Pikëpamje | Demokraci

Duke pritur në ankth ditën e zgjedhjeve në SHBA

Nga - 04.10.2016

Me botëkuptime shumë të ndryshme, Clinton dhe Trump janë gati baraz në garën presidenciale.

Askush nuk ka thënë se do të jetë punë e lehtë, dhe më së paku vetë Hillary Clinton. Në fakt, Clinton, e nominuara e Partisë Demokratike, që nga lansimi i fushatës së saj historike në prill të vitit 2015 ka potencuar se këto do të jenë zgjedhjet me dallime shumë të vogla në rezultat.

Dhe përnjëmend është kështu. Gara të bën t’i hash thonjtë, ndërsa demokratët e brengosur kalojnë në gjendje ankthi kronik i cili nuk do të zgjidhet deri në Ditën e Zgjedhjeve.

Këto zgjedhje historike, ku garon një grua e nominuar e njërës prej partive më të mëdha politike në SHBA përgjatë 240 viteve të ekzistimit, po ballafqohet me kandidatin më keq të përgatitur, nëse mund të themi ashtu, në historinë moderne të SHBA-ve. Bartësi i standardit të Partisë Republikane, Donald Trump është i shtyrë jo vetëm nga mllefi i tij personal, por gjithashtu edhe nga qëndrimet e tij eprore, raciste si dhe kundër migrimit, të cilat kanë zënë vend në disa prej segmenteve më jotolerante të shoqërisë së SHBA-ve – duke përshfirë edhe supremacistë të bardhë si dhe Partinë Naciste Amerikane, të cilët i kanë shprehur përkrahje Donald Trump-it.

Asnjë kandidat presidencial në historinë moderne amerikane nuk ka kërkuar ndonjëherë eliminim fizik të kundërshtarit të vet në zgjedhje.

Trump ka kërkuar që të gjithë muslimanët të ndalohen të hyjnë në SHBA, me ndalesë eksplicite të muslimanëve të cilët vinë nga ndonjë vend konflikti apo lufte.

Trump gjithashtu ka aluduar në eliminimin fizik të Clinton në disa raste në lidhje me mbështetjen e saj për rritje të sigurisë dhe rregullim më të madh të çështjes së armëve, duke shkaktuar zemërim, shqetësim dhe brengë në mesin e shumë amerikanëve. Asnjë kandidat presidencial në historinë moderne amerikane nuk ka kërkuar ndonjëherë eliminim fizik të kundërshtarit të vet në zgjedhje.

Trampi e ka cilësuar NATO-n të dalë mode, një qëndrim i ngjashëm me atë të Federatës Ruse.

Intrigat ndërkombëtare gjithashtu kanë qenë temë e zgjedhjeve të vitit 2016, ndërsa Trump vazhdimisht ka shprehur simpatinë e tij për Vladimir Putin për stilin e tij “të fortë” të lidershipit dhe ka kërkuar nga hakerët rusë ta thyejnë e-mailin e Clinton pas lajmeve bizare se disa komponentë të qeverisë ruse besohet t’i kenë thyer llogaritë e Komitetit Nacional Demokratik në Uashington.

Dallimi ndërmjet këtyre dy të nominuarve nuk mund të jetë më i theksuar se kaq.

Clinton është një politikane progresive e Partisë Demokratike e cila ka avokuar për gratë dhe fëmijët gjatë gjithë jetës së saj publike dhe ofron një agjendë të qëndrueshme për vende të reja pune nëpërmjet rindërtimit të insfrastukturës së brishtë amerikane, kolegje pa borxhe dhe sistem të ri migrimi për t’u ofruar mundësi shtetësie 11 milionë personave që jetojnë pa dokumente në SHBA. Ajo ka prezantuar një paketë reformash lidhur me burgosje masive dhe politika të drejtësisë penale, paketë e cila adreson dhe i përgjegjet brengave serioze të pjesëtarëve të komunitetit afroamerikan. Si ish-Sekretare e Shtetit, Clinton ka qenë në favor të një politike të jashtme amerikane e cila përfshin lidershqip të fuqishëm dhe angazhim nëpër botë duke i adresuar sfidat dhe çështjet e ndryshme, dhe jo duke u fshehur nga ato.

Tani kur kanë mbetur edhe 37 ditë deri te shpallja e fituesit më 8 nëntor, Clinton është në një avantazh të vogël kundrejt Trump, me 52.3 përqind ndaj 47.7 përqind pas nxjerrjes së mesatares së anketave nacionale (ngjajshëm me fitoren e vitit 2012 të Barack Obama-s ndaj Mitt Romney, 51.6 me 49.7 përqind).

Megjithatë, Clinton dhe Trump janë në një qorrsokak statistikor në shtetet kyçe, Nevada, Iowa, Ohio, North Carolina dhe Florida.

Përiqindjet e fundit të rezultateve në shtetet kyçe:

  • Clinton: 50.7
    Trump: 49.3

  • Clinton: 50.3
    Trump: 49.7

  • Clinton: 50.5
    Trump: 49.5

  • Clinton: 49.4
    Trump: 50.6

  • Clinton: 50.2
    Trump: 49.8

    (Të dhënat sipas Pollyvote.com më 2 tetor)

Të hënën mbrëma, Clinton  doli triumfalisht nga debati i parë presidencal në ballafaqim me Trump, i cili në disa raste ishte befasisht i paarsyeshëm, duke e sulmuar lezbiken e famshme Rosie O’Donnell gjatë diskutimit në lidhje me marrëveshjen me Iranin e cila u negociua për ta ndaluar Iranin nga zhvillimi i mëtejmë i armëve nukleare. Për më tepër, ai krekosej duke e quajtur veten të mençur pse nuk paguan taksa, ndërsa Clinton-in e ndërpreu së paku 51 herë.

Clinton e mbylli performansën e debatit me ton akuzues duke i përmendur cilësimet e Trump-it në lidhje me gratë në përgjithësi. Ajo i citoi komentet e Trump-it në publik, siç ishin cilësimet e tij të grave si “derra”, qenë”, dhe “përtace të trasha” si dhe sulmet e pandërprera ndaj Alicia Machados, ish-fituesen e Miss Universit, kur e quajti “Miss Dosa” dhe “Miss Shtëpiake” sepse ajo është latinoamerikane.

Fushata e saj, pa lëshuar pe fare, ditën e nesërme me zgjuarsi prodhoi një reklamë duke shfaqur rrëfimin personal të Machado-s, e cila së fundmi u bë qytetare e SHBA-ve dhe po e mbështet fushatën e Clinton. Trump ra në grackë dhe e dyfishoi sulmin, duke e quajtur Machadon “të trashë” përsëri dhe duke thënë se ajo paraqiste problem serioz sepse kishte grumbulluar “një tufë masive peshe” pasi kishte fituar, dhe kishte “problem në sjellje”.

Duke kërkuar qartë shumëfishimin e votave në mesin e grave – ku ajo gëzon një avantazh prej 20 pikësh ndaj Trump-it — dhe ndoshta në kërkim të përkrahjes së grave republikane gjithashtu, Clinton ka bërë kalkulime gjatë debatit për ta shfrytëzuar avantazhin e saj me gratë votuese duke cituar një sërë ofendimesh që Trump u kishte bërë atyre. Shembulli i Machados gjithashtu i ndihmoi me latinoamerikanët; ajo është në avantazh ndaj Trump-it me 51 pikë të mira në këtë bazë votuesish kritikë. Shumica e anketuesve besojnë se debati i parë i Clinton do të duhej ta ngriste rejtingun e saj, që është një çlirim i madh për demokratët.

Trump ka kaluar nëpër një periudhë shumë të vështirë gjatë muajit korrik, duke filluar me Konvetnën Nacionale të Demokratëve dhe duke vazhduar për tri javë tjera, por ia doli t’i rikthehej garës deri në Ditën e Punës kur Clinton u ngatërrua në një shpjegim të çuditshëm të skandalit të e-mailave, i cili nuk e ka lënë rehat që nga fillimi i fushatës së saj, në Televizionin Fox. Ndërsa media e krahut të djathtë po pëshpëriste se Clinton përballej me një “problem shëndetësor”, ajo kishte një pneumoni të shërueshme të cilën nuk e kishte bërë publike deri në momentin kur papritur u largua nga ceremonia përkujtimore e 9/11; imazhet e humbjes së drejtpeshimit ndërsa po i afrohej veturës u transmetuan vazhdimisht në internet, duke vënë në pyetje shëndetin e saj dhe duke shkaktuar rënie të numrave gjatë tre javëve derisa u paraqit në natën e debatit.

Mirëpo debati superior i Clinton duket se e ka kthyer fushatën e saj në binarë të duhur, derisa Trump-in e ka vënë jashtë kontrolli, siç u dëshmua nga shpërthimet e tij në Twitter në lidhje me Machedon jo më larg se të premten në mëngjes, duke i shkuar për shtati edhe më shumë pohimeve të Clinton se Trump-it i mungon temparamenti i duhur për të qenë president.

Përbrenda sistemi amerikan të procesit të kolegjit zgjedhor, i cili kërkon ta nxjerrë fituesin me 270 vota zgjedhore, votat popullore kanë rëndësi por kanë më shumë vlerë apo peshë në shtetet më të populluara — siç është Ohio,  Pennsylvania, Illinois, California, New York, Florida dhe Wisconsin. Kandidatët do t’i kalojnë javët në vazhdim në 12 deri në 14 shtetet më të populluara që janë të rëndësishme për t’i siguruar numrat e nevojshme për fitore me gjithë forcat e tyre.

Segmenti më i dobët i mbështetjes elektorale përbrenda koalicionit të Clinton, i trashëguar nga Barack Obama, janë votuesit e mileniumit të tretë, të moshës 18-34 vjeç në vitin 2015, të cilët tani janë 75.4 milionë persona — duke ua kaluar personave të lindur pas Luftës së Dytë Botërore, të moshës 51-69, që janë rreth 500,000 persona.

Votuesit e rinj jo vetëm se mund ta përcaktojnë fatin dhe orientimin e Shteteve të Bashkuara për 25 deri në 50 vitet e ardhshme, por edhe fatin e gjithë botës.

Ajo po kërkon ndihmë nga ish-kandidati presidencial dhe rivali i parë i saj Bernie Sanders si dhe nga senatorja amerikane Elizabeth Warren, të popullarizuar në mesin e të rinjve, së bashku me Zonjën e Parë Michelle Obama dhe Presidentin Obama, për ta rikthyer mbështetjen e nevojshme.

Presidenti Obama, që nga fillimi i fushatës parazgjedhore vazhdimisht ka thënë se ose Clinton ose Trump do të zgjedhen president në nëntor. Ai gjithashtu thotë se “kush nuk voton, ai voton për Trump-in. Dhe të votosh për kandidatin e tretë do të thotë gjithashtu se voton për Trump-in”.

Anketat e fundit tregojnë se më shumë se një e treta e votuesve nën moshën 30-vjeçare planifikojnë të votojnë në nëntor për një kandidat të tretë, për Gary Johnson nga Partia Libertariane, apo për Jill Stein nga Partia e Gjelbër (të dy anketat tregojnë për mbështetje prej më pak se 10 përqind). Clinton gëzon mbështetjen e rreth 31 përqind të votuesve nën moshën 35-vjeçare në garën prej katër kandidatësh. Trendet po dëshmojnë se Clinton e ka humbur mbështetjen e të rinjve në shtetet si Colorado dhe North Carolina, duke çuar në barazime të tendosura në këto fushëbeteja. Gjithashtu ka gjasa që shumë të rinj të mos dalin fare në votim.

Sigurimi i mbështetjes më të madhe nga të rinjtë është e një rëndësie shumë të madhe që Clinton të bëhet presidentja e 45-të e Shteteve të Bashkuara.

Në të vërtetë, votuesit e rinj jo vetëm se mund ta përcaktojnë fatin dhe orientimin e Shteteve të Bashkuara për 25 deri në 50 vitet e ardhshme, por edhe fatin e gjithë botës. Sipas Clinton, kjo garë kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme – një deklaratë e cila jehon edhe në mesin e shumë amerikanëve të cilët janë plot drojë dhe ankth ndërsa 8 nëntori po afrohet me përfundimin e tij të sigurtë.

Tanya Domi është aktiviste e të drejtave të njeriut dhe ballkaniste e cila është profesoreshë në Columbia University në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Publike si dhe anëtare bashkëpunuese e fakultetit të Institutit Harriman. Domi është anëtare dhe aktiviste shumëvjeçare e Partisë Demokratike.