Në thelb | Sporti

Po kthehet epoka e artë

Nga - 17.07.2017

Si mund t’i përmirësojnë klubet futbollistike kosovare performancat e tyre në garat evropiane?

Më herët gjatë këtij muaji, KF Prishtina dhe KF Trepça 89 u bënë dy ekipet e para që morrën pjesë në raundet kualifikuese të dy garave kryesore të klubeve të UEFA; përkatësisht Europa League dhe Ligës së Kampionëve. Kushdo që priste ndonjë debutim ëndërrash u zhgënjye shpejtë, meqë të dy ekipet u diskualifikuan. Trepça humbi me rezultat përfundimtar pas dy ndeshjeve 5-2 kundër gjysëm-profesionistëve nga Ishujt Faro, Vikingur Gota, e Prishtina u shkatërrua nga IFK Norrkoping i Suedisë – klub dukshëm më i fortë – me rezultat përfundimtar 6-0 pas dy ndeshjeve.

Ndeshjet e para evropiane të Prishtinës pas 33 viteve dhe ndeshjet e para garuese të Trepçës 89 kundër ekipeve të huaja u pritën me shumë ngazëllim, por pavarësisht kësaj, kthimi ishte disi dëshpërues, meqë dukej se të dy ekipet janë shumë larg kualitetit Evropian.

Megjithatë, dikur Prishtina kishte kualitetin të paktën të barabartë me ekipe të kalibrit të Norrkoping. Pjesën më të madhe të viteve të 1980-a ata e kaluan në ligën e parë të Jugosllavisë, dhe rregullisht luajtën me ekipe si Dinamo Zagreb, Hajduk Split dhe Yllin e Kuq të Beogradit. Në sezonën 1983-84 ata përfunduan të dytit në Kupën e Evropës Qendrore, që njihej si Mitropa Cup — turnir që dikur u fitua nga AC Milan.

Ramiz Krasniqi është një futbollist i cili ka kujtime të mira nga kjo epokë e artë. Ai luajti për Prishtinën prej vitit 1981 deri në 1987, dhe aktualisht është kryetrajneri i ekipit kombëtar futbollistik U19 të Kosovës. Edhe pse atë natë ishte lënë si lojtar rezervë, atij i kujtohet euforia që rezultoi nga mposhtja e Yllit të Kuq të Beogradit në stadiumin Marakana në Beograd në 1983. Mbretëronte një atmosferë nostalgjie deri sa i rikujtonte ai këto kohë. “Kishim të rinj shqiptarë, serbë e maqedonë në ekip”, tha Krasniqi për K2.0. “Ishte arritje e madhe për atë kohë”.

Ramiz Krasniqi e përjetoi epokën e artë të KF Prishtina gjatë viteve të 1980-ta si lojtar, e tash po mundohet që të ndihmojë me përmisimin e futbollit të Kosovës nëpërmjet rolit të tij si kryetrajner i ekipit kombëtar U19. Foto nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Ato ditë kur KF Prishtina luante me kampionë evropian të së ardhmës, e madje edhe fitonin kundër tyre, tashmë janë harruar që prej shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftës në Kosovë. KF Prishtina dhe futbolli i Kosovës veç sa s’janë zhdukur prej atëherë. Krasniqi beson se rezultatet e dy ekipeve kosovare në ndeshjet kualifikuese janë pasqyrim i drejtë i pozitës së tyre aktuale. “Izolimi ka ndikuar në futbollin e Kosovës”, tha Krasniqi. “Jo vetëm që stagnoi, por u degradua edhe më shumë”.

Krasniqi thekson një problem të menagjimit gjatë zhvillimit të talentëve të rinj si çështje kyçe që ndikoi negativisht në futbollin kosovar. Klubet e Kosovës shpeshherë u kërkojnë pagesë mujore të rinjve në akademitë e tyre, dhe shumica e klubeve pranojnë numra tepër të mëdhenj të të rinjve për të marrë më shumë para – prej 40 deri në 50 lojtarë.

Për dallim nga kjo, kur Krasniqi ishte lojtar i ri ai mori honorar për ushqim e pije. “Ishte sasi e vogël por na dukej si me na dhënë miliona”, tha Krasniqi me ngazëllim, thuajse sapo e morri honorarin. “Atëherë lojtarët zgjedheshin për shkak të kualitetit, jo kuantitetit”.

Nuk është vetëm Krasniqi që mendon se problemet e futbollit në Kosovë burojnë nga lartë. Besnik Huruglica e ka mbështetur Prishtinën prej moshës 7 vjeçare, dhe pretendon se i ka shkruar shumë prej këngëve që ende janë të njohura sot, gjatë kohës kur ishte anëtar i grupit të tifozave Plisat para disa viteve.

Huruglica tha për K2.0 se pronarëve dhe anëtarëve të bordit të Prishtinës nuk u bën përshtypje për ekipin sikurse lojtarëve dhe tifozëve, dhe se ata e trajtojnë klubin si skemë të shpërlarjes së parave, duke e lënë ekipin pa kushte të mira. “Njerëzit që e udhëheqin klubin nuk kanë zemër”, tha Huruglica, duke ju vërejtur në fytyrë keqardhja.

Pavarësisht kësaj, Huruglica prapë se prapë është shumë i lumtur që Prishtina e pati mundësinë që të luaj në Evropë, dhe beson se ky ekip vet e përfaqësoi qytetin sa më mirë që mundi, veçanërisht në ndeshjen kthyese, kur humbën 0-1 në Mitrovicë. “Nuk pritëm ndonjë rezultat të mirë, se [Norrkoping] është ekipi i tretë më i mirë në Suedi, e pranoi ai.

“Rezultati duhet të merret si mësim, e si një shuplakë e madhe fytyrës”.

Ramiz Krasniqi

Syri profesional i Krasniqit e pa më ndryshe këtë situatë. Ai e kritikoi ashpër KF Prishtinën për paraqitjet e tyre kundër Norrkoping, duke thënë që as “sendet themelore që mësohen në shkollë fillore” nuk i bënë si duhet. Krasniqi e theksoi faktin që lojtarët e Prishtinës nuk pasonin saktë dhe në mënyrë të vazhdueshme me pjesën e brendshme të këmbës, veçanërisht kur e krahasojmë lojën e tyre me atë të kundërshtarëve të tyre, të cilit ishin shumë më të dalluar. “Rezultati duhet të merret si mësim, e si një shuplakë e madhe fytyrës”, tha Krasniqi.

Si trajner, ai beson që dëshira për të kultivuar talent duhet ta tejkalojë dëshirën për të fituar trofe, veçanërisht në kushtet aktuale që i ka Superliga e Kosovës, të cilat Krasniqi i përshkruan si të dobëta. Përfundimisht, ai tha se si trajnerë ata janë thjeshtë “ndikimi i fundit”, kur burimet janë të kufizuara dhe kushtet janë të rangut të dytë. Krasniqi beson se nevojitet dituri prej jashtë vendit për t’i ndryshuar “kushtet themelore” sa i përket akademisë së të rinjve dhe seancave stërvitore të ekipeve kosovare. “Duhet të ftojmë trajnerë [të huaj] për përvojën e tyre. Është e pashmangshme”, tha ai.

Në anën tjetër, Huruglica është më optimist për mundësitë që do t’i ketë ekipi i tij në të ardhmën në Evropë, duke parashikuar që për pesë vjet, KF Prishtina do të arrijë që t’i sfidojë ekipe që janë edhe më të fuqishme. Ai ngul këmbë për atë se, si tifoz, gjithçka lidhet me të qenurit dëshmitar i procesit të rritjes së ekipit, duke e parë atë duke luajtur me ekipe evropiane që kanë me shumë përvojë – e puna e rezultateve është dytësore. “Duhet që të jetë klubi jonë aty”, tha Huruglica.

Ai mendon se përshtypja e njerëzve të Prishtinës për klubin nuk ka ndryshuar gjatë viteve, madje edhe pas luftës. “Është emër për të cilin ja vlenë të luftojmë”, tha ai. “Të gjithë këta lojtarë [kosovarë] që po luajnë jashtë vendit ëndërrojnë për të luajtur për Prishtinën”.

Pa marrë parasysh kush luan për ekipet që e përfaqësojnë Kosovën në garën e sezonës së ardhshme, ka ende shumë punë për të bërë për të garantuar që historia e tyre shkruhet përtej raundit të parë kualifikues. Progres Niederkorn i Luksemburgut kur e mposhti Glasgow Rangers sivjet në Europa League, dëshmon që ekipet e shteteve më të vogla mund të kenë ndikim të madh në garat evropiane. Shpresojmë që ndonjë ekip kosovar do ta servojë një befasi të ngjashme vitin e ardhshëm.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.