Shkurt | Protesta

QYTETARËT UDHËHEQIN NJË VALË TË RE PROTESTASH NË PRISHTINË

Nga - 11.08.2016

Qindra dalin në rrugë pas zbulimit të përgjimeve të PDK-së.

Mbrëmë një grup i protestuesve hodhën letër toaleti nga sheshi ‘Skënderbeu’ mbi rrethojën e oborrit të ndërtesës kryesore të qeverisë. Oborri i ndërtesës së zyrës së kryeministrit dhe ministrive tjera u mbush shpejtë me letër toaleti, derisa protestuesit thirrnin “E keni bo mut!”

Ishte protesta e tretë e javës, e organizuar nga një ‘grup i qytetarëve’ në Prishtinë. Ata po dalin në rrugë si reagim ndaj përgjimeve të publikuaranga portali i lajmeve Insajderi.

Përgjimet datojnë nga viti 2011, kur EULEX-i po hetonte Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, për keqpërdorim potencial të parave publike. Aty përfshihen figura kyçe të partisë udhëheqëse në koalicion, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ato përfshijnë një periudhë dy-mujore dhe zbulojnë keqpërdorimet e supozuara të fuqisë për të mira personale dhe ndikimin e tepërt mbi procesin e punësimit në pozita kyçe të ndërmarrjeve publike, sistemit të drejtësisë, forcës policore dhe universitetit publik të Pejës.

Deri më tani janë publikuar nëntë përgjime (i fundit sot). Qendër e kanë shefin e grupit parlamentar të PDK, Adem Grabovci, që ishte zëvendës ministër i transportit në kohën kur u bënë këto inçizime. Ai është inçizuar duke biseduar me individë tjerë të lidhur me PDK si dhe me anëtarë të partisë, përfshirë edhe kryeministrin e atëhershëm dhe presidentin aktual të vendit, Hashim Thaçi, si dhe kryetarin aktual të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që në atë kohë nuk ishte i përfshirë zyrtarisht në politikë.

Photo: Atdhe Mulla.

Kërkesa e protestës është e qartë: përgjegjësi politike dhe ligjore për ata që janë përfshirë ose implikuar në përgjimet e publikuara. Qeveria nuk ka lansuar ndonjë deklaratë në lidhje me përgjimet. Megjithatë, një ditë pasi u publikua përgjimi i parë, Grabovci tha, duke iu adresuar Kuvendit të Kosovës, se “nëse është vepër penale dhe krim për të punësuar njerëz dhe për të hapur vende pune, atëherë kërkoj nga drejtësia, ja ku jam, jam i gatshëm të përgjigjem”.

Komuniteti ndërkombëtar, që shpesh reagon shpejtë ndaj zhvillimeve politike të rëndësisë jetike në politikën kosovare, ende nuk ka reaguar ndaj këtyre ngjarjeve. Ndërkohë 23 OJQ nga shoqëria civile dje i dërguan një letër Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit, duke kërkuar që të hetohet keqpërdorimi i supozuar në incizime i posteve publike nga zyrtarët e lartë.

Lumezi u përgjigj mbrëmë, duke deklaruar se një Komision i Prokurorëve, i përbërë nga dy prokurorë nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe një nga Zyra e Prokurorit Shtetëror është themeluar me 3 gusht. Ky komision do t’i vlerësojë të gjitha materialet origjinale të përgjimeve. “Si Kryeprokuror i Shtetit siguroj se askush nuk është i paprekshëm dhe nëse gjejmë se ka elemente se janë kryer vepra penale, atëherë Prokurori i Shtetit do të veproj me gjithë forcën e ligjit dhe personat përgjegjës do ti nxjerrë para ligjit. Në këtë drejtim ne kemi qenë dhe jemi të pakompromis dhe nuk ka asnjë rëndësi as emri dhe as pozita që mund të kenë të dyshuarit eventual dhe se do të hetojmë të gjitha veprimet e zyrtarëve që ndërlidhen me ndonjë vepër penale dhe me përgjimet e publikuara”, thuhet në letrën e Lumezit.

Insajderi ka lajmëruar se do t’i publikojë deri në 1,000 përgjime në ditët e javët e ardhshme, e protestuesit do të vazhdojnë me protesta.

“Jemi duke i dëgjuar përgjimet që i mbulojnë vetëm dy muaj të vitit 2011”, tha për K2.0 Imer Mushkolaj, njëri prej organizatorëve të protestës. “Imagjinojeni, këta njerëz kanë qenë në fuqi 10 vjet, e vetëm mendoni se sa punësime, ndikim, emërime të gjykatësve e sa skandale kanë ndodhur gjatë këtyre viteve”.

“Protestë civile”

Grupi i qytetarëve që po i organizojnë protestat përbëhet prej 30 personave. Gjatë dy protestave të kaluara (të mbajtura me 5 dhe 8 gusht përkatësisht) numri i protestuesve ishte në qindra, përafërsisht i barabartë me numrin e përcjellësve të tyre në Facebook, ku po komunikohen të gjitha hollësitë në lidhje me protestat. Mbrëmë në protestë u mblodhën rreth 300 qytetarë. Megjithatë, fakti se nuk kanë numër të madh të protestuesve nuk i pengon domosdoshmërisht organizatorët.

“Synimi jonë nuk është që të mbledhim dhjetëra, mijëra njerëz në rrugë, por që të kemi protesta të vazhdueshme kundër kapjes së institucioneve shtetërore”, tha Mushkolaj. Ai beson se “masa protestuese do të rritet shumë më shumë” kur të publikohen më tej përgjimet.

Ndërkohë, aktivistë dhe anëtarë të partisë më të madhe opozitare, Vetëvendosje, VV, veç se i janë bashkuar protestës, duke deklaruar sepublikimi i bisedave në mes të lidershipit të PDK ka dëshmuar edhe një herë kapjen e shtetit nga “strukturat kriminale” që janë në radhët më të larta të shtetit.

Protestat e udhëhequra nga opozita nuk janë asgjë të reja në Kosovë. Sivjet dhjetëra, mijëra protestues mbushën Sheshin Skendërbe në Prishtinë në disa raste pas kërkesave të partive politike opozitare.

Protesta e tanishme, megjithatë, është e udhëhequr nga qytetarët, dhe për Mushkolaj, pjesëmarrja e anëtarëve të opozitës në protestën aktuale “nuk është punë e madhe”, përderisa asnjë parti nuk ka për qëllim që t’i udhëheq këto protesta. “Synimi është që të mos lejojmë askënd që të merr pjesë si parti politike në protesta”, tha ai për K2.0. “Por mund të marrin pjesë si qytetarë, sepse së pari të gjithë janë qytetarë, e pastaj janë anëtarë të partive politike. I sigurojmë qytetarët që nuk do t’i lejojmë protestat që të instrumentalizohen nga partitë politike”.

Petrit Reçica, protestues 27 vjeçar nga Prishtina, tha për K2.0 se një prej arsyeve kryesore që ai doli në rrugë është sepse protesta nuk organizohet nga ndonjë parti politike. “Kërkojmë përgjegjësi politike dhe ligjore, por e para përgjegjësi politike nga ata që janë përfshirë në përgjime”, tha Reçica. “Për shkak që protesta nuk po udhëhiqet nga partitë politike i bie që protesta nuk po mbahet për të fituar fuqi, por në interes të popullit”.

Photo: Atdhe Mulla.

Pak protesta të thirrura nga grupe qytetarësh të pavarur janë organizuar në Kosovën e pasluftës, por në mars të vitit 2013 një grup i qytetarëve protestuan kundër një rritjeje të madhe të çmimeve të energjisë elektrike. Nuk rezultoi në mijëra njerëz në rrugët e Prishtinës, por ishte shenjë që nuk janë vetëm partitë politike ato që mund të grumbullohen kur ka kauza të përbashkëta. Protesta e parë e suksesshme e organizuar prej qytetarëve në Kosovën e pavarur ishte në shkurt të vitit 2014, kur protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës vënë presion mbi rektorin e atëhershëm, Ibrahim Gashi, për shkak të akuzave për mashtrim akademik. Gashi në fund dha dorëheqje.

Megjithatë, përderisa dy protestat e kaluara patën kërkesa të posaçme, protestat kundër përgjimeve po bëjnë thirrje jo vetëm për përgjegjësi morale e politike, por edhe për pasoja ligjore për ata të përfshirë në këto zbulime.

E ardhmja e protestës së organizuar nga ky grup i qytetarëve vështirë që mund të parashikohet tani, por vendosmëria e protestuesve për të dalë në rrugë deri sa ta arrijnë qëllimin duket e palëkundur. Ajo që mund ta ndryshojë me rëndësi kahjen e protestave janë përgjimet që ende nuk janë zbuluar. Ato mund t’i nxisin mijëra njerëz që t’i bashkohen këtij grupi të qytetarëve.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO