Pikëpamje | Politika

Bërja e Kosovës: Pavarësia, legjitimiteti, ardhmëria

Nga - 16.02.2018

Arritjet e dekadës së fundit rrezikohen të zhbëhen nëse liderët politikë nuk i tejkalojnë ndasitë dhe nëse nuk u japin përparësi interesave shtetërore.

Më 17 shkurt, 2018, Kosova shënon 10-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së saj. Kosova ka shumë arsye për të festuar: Brenda dy dekadave, ajo ka kaluar nga lufta në paqe, nga një regjim autoritar në demokraci, nga një ekonomi socialiste në një ekonomi të tregut, nga administrimi ndërkombëtar në një shtetësi të mbikëqyrur, dhe Kosova tani gradualisht po integrohet në komunitetin europian dhe ndërkombëtar.

Pavarësisht shumë kufizimeve të brendshme dhe të jashtme, Kosova ka arritur t’i ndërtojë bazat e një shteti modern për më pak se dy dekada, duke u legjitimuar ndërkombëtarisht dhe duke fituar mbështetje për shtetësinë e saj të pavarur, duke siguruar njohje të shumta diplomatike dhe duke u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Por vendi ende nuk e ka konsoliduar plotësisht shtetësinë e pavarur dhe paqen e qëndrueshme, gjë që e vë shtetin më të ri në Europë para shumë udhëkryqeve për të ardhmen e tij.

Pavarësia dhe njohjet

Ndonëse Kosova ka dëshmuar se shtetësia e saj nuk është e varur nga njohja diplomatike, në praktikë njohja diplomatike ka luajtur rol të rëndësishëm për fuqizimin e sigurisë ontologjike të saj, si dhe për krijimin e bazës për konsolidim të mëtejmë brenda vendit dhe sovranitet ndërkombëtar. Kërkimi i njohjeve diplomatike dhe i anëtarësimit në organizata ndërkombëtare është rast i dalluar që ilustron fortësinë e shteteve të reja dhe aftësinë e tyre për të mbijetuar dhe për të lëvizur brenda strukturës së ngatërruar të rendit ekzistues ndërkombëtar, i cili nuk i mirëpret shtetet e reja. Deri në dhjetor të vitit 2017, Kosova u njoh nga 115 shtete sovrane, vendosi marrëdhënie diplomatike me 87 shtete, dhe u bë pjesë e mbi 50 organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.

Këto arritje nuk mund t’i atribuohen vetëm miqve të fuqishëm të Kosovës pa e pranuar rolin shumë të rëndësishëm që e ka luajtur diplomacia e Kosovës, e cila ishte e bazuar në diskurs sa i përket përpjekjeve për ta siguruar mbështetjen ndërkombëtare për shtetësinë e saj sovrane. Lidershipi politik i Kosovës ka kultivuar qëllimisht varësi strategjike ndaj botës perendimore për ta fituar mbështetjen dhe angazhimin politik për tranzicionin e Kosovës deri te shtetësia e plotë dhe njohja ndërkombëtare. Kyç për suksesin diplomatik të Kosovës ka qenë komplementariteti i përpjekjeve diplomatike të Kosovës i kombinuar me mbështetjen e partnerëve të saj ndërkombëtarë, dhe ngatërresat me faktorë të tjerë të situatave të ndryshme.

Për shumëkë në Perendim, Kosova është histori e suksesit, e krijimit të një shteti nga fillimi. Shtetësia e saj, për të cilën u luftua shumë, ishte zgjidhja e fundit pas shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut që u bënë nga Serbia. Njohja e gjerë diplomatike i është dhënë për të promovuar demokraci, paqe rajonale dhe bashkëjetesë ndërmjet etnive të ndryshme. Megijthatë, mbështetja e shteteve me ndikim nuk ka qenë krejtësisht e natyrës altruiste dhe pa prapavijë.

Ciklet e shpeshta zgjedhore dhe ngërçat e gjatë sa i përket formimit të qeverive rrjedhuan në humbjen e vrullit për sigurimin e njohjeve nga disa shtete të cilat ishin afër konfirmimit të njohjes së Kosovës.

Por, partnerët ndërkombëtar të Kosovës vazhdimisht e kanë kushtëzuar mbështetjen ndërkombëtare të tyre me koncesione politike, ekonomike dhe të sigurisë, në formë të reformave demokratike dhe institucionale, sundimit të ligjit, akomodimit të komuniteteve pakicë dhe zhvillimit ekonomik. Këtu përfshihen edhe elemente gjeopolitike. Pavarësia e Kosovës shpeshherë përmendet si zgjidhja më optimale për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan dhe zvogëlimin e nivelit të konflikteve në rajon.

Rruga e Kosovës drejt njohjes diplomatike dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare nuk është formësuar vetëm nga forcat e jashtme dhe botërore, por edhe nga angazhimet e brendshme, zhvillimet politike dhe ngjarjet formuese, të cilat në mënyra të ndryshme kanë shërbyer si faktorë mundësues apo parandalues. Pas pavarësisë, agjenda politike në Kosovë u dominua nga krizat e vazhdueshme brenda vendit, të cilat buronin nga konfliktet politike ndërmjet Qeverisë dhe opozitës që lidheshin me formimin e Qeverisë, nga rezistenca lokale ndaj dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga kushtëzimi dhe presioni i BE-së për reforma institucionale dhe nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe nga problemet socio-ekonomike si punësimi, migrimi dhe niveli i shtuar i ekstremizmit fetar.

Megjithatë, stabiliteti politik relativ që mbizotëroi në Kosovë nga viti 2008 deri në vitin 2014 korrespondoi me numrin më të madh të njohjeve, si dhe me progres të rëndësishëm sa i përket pranimit në shumë nisma rajonale dhe ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe, Kosova mes tjerash iu bashkua Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Sa më stabil që u bënë institucionet e Kosovës, aq më shumë burime dhe vëmendje iu kushtua fushatës për njohje diplomatike. Gjatë këtyre viteve, Kosova arriti të siguronte mesatarisht rreth 10 njohje në vit, si dhe t’i bashkohet dy apo tri organizatave ndërkombëtare.

Fatkeqësisht, pas vitit 2014, vonesat për formimin e Qeverisë dhe paralizimi i saj dhe i Kuvendit e ngadalësuan padashje diplomacinë proaktive të Kosovës, e cila më pas e ndaloi vrullin e mëparshëm të arritjes së njohjeve ndërkombëtare. Veçanërisht, ciklet e shpeshta zgjedhore dhe ngërçet e gjata sa i përket formimit të qeverive shkaktuan humbjen e vrullit për sigurimin e njohjeve nga disa shtete të cilat ishin afër konfirmimit të njohjes. Kështu, kundërshtarëve të Kosovës iu dha hapësirë për të ndjekur strategjitë e tyre kundër njohjes pa u sfiduar nga Kosova. Këto zhvillime vendore nuk i matën vetëm aftësitë e institucioneve të Kosovës për ta udhëhequr vendin pa ndërhyrje të jashtme, por edhe ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë te aftësitë e Kosovës për të dedikuar burime dhe vëmendje të mjaftueshme për procesin e njohjes.

Legjitimiteti

Aspirata për shtetësi të pavarur ka qenë një prej synimeve të mëdha politike që e ka bashkuar pjesën më të madhe të qytetarëve kosovarë, të cilët shpresuan se njohja e gjerë ndërkombëtare do të sillte siguri ontologjike dhe do ta reduktonte cënueshmërinë e Kosovës ndaj shfrytëzimit dhe diskriminimit të jashtëm, duke promovuar kështu vetëqeverisjen. Por deri sot, shtetësia e pavarur nuk i ka sjellë Kosovës hapësirën e merituar politike dhe infrastrukturën për vetëvendosje, qeverisje demokratike dhe mirëqenie ekonomike.

Deri sot, dobia e njohjes së gjerë të Kosovës ka qenë kryesisht simbolike. Ajo e ka përforcuar ndjesinë e përkatësisë së Kosovës brenda kombeve të pavarura. Ata individë të cilët janë në ballë të fushatës së njohjes siguruan edhe njohje personale gjatë përpjekjeve për të siguruar njohje për Kosovën. Kjo është përkthyer shpeshherë në legjitimitet vendor dhe pushtet politik.

Megjithatë, njohja diplomatike dhe anëtarësimi në organizata rajonale dhe ndërkombëtare nuk është përkthyer në shumë përfitime të prekshme politike dhe socio-ekonomike për qytetarët e Kosovës. Njohjet bilaterale nuk janë përkthyer automatikisht në anëtarësim në organizata ndërkombëtare si OKB, BE dhe NATO, apo anëtarësim në traktate multilaterale, të cilat janë kyçe për qasje në marrëveshje kolektive të sigurisë dhe për të përfituar nga shërbimet ligjore, financiare dhe logjistike.

Në ditë të sotit, paqja në Kosovë nuk është emancipuese, mënyra më e mirë për ta përshkruar është si paqe hibride negative.

Në rrafshin vendor, kohëve të fundit Kosova është kapur nga një spektër i pesimizmit. Është spektri i zhgënjimit, i shtyrë nga një paqe e pakontrollueshme, nga kapja e shtetit prej elitave etno-nacionaliste, nga polarizimi i shqiptarëve ndërmjet veti dhe acarimi i marrëdhënieve ndëretnike, nga imponimet e shumta ndërkombëtare, si dhe nga vazhdimësia e varfërisë, izolimit dhe pabarazisë.

Dy dekada të misioneve ndërkombëtare për ndërtim të një shteti që mundëson paqe, si dhe për ndërtim të paqes që lehtëson krijimin e një shteti, rezultuan në krijimin e një shteti që mbështetet në forca të jashtme dhe e kapluar nga shumë trashëgimi të pazgjidhura nga e kaluara. Sot, paqja në Kosovë nuk është emancipuese. Mënyra më e mirë për ta përshkruar atë është paqe hibride negative. Të dy misionet ndërkombëtare, UNMIK-u dhe ELUEX-i, si dhe elitat etno-nacionaliste, kanë dështuar sa i përket çlirimit të popullsisë vendore nga dhuna strukturore, dhe ofrimit të barazisë, drejtësisë, paanshmërisë, të drejtës për pjesëmarrje politike dhe të drejtës për vetëvendosje.

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë populli më i izoluar në Europë. Ata nuk mund të udhëtojnë në shtete që nuk e njohin pavarësinë apo pasaportën e Kosovës. Ndërsa për shkak të situatës së tmerrshme ekonomike që mbizotëron në Kosovë, dhe tendencës së qytetarëve të saj për të kërkuar punë jashtë vendit, pjesa më e madhe e shteteve imponojnë regjim të vizave për të gjitha format e udhëtimit, duke përfshirë këtu edhe turizmin. Kjo politikë imponohet në mënyrën më të dhimbshme nga Bashkimi Europian, fuqia më e afërt normative e Kosovës, e cila rrezikon ta dëmtojë ndikimin e vet te qytetarët e Kosovës.

E ardhmja e shtetit të Kosovës

Dhjetë vjet pas pavarësisë, shumëkush në Kosovë tani mendon se partnerët ndërkombëtarë e kanë lënë Kosovën në një fazë tranzicionale duke dështuar në përmbushjen e premtimit për ta ndihmuar Kosovën që ajo ta zë vendin e merituar brenda komunitetit demokratik ndërkombëtar. Një dekadë prej shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk ka arritur t’i sigurojë njohjet nga të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.

Rruga drejt legjitimimit ndërkombëtar nëpërmjet njohjeve individuale është e gjatë dhe kërkon ndërveprim me secilin shtet individualisht. Kjo konsumon shumë kohë dhe burime. Kjo çështje përkeqësohet nga zhvillimet në shtetet e largëta. Rritja e ekstremizmit të dhunshëm tejnacional, konfliktet e dhunshme në Siri dhe Irak, Pranvera Arabe, ndryshimi i papritur i regjimit në Tunis dhe jostabiliteti i brendshëm politik në shumë shtete të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, kanë ndikuar në mënyrë të dretjpërdrejtë te gjasat e Kosovës për njohje ndërkombëtare dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare nga këto rajone botërore.

Këto zhvillime globale e kanë tërhequr vëmendjen e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës nga procesi i njohjes, sepse ata janë detyruar të merren me kriza më urgjente. Në Europë, kriza financiare, migrimi dhe situata e refugjatëve, si dhe Brexit-i, e kanë reduktuar paksa presionin e institucioneve dhe shteteve anëtarë të BE-së ndaj Qipros, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës, që ato ta ndryshojnë qëndrimin e tyre në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Gjatë viteve të fundit, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës janë munduar ta inkurajojnë lidershipin e Kosovës të luajë një rol më proaktiv në procesin e kërkimit të njohjeve të reja diplomatike dhe sigurimit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Ky diskurs, i cili i jep pronësi diplomatike Kosovës, nuk është simptomë e pjekurisë diplomatike të Kosovës, por në fakt pasqyron tërheqjen strategjike të partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës nga përkushtimi dhe premtimet e tyre për ta integruar plotësisht Kosovën në komunitetin ndërkombëtar të shteteve të pavarura dhe sovrane.

Këtu Kosova duhet ta pranojë pjesën e saj të fajit. Për ta zhvilluar rolin e saj historik të konsolidimit shtetëror, diplomacia e Kosovës nuk duhet të jetë shtrirje e politikës së brendshme vendore, sepse kështu rrezikohet pozita ndërkombëtare e Kosovës nga sagat e pafundme të paralizës politike në vend, siç u dëshmua në katër vitet e fundit me përpjekjet e shumta për pushtet nga të gjitha partive politike në Kosovës. Kosova duhet ta ndërtojë një shërbim profesional dhe të pavarur të diplomatëve me një diplomaci normative që i kushtohet fuqizimit të pozitës së shtetit në arenën ndërkombëtare.

Ç’është e vërteta, perspektivat e Kosovës për bashkim me BE-në dhe NATO-n në të ardhmen e afërt janë të zymta për shkak të reformave gjithëpërfshirëse që kërkohen për ta arritur këtë qëllim, dhe për shkak të faktit se disa prej anëtarëve të këtyre organizatave ende nuk e kanë njohur Kosovën. Anëtarësimi në OKB vështirë se arrihet pa pëlqimin e Serbisë, Rusisë dhe Kinës, e këto të trija po bëhen gjithnjë e më të ashpra ndaj pushtetit gjithnjë e më të zbehur të SHBA-së dhe shteteve europiane.

Një zgjidhje e mundshme për shtetësinë e kontestuar të Kosovës është arritja e marrëveshjes me Serbinë si pjesë e udhëtimit të dy vendeve drejt integrimit në BE. Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, Kosovës me gjasë se do t’i bëhet presion ta zgjerojë autonominë për komunitetin serb të Kosovës, si shkëmbim për njohjen implicite të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, dhe lejimin e anëtarësimit të saj në OKB. Kjo do t’i jepte fund kërkimit njëdekadësh të Kosovës për njohje biletarale, por mund ta ekspozojë Kosovën ndaj shkëputjes së mundshme rekursive të komunitetit serb.

Strategjia e re e Komisionit Europian për zgjerim është sinjal premtues që marrëveshja e lidhur ligjërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (që i ngjan një traktati të paqes, miqësisë dhe normalizimit) mbetet parakushti kryesor për avancimin e dy shteteve në rrugët e tyre drejt integrimit në BE, siç është edhe prioritetizimi i pajtimit dhe i drejtësisë tranzicionale në procesin e integrimit europian të Ballkanit Perendimor. Ky integrim është thelbësor për paqe, stabilitet dhe mirëqenie në këtë rajon. Megjithatë, për të ndodhur kjo, institucionet ekzistuese politike në Kosovë duhet të ndryshojnë në mënyrë radikale dhe të heqin dorë nga kapja e dëmshme e shtetit dhe praktikat jodemokratike (si linçimi publik i zërave kritikë, korrupsioni, krimi i organizuar dhe sabotimi i kundërshtarëve politikë).

Nëse ky skenar nuk funksionon, Kosova do të jetë e obliguar ta vazhdojë qasjen e saj aktuale të kërkimit të integrimit gradual në sistemin ndërkombëtar, ose të kërkojë një ndryshim radikal të statusit të saj duke kërkuar bashkim funksional dhe të heshtur me mëmëdheun e saj, Shqipërinë. Një lëvizje e tille nuk pritet të ndodhë, por sikur të realizohet, mund të prodhojë ricaktimin e kufijve politikë dhe në probleme të mëtejme për Ballkanin.

E parë nga kjo perspektivë, çështja e statusit të Kosovës si shtet sovran nuk është mbyllur krejtësisht, dhe faza e ardhshme do të jetë përfundimtare. Ose do të arrihet, ose do të thyhet dëshira e Kosovës për t’u bërë shtet plotësisht i pavarur dhe sovran.

Kjo ese bazohet në librin e autorit: “Acting Like a State: Kosovo and the Everyday Making of Statehood” (Routledge, 2018)

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia Kosovo X