Blogbox | Dhunë Seksuale

Banu zani i saj, por ma së pari banu vetmia e saj

Nga - 05.07.2018

Ajo çka u ndodhi viktimave të dhunës seksuale të luftës, shumica e të cilave ishin vajza e gra, tash e njizet vjet asht nji viktimizim i dytë. Sot nuk guxojmë me leju ato me u viktimizu për së treti.

Fushatat sikur “bëhu zëri im” janë shum të randësishme për me i vnu në hartën e kujtesës kolektive të kësaj shoqnie, ku tash e njizet vjet mbizotnojnë përmendoret burra të herojve të luftës, vuejtjet e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Në njanën anë për me tregu që lufta nuk kishte kurrgja heroike dhe viktimizimi NUK asht heroizëm por asht krim, dhe në tjetrën anë për me kriju nji hapësinë ku rrëfimet e viktimave i japin formë ndërgjegjësimit të shoqnisë mbi përgjegjësinë e vet me u kujdes për viktimat dhe për të traumatizuemit e luftës. Ajo çka u ndodhi viktimave të dhunës seksuale të luftës, shumica e të cilave ishin vajza e gra, tash e njizet vjet asht nji viktimizim i dytë. Dhe kushdo që kupton veç pak nga kjo çashtje, nuk ka dyshime për këtë.

Sot nuk guxojmë me leju ato me u viktimizu për së treti. E un kam frikë, që përmes trajtimit që po u bahet atyne në proces e sipër të aplikimit për me e marrë ndihmën financiare (jo reparacion) që u takon me statusin e njohjes së viktimës, mund të jetë, në rastin e shum viktimave, nji viktimizim i tretë. Si shoqni këtë nuk guxojmë me e leju me ndodhë ma. “Bëhu zëri im” duhet me e sfidu sistemin që rrezikon me i viktimizu prapë gratë e përdhunume gjatë luftës. E jo me u kapë përdore me atë sistem. 

Kjo fushatë nuk guxon me u leju me u përdorë si fushatë e nji rehabilitimi politik për presidentë e ish presidentë e këdo, por as nuk guxon me u mbështjell me retorikë diplomatike në gojën e shoqnisë civile e cila ndër vite jo rrallë herë përgjegjësinë e vet me i shërby popullit e hutoi me lakminë me ba miq ambasadorë e politikanë dhe me udhëtu kontinentet.

Donatorët e shoqnisë civile në Kosovë në shumicën e rasteve janë entitete që ndjekin interese politike të vendeve që përfaqësojnë, por shoqnia civile e Kosovës për me i dalë hak përgjegjësisë së saj politike ndaj vendit të vet, duhet me i shërby popullit, e jo donatorëve. Dhe ky shërbim duhet me u ba dinjitetshëm, tue e mbrojtë integritetin e njerëzve në emën të të cilëve lufton për drejtësi dhe bëhet zëri i tyne.                                                                                      

Ndërkohë që numri i viktimave të dhunës seksuale supozohet të jetë diku rreth njizetmijë, prej të cilëve nji numër mesiguri nuk jetojnë ma, por padyshim nji numër konsiderueshëm ma i madh janë gjallë dhe prej tyne veç nji numër shumë i vogël deri tash ka apliku për këtë ndihmë, ne si shoqni duhet të shqetësohemi shum nëse edhe ato që aplikojnë hasin në barriera të pakuptimta ku viktimës i kërkohet vërtetim mjekësor apo dokumentacion për me i besu që ka qenë e përdhunume.

E dami që mundet me u shkaktu për viktimën në rast se refuzohet padrejtësisht, asht aq i madh, sa nuk ia vlen bara qiranë me e "parandalu" naj keqpërdorim.

Jo se dojmë me e anashkalu këtu randësinë e procesit të gjetjes dhe dokumentimit të fakteve apo gjurmëve të krimit, por para se te krijohej ky sistem do duhej të ishin mendu edhe rrethanat nëpër të cilat këto viktima kanë kalu dhe se qasja në institucione shëndetesore atë kohë ka qenë minimale e në shumicën e rasteve në rrethanat e kohës nuk ka ekzistu hiç. Dhe fatkeqësisht kjo po ndodhë në disa raste. Asht ba i zashëm shqetësimi se ka raste që po lajmërohen rrejshëm. Rreth 80 rrasteve u asht rrefuzu njohja e statusit të viktimës. Kjo qasje e rrezikon shum besimin ashtu kështu të brishtë (me arsye) të viktimave në nji sistem i cili kinse ndërtohet për me iu ndihmu. 

Nëse mësimi nga frymja e shifrave të veteranëve të luftës asht frika që naj gru najkun ka me e keqpërdor sistemin e me dalë e me rrejt që ka qenë e përdhunume në luftë, për me e marrë nji ndihmë prej 230 euro, atëherë këtu mësim nuk ka. Ka hipokrizi që viktimizon viktimat për së treti. Cila grue rren që asht përdhunu në luftë (luftë, e jo konflikt) për 230 euro në nji vend ku në kuvende hala bahet thirrje për drejtësi kanunore? Asnji. Un besoj që asnji. Çdo rast që aplikon, duhet me e u pranu. Pa dyshime. Jam e sigurtë që shifra prej njizetmijë personave (fatkeqësisht) nuk ka me u mbërri e jo se jo me u tejkalu. Prandaj mos të tutet pushteti burrnor që ka me u fikë buxheti i vendit për to. E fundi i fundit, edhe nu bafshin njizetmijë, nëse ka buxhet për kravata të Ramush Haradinajt, s’guxon kurrkush me më thanë që s’ka për gra të përdhunume gjatë luftës.

Nëse rastet refuzohen, përshkak se kominisioni vlerësues ka dyshime mbi vërtetësinë e rastit, sepse, grueja nuk ka vërtetime mjekësore e “dokumentacione shtesë” me e dëshmu përdhunimin që i asht ba a për çfarëdo arsye tjetër të tillë, çdo herë rreziku me e refuzu nji rast që asht i vërtetë asht ma i madh se sa shansa që në këtë mënyrë parandalohet ndonji keqpërdorim. E dami që mundet me u shkaktu për viktimën në rast se refuzohet padrejtësisht, asht aq i madh, sa nuk ia vlen bara qiranë me e “parandalu” naj keqpërdorim. 

Por, tue e dijtë ku jetojmë, tue e dijtë realitetin e mentalitetit tonë që i ka robnue në vuejtjet e tyne gratë e përdhunume gjatë luftës me vite të tana, e tue e dijtë që ky mentalitet nuk ndryshohet me mesazhe ndërgjegjësuese brenda natës, nuk guxojmë me e refuzue asnji, se veç kështu u ndihmojmë të gjithave bashkë.  E mbi të gjitha, asnji njeri, e veçanërisht ata që punojnë në qendrat përkatëse nuk guxojnë me leju as dyshime e le ma me shpreh mendim që ndonji nga aplikuesit po rrejka. Gjithashtu, i shoh edhe disa probleme tjera që për mu janë shum shqetësuese në lidhje me procesin e aplikimit.

Afati

Tue qenë se kjo ndihmë financiare u vjen njizet vjet me vonesë grave e burrave që ishin viktima të përdhunimeve sistematike gjatë luftës, kam frikë që kohëzgjatja prej pesë vjetëve e cila asht parapa si afat brenda të cilit mund të aplikohet për këtë ndihmë, asht e vogël. Kur viktimat kanë pritë tash e njizet vjet, në heshtje e të përbuzun, mendoj që tani që përmes kësaj ndihme po u jipet nji shpresë e re për njohje të dhimbjes duhet gjithashtu tu japim ma shum kohë që ato/ata të gjejnë forcën që u duhet për me e ndërmarrë nji hap të tillë drejt aplikimit, e jo t’i kufizojmë brenda nji afati simbolik, sa për me thanë që kemi ba diçka. Sepse, pesë vjet janë pak për dikend me vendosë nji hap të tillë. Sidomos kur ke parasysh që ky person asht përbuzë, nënçmu e harru tash e njizet vjet prej shoqnisë dhe prej shtetit, ndërkohë që ka kalu krejt këto vite tue u mshefë sa ma mirë që ka mujtë dhimbjen e vet, përshkak të mentalitetit shoqnor por edhe përshkak të përgjegjësisë ndaj gjeneratave të reja, tutës me i traumatizue fëmijët për shembull,  e i duhet shum guxim me e marrë nji hap që kërkon kaq shum besim mu në atë shtet që e ka trajtu si mos me ekzistu tash e njizet vjet, e edhe ma keq, e ka trajtu me shekuj si njollë e nerës të kombit.

Edhe shum dekada mas luftës së dytë botnore në Gjermani janë lajmëru raste. Aq iu ka dashtë. Dhe meqenëse trajtimi ndaj viktimave nuk duhet me u pa si nji agjendë politike që nisë e betisë me fushata mediale, asht shum e randësishme viktimës me i dhanë krejt kohën që i duhet. Viktimat e përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, ma shum se për 230 euro pension, kanë nevojë me e dijtë që kurdo që janë gati me folë, ne jemi gati me i ngu e me i ndihmu. Kurdo. Prandaj afati që i asht dhanë mundësisë për aplikim, asht i gabueshëm. Sepse, ma shum se gjithçka po redukton krejt këtë përpjekje për rehabilitim të viktimave në llogari financiare dhe justifikime juridike. 

Stigmatizimi ndaj grave të përdhunume gjatë luftës, që i detyroi ato me i heshtë plagët sot e sa vjet asht prodhim kulturor që ka lëshu rrajë me shekuj.

E vuejtjeve e dhimbjeve të viktimave të përdhunume gjatë luftës nuk mundesh me u vnu çmim. Dikujt 230 euro kanë me i shërby shum, dikujt nuk kanë me iu dashtë ndoshta edhe aq, dikujt edhe hiç, por secilës ama i duhet nji vesh që rrin hapun e nuk i mbyllë dyert kurrë. Jo mas pesë vjetëve, jo mas 15 e jo mas 50 vjetëve. Stigmatizimi ndaj grave të përdhunume gjatë luftës, që i detyroi ato me i heshtë plagët sot e sa vjet asht prodhim kulturor që ka lëshu rrajë me shekuj. Dhe tue e përmbyllë nji program që krijohet për to, mbas pesë vjetëve, asht veç nji shuplakë tjetër e nuk mund të çuhet luftë kundër stigmatizimit.

Me luftu stigmatizimin duhet kohë. Me fitu besim duhet kohë. Dhe kohë duhet tu japim. Natyrisht duhet të jetë e vetkuptueshme që nji nismë e tillë, e cila për shum viktima nënkupton detyrim me gërmue në plagë të vjetra e dhimbje të thella, nuk guxon të mbetet pa mbështetje profesionale psiko-sociale. Dhe kjo mbështetje duhet të jetë sistematike dhe e integrume në qendra të ndryshme shëndetësore ose edukative që funksionojnë me programe adekuate mu për këtë qëllim, anë e mbanë Kosovës. Kjo mbështetje nuk asht dashtë dhe nuk duhet tu lihet si barrë në dorë vetëm katër OJQ-ve. Asht dashtë me kohë me u institucionalizu shërbime të ndryshme psiko-sociale anë e mbanë Kosovës.

Në Kosovë ka shum raste ku gratë e përdhunume gjatë luftës kurrë nuk kanë taku asnji person të vetëm me të cilin kishin mujtë me folë. Asnji. Për gati njizet vjet, asnji. Dhe kur ke parasysh Kosovën tonë të vogël, dhe ke parasysh rreth njizetmijë vajza, gra e burra të përdhunuem gjatë luftës, përnjiherë kjo Kosovë e vogël shndrrohet në nji plagë të madhe.

Mos më thueni që s’ka pare Kosova për nji program të qëndrueshëm, të përhershëm, mbështetës psiko-social në nivel kombëtar, për viktimat e luftës. Të qëndrueshëm e të përhershëm, sepse kjo shoqni herët a vonë ka me u ballafaqu me traumatizimet e luftës të trashëgume ndër gjenerata. Dhe kjo nënkupton që nevoja për qendra të tilla nuk përfundon edhe për shum gjenerata që vijnë. Aman, veç mos më thueni që s’ka pare për nji program të tillë kombëtar. Ka pare, qysh s’ka?

Përfshirja psiko-sociale në krejt Kosovën

Aktualisht adresat ku viktimat mund të drejtohen për ndihmë me e nisë procesin e aplikimit të njohjes si viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës janë:  Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës(QKRMT), Medika Kosova, Medika Gjakova, Qendra për promovimin e të drejtave të grave, me seli në Drenas dhe direkt në zyren e komisionit qeveritar ose edhe tek zyret rajonale të departamentit përkatës për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.

Për me i mbërri sa ma shum viktima, un mendoj që katër organizatat e dedikume, përmes cilave aktualisht mund të bahet plotësimi i formularëve për aplikim për njohje të statusit të viktimës, janë pak. Duhet urgjentisht të kërkohen partnerë tjerë të pavarun, po e veçoj, anë e mbanë Kosovës.

Zyret e institucioneve publike nuk janë të besueshme dhe veç pse ne thojmë që janë, se qenkan përgaditë, ato nuk gzojnë besim prej popullit e për çashtje kaq të ndërlikume dhe të ndjeshme, ato si adresë në rastin ma të mirë shërbejnë veç si justifikim për me thanë që ishin. Nuk do me thanë që s’ka me pasë raste që drejtohen drejt e tek to. Ka, dhe ka me pasë. Por këto institucioneve publike, përveç nëse funksionojnë më bazë të nji programi psiko-social që përmenda ma nalt, për me e mbrojtë viktimën, e jo me e refuzu, rrezikojnë me e damtu seriozisht mirëqenien e viktimës. 

Politizimi i çashtjes

Mënyra qysh flasim për luftën dhe viktimat e luftës asht shum e randësishme për nji ballafaqim psikologjik ma të shëndetshëm me traumat e kësaj lufte. Termet: reparacion; drejtësi; heroinë nuk duhet të përdoren vend e pavend. Në rastin e ndihmës financiare për viktimat e dhunës seksuale të luftës, dhe vuejtjeve të viktimave, hiç e hiç.

Mbi të gjitha, nji diskurs që do të ishte ma i dobishëm për të traumatizuemit e luftës asht aj që asht i sinqertë. Aj që viktimën nuk e quen heroinë, por viktimë, sepse viktimë ishte. Dhe aty ku ka viktima, kanë ndodhë krime. Krime për të cilat, nuk po jep përgjegjjësi kurrkush dhe ne tue e shndrrue viktimën në heroinë, jemi tue e pranu që në rregull asht me u përdhunue e masakrue në luftë. Jemi tue pranue që lufta don viktima. Jo more jo, a keni ni për krime të luftës? Përdhunimi asht krim lufte, e jo sakrificë heroike. Heroizmi në anën tjetër nuk asht rehabilitim prej këtyne krimeve, por ama, e shoh qysh politikisht mundet me shërby si rehabilitim i kriminelëve. Në rregull, nëse viktima qenka e barabartë me heroinë, atëherë hajde t’ia shkruejmë nji letër falenderuese Sërbisë që na bani heroj. 

Ndihma financiare asht e drejtë, dhe e nevojshme, por nuk asht e barabartë me drejtësinë ligjore.

Në shumicën e rasteve, vet viktimat e luftës, si drejtësi formulojnë ndëshkimet për akterët e përdhunimeve dhe torturave që janë ba mbi ta. Gjithashtu formulojnë si drejtësi (që u mungon) llogaridhanjen shtetnore nga Sërbia si agresor kryesor i luftës. Ndihma financiare asht e drejtë, dhe e nevojshme, por nuk asht e barabartë me drejtësinë ligjore, sepse nëse kishim me e quejtë ndihmën financiare drejtësi, kjo nënkupton që drejtësia blehet. Ose me fjalë tjera, që drejtësia ligjore mashtrohet me moralizim dhe diskurs heronjësh. 

Ndihma financiare për viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë, në asnji mënyrë nuk guxon të quhet reparacion. Reparacion kishte me qenë nëse shteti që sistematikisht përdori përdhunimin si armë lufte, njeh juridikisht agresionin që ka ushtru mbi popullin civil, dhe paguen viktimat për me i “damshpërbly”, pra reparacion kishte me qenë nëse Sërbia i paguen viktimat pasi të jenë shtjerrë të gjitha rrugët ligjore ku ndjeken e ndëshkohen përgjegjësit (kriminelët).

Por Kosova përkrah shum çashtjeve tjerave, dështoi me i kërku Sërbisë njohjen e krimeve të luftës ndaj popullit të Kosovës si dhe përndjekjen ligjore të përgjegjësve. Ama, Hashim Thaçi u përkul para katërmdhetë vorreve të viktimave sërbe, ku pllaka memoriale quente shqiptarët terrorista. Shkurt, meqenëse nuk asht tue pagu Sërbia, por Kosova, e Kosova nuk asht ma Sërbi, ky pension mund të quhet vetëm ndihmë financiare për viktimat.                     

Keqpërdorimi i termeve ndoshta edhe nuk asht i rastësishëm prej disa politikanëve, që edhe këtë çashtje kanë me këqyr me e përdorë për agjenda politike në misione të reja ose të vjetra të manipulimit të narrativës të luftës e drejtësisë, për me i ikë hijeve të kalumes të tyne.

Nuk e kam hallin te politikanët as te çka bajnë ata, sa për mu qafën e thefshin te tanë bashkë, kurrë nuk i kisha përmend, por jam e vetëdijshme që injoranca jonë ndaj lojnave të tyne mund t’i kushtoj dhimbje e vuejtje të reja viktimave të luftës sot, por edhe gjeneratave të ardhshme, dhe kte nuk mujë me e pranu pa e protesu. Sepse, e kam obligim mos me e pranu. Quejeni borxh, nëse doni.  

Loja me fjalë në ndjekje të bajraktarit

Përvetësimi i kauzave asht i rrezikshëm. Ato nuk përvetësohen edhe me dashtë, por tendenca me provu me pozicionu veten si bajraktar i tyne, asht i rrezikshëm. Sepse, krejt aktivizmi ynë sot ka me shërby edhe si inspirim nesër. E kurrkush nuk inspirohet prej seneve që bahen keq, dhe bahen keq përshkak të nepotizmit, jo profesionalizmit dhe agjendave karrieriste të disa individëve.

Hija e këtyne individëve randon peshën e atyne që vërtetë ndër vite nuk kursyen mundin tue luftu e tue qenë zani i të tjerëve dhe nuk u dorëzuen as atëherë kur kurrkush nuk dojke me ngu, sepse kungujt politik ishin hala të papjekun. Aq të papjekun sa kërkonin me i pa vaginat si dëshmi. E tash që kinse janë “pjekë” në furra të diplomacisë ndërkombëtare, këta karrieristë shndërrohen në protagonistë fiktiv të shpëtimit të atdheut e mbrojtjes së viktimave për me korrë merita që iu vie era njerës e huej.

Ne si shoqni duhet t’i mbrojmë njerëz që luftuen pernime edhe ku s’kishin përkrahje, e sot rrethohen prej politikanëve të vjetër si hiena. Përkrahja jonë i forcon ata me u çliru prej tyne. Dhe në fund, qëllimi kryesor duhet të jetë e vërteta. Sepse, kauzat nashta edhe mujnë me u përvetësu për qëllime karriere, disa njerëz janë shum të aftë me e ba nji gja të tillë. Por njerëzit nuk mund të përvetësohen, dhimbjet e tyne nuk mund të bahen medalje ari në qafë të karrieristëve. Viktimat janë njerëz. Jo pronë e najkujt.

Bubble Prishtina

Prishtina asht kryeqytet i Kosovës. Dhe aty prej të hanës deri të premtën nashta doket sikur jeton krejt Kosova në te, por Prishtina NUK ASHT krejt Kosova. Rrahja e krahëve në nji rreth të ngushtë të saj për medalje të arritjes asht e rrezikshme. Duhet të mësohemi me u tutë pak prej krejt kësaj përgjegjësie që ia mveshim vetes si meritë. Dhe jo, sepse ka me të kritiku naj OJQ a najsen, dertë mos ke, por sepse dikush dikun përshkak të këtij monopoli të kauzës që zakonisht zhurmon me nji bubble të Prishtinës, nashta asht tue dekë me u ni. 

"Bëhu zëri im" duhet me qenë fushatë për ndërgjegjësim të shoqnisë për viktimat e përdhunimeve sistematike në Kosovë gjatë luftës, pa dallime.

Edhe viktimat e dhunës seksuale të etnive tjera nuk u morrën parasysh mu nga këto OJQ, anipse fushatat i bajnë në tre gjuhë, ndërkohë që të huejt e mbyllën synin dhe u banë kinse s’po dijnë se ka pasë edhe viktima të dhunume pas 12 qershorit 1999. Kaq për drejtësinë selektive. Që e bajnë politikanët nji krim të tillë përballë drejtësisë ua kuptoj motivin, sepse e di kush janë ata, por që shoqnia civile heshtë dhe marshon me ta në këtë paradë s’po mujë me e kuptu. Ndoshta, s’po du me e kuptu, se asht fort ma e dhimbshme. 

“Bëhu zëri im” duhet me qenë fushatë për ndërgjegjësim të shoqnisë për viktimat e përdhunimeve sistematike në Kosovë gjatë luftës, pa dallime. Jo fushatë për heronj të ri në kurriz të viktimave. Të tillë që njizet vjet patëm boll. Kur nji fushate që synon me ngritë zanin për viktimat e luftës i prinë Hashim Thaçi, po më shqetëson ideja nëse edhe kjo krejt në fund të ditës asht veç nji fushatë rehabilitimi politik për krimet politike të krejt ktyne bashkë ndaj viktimave të luftës tash e njizet vjet, ma shum se që ka qëllimin me të vërtetë me i ndihmu viktimat.

Kam qef me besu që s’kam nevojë me u arsyetu, e megjithatë po e them, që kjo frikë e jemja, asht nji shqetësim i sinqertë që lind prej ndjenjës së përgjegjesisë me folë për ata që s’mujnë me folë vet. E përgjegjësinë tem e mbajë me barrën, që kur asht fjala me u ba zani i tjetrit, ma së pari e kam obligim me e mbrojtë prej mosdijes tem, tue ia mohu vetes të drejtën me thanë nesër “nuk dijta ma mirë”. 

OJQ-ët

Kosovës i duhet urgjentisht nji diskurs i ri, që sfidon statusin ku drejtuesit e OJQ-ve sillen si pronarë privatë të naj biznesi me OJQ-n që drejtojnë; e bordet formohen prej miqve të ngushtë që u shkojnë për qefi; e donatorët bahen miq (raportet nuk kanë ma kredibilitet); ndërsa ma të fortit në mesin e tyne, me ndihmën e fondacioneve dhe autoriteteve politike vendore e ndërkombëtare (që i kane ba miq) kanë kriju monopol rreth kauzës (tue qenë përfituesit kryesor të fondeve që tani i shkepin si trosha nëpër OJQ lokale) për të cilën kinse punojnë, tue e mbushë boshllëkun që ekziston me shum zhurmë dhe imazh medial.

Ndërkohë që nën sipërfaqen e billbordave ku u ban dritë llogoja, gropa ku rrxohen viktimat vazhdon me mbetë e madhe. Dhe këtu asht problemi. Dhe kjo vlen për rastin e viktimave të luftës, njajtë sikur për viktimat në arsim, e shëndetësi e për persona me aftësi të kufizume, e ndërtim të paqes, e të drejta të grave e etj.

E kam pa jashtë Prishtinës. E kam pa aty ku mungon gjithçka. Përveç që Prishtina nuk asht krejt Kosova, ia vlen gjithashtu me e mendu që çka shohim në televizor asht ma së shumti Prishtinë. Kahnjiherë të doket sikur s’je në Kosovë. Shymne atë dreq televizor dhe dilni folni me njerëz në terren.

E kur jemi te kjo temë, ia vlen me u kthy tek ajo që fushatat ndërgjegjësuese nuk duhet të tolerohen të jenë nënçmuese dhe patetike, pavarësisht qëllimit të mirë. Kam në mendje këtu fushata mediale për ndërgjegjësim të shoqnisë kundër diskriminit të viktimave të dhunës seksuale, dhunës ndaj grave etj, ku figura të caktueme publike përçojnë mesazhin ndërgjegjësues tek shoqnia (jo rrallë, të paqartë kujt po i flasin e çka asht mesazhi).

Përveç përmbajtjes shtrohet pytja: mirë bre, e pse p.sh. Filanja, e jo Filanja-2? Më lejoni: sepse Filanja-2 konsiderohet katunare për bubble ekspertët e bajraktarëve të shoqnisë civile në Kosovë, nënkupto Prishtinë. Por, nëse me fushata të tilla po synohet nji ndikim në emën të popullaritetit, ky ndikim duhet me e reflektu nevojën e popullit e jo dëshirën boheme të nji kryeqyteti ku “kritikat” e shoqnisë civile ma shum prodhojnë miqësi të ngushtë, ose në të kundërtën grupacione që luftohen mesvete, sesa diskurs konstruktiv e lëvizje progresive. 

Ky diskurs rreth rolit të shoqnisë civile në Kosovë, shpresa jem do të ishte, duhet me na çu në nji pikë ku e kuptojmë randësinë e aktivizmit dhe fuqizimit të shoqnisë civile në qytete e qytetëza tjera anë e mbanë Kosovës. Dhe kjo mundet me u ba përmes nji decentralizimi të shkepjes së fondeve direkt tek organizatat lokale në komunitete të ndryshme. Dhe bashkë me fondet duhet tu jipet edhe udhëheqësia me i zhvillu projektet, nevojat e të cilave vendasit i njohin ma së miri. S’ka nevojë gjithçka me u udhëheq prej Prishtinës. 

Ndoshta un jam gabim, që as kësaj radhe s’po mujë thjeshtë me u rreshtu me kallabllakun. Por thirrjen me u ba zani i saj, po e marrë shum seriozisht, e un nuk po di qysh ndryshe me u ba zani i saj në këtë shoqni, pa u ba ma përpara edhe vetmia e saj. Asht terr këtu prej ku po shkruej, por ky terr më ngushllon, sepse drita që po e du, po du me i taku edhe të nesërmes. E për hatër kësaj të nesërme ne të gjithë bashkë duhet sot të bahemi zani i saj, ama, nji za që e mbron atë ma së pari prej mosdijes tonë.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Dialogplus dhe është ripublikuar këtu me leje.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO