miq të ndryshëm, edhe ai grup e ka nominuar kino Lumbardhin për në listë të trashëgimisë kulturore, e ka plotësu dosjen, janë mbledh 58 organizata në kuadër të kampanjës, iniciativa ka dal me shtatë rekomandime, ka dal me thanë me “le të ndalet likuidimi”, “le të bëhet një grup multi-stakeholder” domethënë me përfaqësues të institucioneve, të iniciativës  për me bisedu për këtë, qysh me e gjet zgjidhjen afatgjate, qysh me ba një intervenim afatshkurtë, faktikisht të gjithë hapat që është dashtë me i ba për me kthy Lumbardhin si qendër shumë – funksionale kulturore. Po çka prodhoi kjo, është se bëri shumë bujë dhe eventualisht na erdhi konfirmimi nga Ministria që kinemaja do të hyjë në listë të trashëgimisë, gjë që ndodhi mbas 3-4 muajve në janar të 2015-ës.

Rrjedhimisht AKP-ja na njoftoi që nuk është ma në likuidim kinemaja, është pezulluar rasti për kohë të pacaktuar, dhe kjo krijoi  një mundësi shumë të mirë që ne të provonim me marrë në shfrytëzim, edhe me fillu me përdor hapësirën, edhe me forcu kauzën tonë që me fitu atë vend përsëri, edhe mos me dal më prej aty, ajo ke ideja.

Edhe kemi thanë okej, qe programi për një vjet, po bëjmë koncerte, ekspozita, ligjerata etj, në mënyrë shumë abstrakte e bëmë një program, shkuam në AKP ku na thanë se nëse nuk flitni më keq për ne në media, edhe nëse e siguroni sigurimin e objektit, na mundemi me ja u dhanë lejen për përdorim, dhe me 23 mars në 2015 ne i kemi marrë çelësat e kinemasë.

Po pasi i keni arritur qëllimet tuaja fillestare, cilët kanë qenë hapat e ardhshëm që i keni marrë?

Mandej e themeluam organizatën “Fondacionin Lumbardhi” me idenë që do të vazhdoj punën e iniciativës, do të ketë mandat për të vazhduar procesin me të gjithë akterët institucional, në anën tjetër do ta konsolidoj programin, do të siguroj fonde për restaurim apo sado pak funksionalizim, pastaj 5 anëtarët e iniciativës e themeluan organizatën, edhe me mu si drejtor të organizatës ma dhanë mandatin me ba këtë punë.

Në parim kjo ka qenë përvoja e parë e punës për mua në sensin e përditshëm, edhe ka qenë shumë rast i vështirë se në kinema nuk ka pas ujë, nuk ka pas rrymë, ka qenë komplet i degraduar objekti, ka pasë probleme të çdo lloj natyre. Një pushtet lokal që nuk e dëshiron atë objekt, unwanted heritage për shumë vetë, kanë dashtë me rrëzu, ka pas një nam të keq, njerëzve nuk iu pëlqejke se ka pas pornografi një kohë [në vitet nëntëdhjetë], ka pasë lloj lloj spekulime, ka qenë vend i mbyllur një kohë të gjatë.

Kur e morri Fondacioni Lumbardhi ndërtesën, infrastruktura ishte në gjendje të dobët, por tani janë duke punuar për ta rigjeneruar atë, duke rregulluar kulmin. Foto: Tughan Anit.

Ka hupë raporti midis atij vendi dhe një pjese të qytetit, megjithëse një pjesë tjetër ka qenë shumë mbështetëse, ka pasë marrëdhënie për shkak të kinemasë, për shkak të [iniciativave kulturore] Zambakut, për shkak të DokuFestit, për shkak të Agimit, për shkak të përvojave të tyre personale, për shkak të kujtesës kolektive. Ishin shumë lloj shtresa të problemeve që kërkonin me u trajtu, e ne siguruam përkrahje prej një kompanie private, ca sponzorëve të vegjël, intervenuam pak në objekt e funksionalizuam pjesën e administratës.

Cilat gjëra keni arritë deri më tash t’i përfundoni në Lumbardh, dhe çfarë formati po merr ajo hapësirë?

Çka kemi arritë me ba në Lumbardh është se kemi arritë me ndërtu një vizion për të. Kemi mendu e kemi involvu prej qytetarëve, fqinjëve, organizatave kulturore deri në institucione, shumë palë të ndryshme, kemi mendu se çka duhet me qenë e ardhmja e këtij vendi. Qysh mundet Lumbardhi me qenë një institucion i ri, i pavarun, që mundet me iu akomodu nevojave të ndryshme, të skenës, qytetarëve. Pastaj qysh duhet me u organizu hapësira, qysh duhet me u ruajt me një anë kujtesa e saj. Me një anë se çka mundet me përmbajtë ajo brenda saj.

Na këto i kemi artikulu në formë të një dokumenti që quhet “Plani i menaxhimit i kino Lumbardhit”, se kino Lumbardhi është një aset i trashëgimisë dhe si i tillë ka nevojë me pas një plan menaxhimi, dhe aty tregon që është si hapësirë e pavarur kulturore, që akomodon shfaqje të filmave, performansa të muzikës, programe publike me konferenca, hapësirë bashkëpunuese, hapësirë e kujtesës, e të tjera. Dmth. modaliteti funksional se si bëhet.

Shporta ka ndihmuar që të krijojë një plan të menaxhimit për kino Lumbardhin, për të ndihmuar me mbrojtjen dhe përvetësimin e trashëgimisë së pasur kulturore, dhe me rifunksionalizimin e saj si qendër kulturore. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Po ashtu është një vend ku bashkëprodhohet, ku bashkëpunohet, ku i krijohen hapësirat e ndryshme rinisë, qoftë përmes programit të Lumbardhit apo hapësirave të Lumbardhit që i vihen në shfrytëzim palëve të ndryshme. Kemi një ide edhe në nivel arkitektonik se si duhet me u trajtu kjo, por ajo ka një barrë financiare që ende nuk është gjetur, po plus ekziston një problem ligjor se ende nuk është rregullu statusi pronësor i kinemasë. Kinemaja vazhdon me qenë nën juridiksion të Agjensionit Kosovar të Privatizimit.

Çka kemi mbërri na mas gati dy viteve punë është se e kemi shty Ministrinë e Kulturës, me dërgu një kërkesë për shpronësim në qeveri, në mënyrë që Lumardhi me u ba një pronë shtetërore në administrim të Ministrisë së Kulturës, përderisa vullneti ynë është që mbasi të ndodh ajo, me pas ne në shfrytëzim atë për një periudhë pak më afatgjate në mënyrë që me pas mundësi me i implementu krejt vizionin që e kemi për aty, paralel me këta me e siguru edhe mbështetjen e nevojshme për ruajtjen edhe adaptimin e hapësinave të kinemasë.

Shpejt shumë të rinjëve do t’iu duhet me u ballafaqu me zyrtarë qeveritarë për organizatat e tyre kulturore. Meqenëse ke eksperiencë në komunikim në një mënyrë me “aparaturën” burokratike, cilat janë këshillat tuaja për një komunikim më të efektshëm?

Nëse nuk na kanë mjaftu që i kemi kërku, me qenë edhe më të zhurmshëm.

Shumë pyetje e vështirë sepse nuk ka ndonjë formulë, goxha në nivel individual ndodh kjo, ndonjëherë edhe në nivel politik. Përderisa nuk ekziston një vullnet politik apo ndonjë interes i asaj pale me të cilin mbërrin me artikulu diqysh, është vështirë ata me i shty me lëviz.

Presioni publik është diçka që funksionon. Argumentet të cilat dalin në media, të cilat gëzojnë mbështetje qytetare janë të rëndësishme. Kur ka pas këso lloj presione, edhe ka pas rezultate konkrete. Në momentin që kjo u kthy në negociata gati në nivel individual, do të thoëe organizatë – shtet, apo përfaqësues të organizatës – burokratë, atëherë është ba një proces jashtëzakonisht i ngadalshëm, që kërkon shumë durim, shumë insistim, e shumë vullnet për me u vazhdu.

Parakusht është me pas vullnet, edhe me ditë që këto janë procese të gjata. Me marrë hapësira, me kriju praktika të reja, me kriju institucione të reja, janë procese shumë të gjata, shumë të komplikuara, dhe nuk kemi përvojë të tillë tek ne, se krejt këto iniciativa që jemi duke i bërë, janë pak a shumë për herë të parë në këtë kontekst.

Po rekomandimi im është vetëm ky, se kërkush nuk do të na i jap të gatshme gjërat. Vetëm ne duhem me i marrë, me i lypë, e nëse nuk na kanë mjaftu që i kemi kërku, me qenë edhe më të zhurmshëm, me qenë kauza jo vetëm për ta por kolektive, dhe me vazhdu presionin.

Rreth hapësirave të “okupuara”, si Lumbardhi, Jusuf Gërvalla, Termokissi, Klubi i Boksit, a mund të na thuash se si e sheh të ardhmen e tyre, dhe çka mendon se mund të japin ato për komunitet?

Secila prej hapësirave i ka specifikat e veta dhe komunitete të llojeve, përmasave edhe prapavijave të ndryshme, andaj nuk mendoj që ka një zgjidhje apo vizion që mundet me iu përgjigje të gjithë këtyre hapësirave. Sidoqoftë, ekzistenca e tyre po graviton njerëz, të cilët po ndërtojnë platforma për të diskutuar rreth nevojave dhe dëshirave tona, edhe me pa se çfarë të ardhme munden me pasë këto vende. Komunitetet aktive rreth hapësirave që i përmende, e kanë mundesinë me testu e me e bashkëmendu funksionimin e tyre, ndërkohe duke luftu për t’i siguru jetëgjatësi këtyre nismave. Vizioni është ma shumë diçka që del si rezultat i një procesi, shpeshherë dekurajues edhe shumë të ngadalshëm, por sa ma shumë që ka përfshirje në ndërtim të tij, aq më shumë ka gjasa që të arrihet.

A mendon që duhet edhe më tutje të zhvillohen këto lëvizje, me një fjalë të vihen në përdorim edhe hapësira të tjera që janë të zbrazëta dhe të braktisura, ndoshta para se të shëndrrohen në supermarkete apo ndërtesa afariste. A mendon se duhet që të inkurajohen këto lëvizje që të veprojnë vet, dhe të mos presin iniciativë apo ndihmë nga institucionet shtetërore sepse deri më tash kemi parë që nga to ka arritur vetëm rezistencë e kundërshti.

Edhe pse nuk kam asgjë kundër okupimit të hapësirave të zbrazëta, nuk jam idhtar i “okupimit për të okupuar”. Është  e shëndetshme që ka iniciativa nga poshtë edhe që po ka këmbëngulje, mirëpo po mendoj që është koha që t’iu sigurohet njëfar përkrahje më përmbajtësore dhe qëndrushmëri të pjesshme, ku institucionet shtetërore, por edhe financuesit e demokracisë e njohin rëndësinë dhe potencialin e punës që bëhet prej këtyre iniciativave edhe në këto hapësira. Hezitimi i tyne [institucioneve] është i pritshëm, për shkak se preket status quo apo intereset e sektorit të patundshmërisë, mirëpo e mira e këtyre është që po krijohet një formë e solidarizimit dhe shkëmbimit, që mundet në mënyren e vet modeste, me e mposhtë apatinë dhe ‘rezistencën pasive’ të të fortëve.K

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është mbajtë në gjuhën shqipe.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.