Në thelb | Shëndetësia

Çështjet e mëdha zgjedhore: Shëndetësia

Nga - 31.05.2017

Si të mbulohen shpenzimet e kujdesit shëndetësor.

Vetëm edhe 12 ditë kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve, dhe emocionet janë në rritje e sipër. Megalomania dhe premtimet ambicioze mbizotërojnë në diskursin politik, ndërsa lajmet 24-orëshe kërcejnë nga intervista në intervistë, nga tema në temë.

Në këtë seri, K2.0 po e bën një hap prapa nga krejt ky muhabet. Duke shkruar për tema të ndryshme deri në zgjedhjet e 11 qershorit, po i mbulojmë disa çështje kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova sot, dhe po i paraqesim disa prej zgjidhjeve të cilat i ofron secila prej pesë partive politike shqiptare, të përfaqësuara në Kuvend gjatë mandatit të kaluar parlamentar; programet, manifestot, politikat e tyre.

Gjendja e sistemit shëndetësor në Kosovë ka qenë brengë shumëvjeçare që nga përfundimi i luftës më 1999. Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, së fundi e ka përshkruar sektorin shëndetësor publik se është buzë greminës, për shkak të neglizhencës së qeverisë. Sektori privat duket të jetë në pozitë më të mirë, por ai është shumë i kushtueshëm për shumë qytetarë kosovarë dhe ka pasur edhe rritje të madhe të shpenzimit të parasë pubilke për trajtimin e pacientëve kosovarë jashtë vendit.

Në prill të vitit 2014, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin për Sigurime Shëndetësore, i cili u përpilua nga një grup punues i formuar nga Ferid Agani i Partisë së Drejtësisë, i cili ishte partner qeverisës i PDK-së dhe Ministër i Shëndetësisë. Ky ligj fitoi mbështetjen e shumë partive, me 80 vota në favor dhe asnjë votë kundër në Kuvend. Ligji parashishte krijimin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor nga i cili qytetarët do të mund t’i mbulonin shpenzimet e kujdesit shëndetësor publik apo privat. Fondi do të financohej nga premiumet që mblidhen nga rrogat e punëtorëve, me nga 3.5 përqind nga punëdhënësi dhe i punësuari (7 për qind gjithsejt), megjithëse një numër grupesh janë të përjashtuara nga kjo pagesë.

Për të filluar me këto pagesa, duhej plotësuar shumë kritere, duke përfshirë edhe krijimin e një Sistemi Elektronik të Informatave sa i përket historive mjekësore të pacientëve. Pagesat e bëra në këtë fond pritej të fillonin në janar të vitit 2017, megjithëse ky afat u shtye deri në korrik të vitit 2017 për shkak të kërkesave që ende nuk ishin plotësuar. Duke marrë parasysh caktimin e këtyre zgjedhjeve të parakohshme, edhe korriku i vitit 2017 duket si datë vështirë e realizueshme, ndërsa nuk ka sinjal të qartë se kur kosovarët mund të presin të paguajnë, dhe të përfitojnë nga ky Fond.

Ligji për Sigurime Shëndetësore nuk është pa kritika, dhe jo vetëm për shkak të moszbatimit të tij deri më sot. Disa zëra gjithashtu e shohin këtë ligj si forcim të sektorit privat, e në dëm të sektorit publik. Për shkak se çmimorja e shërbimeve që mund të ofroheshin kishte rezultuar të jetë më e lirë për sektorin privat se atë publik, si dhe për shkak kualitetit të shërbimeve.

K2.0 iu është qasur secilës prej pesë partive më të mëdha politike për t’i zbuluar qëndrimet e tyre në lidhje me këtë ligj, dhe në lidhje me mënyrën se si planifikojnë t’i japin fund ngecjes së deritanishme.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

PDK-ja ishte në pushtet kur Ligji për Sigurime Shëndetësore u miratua në prill të vitit 2014. Programi i tyre, “Misioni i Ri 2014-18”, përmbante detaje që janë të përfshira në ligjin aktual, duke përfshirë edhe normat e pagesave që u bënë pjesë e legjislacionit.

Gjatë mandatit të kaluar parlamentar, PDK-ja qeverisi së bashku me partnerin e saj të koalicionit, LDK-në, të cilët bashkërisht dështuan t’i implementonin kërkesat të parapara në ligj në mënyrë që të funksionalizohet Fondi. Më 29 maj, deputeti i PDK-së në mandatin e fundit parlamentar, Besim Beqaj, mori pjesë në një debat televiziv në Klan Kosova, gjatë së cilit deklaroi se ishte e pakuptueshme që Ligji për Sigurime Shëndetësore nuk po implementohej. Për këtë dështim, Beqaj e fajësonte partnerin e koalicionit, LDK-në, përfaqësuesit e së cilës e drejtonin Ministrinë e Shëndetësisë.

K2.0 e kontaktoi koordinatorin për shtyp të #Fillimit të ri , Blerand Stavilecin, dhe e pyeti për muajin e saktë kur sistemi i sigurimeve do të bëhej funksional nëse PDK-ja i fitonte zgjedhjet por nuk mori kurrfarë përgjigje. Megjithatë, Beqaj ishte shumë i zëshëm në lidhje me këtë çështje, duke premtuar se qeveria e PDK-së do ta funksionalizonte skemën që në muajin e parë të qeverisjes, duke shtuar se krijimi i Sistemit të Informatave ishte prioritet i partisë.

Sipas Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale nga radhët e LDK (partnerit qeverisës të PDK-së në mandatin që shkoi), Arban Abrashi, ky sistem i të dhënave aktualisht është funksional 30 përqind, derisa Abrashi pret që 70-përqindëshi i mbetur të përgatitet gjatë pjesës së mbetur të vitit.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, nuk bëri shumë për t’i zbutur shqetësimet se nga Ligji për Sigurime Shëndetësore më shumë do të përfitonte sektori privat sesa ai publik, kur zhvilloi një fushatë duke u paraqitur në një spital privat. K2.0 e kontaktoi PDK-në për t’i pyetur se a do të përdorej sistemi i sigurimit shëndetësor për ta fuqizuar sektorin privat, por nuk mori kurrfarë përgjigje.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Në prorgramin e saj politik, të vitit 2012, të quajtur “Për Kosovën Europiane”, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka një kapitull të veçantë për shëndetësinë, a që në fakt është vetëm një gjysmë faqe. Aty LDK kujton vitet e okupimit dhe merr merita për vete për  “mbajtjen gjallë” të përkujdesit shëndetësor ndaj popullatës së Kosovës.

LDK-ja thotë se e ka prioritet të lartë zhvillimin dhe avancimin e sistemit shëndetësor. “Ulja e shkallës së sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, nëpërmjet ngritjes së cilësisë të shërbimeve shëndetësore, sipas standardeve bashkëkohore, është një synim parësor”, thuhet në programin e 2012-ës së LDK-së.

Në mandatin e qeverisë së kaluar, LDK e ka pasur nën udhëhehqjen e saj Minsitrinë e Shëndetësisë me Ministrin Imet Rrahmani, që është edhe kandidat për deputetë i LDK-së në zgedhjet e sivjetme.

K2.0 e ka pyetur Rrahmanin lidhur me atë se si do të punojë LDK që të funksionalizojë Sistemin Inormativ të Shëndetësisë – SISH deri në 100 %. Kjo meqë mbetet parakusht për të nisur me sigurimet shëndetësore; Si do të sigurojë fondin prej 50 milionë euro që kërkohen të investohen në aparatura para se të bëhet draftohet lista e shërbimeve që ofron QKUK si dhe çmimorja për ato shërbime që ishte kërkuar të standardizohet me çmimet në sektorin publik, e që kishte rezultuar të ketë çmime më të lira se spitali publik. Por për krejt këto K2.0 nuk ka marrë përgjigje nga Ministri në largim i Shëndetësisë Imet Rrahmani.

Sidoqoftë disa deklarata rreth sigurimeve shëndetësore i ka dhënë Minsitri në largim i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, gjatë debatit në Klan Kosova më 28 maj të këtij viti.

Abrashi ka thënë se LDK ka prioritet funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore dhe se mendon që këtë ta bëjë sa më parë me fillimin e mbledhjes së premiumeve deri në 7 për qind (3.5 nga punëdhënësi dhe aq nga punëmarrësi), për  Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, prej shtatorit apo më së largu tetorit të këtij viti. Ai ka pranuar se kanë ngecur sa i përket këtyre shërbimeve por për këtë ai fajin ia ka hedhur qeverisë së kaluar, para marrjes së mandatit nga ana e LDK-së, meqë siç tha kjo ka nisur gjithçka nga pika zero.

“Tani jemi në momentin kur mund të fillojmë mbledhjen e premiuemeve, kemi hartuar listën spitalore dhe jashtë spitalore që mund të kontraktohen dhe të blehen”, ka thënë ai.  Sipas Abrashit Fondi i Sigurimeve Shëndetësore që planifikohet të arrijë në 100 milionë vetëm vitin e parë të mbledhjës së premiumeve, do të jetë si “injeksion” për sektorin e shëndetësisë.

Vetëvendosje (VV)

Në programin e tyre të Alternativës Qeverisëse të vitit 2013, Vetëvendosje përmend dy forma të financimit për të ndihmuar në krijimin e një rritjeje në 144.18 euro për qytetar, prej 51 eurove për kokë banori, të shpenzuara për shëndetësi nga shteti i Kosovës në vitin 2013. Shuma e parë nënkuptont rritjen e buxhetit shtetëror për shëndetësi, megjithëse numrat e saktë se sa do të ndahej nga buxheti nuk janë të përfshira në program. Burimi i dytë i financimit do të ishte krijimi i një Fondi të Sigurimit Shëndetësor.

Sa i përket sistemit të sigurimeve, programi parasheh se ai duhet planifikuar sipas modelit të Bismarkut, “ku edhe punëdhënësi edhe i punësuari paguajnë nga 3 përqind të pagës bruto”. Mirsad Shkreta, anëtar i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e  Vetëvendosjes, i tha K2.0 se ky model “bazohet në parimin e solidaritetit dhe është një prej sistemeve më të aplikuara në botë”.

Edhe pse përqindjet janë pak më të larta, ky model në masë të madhe është i përfshirë në Ligjin për Sigurime Shëndetësore. Shkreta i tha K2.0 se partia e tij planifikon të bëjë ndryshime të vogla në këtë ligj nëse i fiton zgjedhjet, dhe këtë gjithashtu e ka zbuluar kryetari i Prishtinës dhe kandidati i Vetëvendosjes për deputet Shpend Ahmeti, kur i prezentoi 40 prioritetet e qeverisë së Vetëvendosjes më 25 maj. Megjithatë, as Shkreta as Ahmeti nuk kanë dhënë detaje se si do të dukeshin këto ndryshime.

Por Vetëvendosja ka qenë shumë e qartë sa i përket hapave procedurale që partia do t’i ndërmerrte për krijimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, duke theksuar se Sistemi i Informativ i Shëndetësisë – SISH duhet të jetë funksional para se të fillohej me pagesat e premiumeve. “Ne as nuk synojmë e madje jemi kategorikisht kundër që të mblidhen premiumet për sigurim shëndetësor, pa i treguar të siguruarve, qytetarëve tanë, se për cilat shërbime janë duke paguar premiumin dhe me çfarë i siguron shteti i tyre sa i takon shëndetit”, i tha Shkreta K2.0

Shkreta identifikoi disa hapa tjerë të cilët duhen ndërmarrë para se të fillohej me pagesën e premiumeve, duke përfshirë pajisjen e qytetarëve me kartela të sigurimit si dhe listimin e shërbimeve mjekësore të cilat do të jenë në dispozicion me sistemin shëndetësor si dhe çmimet e tyre. Ahmeti shtoi se Vetëvendosja do t’i pajiste qytetarët me regjistrin e tyre mjekësor, që do të përfshinte historinë e sëmundjeve, shpeshtësinë e kontrolleve mjekësore dhe detajet se si përdoren shërbimet shëndetësore. “Qeveria përgatitet përpara, e në fund të procesit nisin mbledhjet e premiumeve”, deklaroi Shkreta.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Në programin e tyre të vitit 2014, AAK u zotua për të ndryshuar sistemin e kujdesit shëndetësor në një vit, nëse votohet për në qeveri. Partia kishte parashikuar një sistem të kujdesit shëndetësor me cilësi në rritje dhe me një sistem të qëndrueshëm financiar që mbështet atë. Në zemër të këtij transformimi ishte zbatimi i drejtë i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, të cilën partia e përshkruan si garancë për shërbime bazë të kujdesit shëndetësor për të gjithë qytetarët.

Në një tryezë të rrumbullakët të mbajtur nga partia në vitin 2016, asokohe si opozitë, kishin dalë me konkluzione se “sigurimi shëndetësor përbën një nga elementet kryesore të sistemit të kujdesit shëndetësor, dhe është çelësi për zgjidhjen e shumë problemeve që përballet sistemi.” Megjithatë, në të njëjtin takim, AAK kishte dalë në përfundimin se Ligji aktual për Sigurimet Shëndetësore, dhe përpjekjet që po bëhen për ta zbatuar atë, nuk do të garantojë zgjidhje për problemet me të cilat përballet sistemi shëndetësor.

Një tjetër rekomandim të nxjerrë nga ai takim ishte që buxheti për sektorin e kujdesit shëndetësor është 150 milionë euro dhe se vlera maksimale që mund të sigurohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është në diku mes 30-50 milionë euro. Sipas AAK-së, kjo do të ishte shumë e pamjaftueshme, sepse kështu do të arrihej shuma totale prej 200 milionë euro, që do të thotë se Kosova do të ndante vetëm 100 euro për kokë banori në kujdesin shëndetësor, duke e bërë vendin që shpenzon më së paku në kujdesin shëndetësor në rajon.

Megjithatë, AAK ende nuk ka dhënë detaje në lidhje me mundësitë e rritjes së mundshme të buxhetit të kujdesit shëndetësor, apo çfarë buxheti do të jetë më i përshtatshëm. Sa i përket sistemit të sigurimeve shëndetësore, AAK ende nuk ka sqaruar se si do të mund të zbatohet më mirë, apo nëse duhet të bëhen amandamentime në ligjin ekzistues.

Nisma për Kosovën (Nisma)

Nisma për Kosovën në programin e saj politik, të mes vitit 2016, nuk i trajton fare sigurimet shëndetësore. Programi politik i Nismas flet për sistemin shëndetësor, duke e cilësuar si të rrënuar dhe që nuk përmbush kërkesat e qytetarëve, por që nuk jep alternativa se si do të ishin zgjidhur problemet që e përcjellin këtë sektor, si dhe nuk jep detaje se si do të duhej të ishte, sipas tyre, krijimi i fondit të sigurimeve shëndetësore.

K2.0 ka kontaktuar me Zyrën për Media të Nismas, duke tentuar të dijë më shumë se pse nuk trajtohen sigurimet shëndetësore në programin e saj, pastaj si e parasheh funksionalizimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore, si do të bëhet mbledhja e premiumeve të sigurimeve shëndetësore dhe detaje tjera, por që nga zyrtarët e tyre nuk është marrë asnjë përgjigje.

Mirëpo, nga diskutimet publike, zyrtarët e Nismas janë marrë me sigurimet shëndetësore duke kritikuar qeverinë Mustafa për Ligjin mbi Sigurimet Shëndetësore. Deputetja e Nismas, Shukrije Bytyqi kritikonte ligjin në fjalë duke hedhur dyshime se ligji ka tendenca për centralizim të kompetencave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe se kjo do krijonte mundësi të abuzimit me mjetet.

Në Kuvendin të Nismas të mbajtur në qershor të 2016-ës, anëtari i kryesisë së Nisma-s Muharrem Kuçi, renditi shëndetësinë si një nga prioritetet e para në mandatin qeverisë të partisë së tij, dhe bëri thirrje që politika të largonte duar nga shëndetësia. Në strategjinë e tij për rregullim të sistemin shëndetësor në vend ishte edhe krijimi i një ‘’stabiliteti financiar’’ ku do të kontribuonin edhe sigurimet shëndetësore, por që sipas tij, duhet të merret parasysh që participimet e qytetarëve të jenë në atë nivel që të mos cenojë buxhetet familjare.

Por deri më tash nga zyrtarët e Nisma për Kosovën nuk kemi të dhënë konkrete se si do dukej skema e sigurimeve shëndetësore, sa dhe si do të bëhej mbledhje e premiumeve të sigurimeve shëndetësore dhe në çfarë periudhe kohore mund të funksionalizohej Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

Për më shumë rreth asaj se ku qëndrojnë partitë politike në hartën ideologjike, shikojeni videon e K2.0 për ideologjitë këtu si dhe programet politike rreth problematikës së papunësisë, arsimit, ushtrisë, dhe barazisë gjinore.