Në thelb | Art

Mbrapa objektivit empatik

Nga - 20.10.2016

Ekspozita e fotografit holandez në Prishtinë, e frymëzuar nga historia e familjes së tij.

Pasi kishte kaluar pesë vjet duke i dokumentuar rrëfimet e kosovarëve, Willem Poelstra (Uillem Poelstra) këtë muaj u kthye në Kosovë për të hapur një ekspozitë të veprave të tij të fotografive të ngadalshme. Në projektin e tij “For Hanna, Future Stories From the Past” (Për Hanën, rrëfimet e së ardhmes nga e kaluara), i cili u shfaq në qendër të Prishtinës, fotografi dokumentues holandez e ilustron ndikimin e luftës së Kosovës në jetën e qytetarëve të rëndomtë.

Portrete të mëdha me ngjyra dhe bardhë e zi të shqiptarëve e serbevë kosovarë — të cilët në një mënyrë a tjetër janë viktima të luftës — tërhoqën shumë kalimtarë në Sheshin Skenderbeu gjatë dhjetë ditëve vjeshore me shi (nga 7 deri më 16 tetor). Përreth portreteve ishin vendosur imazhe të papërpunuara bardhë e zi që shfaqnin ngjarje të njohura të së kaluarës jo të largët të Kosovës, siç janë protestat dhe ditët e zgjedhjeve.

“Nuk është deklaratë politike [fakti që ekspozita është] përpara Kuvendit”, i tha Poelstra ekipit të K2.0 ndërsa veprat e tij po instaloheshin një ditë para hapjes së ekspozitës. “Mendoj se ky është njëri prej vendeve më të mira në Prishtinë për shkak se ky bulevar ka hapësirë shumë të madhe. Ideja e ekspozitës është që të shfaqet jashtë dhe arsyeja për këtë është që atë ta shohin njerëzit që zakonisht nuk shkojnë nëpër muze, galeri e kështu me radhë. Në këtë mënyrë, ekspozitën e shohin njerëzit që nuk janë të interesuar për fotografi [dhe kur] e shohin subjektin [fillojnë të bëhen kureshtarë] — Mendoj se për këtë arsye dëshiroj që ekspozita të shfaqet jashtë”.

majlinda-hoxha-willem-poelstra-for-hanna-future-stories-from-the-past-10-2016-4

Poelstra, puna e të cilit është analoge dhe e papërpunuar, ka kaluar katër vitet e fundit duke udhëtuar nga Holanda në Kosovë dhe anasjelltas. Pas një procesi të gjatë të punës, ai u është mirënjohës vendasve kosovarë të cilët i kanë ndihmuar gjatë gjithë kohës.

“Njëra prej arsyeve është se shumë njerëz këtu më kanë ndihmuar dhe doja ta organizoja ekspozitën për ta, por edhe për njerëzit të cilët i kam fotografuar sepse ata njerëz thanë, ‘Po, dëshirojmë të fotografohemi’” tha Poelstra. “Sepse ata thanë, ‘Është mirë që po e tregon rrëfimin tonë’, dhe që dëshiron ta shfaqësh si fotografi dokumentuese”.

majlinda-hoxha-willem-poelstra-for-hanna-future-stories-from-the-past-10-2016-6

Ishte një zbulim brenda familjes së tij, ai i cili e shtyu Polestrën ta dokumentojë Kosovën, duke e bartuar të kaluarën e tij tek njerëzit e sotëm të një shteti të ri: Në vitin 2011, pas vdekjes së babait të tij, ndërsa po e pastronte shtëpinë së bashku me motrën e tij, gjeti një kuti ku shkruante: “Për Uillemin”.

“Mendoj se me këtë kuti babai im dëshironte [të thoshte], ‘E di se çka po bën. E di se je fotograf dokumentues dhe se mund të bësh diçka nga kjo punë”, tha Poelstra.

Kutia përmbante dokumente dhe fotografi histroike që tregonin se babai i tij, Alberti, kishte kaluar katër vjet gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke punuar vullnetarisht në një kompani lokomotivash në Berlin, e cila transportonte hebrenj në kampe koncentrimi. Ai gjithashtu gjeti gjenealogjinë e shkruar të nënës së tij, Hanës, e cila kishte vdekur para disa vitesh: Duke i shkuar pas gjurmëve të saj ai zbuloi se gati krejt familja e saj ishte vrarë në Gjermaninë e okupuar nga nazistët. Gjyshi i tij i kishte humbur të katër motrat gjatë luftës, dhe gjithsej 93 anëtarë të familjes.

“Pak di për këtë punë”, i tha Poelstra K2.0, duke kujtuar kohën e lumtur që prindërit e tij kishin kaluar bashkë, ndërsa e kaluara rrallëherë kishte qenë temë e bisedave familjare. “Vetëm imagjinojeni, dy vite pas përfundimit të luftës dhe pasi ke punuar për katër vjet në Gjermani, shoqërohesh me një vajzë hebreje; dhe mora vesh që gjyshes sime kurrë nuk i kishte pëlqyer babai im, kurrë nuk kishte qenë e lumtur me këtë punë. Gjyshja ime ishte e vetëdijshme, por natyrisht nuk kishin mbetur shumë anëtarë të familjes. Dhe puna është se kurrë nuk flisnin për këtë gjë”.

Një vit pas vdekjes së babait të Poelstras, Festivali Breda Photo i Amsterdamit e shpalli temën e atij viti, dhe ajo ishte ‘empatia.’ Kuratorëve të festivalit u pëlqeu rrëfimi i prindërve të Poelstras dhe i kërkuan ta bënte një rrëfim.

“E kisha rrëfimin, i kisha fotografitë, dokumentet dhe gjithçka [rreth prindërve të mi]. Por dëshiroja të bëja fotografi të reja”, tha ai. “[Mendova], ‘Nuk mund të kthehem mbrapa në kohë’ [dhe] intuita më bëri të flas për Kosovën sepse këtu familjet e Kosovës ende e kundërshtojnë njëra-tjetrën. Kur ndodhën vitet e 90-a në ish-Jugosllavi… Gjithmonë më shtangte fakti se si njerëzit janë miq dhe përnjëherë secili disi e humb veten. Kështu, gjeta shumë ngjashmëri [me situatën e familjes sime] këtu dhe prandaj erdha ta përfundoj projektin”.

Ekspozita e serisë së parë të fotografive të tij nga Kosova në Breda 2012, “Për Hanën, rrëfimet e ardhshme nga e kaluara”, u bënë pjesë e parë e një projekti më të madh; Poelstra më vonë u kthye në Kosovë për ta vazhduar dokumentimin e pasluftës në Kosovë.

Profesioni i fotografit

Karriera e Polestrës në fotografi ishte punë fati. Në vitin 2000 ai ra nga ballkoni i shtëpisë së tij dhe e theu shpinën në tri vende. Pas një karriere të gjatë e të llojllojshme si zhytës profesional, menaxher operacionesh në industrinë e naftës dhe të gazit, dhe më vonë në komunikime, procesi i rimëkëmbjes së Poelstras kërkonte që të tërhiqej nga ushtrimi i përditshëm i punës së tij të mëhershme.

Një ditë po e përcillte një dokumentar në lidhje me një fotograf të famshëm hindus, Raghu Rai, i cili e frymëzoi ta ndërronte rrugën dhe t’i rrekej fotografisë. “Më dukej e mrekullueshmne, mënyra se si punonte, dhe mendova se ndoshta edhe unë duhet ta bëja këtë punë”, tregon Poelstra. “Po atë ditë, pasdite, kërkova gjithçka që duhej në internet dhe u regjistrova në një kurs si provë, i cili do të zhvillohej pas tre muajsh, për të parë nëse isha i talentuar sa duhet. U ktheva në shkollë, e kjo nuk është punë e lehtë, sidomos kur je më në moshë”.

“Më thanë se kurrë më parë nuk kishin parë të kapej dhimbja në këtë mënyrë".

Në vitin 2005 diplomoi në nivelin baçellor në Akademinë e Fotografisë në Amsterdam me serinë e tij të parë të fotografive të Shërbimit Emergjent të Amsterdamit. Seria, e cila u shfaq nëpër shumë revista, u botua në një format libri më 2008 nga Schilt Publishing, bashkë me një ekspozitë personale në Galerinë Melkweg në Amsterdam.

“Besoj se gjithmonë të duhet [pak] fat”, tregon ai. “Në gjashtë muajt e fundit, për provime, arrita të udhëtoja me një veturë të emergjencës dhe në fund e bëra një projekt të [shërbimit të] emergjencës në Amsterdam dhe e shfrytëzova atë si temë të fundit për provime. Dhe kur e shfaqa në provime, një prej revistave më të mëdha në Holandë më kontaktoi të nesërmen dhe më tha, ‘Dëshirojmë t’i kemi këto fotografi në revistën tonë sepse kurrë më parë nuk kemi parë diçka të tillë”.

Poelstra udhëtoi 75 herë me veturë emergjence, në ndërrime tetëorëshe të ditës dhe të natës. Edhe pse stafi mjekësor i ndihmoi shumë gjatë rimëkëmbjes nga lëndimet e shpinës, pas disa vizitave ai vendosi ta fotografonte emergjencën përmes përvojave të pacientëve. Në fund të projektit, Artivat e Qytetit të Amsterdamit i blenë 18 fotografi. “Më thanë se kurrë nuk kishin parë të kapej dhimbja në këtë mënyrë”, tregon ai.

Për këto dhe fotografi të tjera dokumentuese bardhë e zi, Poelstra është fitues i katërfishtë i çmimit SIlver Camera (Kamera e Argjendtë) — çmimi holandez i gazetarisë për fotografinë dokumentuese.

Kthimi në Kosovë

Një pjesë të madhe të suksesit të tij Poelstra ia mvesh “fatit” që kishte pasur të punonte me një “ekip të mrekullueshëm” meqë një pjesë e madhe e punës së tij realizohet nëpërmjet kontributit të të tjerëve: ndihmësve, shkrimtarëve, historianëve, dizajnerëve e antropologëve.

“Unë punoj me shkencëtarë për të pasur sfond… për të marrë informata, të cilat gjithashtu duhet të jenë të sakta”, thotë Poelstra, duke iu referuar ekipit të tij, i cili ishte në proces të zbulimit të portretit të një të riu me një shall rreth qafe. “Ky është Nikolla, serb nga veriu i Mitrovicës i cili ka tumor në qafë si rezultat i uraniumit të varfëruar të përdorur gjatë bombardimeve të NATO-s”, shpjegon ai, duke shtuar se veriu i Mitrovicës ishte vendi i parë që vizitoi kur erdhi për herë të parë në Kosovë, në vitin 2012.

"Unë nuk e shikoj dikë dhe vendosi që ai person është shumë fotogjenik. Jo, e dëgjoj rrëfimin dhe pastaj mendoj, ‘Ky është rrëfimi i cili i shkon për shtati projektit tim, dhe tani më mbetet mua nëse ia dal ta bëj fotografinë”.

Edhe pse ai punon me një grup të madh njerëzish gjatë përgatitjes së ekspozitës, ai preferon të rrijë vetë gjatë hulumtimit. Poelstra nuk kërkon nga gazetarët vendorë apo ndihmës të tjerë t’i ndihmojnë të takojë njerëz apo të caktojë takime.

“Gazetarët e kryejnë punën e tyre, ndërsa unë e bëj punën time. Pra, unë punoj me njerëz siç është Erëblina [Elezaj] e cila më ndihmon shumë, e cila erdhi në prezantimin tim në Dit’ e Nat’ dhe e pashë që ajo dukej si dikush që mund të bëjë shumë gjëra” tha ai, duke folur për takimin e parë me gruan e re kosovare. “Dhe veç e pyeta, ‘Do ta pish një kafe me mua?’ dhe ajo sot e kësaj dite më ndihmon dhe kjo është mirë; dhe njerëzit të njoftojnë me njerëz tjerë, dhe kështu njerëzit ofrojnë ndihmë dhe arsyeja pse njerëzit ofrojnë ndihmë është sepse edhe ata dëshirojnë të ta tregojnë rrëfimin e tyre”.

Nga viti 2012 deri në vitin 2016 Poelstra ka qenë në Kosovë tetë herë; ndonjëherë ka qëndruar për dy muaj, duke vizituar qytete e  fshatra nga veriu në jug. Shkonte në ndonjë qytet të panjohur, fliste me njerëz të rëndomtë, dëgjonte përvojat e tyre, jetët dhe rrëfimet e tyre dhe gjente njerëz të cilët dëshironte t’i fotografonte.

majlinda-hoxha-willem-poelstra-for-hanna-future-stories-from-the-past-10-2016-2

“Mënyra si punoj unë është se unë nuk e shikoj dikë dhe vendosi që ai person është shumë fotogjenik. Jo, e dëgjoj rrëfimin dhe pastaj mendoj, ‘Ky është rrëfimi i cili i shkon për shtati projektit tim, dhe tani më mbetet mua nëse ia dal ta bëj fotografinë’”, thotë ai. “Pyetja e dytë do të ishte: ‘A mund ta fotografoj atë person?’ Kërkohet shumë guxim që ta lejosh dikë të të fotografojë”.

Në fund të projektit, Poelstra ia doli ta dokumentonte një rrëfim të dy personave që kishin luftuar së bashku në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, një çift nga martesa e përzier, persona me lëndime të përjetshme trupore si rezultat i luftës, familje të personave të zhdukur dhe persona të zhvendosur si rezultat i luftës si dhe marrëdhëniet e ndërrimit të fuqisë.

“Në thelb, secili, natyrisht, është viktimë”, thotë Poelstra. “Dhe mendoj se njerëzit [e rëndomtë] janë viktima, dhe e di situatën politike këtu, dhe nuk dua të futem në situatën politike — nuk më takon mua. Por dëshiroj të tregoj rrëfime të njerëzve. Dhe varet nga secili njeri se si i sheh ato”.

Ekspozita e Poelstras portretizonte një sërë përvojash të ndryshme, që janë pjesë e kujtesës kolektive të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës: Monumentet dhe simbolet shqiptare dhe serbe janë të bashkëvendosur me natyrën e zymtë, me varreza e rrugë.

majlinda-hoxha-willem-poelstra-for-hanna-future-stories-from-the-past-10-2016-3

Ai thekson se përdorimi i kontrasteve është pjesë e shprehjes artistike dhe jo synimi për t’i balansuar përvojat e të dyja palëve. “Mua më pëlqejne kontrastet dhe varet nga njerëzit… nëse ti e shikon një fotografi dhe unë e shikoj një fotografi, ti do ta kesh një konotacion tjetër”, thotë ai. “[Do të ketë] reagime të ndryshme sepse varet nga përvoja jote e jetës, nga historia jote”.

Si në rastin e prindërve të tij, Poelstra vërejti se njerëzit nuk flasin shumë për të kaluarën, për luftën dhe për traumat e luftës — përvojat e vështira shpeshherë fshehen diku thellë brenda rrethit familjar.

“Mendoj se është shumë vështirë… nuk po flitet për këtë punë”, tha ai. “Prandaj, unë besoj se nëse dëshiron të arrish deri te trauma jote, atë duhet ta ekspozosh, atë duhet ta diskutosh që të ecësh përpara”.

Poelstra planifikon ta themelojë një fondacion, për ta ruajtur punën e tij dhe për t’i ndihmuar fotografët, shkrimtarët e gazetarët të cilët dëshirojnë të merren me fotografi të ngadalshme apo me gazetari e cila kërkon ekip dhe hulutmim të mirëfilltë e afatgjatë. “Projektet [e këtilla] kushtojnë shumë e mediat nuk dëshirojnë të paguajnë, prandaj ato gjithmonë duhet t’i financosh me paratë tua, dhe për këtë arsye ia vlen të themelohet një fondacion dhe të zhvillohen projektet si ky i yni”, tha Poelstra.

Publiku i Poelstras shumë shpejt do të ketë mundësinë ta shohë librin i cili po përgatitet me të gjitha fotografitë të cilat ai i bëri në Kosovë, e të cilat nuk ishte në gjendje t’i shfaqte në ekspozitë.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO