Blogbox | Trillim

Të paktën kishte shpresë

Nga - 14.10.2016

Tregim i shkurtër.

“Me të vërtetë është gjynah”, foli Nikola vetmevete. Morri frymë thellë, e hoqi kapelën nga koka e tij e saporruar, dhe duke i kapsitur shpejtë sytë, e duke e fërkuar atë kokë, i shfaqi pikëllimin e shqetësimet e tij.

“Fëmiu im do të rritet duke mos e njohur lumturinë e plotë që të jep vjedhja e misrit nga oborri i fqinjit, e duke mos e njohur atë ngazëllim që e ndjenë kur të kapin e të kthejnë në shtëpi me hundë të përgjakur, e ku të pret edhe një rrahje nga ndonjë gjysh a gjyshe; nuk do ta përjetojë kënaqësinë e hidhur të bartjes së drunjve dhe gërmimit të puseve, e vjedhjen nga xhepat e budallëve të UNPROFOR në motelin e tyre. Nuk do të merret me baltë e plehra, nuk do të mbledhë këpurdha e nuk do të gërmojë për patate”.

“Nuk kishim veshbathje e as shumë për të ngrënë”, tha Dejana, gruaja shtatzënë e Nikolait, “por nuk do ta këmbeja kurrë fëmijërinë time në Hercegovinë për zymtësinë mpirëse të periferiut, që po e pret të voglin tim: aktivitete të programuara dhe të planifikuara, klasa për këtë e mësime për atë, zbatim besnik i skriptave të imponuara të jetës, çiklizëm me helmetë dhe zgjatje para ushtrimeve… rrënqethem kur e mendoj që do ta rris një automat pa fytyrë e pa kurriz”.

“Më kutohen ata paqeruajtës amerikan e francez që na detyronin që të bënim gara në vrap për një kanaqe kola”, thash unë, “e pastaj e derdhnin në tokë pas garës, e e shtypnin kanaqen në ballin e fituesit. Më kujtohet se si na linin me shenja kur luanim basketboll me ta, duke na goditur me bërryla sikur t’ua kishim çnderuar nënat. Më kujtohet sensi i tyre i humorit, se si na i sulmonin direkt pasiguritë tona, pa ndonjë nxemje. Nëse ndonjë i rritur ishte i vogël me madhësi, e quanin xhuxh. Nëse ndonjë plakë kishte lyth në hundë, qeshnin me madhësinë e lythit, dhe thonin se Zoti ka sens të çuditshëm të humorit. Nëse e shihnin ndonjë burrë me ballë të rrudhur, e quanin hurme. Nëse ndonjë burrë vishte çizme të shqyera, e quanin të varfër. Sa herë që shoku im trashalluq Miljan ecte pranë tyre, bënin hajgare me të duke i thënë se kishte ‘cica të burrave’. Nëse ndonjë grua i injoronte thirrjet e fishkëllimat e tyre, e pështyenin, e e godisnin me grushta…

“Më kujtohet gjithashtu se si më vinte turp për shkak të erës së keqe që vinte në shtëpinë time, si dhe orenditë e vjetra që i kishim, e edhe vrimat në tesha, urinë e etjen, reputacionin e nënës sime… dhe vesin e gjyshes sime, që i ndërprente fjalitë e njerëzve tjerë me lemzën e pareshtur të saj. Më vinte turp për atë se sa shumë pinte gjyshi im, dhe isha i tmerruar nga mënyra se si këndonte ai. Nuk doja që dikush ta dinte që e ndajë një dhomë me pesë njerëz, dhe kështu e shpika prej vetës një kumbar të pasur italian, i cili do të më dërgonte dhurata të shumëllojshme, dhe nga i cili do të trashëgoja pasuri. Më kujtohet axha im që pinte kafe me fqinjët tanë dhe qeshte me gjendjen serioze të nënës sime, që vuante nga hipokondria. ‘Asgjë nuk e shqetëson atë kur e ka ndonjë tip për t’ja mbajtur dorën’, thoshte ai. E mallkova pasurinë time, ndjenjën e pafuqisë, së cilës nuk mund t’i shmangesha, dhe më kujtohet se si kisha dëshirë që të isha më i vjetër që të ikja e të çlirohesha prej të gjithëve… përgjithmonë”.

Deri sa isha duke folur, Nikola e shikoi plot dëshpërim një copë beton që e kishte para tij, dhe si me nervozizëm e silli nëpër gojë edhe gllënjkën e fundit të birrës së tij. Dejana i shikoi shpejtë vetullat e thurura të bashkëshortit të saj, prej nën qerpikëve të saj të gjatë. Kur Nikola e ktheu kokën kah ajo, ajo menjëherë shikoi kah toka. U kërrus në karrigën e saj, i shtrëngoi duart, dhe i shikoi dy gishtat e saj të mëdhenj deri sa e ndiqnin njëri tjetrin rreth e rrotull. Asnjëri prej miqve të mi nuk mund t’i iknin zhytjes në mendime të thella e solemne.

Të gjithë ishin të heshtur, dhe për pak kohë, i vetmi tingull që mund të dëgjohej ishte kureshtja e lehtë e një huti të ndalur në një lis aty pranë.

“Më kujtohen përvoja të ngjashme”, tha Dejana, duke e ndërprerë hutin. “Por atëherë kishte spontanitet çdokund, dhe të paktën kishte pak shpresa të mjegullta”.

“Të paktën kishte shpresë”, thash vetmevete.

Ilustrimi: Milan Djurasovic. 

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO