Pikëpamje | Njohja

Katalonia nuk mund të krahasohet me luftën e Kosovës për pavarësi

Nga - 27.10.2017

Çorientimi i shkaktuar nga krahasimi i këtyre dy rasteve.

Të premtën me 27 tetor, Spanja u përball me krizën më të keqe që prej vendosjes së demokracisë pas rënies se diktaturës së Frankos më 1975. Parlamenti i Katalonisë votoi për ta shpallur pavarësinë nga Spanja, e Senati i Spanjës menjëherë reagoi duke votuar për ta zbatuar Nenin 155 të Kushtetutës së vendit, duke marrë kështu përkohësisht pushtetin e drejtpërdrejtë mbi Kataloninë.

Mbajtja e referendumit për pavarësinë e Katalonisë më 1 tetor – i gjykuar si veprim i kundërligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës – dhe dhuna e ushtruar nga policia spanjolle prodhuan një varg ngjarjesh për shkak të të cilave e gjithë bota po e përcjell këtë rajon lindor të Spanjës me shumë shqetësim. Demonstratat – si ato kundër ashtu edhe ato në favor të pavarësisë – janë rritur javëve të fundit. Kështu, të dy palët po i shprehin besimet dhe mendimet e tyre në lidhje me çështjen katalane.

Në këtë kontekst, në ditët, javët, muajt dhe vitet e fundit, politikanët dhe ekspertët ligjorë të lidhur me PDeCAT-in, partia nacionaliste e cila është në favor të pavarësisë dhe udhëhiqet nga Carles Puigdemont – Presidenti i Komunitetit Autonom të Katalonisë – kanë tërhequr vërejtjen dhe kanë bërë krahasime të pavend të rrugëtimeve përkatëse të Katalonisë dhe Kosovës drejt pavarësisë.

Megjithatë, aluzionet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, apo krahasimet e saj me përpjekjet separatiste të Katalonisë janë çorientuese kur marrim parasysh veçoritë unike të ish-krahinës jugore të Jugosllavisë. Këto dy raste janë krejtësisht të ndryshme me njëri-tjetrin, dhe kanë shumë pak ngjashmëri.

Ata që e flasin gjuhën katalane si gjuhë të parë dhe e identifikojnë vetën si katalonas nuk janë automatikisht mbështetës të pavarësisë, dhe anasjelltas.

Fillimisht, t’i analizojmë specifikat e popullit katalan që t’i kuptojmë kërkesat e tyre për pavarësi. Vështirë është të vlerësojmë se a mund të konsiderohen katalanët si grup tjetër etnik nga spanjollët, dhe për këtë arsye vështirë se mund t’i krahasojmë me rastin e shqiptarëve dhe të serbëve. Megjithatë, e qartë është se ideja e identitetit luan rol të rëndësishëm (por jo unik) për mbështetësit e pavarësisë.

Gjuha katalane, traditat dhe historia e katalanëve, e bëjnë Kataloninë rast të veçantë, por jo veçanërisht unik nga rajonet e tjera në Spanjë. Kushtetuta e këtij shteti konsideron se vendi përbëhet nga etnitë e ndryshme dhe secila e ka të drejtën e autonomisë. Pikërisht kjo shumëllojshmëri e bën Spanjën shtet shumë të decentralizuar, me 17 njësi Autonome të cilat kanë mjaft shumë pushtet. Katalanët në përgjithësi flasin spanjisht dhe katalonisht, ndërsa një pakicë e popullsisë flet edhe ocitanisht (occitan). Këto tri gjuhë janë të ngjashme, meqë të trijat rrjedhin nga gjuha latine.

Megjithatë, këto veçori nuk luajnë rol unik në këtë proces, dhe mund të interpretohen ndryshe nga mbështetësit e pavarësisë dhe ndryshe nga kundërshtuesit e saj. Me fjalë të tjera, ata që e flasin katalonishten si gjuhë të parë dhe e identifikojnë vetën si katalanë nuk janë automatikisht mbështetës të pavarësisë, dhe anasjelltas. Ka elemente të tjera politike dhe ekonomike të cilat duhet të merren parasysh.

Katalonia gëzon një nivel të lartë të autonomisë në krahasim me rajonet e tjera të Spanjës. Gjatë shekullit të fundit, për shkak të veçorive të shoqërisë katalane – gjuha, kultura dhe traditat – Katalonia e ka fituar të drejtën për t’i trajtuar çështjet lokale dhe rajonale nëpërmjet organeve të veta (pra, përmes Parlamentit Katalan). Kushtetuta spanjolle dhe Statuti Katalan i Autonomisë i vitit 2006 gjithashtu i kanë dhënë Komunitetit Autonom të Katalonisë të drejtën për ta drejtuar sistemin e arsimit dhe të shëndetësisë, forcën policore (Mossos d’Esquadra) si dhe institucionet korrektuese dhe trafikun rrugor.

Pavarësisht faktit se Katalonia nuk ka autonomi në fushën e politikës së jashtme, në vitet e fundit Parlamenti Katalan ka bërë përpjekje për të themeluar më shumë se 10 delegacione katalane jashtë vendit për ta promovuar kulturën katalane. Thënë shkurt, niveli i autonomisë së Katalonisë është ndër më të lartët në Europë, dhe është larg situatës nëpër të cilën kaloi Kosova gjatë dekadës së fundit të shekullit XX.

E qartë është se rruga e Kosovës për pavarësi nuk e ndoqi të njejtin model.

Autonomia e Kosovës – e siguruar me Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1974 – u revokua nga Sllobodan Millosheviqi në vitin 1990. Shqiptarët u shkarkuan nga institucionet publike dhe arsimi në gjuhën shqipe u shty drejt nëntokës, pasi u ndalua nga autoritetet serbe. Qindra mijëra kosovarë u detyruan të iknin nga shtëpitë e tyre për shkak të frikës nga përndjekja dhe nga veprimet e qeverisë qendrore për spastrim etnik.

E vërtetë është se forca e tepërt e përdorur nga policia kombëtare spanjolle më 1 tetor na kujtoi të gjithëve kohën e shtetit jodemokratik dhe dhunës së autoriteteve jugosllave gjatë viteve të 1990-a. Megjithatë, përveç këtyre ngjarjeve të pavend dhe të shmangshme, të kryera nga policia kombëtare dhe policia ushtarake spanjolle (Guardia Civil) të cilët vepruan sipas udhëzimeve të Qeverisë qendrore në Madrid, nuk kemi parë shenja të shtypjes politike apo kulturore në Kataloni; katalanët që janë në favor të pavarësisë nuk i janë nënshtruar shtypjes nga shteti që prej fundit të diktaturës së Frankos. Ata i gëzojnë lirshëm të drejtat e tyre.

Për shembull, programet e shkollave dhe universiteteve zhvillohen në gjuhën katalane dhe atë spanjolle, e kështu secili student ka mundësi ta zgjedhë gjuhën në të cilën ka dëshirë të mësojë. Kjo shumëllojshmëri ka krijuar rrethana të begatshme ekonomike, dhe për këtë arsye Katalonia e përfaqëson 20 përqindëshin e GDP-së së Spanjës.

Përparimi ekonomik u nxit kryesisht nga industria e turizmit e Katalonisë, e cila përbën një çerek të gjithë turizmit në Spanjë, ndërsa eksportet dhe importet e saj përbëjnë një çerek të bilancit të përgjithshëm të tregtisë së Spanjës. Si rrjedhojë e këtij përparimi ekonomik, bankat dhe organizatat shumëkombëshe i kanë hapur selitë e tyre në Kataloni, dhe kështu ky vend është bërë një prej njësive Autonome të Spanjës me nivelin më të lartë të investimeve të huaja.

Në përgjithësi, katalanët gëzojnë kushte më të mira të jetës se rajonet jugore të Spanjës. Kjo është pasqyruar në nivelin e papunësisë, i cili është shumë më i ulët se në rajonet tjera të Spanjës tash e disa vjet.

Është tepër i rëndësishëm aspekti ekonomik në këtë rast, meqë dihet se lëvizja katalane për pavarësi i fokuson dhe i arsyeton kërkesat për pavarësi me kontributin e shpërpjesëtuar të taksave që jep Katalonia në raport me pjesët më të varfra të Spanjës. Argumenti kryesor i tyre – pasi Gjykata Kushtetuese në vitin 2010 i shfuqizoi disa pjesë të Statutit të Autonomisë të vitit 2006 të cilat lidheshin me autonominë fiskale – është se vetëm nëpërmjet pavarësisë Barcelona do të ketë mundësi t’i kontrollojë financat e saj.

E qartë është se rruga e Kosovës për pavarësi nuk e ndoqi të njëjtin model. Me vite të tëra, ekonomia e Kosovës ishte më e dobëta në ish-Jugosllavi, dhe kryesisht mbështetej në paratë e dërguara nga diaspora dhe në prodhimet e industrisë së minierave. Kosova gjithashtu përfitoi nga prodhimet ekonomike të rajoneve të tjera në Jugosllavi. Kjo është krejtësisht e kundërt me rastin katalan. Pavarësisht kësaj, e vërteta është se autoritetet jugosllave e zhvilluan tepër pak industrinë e Kosovës gjatë viteve të ‘70-a dhe të ‘80-a, e kjo shkaktoi emigrimin e serbëve dhe të shqiptarëve të Kosovës në shtetet e jashtme, në Europë por edhe në Serbi.

Sigurisht se shpallja e njëanshme e pavarësisë nga Kosova pas disa viteve nuk mund të kuptohet pa konfliktin dhe shtypjen paraprake.

Patjetër se është e rëndësishme të shohim se a duan në të vërtetë katalanët pavarësi. Sipas rezultateve të referendumit të 1 tetorit, vetëm 38.7 për qind e katalanëve e mbështesin idenë e Katalonisë autonome dhe të pavarur jashtë Spanjës; ndonëse 90 për qind e atyre të cilët votuan e mbështetën pavarësinë, vetëm 43 për qind e popullsisë katalane mori pjesë në votim, ndërsa shumë prej atyre që janë kundër pavarësisë nuk votuan fare. Shpallja e pavarësisë në bazë të këtyre rezultateve është kundër çdo parimi të demokracisë, dhe kështu i shkel të drejtat e qytetarëve.

Ndonëse në Kosovë nuk u mbajt ndonjë referendum para shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt, 2008, një referendum u mbajt në vitin 1991. Kjo nuk mund të vendoset në të njejtin kontekst me situatën e sotme të Katalonisë, meqë duke përdorur të njëjtën njësi matëse si më lart, u pa që më shumë se 85 për qind e popullsisë e mbështeti krijimin e shtetit të ri kosovar; megjithatë, ky referendum u bojkotua nga popullsia pakicë serbe.

Për më tepër, situata politike në të cilin u mbajt ky referendum nuk ishte fare e ngjashme me situatën e referendumit katalan, meqë siç u tha më lart, autonomia e Kosovës veçse ishte tërhequr në kohën kur plebishiti kosovar dhe shërbyesit publikë shqiptarë ishin shkarkuar nga institucionet publike.

Shtypja ndaj shqiptarëve bëri që ata të luftojnë për vetëvendosje, e kjo më pas prodhoi shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut nga të dy palët gjatë konfliktit. Sigurisht se shpallja e njëanshme e pavarësisë nga Kosova pas disa viteve nuk mund të kuptohet pa konfliktin dhe shtypjen paraprake. Askush në Spanjë, qoftë në Madrid apo në Barcelonë, nuk ka dëshirë që këto armiqësi politike të shndërrohen në një luftë të përgjakshme civile.

Megjithatë, kjo situatë e brishtë që kërkon liderë të mençur ka rënë në duart e politikanëve jokompetentë dhe kokëfortë, të cilët nuk po arrijnë të ulen në të njëjtën tryezë për të diskutuar dhe për të zhvilluar një dialog kreativ, dhe për të gjetur zgjidhje. Kjo qasje e etjes për gjak që po shfaqet nga të dy palët – që nuk u ndihmua fare nga ndërhyrja e Mbretit Felipe VI – veçse ka shkaktuar ndarje të thella ndërmjet shoqërisë spanjolle dhe asaj katalane, ndarje këto të cilat nuk shërohen lehtë.

Qeveria spanjolle, si autoriteti më i lartë qendror i shtetit, duhet të bëjë reforma urgjente në mënyrë që të gjithë katalanët të ndihen të përfaqësuar, dhe në këtë mënyrë ta tejkalojnë një pjesë të këtyre ndarjeve. Ato vështirë do të tejkalohen nëse Madridi nuk ndërmerr veprime për ta reformuar Kushtetutën e vjetruar. Për të njëjtën arsye, qeveria katalane duhet të mos e çorientojë publikun për pasojat e mundshme të Katalonisë së pavarur, sepse ato janë shumë të pasigurta.

Dhe krahasimet me Kosovën duhet të ndalen njëherë e përgjithmonë.

Foto kryesore: Creative Commons license.

  • PËR AUTORIN/EN Pol Vila Sarria
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO