Në thelb | Zgjedhjet 2017 | Kulturë

Çështjet e mëdha zgjedhore: Kultura

Nga - 06.06.2017

Si të pasurohet jeta kulturore e Kosovës?

Vetëm edhe pesë ditë kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve, dhe emocionet janë në rritje e sipër. Megalomania dhe premtimet ambicioze mbizotërojnë në diskursin politik, ndërsa lajmet 24-orëshe kërcejnë nga intervista në intervistë, nga tema në temë.

Në këtë seri, K2.0 po e bën një hap prapa nga krejt ky muhabet. Duke shkruar për tema të ndryshme deri në zgjedhjet e 11 qershorit, po i mbulojmë disa çështje kryesore me të cilat ballafaqohet sot, dhe po i paraqesim disa prej zgjidhjeve të cilat i ofron secila prej pesë partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend gjatë mandatit të kaluar parlamentar; programet e tyre, manifestot e tyre dhe politikat e tyre.

Skena kulturore e Kosovës ka ndihmuar në përfaqësimin e vendit në aspektin pozitiv në mbarë globin, dhe përfaqësuesit e kësaj skene kanë marrë edhe shpërblime ndërkombëtare në fushën e artit. Megjithatë, këto suksese shpesh ndodhën jo falë mbështetjes së shtetit.

Paradoksi mbase më së miri mund të shprehet me botën e Operës. Viteve të fundit, solistët si Ramë Lahaj dhe Elbenita Kajtazi kanë performuar në disa prej vendeve më të shquara në mbarë botën, duke përfshirë Royal Albert Hall në Londër,  Deutsche Oper në Berlin, si dhe në Operën Kombëtare të Parisit. Por në Kosovë ende nuk ka ndonjë vend për t’i parë këto yje duke performuar.

Qysh nga viti 2006 ishte ndarë  një lokacion ngjitur me Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, ku pritej të ndërtohej Salla e Operës dhe e Baletit. Një projekt njëmilionësh i gërmimit nisi në këtë vend në vitin 2010, por që atëherë aty ka mbetur vetëm një gropë e hapur, ndërsa këngës po ia kris vetëm një kor bretkocash.

Sa i përket financimit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) shpesh ishte lënë në hije kur bëhej fjalë për ndarje të buxhetit të shtetit. Në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, vetëm 1,05 përqind e buxhetit të shtetit u ndanë për këtë ministri.  Sivjet, kjo shifër arriti maksimumin prej 2,34 përqind, megjithëse Departamenti i Kulturës mori më pak se 8 milionë euro, nga totali i buxhetit prej 33,5 mililonë eurove. Që nga viti 2012, për Departamentin e Sportit është ndarë rreth 50 përqind e buxhetit të kësaj ministrie, derisa departamenteve të Trashëgimisë Kulturore, Rinisë dhe Kulturës u është lënë pjesa e mbetur.

Drejtuesit e kësaj ministrie gjithashtu kanë lënë shumë për të dëshiruar. Dy prej ish-ministrave u përballen me hetime nga ana e Prokurorit të Shtetit në lidhje me dyshimet për keqpërdorimin e pozitës. Ministrat gjithashtu janë kritikuar nga pjesëtarët e komunitetit artistik, të cilët janë ankuar për shpërfillje dhe emërime politike nëpër institucione kulturore dhe për më tepër nuk linin përshtypjen se ishim fort të interesuar në kulturë. Zëvendësministri i Kulturës gjatë mandatit të kaluar parlamentar, Rexhep Hoti, dukej se nuk e dinte se kush ishte artisti Sislej Xhafa, përkundër pjesëmarrjes së tij në edicionin e sivjetëm të Bienales së Venedikut, të mbështetur nga kjo ministri.

Një Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila funksionon mirë është e rëndësisë kyçe për vendin, dhe efektet e telasheve të saj mund të shtrihen shumë më shumë sesa që besohet. Një studim i fundit nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë e ka parë rolin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si thelbësor për parandalimin e ekstremizmit fetar në vend, dhe ka identifikuar përmirësimin e palestrave sportive dhe objekteve kulturore si hap kyç në këtë drejtim.

Angazhimi në përmirësimin e trashëgimisë kulturore është gjithashtu një fushë e cila mbetet mjaft shqetësuese. Pasi u refuzua aplikimi i Kosovës për anëtarësim në UNESCO, shoqëria civile theksoi se ky dështim ndodhi pjesërisht për shkak se institucionet e Kosovës ende janë të dobëta për ta mbrojtur trashëgiminë kulturore, dhe i ka bërë thirrje qeverisë që atë ta bëjë prioritet kombëtar. Rezultatet e kësaj mund të jenë edhe më katastrofale sesa vetëm dështimi për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare.  Vitin që shkoi, një vajzë trevjeçare, Xheneta Gashi, u mbyt në Prizren kur kulmi i një shtëpie nga zona historike e Prizrenit, u shemb pas një shiu të rrëmbyeshëm, dhe e zuri vajzën.

Çka mund të bëjë shteti për të siguruar jetë më të pasur kulturore për qytetarët e vet, duke i ruajtur njëkohësisht artefaktet kulturore të cilat i kanë lënë trashëgimi brezat e shkuar? K2.0 ka analizuar programet politike të pesë partive që ishin përfaqësuar në mandatin e kaluar parlamentar, dhe i ka kontaktuar anëtarët e tyre, për të mësuar më shumë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

PDK-ja e ka udhëhequr Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjatë mandatit qeverisës 2011-2014, me Memli Krasniqin si ministër. Gjatë kësaj kohe, PDK-ja i ka fokusuar politikat për arritjen e asaj që ata e përshkruajnë në programin e tyre “Misioni i Ri” të vitit 2014, si “diplomaci kulturore” e që nënkupton dërgimin e artistëve të ndryshëm nëpër ngjarje kulturore në mbarë Europën.

Artistët u financuan përmes Departamentit të Kulturës, buxheti i të cilit u rrit gjatë mandatit të Krasniqit nga 4 milionë euro ( në vitin 2011) në 6,3 milionë euro (në vitin 2014). Megjithatë, ky Departament nuk ishte gjithmonë përfituesi kryesor i rritjes së konsiderueshme të buxhetit të kësaj ministrie.  Gjatë vitit 2012 dhe 2013 Departamenti i Kulturës mori shumë më pak buxhet se sporti.

Gjatë fushatës parazgjedhore të vitit 2014, PDK-ja premtoi se do ta dyfishonte buxhetin e kësaj ministrie, duke parashikuar një rritje që tejkalon 40 milionë euro si pjesë e Misionit të Ri. PDK-ja hyri në koalicion me LDK-në gjatë mandatit paraprak parlamentar, dhe partnerët e tyre të koalicionit drejtuan ministrinë gjatë gjithë kohës. Edhe pse buxheti i kësaj ministrie arriti shumën prej rreth 33,5 milionë eurove në vitin 2017, synimi i PDK-së që kjo shumë të jetë më e madhe se 40 milionë euro nuk u arrit.

K2.0 e kontaktoi Krasniqin dhe e pyeti se si do të ndahej buxheti për kulturën nëse PDK-ja vjen në krye të qeverisë së ardhshme. Edhe pse Krasniqi na lajmëroi se i kishte pranuar pyetjet, ai megjithatë tha se nuk do të jetë në gjendje të përgjigjej në këtë kohë zgjedhjesh.

Koalicioni i kaluar qeveritar ndërmjet LDK-së dhe PDK-së ishte kritikuar ashpër për shkak të politizimit të institucioneve kulturore. Në vitin 2014 Valdet Avdiu u bë drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ky emërim shkaktoi reagime të ashpra të komunitetit artistik në Kosovë, për shkak të lidhjeve të Avdiut me udhëheqësinë e PDK-së. K2.0 e pyeti zëvendësiministrin e kulturës, rinisë dhe sportit të mandatit të kaluar qeveritar, dhe kandidatin për deputet nga radhët e PDK-së, Rexhep Hoti, se si do të sigurohet partia e tij që emërimet nëpër institucionet kulturore të jenë të pavarura nga politika, por nuk mori kurrfarë përgjigje.

Programi i Misionit të Ri gjithashtu prioretizonte ndërtimin e një muzeu të artit bashkëkohor, renovimin e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e Teatrit të Operës dhe të Baletit, premtime të cilat po përsëriten edhe në dokumentet e PDK-së për zgjedhjet e 11-qershorit të gërshetuara në “Fillimin e Ri”.

Administrata e PDK-së gjatë periudhës 2011-2014 nuk arriti ta ndërtonte Teatrin e Operës dhe të Baletit për shkak të mungesës së fondeve, dhe në dokumentet e sivjetme të kësaj partie mungojnë informatat se nga do të nxirren këto fonde. K2.0 e pyeti Hotin në lidhje me planet konkrete të PDK-së për ta bërë realitet Teatrin e Operës dhe të Baletit gjatë këtij mandati, por nuk mori kurrfarë përgjigje. PDK-ja gjithashtu refuzoi të marrë pjesë në debatin për politika kulturore të organizuar nga kallxo.com.

Platforma “Fillimi i Ri” gjithashtu premton themelimin e “Muzeut të Paqes” dhe të “Muzeut të Luftës Çlirimtare të Kosovës”. Megjithatë, PDK-ja nuk ka përmendur asnjë detaj se si do t’i bëjë këto projekte financiarisht të realizueshme. Platforma gjithashtu parasheh disa politika sa i përket trashëgimisë kulturore, duke përfshirë edhe themelimin e një inspektorati të ri dhe rritjen e buxhetit për restaurime dhe gërmime arkeologjike.

Megjithatë, praktika e kësaj partie në qeverisjen komunale nuk ka dëshmuar shumë sukses sa i përket restarutimit. PDK-ja e udhëheq komunën e Prizrenit, me Ramadan Mujën në krye të saj. Pjesëtarët e shoqërisë civile, duke përfshirë edhe ata që janë të përfshirë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si Hajrulla Çeku nga OJQ-ja ‘Ec Ma Ndryshe’ kanë kërkuar  dorëheqjen e Mujës për shkak të “degradimit” të qytetit, të cilit PDK-ja i është referuar si “Jerusalemi i saj”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka udhëhequr Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për plot 14 vite që e pas-luftës në Kosovë e cila përfundoi në vitin 1999. Gjashtë ministra nga radhët e LDK-se e kishin udhëhequr MKRS-në. Shkëputja e vetme prej këtij dikasteri LDK-së iu bë vetëm në vitin 2011-14.  

Nga gjashtë ministrat që kishte LDK, dy prej tyre – Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri ishin përballur me aktakuzë nga Prokuroria e shtetit për shpërdorim detyre. Megjithatë javën e kaluar, Gjykata e Apelit i kishte liruar të dy, ani pse ishin shpallur fajtor, meqë e kishte aprovuar kërkesën e avokatëve të tyre për shkak të parashkrimit [kalimit të afatit ligjor] të aktakuzës ndaj ish- ministrave.

Sidoqoftë, LDK vazhdoi të ketë MKRS-në edhe pas këtyre ministrave.  Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në  Prill 2010- Tetor 2010 ishte Lutfi Haziri. Derisa së fundi në periudhën 2014-2017, Ministër i Kulturës ishte Kujtim Shala po ashtu nga LDK. Shala ishte kritikuar nga përfaqësues të pavarur të festivaleve të ndryshe, si Ilir Bajri drejtor i Jazz Festival Prishtina, për mospërkrahje të artistëve të pavarur.

K2.0 ka kontaktuar ministrin në largim të Kulturës, Kujtim Shala pë ta pyetur atë për planet e LDK-së për investimet në fushën e kulturës, se a ka plan konkret për ndërtimin e objektit të shumëpremtuar të Operas, e shumë pyetje tjera. Por Shala nuk u përgjigj. Disa përgjigje rreth investimeve të LDK-së në Kulturë, megjithatë i ka dhënë të hënën mbrëma në një debat zgjedhor në “Jeta në Kosovë”, Faton Peci kandidat i LDK-së për deputet në zgjedhjet e sivjetme.

Peci ka akuzuar komunën e Prishtinës se nuk e ka ndarë lokacionin për Operën vetëm pse MKRS ka kërkuar që emri i  saj të jetë “Ibrahim Rugova”. Kjo  u kontestua nga anëtarët e Vetëvendosjës në debat, që thanë se asnjëherë nuk është dërguar një kërkesë e tillë e protokolluar në komunën e Prishtinës.

Megjithatë K2.0 e ka siguruar programin qverisës që LDK e ka përpiluar së bashku me partnerët e koalicionit parazgjedhor Aleancën Kosova e Re (AKR) si dhe Alternativën. Krejt në fund të atij programi, ofrohen shtatë premtime për kulturë në kuadër të kapitullt që flet për “Kulturë, Rini dhe Sport”. Aty thuhet se “Mirëqeverisja (koncepti europian i qeverisjes në kulturë)”, pa shpjegime tutje çka nënkuptohet  me këtë. Tutje në program përmendën “ndryshimet strukturore në kulturë, ruajtja, kultivimi dhe promovimi i kulturës nacionale, legjislacioni dhe mënyra e financimit, integrimi i kulturës në rrjetin e kulturës europiane”.  Po ashtu premtohet “rritja e vazhdueshme e buxhetit të institucioneve publike të kulturës, kinematografisë dhe veprimtarive botuese; mbështetje financiare për renovimin e objekteve të artit dhe kulturës nëpër komuna. K2.0 pyeti ish-ministrin e LDK-së sa e kanë në plan të investojnë në kulturë por nuk mori përgjigje.

Megjithatë, Peci gjatë debatit ndër tjera ka thënë se gjatë qeverisjes së LDK-së është arritur që  vetëm në vitin 2017 të rritet buxheti nga 19 milionë në 33 milionë, apo 65 për qind të buxhetit të MKRS-së, për Kulturën. Derisa nga 1.9 milionë euro për trashëgimi kulturore, ai tha se kanë arritur një buxhet prej 5 milionë.

Në programin qeverisës premtohet themelimi i Muzeut Arekologjik. Peci po ashtu ka premtuar se LDK do të vazhdojë edhe me investime në infrastrukturë fizike edhe nëpër objekte kulturore nëpër komuna edhe në qendër. Si dhe tha që veç ka filluar ndërtimi i Muzeut të Arteve të Natyrës, në Fushë Kosovë. “Në trashëgimi kulturore do të rrisimim buxhetin për konservimin e objekteve kulturore”, ka thënë Peci duke shtuar tutje se sërish do të aplikojnë për anëtarësim në UNSECO.

Partia e tij ka premtuar edhe themelimin e Muzeut Etnologjik, ani ose ai ekziston qysh prej korrikut të vitit 2006 në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, kështu që K2.0 e ka pyetur ministrin në largim, Shala se çka nënkuptojnë me themelimin e tij, por ka ngelur pa përgjigje.

Vetëvendosje (VV)

Saranda Bogujevci, ish-drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në komunën e Prishtinës dhe kandidate e Vetëvendosjes për deputete, i tha K2.0 se prioriteti i parë i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e Vetëvendosjes do të jetë ndërtimi i Teatrit të Operës dhe të Baletit. Kjo politikë gjithashtu u theksua në ’40 prioritetet e qeverisë së Vetëvendosjes’ të prezentuar nga Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti muajin e kaluar.

“Ne synojmë ta përfundojmë dizajnin e ndërtesës dhe ta caktojmë lokacionin për ndërtimin e Teatrit të Operës në vitin e parë, si dhe ndarjen e fondeve për këtë projekt” i tha Bogujevci K2.0. Premtimi duket se lë të kuptohet se Vetëvendosja do të hiqte dorë nga puna që është bërë për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe të Baletit nga administratat e kaluara, dhe do ta riformësonte projektin, duke filluar nga zeroja.

Sipas programit të Alternativës Qeverisëse të Vetëvendosjes të vitit 2013, njerëzit të moshave të ndryshme anembanë Kosovës duhet të kenë qasje të lehtë dhe të barabartë në përvoja artistike dhe kulturore, dhe atyre duhet t’u jepet mundësia të shprehen përmes artit dhe kulturës.

Për ta arritur këtë, Bogujevci i tha K2.0 se qeveria e Vetëvendosjes do të punonte ngushtë me komunat për projektet të cilat mbështesin kulturën. Ajo theksoi se kjo do të realizohej përmes projekteve infrastrukturore siç është: renovimi i qendrave kulturore, investimi në kinema publike, funksionalizimi i teatrove që janë dëmtuar, investimet e rregullta në biblioteka dhe fondet për libra, si dhe ndërtimi i hapësirave rekreative për artistët e rinj. Ajo shtoi se Vetëvendosja gjithashtu do t’i shfrytëzonte pronat e pashfrytëzuara publike dhe t’i shndërronte ato në hapësira kreative me financim të kombinuar nga buxheti i ministrisë dhe ai i komunave, si dhe nga donacionet e ndryshme.

Megjithatë, Departamenti i Kulturës i komunës së Prishtinës i udhëhequr nga Vetëvendosja shpesh është kritikuar nga komuniteti artistik dhe nga partitë e tjera politike për shkak të mosveprimit të tyre për t’i shtyrë investimet kapitale, si dhe për alokim të buxhetit dhe për mungesën e një strategjie për jetën kulturore në kryeqytet. Departamenti i Kulturës është udhëhequr nga tre drejtorë të ndryshëm brenda katër viteve, ndërsa Bogujevci ishte e dyta.

Alternativa Qeverisëse e Vetëvendosjes gjithashtu parasheh themelimin e Agjencisë Kombëtare për Zhvillimin e Artit e cila do të krijonte një fond për aktivitete artistike dhe për zhvillimin e artistëve të rinj. Sipas platformës, ky fond nuk do të subvencionohej nga Ministria e Kulturës. Duke shpjeguar se si do të financohej, Bogujevci përmendi fonde nga donacionet ndërkombëtare, filantropët si dhe nga kapacitetet buxhetuese të Kosovës të cilat, sipas saj, deri më tani janë shfrytëzuar vetëm për t’i dhënë “mbështetje të veçantë” disa projekteve të përzgjedhura.

Sa i përket buxhetit, Bogujevci theksoi se Vetëvendosja planifikon të rritë mbështetjen për kulturë, dhe fondet do të çliroheshin duke shpenzuar më pak në “projektet kapitale”, siç janë autostradat. Për Departamentin e Trashëgimisë Kulturore, Bogujevci bëri premtim specifik se buxheti do të rritej 100 përqind gjatë vitit të parë të qeverisjes.

Ajo tutje theksoi se partia do ta përmirësonte kornizën ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, duke shfrytëzuar udhërrëfyes të Kartës së Venedikut të vitit 1964, e cila ofron këshilla ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Kjo parti gjithashtu parasheh krijimin e një organi të ri në kuadër të Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, për hartimin dhe zbatimin e politikave menaxhuese për Vendet e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës në kuadër të UNESCO-s, si dhe përgatitjen e aplikacioneve të reja për t’u futur në këtë listë, duke përfshirë edhe Qendrën Historike të Prizrenit.

Një politikë tjetër e Vetëvendosjes për trashëgimi kulturore përfshin kthimin e artefakteve të trashëgimisë kulturore nga Serbia, si dhe arkivin i cili dokumenton trashëgiminë kulturore të Kosovës, megjithëse partia nuk ka përmendur se si do të arrihet kjo. Bogujevci theksoi se partia e saj gjithashtu synon t’ua heqë të drejtat komuniteteve fetare për menaxhimin e vendeve të trashëgimisë kulturore, megjithëse specifikat se kë do ta përfshinte kjo nuk janë përmendur.

Bogujevci gjithashtu theksoi synimin e partisë për të aplikuar në UNESCO për të përfituar më shumë të drejta të trashëgimisë, si dhe për ta bartur statusin e UNESCO-s  “Monumentet Mesjetare në Kosovë” (i cili përfshinë katër objekte ortodokse serbe), të regjistrohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Në programin politik 15 faqesh të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk ka asnjë hap konkret apo projekt me të cilin trajtohet fusha e kulturës në vend. Edhe deklarimet publike të anëtarëve të AAK-së sa i përket kulturës, janë të pakta.

K2.0 ka kontaktuar me zyrën për media të AAK-së dhe me deputeten në largim Teuta Hoxha, të cilës i janë drejtuar pyetje në lidhje me atë se si do të trajtohet kultura nga ky subjekt. Se cilat janë institucionet kulturore që AAK parasheh t’i përkrahë dhe t’i ketë në fokus gjatë qeverisjes së saj; cili duhet të jetë buxheti për kulturë,  pyetje rreth ndërtimit të sallës së Operës dhe Baletit, depolitizimin e institucioneve kulturore si dhe iniciativat e AAK-së rreth trashëgimisë kulturore. Por nuk ka marrë përgjigje.

Arbër Vllahiu, prurja më e re e AAK-së megjithatë ishte pjesë e debatit ‘‘Debat Pernime’’, ku diskutoheshin projektet e partive politike për kulturën. Vllahiu, tha se Kosova si shtet ka shumë ngecje dhe një ndër ngecjet më të mëdha janë shënuar edhe në fushën e kulturës. Ai potencoi se buxheti për kulturën është i ulët dhe si i tillë është i pamjaftueshëm që të mbulojë nevojat që ka kjo fushë, duke përmendur ndërtimin e stadiumeve, pastaj hapësirave kulturore për rininë, teatrot, ansambletë kulturore,  e trashëgiminë kulturore. Mirëpo, Vllahiu nuk dha shifër se sa duhet të jetë buxheti për kulturën dhe cilat, sipas partisë së tij, janë hapat që duhej ndërmarrë që këto ‘‘nevoja’’ të përmbusheshin.       

Një nga problemet tjera që u diskutua në debatin ku ishte prezent Vllahiu ishte edhe shfrytëzimi i hapësirave publike të artit vetëm nga institucionet publike dhe monopolizimi i këtyre hapësirave. Në lidhje me këto, Vllahiu tha se rëndësishme është që të bëhet depolitizim i të gjitha institucioneve kulturore dhe se ‘‘duhet të shfrytëzohet potenciali i të rinjve që do ta ndihmojnë kulturën dhe artin në përgjithësi’’.  

Më tej, në lidhje me trashëgiminë kulturore dhe në pyetjen se cilat janë projektet konkrete të AAK-së për ruajtjen e kësaj trashëgimie, Vllahiu tha se të gjitha objektet që i takojnë trashëgimisë kulturore duhet të rinovohen, të konservohen, e të ruhen,  sepse deri më tash, këto objekte kanë mbet të patrajtuara dhe janë edhe duke u rrënuar.    

Mirëpo, gjatë vitit 2012, kur AAK-ja qeveriste me komunën e Gjakovës me kryetar komune Pal Lekaj në ‘‘Çarshinë e Vjetër’’ – e cila ishte pjesë listës së trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme – ishin  bërë intervenime riparuese që kishin sjellë reagime nga shoqëria civile dhe nga ministria e kulturës e asaj kohe që ndërhyrjen  e kishte cilësuar si ‘‘ndërhyrje shumë e rëndë në trashëgimin kulturore’’. Kubëzat e kalldrëmit ishin larguar duke u zëvendësuar me material, të quajtur ‘’rasa të Gllarevës’’. Ky intervenim ishte konsideruar si ndërhyrje dhe ndryshim i drejtpërdrejtë në identitetin e Çarshisë së Vjetër. Atë kohë, Komuna e Gjakovës kishte reaguar duke thënë se kalldrëmët e çarshisë ishin larguar përkohësisht dhe se po ruheshin në një vend ‘‘të sigurt’’ dhe se ato do të përdoreshin për intervenim në rrugë dytësore të Çarshisë. Më vonë ishte zbuluar vendndodhja e kubëzave të kalldrëmit, ato ishin hedhur në skajin e një përroi në Gjakovë. Ministria e Kulturës nën arsyetimin se kjo është një ndërhyrje që dëmton trashëgimin kulturore kishte urdhëruar ndalimin e ndërhyrjeve në Çarshinë e Vjetër dhe kishte urdhëruar që të kthehen kubëzat e kalldrëmit.

Nisma për Kosovën

Në programin politik të Nisma për Kosovën, termi “kulturë” përdoret vetëm në disa raste dhe atë në konotacione si: ‘‘gënjeshtra është bërë kulturë politike’’, apo shprehjet si “ligjin e bëjnë të pakulturuarit’’, apo shprehjet si ‘’meset e varfra të jetës sonë kulturore’’.  Vizioni i vetëm i Nismas sa i përket fushës së kulturës ndërkaq ngërthehet në këtë shprehje: ‘‘Para kësaj, vizioni ynë është për një ekonomi, tregti, arsim, kulturë, shëndetësi e turizëm pa kufi në gjithë hapësirën tonë kombëtare’’.

Edhe në prononcime publike pjesëtarë të Nisma-s nuk kanë dhënë detaje apo deklarata se si e shohin fushën e kulturës në vend.

Në debatin e Kallxo.com, të quajtur ‘‘Debat Pernime’’, e ku diskutohej për kulturën, Nisma për Kosovën, si përfaqësues të saj kishte Sunaj Raçaj. Ai tha se edhe pse buxheti i Ministrisë së Kulturës është rritur për 65 përqind kjo nuk është vërejtur aspak në jetën kulturore në vend, sidomos prej komunitetit të artistëve, ku bën pjesë edhe vet ai. Mirëpo, ai nuk dha detaje ose shifër konkrete rreth asaj se sa e parasheh buxhetin për Ministrin e Kulturës partia që përfaqëson.   

Më tej, Raçaj duke potencuar jetën dhe problemet e shumta që kanë krijuesit në vend, tha se futja e tij në politik – nga profesioni i aktorit që kishte – është që të ‘‘depolitizoj kulturën duke u fut vet në politikë’’. Sipas tij, ky është një nga problemet thelbësore që ka kultura në vend, dhe mbetet një prej prioriteteve të partisë së tij për zgjidhje. Ai përmendi borde të institucioneve të kulturës, që sipas tij janë të politizuara por nuk dha ide se si do të depolitizohen ato borde dhe cilat janë ato mekanizma që Nisma për Kosovën i parasheh për të arritur diçka të tillë. E gjitha që tha ai, ishte se ‘‘ka ardhur koha që ne krijuesit të gjejmë mundësitë, e nëpër mjet partive politike që japin hapësirë,  të ndryshohet gjendja e kulturës dhe e institucioneve kulturore’’.    

I pyetur më tej si cilat mund të jenë mekanizmat e pavarura me të cilat duhet të bashkëpunojë Ministria e Kulturës dhe t’i mbështesë për zgjidhjen e problemeve të kësaj fushe, Raçaj tha se ‘‘ka iniciativa, shoqata e organizata që duhet të përkrahën’’, si dhe insistoi se rëndësishme është që personat që udhëheqin këtë sektorë duhet të jenë profesionistë dhe jo siç ka qenë deri më sot.K

Për më shumë informata rreth asaj se si qëndrojnë partitë politike, ndiqni videon e K2.0 për ideologjinë, dhe lexoni artikujt e kaluar për çështjet zgjedhore, duke përfshirë punësimin, arsimin, ushtrinë, barazinë gjinore,shëndetësinë, sportin dhe të drejtat e personave LGBTI.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO