Blogbox | Drejtësi Tranzicionale

Si mund të merret Kosova me të kaluarën e luftës?

Nga - 12.04.2017

Një qasje e re mund të ofrojë përgjigje të reja.

Si të ngrihet një vend përtej vuajtjes historike që me vite ka përjetuar dhunë masive dhe abuzime skandaloze të të drejtave të njeriut, duke u siguruar që të mos përsëriten ngjarjet tragjike të së kaluarës? Kur kaq shumë qytetarë kanë përjetuar trauma, represion ose zhvendosje, si mund të trajtohet e kaluara që t’i shërbejë drejtësisë dhe ta mundësojë një të ardhme të përbashkët?

Në Kosovë, këto pyetje janë trajtuar edhe nga institucionet gjyqësore vendase, por kryesisht nga instrumentet ndërkombëtare si UNMIK, ICTY dhe EULEX, si dhe nëpërmjet nismave rajonale si Komisioni i propozuar i së Vërtetës dhe Pajtimit,  RECOM. Më vonë sivjet, dhomat e specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë do të kërkojnë të vendosin një masë drejtësie për disa nga viktimat e luftës së viteve 1998-99 dhe pasojave të saj. Përpjekjet vendase kryesisht kanë qenë me shkallë të vogël, lokale e ndërpersonale, dhe kryesisht janë udhëhequr nga shoqëria civile.

Që nga viti 2012, nisma kyçe e shtetit ishte Grupi Punues Ndërministror (GPNM) për “ballafaqim me të kaluarën dhe pajtimin”. Grup ky, i themeluar për të shërbyer si pikë qendrore brenda qeverisë për zhvilllimin e një procesi të gjerë, gjithëpërfshirës, me ndjeshmëri gjinore për ballafaqimin me të kaluarën e kohës së luftës, duke prodhuar në fund një Strategji Kombëtare për Drejtësinë Transicionale. Si vëzhgues janë emëruar përfaqësues të institucioneve publike dhe të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike të pranishme, derisa një këshilltar i kryeministrit në cilësinë e kryesuesit.

Procesi tani është në një pikë kritike të kthesës.

Pavarësisht angazhimit të sinqertë të anëtarëve të grupit punues, ky në vetvete nuk arriti t’i përmbushte objektivat e tij, për shkak të një sërë faktorësh, duke përfshirë udhëheqjen dhe menaxhimin joadekuat, mungesën e pronësisë politike, përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e dobët të komuniteteve pakicë në Kosovë, mospërfaqësimin e viktimave civile të luftës dhe dështimin për të përfshirë publikun e gjerë.

Procesi tani ndodhet në një pikë kritike: mbështetja e donatorëve për grupin punues ka përfunduar, kryeministri tregon pak interes për vazhdimin e punës së tij dhe propozimi i presidentit për të themeluar një komision të ri për të “vërtetën dhe pajtimin”,  sfidon drejtpërdrejt ekskluzivitetin e tij në përcaktimin e agjendës për t’u marrë me të kaluarën e kohës së luftës në Kosovë.

Kundrejt këtij sfondi, organizatat tona e nisën një reflektim të pavarur, sistematik dhe objektiv për procesin e zhvillimit të Strategjisë Kombëtare. Dy ekspertë konsulentë ndërmorën këtë nismë në janar të 2017 – ës, duke përpiluar një raport me rekomandime, të publikuar dje, për atë se si të ecet përpara.

Një raport i shoqërisë civile për punën e Grupit Punues Ndërministror për Ballafaqimin e së Kaluarës u lansua në Qendrën Kulturore dhe të Informimit të Bashkimit Evropian, në Prishtinë. Foto: Integra.

Për të prodhuar një strategji kombëtare, qeveria duhet të rizotohet politikisht për procesin e GPNM. Ndërtimi i besimit me përfaqësues të shoqërisë civile dhe komuniteteve pakicë, planifikimi për konsultime gjithëpërfshirëse kombëtare dhe ndërlidhja e Strategjisë Kombëtare me procese të tjera që kanë të bëjnë me drejtësinë transicionale në Kosovë (përfshirë komisionin për të vërtetën dhe pajtimin) janë faktorë thelbësorë të suksesit.

Shoqëria civile duhet të adoptoj një qasje më strategjike ndaj drejtësisë transicionale dhe të forcojë ekspertizën e saj rreth ndërveprimit me proceset politike, ndërsa bashkësia ndërkombëtare duhet të ofrojë më shumë mbështetje politike për punën e GPNM-së, të përmirësojë bashkërendimin e saj për drejtësinë transicionale, dhe ta integrojë drejtësinë transicionale në procesin e pranimit të Kosovës në BE.

Secila shoqëri duhet t’i përgjigjet në mënyrën e vet pyetjes se si të merret me të kaluarën e saj të kohës së luftës, në bazë të përvojave të përjetuara, perspektivave të popullit të saj si dhe specifikës së veçantë të kontekstit të vet. Një Strategji legjitime Kombëtare e besueshme për drejtësinë transicionale mund të shërbejë për ta konsoliduar dhe aktivizuar kornizën më të gjerë të Kosovës për ballafaqim me të kaluarën, duke e nxitur vendin dhe bashkësitë e saj drejt përgjigjeve të reja për pyetje më të vështira.

Sivjet, gjykata speciale dhe komisioni i presidentit për të “vërtetën dhe pajtimin” ka gjasa t’i kthejnë çështjet e të kaluarës së luftës në qendër të debatit publik. Shpresa jonë është që raporti i publikuar së fundmi do të kontribuojë jo vetëm për të nxjerrë një strategji kombëtare shumë të nevojshme dhe kuptimplotë, por për t’i ndihmuar nismat e tjera si “Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit” i presidentit që t’i shmangë kurthet që penguan Grupin Punues Ndërministror që shpresojmë se do të ofrojë një përparim për drejtësinë dhe marrëdhëniet më të mira midis komuniteteve.

Raporti ynë i plotë për Strategjinë e Drejtësisë Tranzicionale mund të lexohet këtu.

Kushtrim Koliqi, Integra

Nenad Maksimović, Qendra për Paqe dhe Tolerancë

Marlies Stappers, Impunity Watch

Michael James Warren, PAX

Foto kryesore: Integra.

  • PËR AUTORIN/EN The Undersigned
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.

KOMENTO