Shkurt | Drejtësi

Arrestohen deputetë të VV-së

Nga - 24.11.2017

Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi  u arrestuan sot për rastin e gazit lotsjellës.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi, u arrestuan sot rreth orës 10:00 nga Njësia Speciale e Kosovës në hyrje të Kuvendit të Kosovës ku pritej të mbahej seanca e sotme plenare.

Arrestimi i tyre ndodhi mbi bazën e urdhrit të lëshuar dy ditë më parë nga gjyqtari Beqir Kalludra, ngase që të tre deputetët nuk i janë përgjigjur ftesës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për të marrë pjesë në seancën kundër tyre si të akuzuar për ndezjen e gazit lotsjellës në Kuvend, gjatë vitit 2015. Menjëherë pas arrestimit ata janë dërguar në paraburgim prej një muaj, masë kjo që është shqiptuar për të siguruar prezencën e tyre në seancat e radhës.

Kurti, Haxhiu dhe Kadaj-Bujupi nuk u janë përgjigjur as ftesave të mëhershme të Gjykatës lidhur me këtë rast. Sipas tyre, veprimet e tyre në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar kishin qenë rezultat i fushëveprimtarisë së tyre politike si dhe për të penguar miratimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi si dhe atë për Asociacionin e Komunave Serbe.

Policia e Kosovës ka hasur në rezistencë të Kurtit për t’u dorëzuar, dhe përdori gaz lotsjellës për të larguar deputetët e tjerë dhe qytetarët të cilët e rrethuan Kurtin në ato momente.

Menjëherë pas arrestimit të tre deputetëve të tyre, kryetari i LVV-së, Visar Ymeri, në një konferencë para gazetarëve të mbajtur para hyrjes së Kuvendit të Kosovës e quajti urdhrin për arrestim “të motivuar politikisht”.

“Kjo është vazhdimësi e një përndjekjeje masive dhe gjithpërfshirëse që ka filluar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, veçanërisht kohëve të fundit”, ka thënë Ymeri, duke përmendur edhe dënimin e katër aktivistëve të VV-së që ndodhi javën e kaluar për rastin e sulmit ndaj Kuvendit me granatahedhës në gusht të vitit të kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po ashtu foli për arrestimet nga foltorja e Parlamentit.

“Ne mendojmë që ai rebelim i atëhershëm ka sjellur të mira”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se edhe ai me partinë e tij, AAK-në, ka qenë pjesë e koalicionit të partive opozitare që kundërshtuan Marrëveshjen me Malin e Zi dhe atë për Asociacionin e Komunave Serbe.  

“Ndërsa qëndrimi i Aleancës atëherë ka qenë që meqenëse është kundërshtim politik e jo ligjor. Unë mendoj që deputetet që kanë kundërshtuar nuk kanë pse të mos paraqiten në Gjykatë, ata nuk kanë bërë asgjë që meriton me u fshehë. Të gjithë e kemi bërë me vetëdije kundërshtimin”, ka vazhduar Haradinaj.

Zhvillimet e sotme kanë pasur ndikim edhe në seancën plenare e cila është planifikuar të mbahej sot, dhe është shtyrë për të mërkurën e javës së ardhshme.K

Foto kryesore: Zyra për Media e Lëvizjes VetëVendosje.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO