Pikëpamje | Protesta

Çfarë mund të mësojë Kosova nga zhvillimet e fundit në Rumani?

Nga - 07.02.2017

Në një demokraci që është në proces evoluimi, vota e popullit nuk mund ta legjitimizojë korrupsionin.

Pas pesë ditësh me protesta masive që nxorrën rreth gjysmë milion protestues në rrugë, këtë të dielë (5 shkurt) qeveria e Rumanisë i shfuqizoi masat e fundit që i morri për ta dobësuar ligjislacionin për korrupsion – kjo lëvizje e qeverisë është parë prej shumë njerëzve si lëvizje që do të mundësonte mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar.

Suksesi i protestuesve nuk do të thotë që korrupsioni do të ç’rrënjoset ose avullohet brenda natës, e as nuk do ta bëjë elitën politike papritmas më të përgjegjshme në tokën e Drakulës. Megjithatë, fuqia e rezistencës civile kundër atyre që kanë për qëllim përdorimin e ligjit për mbrojtje të kulturës së korrupsionit mund të jetë një mësim i fuqishëm, dhe jo vetëm për politikën rumune. Demokracia e re e Kosovës mund të mësojë gjithashtu nga ngjarjet e kësaj fundjave në veri-lindje.

Kosova & Rumania: Qeveri të ngjashme, protesta të ndryshme

Qeveritë e këtyre dy shteteve përkatëse i kanë megjithatë ngjashmëritë e tyre. Qeveria e sapozgjedhur e Rumanisë erdhi në pushtet në dhjetor 2016 dhe udhëhiqet nga zyrtarë të partisë Social Demokrate, pas një fitoreje bindëse në zgjedhje. Social Demokratët fituan mbi 45 përqind të votës në dhjetor, ndërsa Partia Kombëtare Liberale e zuri vendin e dytë me vetëm 20 përqind.

Kjo fitore bindëse erdhi përkundër ngjarjeve të dimrit të kaluar, kur një qeveri tjetër e udhëhequr prej Social Demokratëve u detyrua që të ipte dorëheqje për shkak të protestave që u nxitën nga një fatkeqësi zjarri që ndodhi në një klub të natës ku vdiqën 64 të rinj – protestuesit e fajësuan qeverinë për mosveprim dhe korrupsion.

Ngjashëm me situatën në Rumani, edhe qeveria e Kosovës gëzon gjithashtu një mandat të fuqishëm demokratik nga kutitë e votimit, me një koalicion të madh të dy partive më të mëdha, PDK dhe LDK, koalicion ky që e ka qeverisur vendin prej dhjetorit të vitit 2014.

Eksponentët e dy partive udhëheqëse shpeshherë kanë theksuar se fuqia e qeverisë në kuvend, ku qeveria ka shumë më shumë përfaqësim se homologët e tyre të opozitës, erdhi për shkak të sigurimit të pjesëve të mëdha të votës së popullit në zgjedhjet e vitit 2014. Shumë kritikë kanë thënë se situata e ka arritur një pikë ku qeveria po shfaqë ’arrogancë të fuqisë’ së votës.

Protestat e fundjavës në Rumani zbuluan vetëdijen e lartë politike të shoqërisë rumune si dhe gatishmërinë e tyre për aktivizëm shoqërorl, për të kërkuar llogari nga qeveria e tyre. Rumunët kanë shfaqur vendosmëri të madhe për të mos lejuar pandëshkueshmërinë, madje as për politikanët që janë legjitimizuar nga vota e popullit.

Për shkak të pafuqisë së votës nga opozita, opozitarët madje kanë bërë përpjekje për ta ndryshuar strategjinë, duke  përdorur gazin lotsjellës – këto strategji shpeshherë i penguan seancat që kishin për synim miratimin e legjislacioneve të diskutueshme,por të mbështetura nga qeveria.

Jpeg

Fotografija: Adrian Rusu.

Ky tension në kuvend  kaloi në rrugët e Prishtinës. Opozita bëri thirrje për protesta popullore dhe mijëra njerëz dolën në rrugë, duke shtyer kështu miratimin e  ligjeve që kishin të bëjnë me marrëveshje ndërkombëtare dhe demarkacion të kufirit.

Diskursi politik në Kosovë është i dominuar prej këso lloj çështjeve, që kanë të bëjnë me sovranitet dhe tensione me fqinjin verior, Serbinë. Janë tema që janë të përshtatshme edhe për politikanët që duan ta ruajnë pushtetin, e edhe për ata që duan ta marrin atë fuqi. Por është për të t’ardhur keq që demokracia e re e Kosovës ka dështuar që të prodhojë protesta të përmasave të atyre në Bukuresht për çështje si korrupsioni, pavarësisht faktit se publikut kosovar ka pas shumë arsye të tilla.

Në gusht të vitit 2016, përgjimet e publikuara nga gazeta online Insajderi zbuluan se si zyrtarë të lartë të partisë qeverisëse PDK, përfshirë presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçin, e keqpërdorën fuqinë e tyre, punësuan militantë në pozita publike, dhe çuan dëm paratë publike.

Një valë protestash shpërtheu në Prishtinë, organizuar prej anëtarëve të shoqërisë civile. Fatkeqësiht, jo si në qytetet e Rumanisë në ditët e fundit, rrugët e Prishtinës u mbushën me vetëm me një grusht qytetarësh që iu bashkuan thirrjeve për dorëheqje të atyre që ishin të përfshirë në atë skandal.

Në javët vijuese, protagonisti i skandalit të përgjimeve, Adem Grabovci, dha dorëheqje nga roli i tij si kreu i grupit parlamentar të PDK, por ai ende është ligjvënës në kuvend. Nuk u dha asnjë epilog konkret për skandalin nga sistemi i drejtësisë. Hetimet vazhdojnë, por përfundimi i tyre nuk duket se është afër.

BE e idealizuar

Për shoqërinë kosovare, protestat e fundjavës në Rumani duhet të jenë edhe pasqyrim që tregon se lufta kundër korrupsionit është luftë afatgjate dhe nuk zgjidhet me magji me anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bashkimi me BE mbetet një prej synimeve kryesore politike në vend, dhe shpeshherë fetishizohet si ilaç që do t’i zgjidhte të gjitha të këqijat e Kosovës.

Megjithatë, është e rëndësishme që të ritheksojmë se beteja kundër korrupsionit duhet të luftohet pa marrë parasysh vendin e Kosovës brenda ose jashtë Bashkimit Evropian, meqë korrupsioni është një elefant në dhomë madje edhe në disa nga shtetet anëtare të BE.

Kur Rumania dhe Bullgaria iu bashkuan BE në 2007, shumë kritikë komentuan duke thënë se këto dy shtete të Evropës jug-lindore hynë ‘kah dera e prapme’, dhe se Brukseli e mbylli njërin sy ndaj reformave të përgjithshme kur i pranoi në gjirin e saj, si pasojë e çështjeve gjeopolitike.

Sivjet shënohet një dekadë prej kur Rumunia iu bashkua BE, e korrupsioni vazhdon të jetë një prej sfidave kryesore për shoqërinë rumune. Sipas indeksit të Transparency International për korrupsion në vitin 2016, Rumania u listua e 57-a nga 176 shtete, duke shënuar vetëm 48 pikë. Kosova ndërkohë u vendos në pozitën e 95, me 37 pikë.

Protesta të vazhdueshme kundër korrupsionit

Pavarësisht shfuqizimit të ati ligji të diskutueshëm të dielën pasdite, protestat në Rumani kanë vazhduar, e madje edhe janë shtuar në madhësi të dielën në mbrëmje – protesta tjera janë planifikuar për javën në vijim. Protestuesit po kërkojnë dorëheqje nga qeveria dhe po shtohen spekulimet se ministri i drejtësisë së shpejti do të shkarkohet.

Protestuesit rumun kanë dhënë sinjal të fuqishëm se pa marrë parasysh ligjshmërinë e mandatit të qeverisë, veprimet paraprake nga qytetarët janë të nevojshme për ta mbrojtur demokracinë dhe për të kërkuar llogari nga ata që janë në pushtet, duke mos lënë hapësirë për krijim të legjislacionit që i bënë politikanët imun ndaj korrupsionit.

Protestat në Rumani gjithashtu ishin paralajmërim për të gjithë ata që flasin vazhdimisht për ligjshmërinë e votës së popullit, e njëkohësisht përpiqen që ta përdorin pushtetin e tyre në mënyrë jodemokratike, ose për t’i shërbyer interesave të caktuara. Rezultatet zgjedhore si parim demokratik nuk duhet të shërbejnë për t’i mbrojtur politikanët e korruptuar dhe keqbërësit. Ngjarjet në Rumuni gjatë fundjavës janë tregues i qartë i kësaj.K

Protestat në Rumani

Protestat në Rumani ishin të përqëndruara rreth dy urdhëresave që u propozuan nga qeveria e sapozgjedhur. Këto dy propozime do t’i dekriminalizonin akuzat për korrupsion që shkaktojnë dëme në vlera nën 44,000 euro, duke ndaluar kështu të gjitha hetimet aktuale dhe duke parandaluar akuza në të ardhmën, si dhe duke i falur disa të korruptuar tashmë të dënuar.

Arsyetimi zyrtar i qeverisë ishte reduktimi i tensioneve në burgjet e stërmbushura në Rumani, por shumë kritikë pretenduan se synimi real ishte shfuqizimi i dënimeve ndaj anëtarëve të partisë qeverisëse Social Demokrate, përfshirë liderin e tyre Liviu Dragnea.

Protestat filluan në janar, por u intensifikuan me 1 shkurt, pasi u miratua urdhëresa për dekriminalizim të akuzave për korrupsion që shkaktojnë dëme nën vlerën 44,000 euro. Fillimisht, Kryeministri Grindeanu insistoi që do të vazhdonte miratimin e dekreteve pavarësisht protestave, por në fund lëshoi pe të dielën, duke insistuar që po kërkonte ta mbante vendin të bashkuar, pra të evitonte ndarje shoqërore.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.