Blogbox | Serbia

Censurimi i refuzimit të rryshfetit

Artistët e padëshiruar mbahen në arrest për hir të festës së elitës udhëheqëse.

Në ditën e parë të hapjes shtatëditore të Muzeut të Arteve Bashkëkohore në Beograd (MSUB), më 20 tetor 2017, dy artistë u mbajtën në arrest për shkak se kishin bërë performansa në të cilat ishin përdorur fotografi të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Njëri prej tyre, bashkëautori i këti blogu, Vladan Jeremiq, është anëtar i platformës ArtLeaks dhe një prej organizatorëve të serisë së ngjarjeve “The Salon of the Unbribables” (Salloni i të Pakorruptuarve). Artisti i dytë është Urosh Jovanoviq, artist dhe performues i pavarur.

I pari u arrestua Jeremiqi. Detektivët të cilët po punonin në hapje dyshuan se ai e kishte “fyer Presidentin” dhe si pasojë atë ai dorëzuan policisë, e cila ia konfiskoi dokumentet personale dhe materialet e shaqjes ( maskat e letrës dhe posterët).

Jovanoviqi u arrestua më vonë, kur ai u përpoq të hynte në muze me një fotografi të Presidentit të Serbisë me kornizë të praruar me ar, për ta shoqëruar me një deklaratë të cilën e kishte dhënë më parë në media: “Vuçiqi është artisti më i mirë”. Prokurori i shtetit vendosi t’i lironte të dytë pasi u morën në pyetje për disa orë.

Artistët po e zhvillonin një performansë para muzeut, e cila titullohej “I pakorruptueshëm”. Kjo u zhvillua si pjesë e programit “Salloni i të Pakorruptuarve”. Vizitorët të cilët morën pjesë në hapje u nxitën të marrin pjesë dhe të vendosin maska të letrës të cilat paraqisnin fytyrën e Presidentit serb. Ata morën edhe posterë që shfaqnin fotokopje të një sendviqi. Publiku kryesisht reagoi në mënyrë pozitive, duke e kuptuar metaforën vizuale të situatës shoqërore dhe politike brenda së cilës gjendet shumica e popullit serb.

Foto nga ArtLeaks.

“Salloni i të Pakorruptuarve” u themelua nga Tony Masliq, Nikola Radivojeviq, Rena Raedle dhe Vladan Jeremiq. Përmes tijj, ata parashtrojnë këtë pyetje: A është e mundur të jesh i pakorruptueshëm në një mjedis ku pretendohet se gjithçka dhe çdokush e ka një çmim?

Përmes një sërë programesh, mbi të gjitha duke e prezantuar edicionin e katërt të ArtLeaks Gazette nëpërmjet ekspozitës “Dimensionet e Korruptimit” në galerinë MKM të Beogradit, brenda Sallonit u shfaqën pozita “të pakorruptueshme” të të gjitha formave dhe shprehjeve, pa kufizime të caktuara hapësinore dhe kohore.

Të qenët “i pakorruptueshëm” nuk trajtohet si vlerë e moralshme. Siç thanë organizatorët: “Këto pozita të pakorruptueshme shkojnë përtej imagjinatës së ‘Vu-totalitetit’ që na rrethon, dhe e mendojnë “pakorruptueshmërinë” si thelbësore për veprimet e tyre. Prandaj praktika e pakorruptueshmërisë është në kundërshtim me realitetin. Salloni i të Pakorruptuarve buron nga situata në të cilën artistët në Serbi privohen nga hapësira dhe zëri. Të jesh i pakorruptueshëm është formë e protestës kundër lojës së pushtetit me marrjet dhe dhëniet e saj që diktohen nga blloku në pushtet. Të jemi të pakorruptueshëm këtu dhe tani, kur ‘Vu-totaliteti’ vendos hegjemoni në fushën e kulturës dhe të artit”.

Pasi ndodhi ky incident, qëndrimi i Muzeut si institucion i udhëhequr nga shteti ende nuk ishte i qartë. Përshtypja e përgjithshme është se Muzeu në fakt u “rrëmbye” nga autoritetet, meqë ngjarja e hapjes ishte e bashkëorganizuar nga Qeveria e Serbisë dhe Muzeu. E kishim përshtypjen se hapja spektakolare ishte në fakt festë për vetëm disa persona të zgjedhur, brenda së cilës artistët lokalë dhe nismat e pavarura kulturore nuk ishin aq të mirëpritura.

U dërguan një mori ftesash për hapje, një për ndejën e elitës udhëheqëse, dhe të tjerat për ta vizituar muzeun, i cili ashtu-kështu do të kishte qenë i hapur dhe në dispozicion për të gjithë – ftesat nuk ishin të domosdoshme në rend të parë

Ndërtimet në parkun rreth Muzeut dhe protokolli i festës theksuan faktin se ajo ishte organizuar në një mënyrë që përputhej me infrastrukturën rrethuese dhe festën shtatëditore. Një shembull i kësaj ishin rrugët e reja prej betoni të cilat ishin shtruar për ceremoninë e hapjes së muzeut.

Njëra të çonte nga muzeu në Qendrën e Biznesit “Usce”, ku gjindet restorani “Top of the Hub” dhe ku në ditën e parë të hapjes për publikun, elitat politike dhe mediale mbajtën një festë private dhe një konferencë për shtyp. Në këtë ngjarje mori pjesë Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Brnabiq, me partnerët e tyre përkatës, përkrah shumë të tjerëve.

Foto nga ArtLeaks.

Shtatë ditë pasi ndodhi ky incident, drejtori dhe kuratorët e muzeut më në fund i shprehën publikisht qëndrimet e tyre në lidhje me arrestimin e artistëve, pasi i bënë presion gazetarët në një konferencë për shtyp e cila u mbajt më 27 tetor. Por deklaratat kundërthënëse të administratës MSUB-it zbuluan hollësi të reja për rolin e Muzeut dhe sistemit të sigurisë në lidhje me arrestimin e artistëve dhe shqetësimin e vizitorëve.

Është mirë që kuratorët e Muzeut e mbështetën performansën artistike, duke deklaruar se arrestimi i artistëve përbën sulm ndaj lirisë së shprehjes artistike, pikë e theksuar nga kuratori dhe autori i ekspozitës në Muze, Dejan Sretenoviq.

Megjithatë, është shqetësuese që drejtori i përkohshëm i Muzeut, Slobodan Nakarad, nuk e mbështeti pikëpamjen e Sretenoviqit, duke e përshkruar përpjekjen për të hyrë me fotografi si rrezikim i pronave dhe i publikut të muzeut, dhe formë e artit që është “jashtë normave të cilat janë pjesë e civilizimit tonë”.

Edhe pasi prokurori i shtetit deklaroi se nuk kishte dëshmi për shkelje të ligjit sa i përket performansave në të cilat ishte përdorur fotografia e Presidentit, Nakarada nuk e dënoi arrestimin e artistëve, e as censurimin e tyre.

Një hollësi e rëndësishme për të cilën duhet të jenë të vetëdijshëm përfaqësuesit e Muzeut, e megjithatë po heshtin, është se kompania private e sigurimit e cila ishte e vendosur në hyrje ishte ajo që ngriti alarmin për maskat e letrës dhe posterët me sendviqë.

Këto materiale të performansës u morën nga çanta e një vizitoreje në hyrje të muzeut. Ajo më vonë u dërgua në polici për ta zbuluar identitetin e saj. Si organizator i performansës, Vladan Jeremiq vendosi të kërkonte informata për këto ngjarje, meqë ai e vërejti se vizitorët po trazoheshin për posedim të atyre materialeve, e më pas u arrestua edhe ai.

Kuratorët kanë bërë përpjekje për të mos pranuar fare përgjegjësi për arrestimin, dhe kanë theksuar se ishin të pranishëm gjatë kohës kur ishte duke u marrë në pyetje Vladan Jeremiq, por se nuk kishin mundësi të vepronin. Pavarësisht faktit se ky veprim artistik, i cili ishte pjesë e “Sallonit të të Pakorruptuarve” u lajmërua gjerësisht në media, dhe se njërit prej kuratorëve iu shpjegua personalisht kjo ide, përfaqësuesit e muzeut pretenduan të mos ishin në dijeni për këto aktivitete të planifikuara artistike, e as për arrestimin e Jeremiqit jashtë territorit të Muzeut – që nuk është e vërtetë.

Përfaqësuesit e institucionit dhe autoritetet përgjegjëse deri më tani nuk kanë dhënë dekarata në lidhje me disa akuza shtesë që kanë shpërthyer në rrjetet sociale. Për shembull, që sigurimi privat i kontrolloi sendet e vizitorëve, duke kërkuar copa letre, fletore, posterë dhe kartonaë (Një vizitori, artist dhe kurator nga Danimarka, iu mor një prej pikturave të tij. Atë ia morën, ia thyen dhe e hodhën në bërllok), dhe që njerëzve të cilët e fotografuan performansën e Uros Jovanoviqit iu kërkua letërnjoftimi.

Një shembull tjetër i observimit kritik të institucioneve ishte performansa “7×24= return to home” nga Sofija Modosanov dhe Jelena Jaçimoviq, artiste të cilat jetuan në MSUB për shtatë ditë. Sipas fjalëve të artisteve, ndërhyrja kishte për qëllim “shfrytëzimin e plotë” dhe “kompenzimin” e të gjitha atyre që ishin humbur gjatë periudhës 10-vjeçare kur MSUB-i ishte i mbyllur.

Ato deklaruan në një intervistë në radio se “copat e zbrazëta të letrës me sa duket ishin rreziku më i madh për muzeun”, dhe se “konotacionet politike” nuk mund të barten brenda. Në bazë të të gjitha informatave të zbuluara, mund të përfundojmë se kompania private e sigurimit ishte mjeti kryesor për zbatimin e censurimit dhe përzgjedhjes ndërmjet publikut të aprovuar dhe publikut të papërshtatshëm.

Por, në gjithë këtë paraqitet një problem: “transferimi” i kompetencave ekzekutive te kompanitë private të sigurimit ka qenë teknikë e udhëheqjes (dhe luftës) për një kohë të gjatë, jo vetëm në shumë mjedise nëpër botë, por edhe në Serbi, mbi të gjitha në situata në të cilat autoritetet mund të ndesheshin me ligjin e të ashtuquajturit “shtetit demokratik”, për shkak të veprimeve të tyre.

Pavarësisht çështjeve të kontrollit demokratik mbi veprimet e tilla, shtrohen dy pyetje të tjera: Cilat ishin kriteret e përgjithshme për kontrollimin e vizitorëve dhe transferimin e tyre për identifikim nga autoritetet; dhe kush u vendosi atyre këto kritere dhe autorizime?

Ndoshta ishte vetëm një rast tipik i bindjes parandaluese, por ndoshta këto masa u planifikuan nga institucionet e kulturës dhe nga qeveria, si dhe nga organizatorët e ngjarjes së hapjes. Kjo veçse tregon presionin e fuqishëm ndaj së cilin janë të ekspozuar përfaqësuesit institucionalë në Serbi.

Foto nga ArtLeaks.

Sigurisht me gjithë varfërinë dhe papunësinë që po mbretëron në Serbi dhe në rajon, të gjithë merren parimisht me gjendjen e tyre. Megjithatë, kjo nuk ndryshon nga fakti se, duke u sjellë në këtë mënyrë, institucionet publike i kanë dhënë dritë të gjelbër këtij veprimi të censurimit.

Sa i përket kësaj, sociologu Milan Rakita publikoi një artikull, nëpërmjet të cilit argumentoi se pas deklaratës së Nakaradas ishte bërë e qartë se Muzeu, i cili dukej si aparat ideologjik shtetëror, tani ishte poashtu një aparat shtypës shtetëror.

Synimi i performansës “Të Pakorruptueshmit” ishte theyrja e murit të heshtjes për atë që shihet si “trend i korruptimit’. Kjo performansë në fakt ka krijuar një zinxhir reagimesh të cilat zbuluan hierarkinë e mekanizmave dhe teknikave të udhëheqjes, dhe e zveshën rolin e institucioneve të kulturës brenda këtij aparati: këto institucione, dhe vet Muzeu, në çdo moment funksionuan si pjesë e aparatit shtypës shtetëror.

Aktualisht, institucionet publike të kulturës në Serbi fatkeqësisht po tregojnë që vështirë se mund të ketë vende në të cilat artistët mund të trajtojnë çështje të shoqërisë bashkëkohore në mënyrë kritike, ndonëse ata i kanë fokusuar të gjitha përpjekjet për një gjë të tillë me dikursin e tyre formal liberal të integrimit europian.

Hapja pompoze e Muzeut nuk arriti ta fshehte faktin se institucionet e kulturës me këtë qeveri në Serbi janë injorante ndaj realitetit dhe problemeve konkrete të arteve bashkëkohore dhe të shoqërisë. Ato kontribuojnë në normalizimin e situatës aktuale që mbretëron në Serbi, ku frika dhe masat e frikësimit, humbja e punës apo hyrja në listat e zeza të “armiqve publikë” apo “agjentëve të huaj” i detyrojnë njerëzit të heshtin, të jenë apatikë, ta censurojnë veten apo të nënshtrohen si një mënyrë e parandalimit.

Situata e Serbisë tregon ngjashmëri me vendet në të cilat janë në pushtet regjimet autoritare të krahut të djathtë. Në Turqi, Poloni, Hungari dhe Rusi, punëtorët kulturorë, ata të cilët punojnë në sektorët e arsimit dhe të artit, po vuajnë nga censurimi. Sulmet ndaj autonomisë së institucioneve të kulturës dhe të arsimit janë pjesë e “luftës kundër kulturës”, të cilën e udhëheq e djathta. Rezistenca e unifikuar kundër këtyre politikave është domosdoshmërisht e nevojshme në gjithë Europën.

Foto kryesore nga ArtLeaks.

  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në serbisht/kroatisht/boshnjakisht.

KOMENTO