S`fundmi | Bisedë e Shkurtë

Çka me diasporën?

Nga - 20.07.2018

Kosovo 2.0 diskuton mbi rolin e rëndësishëm të diasporës

Mbrëmë (19 korrik) në ambientet e Qendrës Inovative të Kosovës (ICK) është mbajtur diskutimi mbi rolin e diasporës. Eventi i titulluar ‘‘A ma mirë këtu a atje?’’ i organizuar nga K2.0 tentoi t’i përgjigjet pyetjeve rreth; kontributit të diasporës ndër vite,  pjesëtarët e saj se a mund të shihen si grup homogjen; a mund të largohen prej kornizës që i percepton si burim financiar si dhe rolit të institucioneve karshi diasporës.

Paneli i diskutimit i moderuar nga gazetari Eraldin Fazliu, pjesëmarrës kishte: Afrim Bekteshi Zëvendës Ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike; Osman Osmani kryetari i shoqatës profesionale “Prointegra.ch”; Liza Gashi nga organizata ‘‘Germin’’ si dhe Adem Ferizaj, MA në Marrëdhëniet ndërkombëtare, Instituti i Studimeve Politike të Parisit, i rritur në Gjermani.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Fazliu e hapi diskutimin me pyetje rreth asaj, se a shikohen anëtarët e diasporës vetëm si burim financiar, kjo bazuar edhe në emërtimin shtesë – investime strategjike – që ka marr Ministria e Diasporës. Ai foli edhe për mungesën e informacioneve, ku përmendi ueb faqen e ministrisë dhe mungesën e rifreskimit të të dhënave.  

Zv.ministri Bekteshi, tha se shtesa në emërtim nuk duhet të jetë problematike sepse duhet të kanalizohen investimet e jashtme dhe anëtarët e diasporës mund të kontribuojnë me lidhjet e tyre. Më tej, për kritikat rreth mos aktivitetit të ueb faqes së ministrisë, pranoi se faqja nuk po funksionon si duhet dhe se ka mungesë të informacioneve, ku sipas tij, edhe ata vet si pjesë e institucioneve përballen me mungesë të të dhënave.

Se cila do të jetë zgjidhja për këtë problem nuk e tregoi, por tha se ‘‘informacioni është resurs para se të futemi në një proces’’, duke përmendur kohën e shkurtër që është pjesë e ministrisë.  

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Bekteshi më pas shpalosi punën e ministrisë për të ardhmen, ku tha se janë duke përgatitur një dokument të ri strategjik për pesë vitet e ardhshme me katër objektiva.

‘‘Promovimi dhe avancimi i të drejtave politike të diasporës në institucionet e Kosovës; ruajtja e identitetit kulturor të pjesëtarëve të diasporës; integrimi i diasporës si dhe përfshirja e diasporës në proceset socio-ekonomike në Kosovë’’, ka thënë Bekteshi.

Zv.ministri nuk dha detaje të zgjeruara se cilët do jenë hapat konkret për implementimin e këtyre objektivave dhe koha kur do të mund të shihen rezultatet konkrete, por vazhdoi më tej me kritika ndaj institucioneve,  duke pohuar se “nuk është i kënaqur me atë që është bërë deri më tash’’.

Pas përfaqësuesit të ministrisë, fjalën e morri Osman Osmani nga ‘‘Prointegra’’, i cili për më shumë se katër dekada jeton në Zvicër dhe për shumë vite është marrë me sigurimet shoqërore. Ai foli mbi përfaqësimin diplomatik të Kosovës në vendet e Evropës për të cilat tha se ‘‘janë të mbushura me militant partiak – sikurse në Kosovë – dhe kështu nuk ka hapësirë për profesionistët’’. Vlerësim të cilin e pranoi edhe zv.ministri, duke potencuar se kjo gjendje është edhe në ministrinë pjesë e së cilës është ai.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Osmani më tej duke analizuar punën e institucioneve për diasporën përmendi sigurimet shoqërore dhe marrëveshjen e anuluar ndërshtetërore me Zvicrën tash e nëntë vite. Sipas tij, kjo është për shkak se profesionistët nuk janë pjesë e institucioneve. Për këtë zhvillim ai kishte kritika edhe ndaj shtetit Zviceran se ky anulim ka ardhur vetëm në drejtim të Kosovës dhe këtë po e paguajnë pensionistët nga Kosova që për vite kanë punuar në Zvicër.

“Me problemet që ballafaqohen pjesëtarët e diasporës, nuk janë probleme të një personi apo institucioni të caktuar – por është një problem strukturor që prek edhe misionet ndërkombëtare dhe shtetet që janë pjesë e këtyre misioneve”, ka thënë Osmani.    

Për Liza Gashin, drejtoreshë e organizatës ‘‘Germin’’, buxheti prej 1.7 milion eurove i Ministrisë së Diasporës, tregon se çfarë pune po bëjnë institucionet e vendit dhe qasjen jo serioze që kanë karshi diasporës.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Më tutje, Gashi foli për 900 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme – shifra këto të dhëna nga Agjencia Kosovare e Statistikave – që sipas saj duhet të na bëj të kuptojmë që kur flasim për pjesëtarët e diasporës nuk mund t’iu qasemi si një entitet homogjen.

‘‘Është shumë e rëndësishme ta kuptojmë se nuk mundemi me gjeneralizu dhe të themi se diaspora kërkon këtë’’. Sipas saj, vala në të cilën kanë dal, sipas saj, e dikton në një mënyrë edhe realitetin në të cilin jetojnë.

‘‘Është shumë ndryshe me taku një mërgimtar që ka dalë në vitet ’60 e sot është pensionist dhe fëmijëve të tij që nuk e kanë atë lidhje emocionale me Kosovën që e kanë prindërit e tyre’’, është shprehur Gashi.

E në bazë të kësaj, ajo tha se problemet duhet të adresohen në disa rrafshe dhe bëri thirrje që të mos ketë dezinformim dhe ta kuptojmë se kemi të bëjmë me njerëz që kanë profile, përvoja, qëllime dhe qasje të ndryshme.

Ndërsa Adem Ferizaj bisedën e filloi me një përvojë personale. Gjatë kohës sa po hulumtonte për temë të diplomës së masterit në Kosovë, ishte kontaktuar nga ambasada e Kosovës në Paris. Përfaqësues të ambasadës, i kërkuan Ferizajt të dhëna se sa është numri i studentëve shqiptarë në kryeqytetin francez ‘‘sepse amabasadori kosovar po dëshiron t’i takoj ata për një eveniment kulturor”.

‘‘Çka më ka lënë kjo me nënkuptu është se, në një kryeqytet evropian zyrtarët kosovar nuk kanë data-bazë për studentët nga Kosova që studiojnë në Paris’’, thotë ai, duke e marr shembullin e Parisit si simbolikë, për të treguar gjendjen e përgjithshme të punës së institucioneve.

Më tej, ai tha se ka ardhur koha që të mos bëjmë vetëm kritika por të shikohet se pse nuk po bëhet përmirësimi i situatës. Sipas tij, thelbi i problemit është se Kosova është një entitet politik i margjinalizuar, i kolonializuar dhe pa asnjë mundësi veprimi.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

‘‘Kështu që çka presim nga politikanë, që realisht nuk kanë pushtet dhe janë vetëm marioneta të dikujt që ju mjafton se në Kosovë nuk ka më luftë’’, thotë ai.  Për të, kritika e parë duhet të jetë ndaj qasjes që kemi dhe pastaj të flitet në rrafshe të tjera.

Më tej, i riu që afërsisht dy vitet e fundit jeton në Kosovë foli për termin ‘‘schatzi’’ që sipas tij është një konstrukt racist. Për të, ky term është i huazuar nga kosovarët prej një qasje hegjemone dhe ekzotike që ka ardhur nga gjermanët dhe zviceranët. Për të është ironi se si ky term gjen hapësirë për përdorim edhe në Kosovë dhe po shfaqen përjashtime ndaj pjesëtarëve të diasporës.

Ferizaj më pas foli edhe për mundësitë për punë në Kosovë, duke thënë se gjendja është e limituar njëjtë si për të gjithë qytetarët e vendit.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Për të ndjekur këto pika të zgjeruara si dhe rolin e diasporës në dekadat e mëparshme, pastaj anëtarët e diasporës në luftën e fundit, kritikat ndaj politikanëve që dikur vepronin në diasporë dhe pika të tjera të bisedës, ju ftojmë t’i dëgjoni në linkun e mëposhtëm: