Shkurt | Media

Dënohet gjithandej sulmi ndaj gazetarit

Nga - 17.08.2017

Drejtori i Insajderit është rrahur para banesës së tij.

Shumë njerëz e organizata e kanë dënuar sot (e enjte, 17 gusht) sulmin ndaj gazetarit të mirënjohur kosovar, Parim Olluri, drejtor ekzekutiv i portalit online Insajderi, i cili u rrah mbrëmë nga tre persona para banesës së tij.

Olluri dhe e fejuara e tij Genta, e cila ishte me të në kohën e sulmit, u dërguan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pas incidentit që ndodhi rreth orës 22:00. Gazetari më vonë konfirmoi se nuk kishte pësuar “lëndime serioze” dhe se e fejuara e tij – për të cilën u raportua se i kishte rënë të fikët dhe se po vuante prej tronditjes – tani po ndihej më mirë.

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës (ShGK) reagoi duke u bërë thirrje autoriteteve shtetërore që t’i sjellin para drejtësisë autorët e krimit, meqë “sulmet e tilla e dëmtojnë në thelb lirinë e shprehjes dhe mediat”.

Federata Europiane e Gazetarëve e mbështeti reagimin e ShGK-së, duke u bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që “ta hetojnë menjëherë rastin e sulmit ndaj gazetarit dhe partneres së tij”. Autorët e krimit ende janë të panjohur, siç janë edhe motivet e sulmit. Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti është nën hetime.

Olluri i Insajderit njihet për gazetari hulumtuese, veçanërisht për raportet për korrupsion. Olluri mori Çmimin e dytë të Bashkimit Europian për Gazetarinë Hulumtuese për vitin 2016. Artikulli i tij i fundit, i publikuar të martën, ishte një koment për ish-komandatët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë bërë të pasur pas luftës duke keqpërdorur fuqinë e tyre. Titulli i artikullit ishte: “Nëse Adem Jashari do të ishte gjallë dhe do të ishte milioner i korruptuar”.

Insajderi ishte gjithashtu organizata mediale që në gusht të vitit 2016 nisi publikimin e bisedave të përgjuara telefonike të cilat tregonin për lidhjet e figurave kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me rastet e korrupsionit dhe të kapjes së institucioneve shtetërore nëpërmjet përzgjedhjes së militantëve partiakë në borde publike.

Media gjysëm të lira

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili shpeshherë është përmendur në artikujt e Ollurit, menjëherë e dënoi sulmin në llogarinë e tij në Facebook, duke thënë se “gazetarët nuk duhet të dekurajohen nga këto veprime kriminale”.

Kryeministri në largim, Isa Mustafa – i cili vitin e kaluar e quajti themeluesin e Insajderit, Vehbi Kajtazin, “bir kurve”, pasi kishte publikuar një raport në të cilin thuhej se vëllai i Mustafës kishte kërkuar azil jashtë vendit – gjithashtu përdori Facebook-un për të komentuar sulmin. “Në një shoqëri në të cilën e drejta e shprehjes publike duhet të kultivohet, këto veprime janë të ulëta, të papranueshme dhe të dënueshme”, shkroi ai. “Besoj shumë në efikasitetin e autoriteteve shtetërore për t’i sjell para drejtësië autorët e krimit”.

OSBE-ja në Kosovë publikoi një deklaratë përmes së cilës tha se ky incident ishte “sulm ndaj lirisë së shprehjes”. “Gazetarët gjithmonë duhet të jenë të lirë që të shprehin opinione të ndryshme pa u frikësuar nga dhuna dhe lëndimet fizike”, u tha nëpërmjet kësaj deklarate.

Në bazë të raportit (të përvjetshëm) të vitit 2016 të organizatës Freedom House me seli në SHBA, e cila mat lirinë e shprehjes në botë, gazetarët në Kosovë janë “pjesërisht të lirë”.

Sipas një raporti të Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, prej vitit 2013 deri në vitin 2016 u raportuan 69 kërcënime kundër gazetarëve, si dhe 39 raste të ushtrimit të presionit dhe 12 sulme fizike.

Një përfaqësues i Prokurorisë së Kosovës tha për K2.0 se sivjet u raportuan 21 raste të natyrave të ndryshme kundër gazetarëve.

Olluri shkroi një postim në Facebook për t’i falënderuar njerëzit për mbështetjen e tyre dhe për t’u zotuar që do të vazhdojë ta kryejë punën e tij. “Nëse kanë menduar se Insajderi do të ndalet së publikuari aferat mafioze të tyre, janë gabuar rëndë”, shkroi ai. “Ata duhet të kenë frikë nga ne gazetarët, e jo ne të frikësohemi nga të korruptuarit”.K

Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0.

Ky artikull u shkrua fillimisht për XXXXXX si pjesë e projektit të Qendrës Evropiane për Liri të Mediave dhe Shtypit (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. K2.0 është partner i projektit të ECPMF dhe ka publikuar përsëri artikullin me leje. Përmbajtjet e këti publikimi janë përgjegjësi e vetme e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren për të pasqyruar pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO