S`fundmi | BiH

Komunitetet të bashkuara për të protestuar kundër vendimeve zyrtare për vdekjet.

Nga - 30.05.2018

Vdekjet e pazgjidhura të dy burrave të rinj kanë shkaktuar protesta të vazhdueshme në Bosnje dhe Hercegovinë.

Më 24 mars, 2018, trupi i pajetë dhe i mavijosur i David Dragičević (21), një student i inxhinierisë elektrike dhe muzikant ambicioz, u nxjerr nga lumi Crkvena në Banja Llukë. Ai kishte humbur pas mesnatës së 17 marsit, pasi kishte dalur nga një lokal në ora 2 e gjysmë.

Sipas babait të Davidit, për disa ditë rradhazi, atë e kishin droguar, torturuar, përdhunuar dhe në fund e kishin vrarë – ai thotë se këto dyshime i kishin konfirmuar nëpërmjet autopsisë së dytë të performuar në Beograd, që e kontradiktoi raportin zyrtar.

Më shumë se dy muaj pas vdekjes së David, ka më shumë paqartësi sesa përgjigje në lidhje me rrethanat e vdekjes së tij. Familja e akuzojnë policinë për ndërhyrje në dëshmitë kyçe për t’i mbrojtur autorët e krimit.

Rasti i ngjan disa rasteve tjera të vdekjeve të pashpjeguara, në mesin e tyre edhe rasti i vdekjes së dyshimtë të Dženan Memić, një 22 vjeçar nga Sarajeva, familja e së cilit beson se ai është vrarë. Mungesa e besimit në raporte zyrtare për vdekjet e njerëzve e ka tronditur vendin dhe ka bërë që qytetarët të mobilizohen për të kërkuar drejtësi.

Djalë nga geto

Duke mbajtur lart parulla në të cilat shkruante ‘Pse heshtni?’ dhe ‘Kush po i mbronë vrasësit?’, protestuesit janë mbledhur çdo ditë në Sheshin Krajina në qendër të Banja Llukës tash e dy muaj, për të kërkuar të vërtetën mbi orët e fundit të jetës së David Dragičević.

Një këngë rep që e shkroi dhe inçizoi David para pesë viteve, e cila përmban parashikime të zymta, dëgjohet nëpërmjet altoparlantëve në protesta dhe publiku e këndon, duke i ngritur lart grushtat:

“Nëse nuk e njeh lojën, nata të përbinë, sepse këtu, vëlla, veç dilleri ka fuqi… Me sa duket nuk kam me shku larg, sepse unë jam veç piun në këtë histori, nuk po shkoj askund, e kam bërë dëmin, jam veç një djalë i thjeshtë në geto”.

David Dragičević vdiq në rrethana të dyshimta në mars. Foto nga Ostra Nula.

 

Protestat po udhëhiqen nga babai bindës dhe i përmbajtur i David, Davor. Faqja në Facebook ‘Justice for David’ (Drejtësi për David) i ka mbi 220,000 përcjellës. Davor e ka shprehur versionin e tij të ngjarjeve publikisht dhe shpeshherë është kritikuar nga ata të cilët po i drejtojnë hetimet.

Më 10 maj, në Kuvendin Kombëtar të Republika Srpska u thirr një seancë e jashtëzakonshme për t’i ekzaminuar gjetjet e fundit, si dhe për ta vlerësuar situatën e përgjithshme të sigurisë në këtë entitet, një nga dy rajonet administrative në Bosnje dhe Hercegovinë. Kur u paraqit në seancë, Davor Dragičević dha një “goditje” duke i emëruar personat të cilët ai besonte se ishin bashkëfajtorë për vrasjen e të birit të tij.

“Tortura përbindëshore ndaj të birit tim zgjati me ditë. Ka shumë dëshmi për këtë. Dëshmia më e mirë janë lëndimet e shumta dhe të rënda që u munduan t’i mbulojnë Lukač, Ilić, Ćulum dhe Karan”.

Në akuzën e tij, Davor iu referua Dragan Lukač, Ministrit të Brendshëm të Republika Srpska; Darko Ilić, kreut të Zyrës për Krime të Rënda dhe të Organizuara në Republika Srpska; Darko Ćulum, drejtorit të Policisë së Republika Srpska dhe Željko Karan, patologut që e kreu autopsinë e parë.

Duke u munduar t’i përgjigjej disa prej akuzave, Lukač u tha mediave se hetimet po vazhdonin dhe se ai kërkon nga Prokuroria të publikojë të gjitha informatat që të jenë në dispozicion për publikun. Ai e refuzoi nocionin se policia po mundohet të fshehë diçka në këtë rast.

Sipas raportit zyrtar të ngjarjeve, David ishte i përfshirë në një përleshje në natën kur u zhduk, e më pas shkoi për ta plaçkitur një shtëpi, para se të kërcente nga një urë në lumin e cekët dhe të mbushur me ujëra të zeza, Crkvena.

Policia pretendon se sendet e gjetura në xhepat e tij (një USB, një thikë, çelsa dhe para) u vjedhën nga shtëpia e plaçkitur, e cila ishte afër vendit ku u gjet trupi i tij, dhe se në gjakun e David u gjet alkohol dhe drogë.

“E putha fëmiun tim të vdekur në buzë në tryezën e autopsisë në ora 10 në mëngjesin e 25 marsit. I pashë të gjitha. Nuk më duhet gjë tjetër. Si Muriz Memić kur e pa fëmiun e tij të vdekur dhe e diti se e kishin vrarë.”

Davor Dragičević

Sipas rezultateve të autopsisë së parë, David vdiq më 18 mars në ora 4 pas mesnatës si rrjedhojë e mbytjes në ujë dhe kufoma e tij mbeti në ujë për shtatë ditë para se ta gjenin. Shenjat e shumta që u gjetën në trupin e tij, gjoja ishin rrjedhojë e përleshjes së më hershme.

Për shkak se nuk i besoi raportit zyrtar, babai i David kërkoi të kryhej një autopsi e dytë. Kjo u performua nga një ekspert i Akademisë Mjekësore Ushtarake të Beogradit, i cili gjeti se trupi mund të ketë qenë në ujë për vetëm dy deri në katër ditë kur u gjet më 24 mars dhe se vdekja ndodhi dikur brenda periudhës 20-22 mars.

Pra sipas patologut, David ishte ende i gjallë kur kishin filluar ta kërkonin në ditët e para pas zhdukjes së tij.

Jehonë në Sarajevë

“E putha fëmiun tim të vdekur në buzë, në tryezën e autopsisë në ora 10 në mëngjesin e 25 marsit”, tha Davor Dragičević në një intervistë të transmetuar në televizion. “I pashë të gjitha. Nuk më duhet gjë tjetër. Si Muriz Memić kur e pa fëmiun e tij të vdekur dhe e diti se e kishin vrarë”.

Dragičević iu referua babait të të ndjerit Dženan Memić, i cili vdiq në shkurt 2016 në Sarajevë. Si në rastin e David, ka shumë pikëpyetje për rrethanat në rastin e vdekjes së Dženan.

Sipas raportit zyrtar, Memić u godit nga një veturë deri sa ishte duke ecur në një rrugicë të qetë dhe të përshkuar me drunj në Ilidža, në periferi të Sarajevës, më 8 shkurt, 2016. Ai ishte me të dashurën e tij, Alisa Mutap, e cila gjoja pësoi amnezi si rrjedhojë e lëndimeve që i morri gjatë aksidentit.

Zyra e Prokurorit Kantonal në Sarajevë, fillimisht nisi të mblidhte prova për një gjykim ku do gjykohej rasti si vrasje, por ky hetim më pas u mbyll dhe më vonë Prokuroria deklaroi se shkak i vdekjes në rastin Memić ishin lëndimet e pësuara në një aksident rrugor. Bekrija dhe Ljubo Seferović, babë e bir, u akuzuan për shkaktim të aksidentit dhe arratisje nga vendi i krimit. Më pas ata filluan të gjykohen, por gjykimi ende është në vazhdim e sipër.

Muriz Memić e ka mohuar kategorikisht këtë raport dhe që nga fillimi nguli këmbë që i biri i tij, i cili ra në komë dhe vdiq një javë më vonë, është vrarë dhe se krimi u mbulua nga prokuroria dhe policia. Ai pretendon se Dalida Burzić, kryeprokurorja kantonale, e informoi personalisht në mars 2016 që i biri i tij u vra dhe se një letër ishte dërguar në adresën e shtëpisë së tij për ta kumtuar këtë lajm.

Rasti Memić nxiti protesta në Sarajevë. Protestuesit kërkonin të vërtetën. Foto: Lidia Kurasinska.

Memić gjithashtu i ka rrefuzuar vazhdimisht akuzat ndaj Bekrija dhe Ljubo Seferović. Në vitin 2017, ai tha: “Kam deklaruar që nga fillimi se Ljubo dhe personi [tjetër i akuzuar] rom, nuk janë të fajshëm. Ata janë komuniteti më i margjinalizuar dhe dikush i ka abuzuar. Unë kam informata se ata kanë marr para… Ljubon e rrahën policia dhe ai e pranoi fajin për shkak se u detyrua. Unë e di gjithashtu se polici G.E. ja futi një allti në gojë Ljubos për ta detyruar atë që ta pranojë fajin”.

Edhe motra e të ndjerit, Arijana Memić, është shokuar nga mënyra e trajtimit të këtij rasti. “Është tepër shqetësuese që Prokuroria po e ndjek me qëllim një rast kundër disa personave, për të cilët duhet ta dijë se nuk janë autorët e krimit dhe me një padi që e din se është de fakto joekzistente”, tha ajo për K2.0.

Si në rastin e David Dragičević, hetimet për përcaktimin e shkakut të vdekjes së Dženan Memić janë karakterizuar nga dëshmitë kontradiktore dhe mospërputhjet.

Në përpjekjet e tij për transparencë në gjykim, Muriz Memić ka nisur një fushatë dhe ka thirrur disa protesta gjatë dy viteve të fundit.

Familja Dragičević, serb të Bosnjes dhe familja Memić, boshnjakë muslimanë, janë bashkuar në protestat e tyre, duke bërë thirrje për drejtësi për të gjithë. Foto: Lidia Kurasinska.

Më 15 maj, të atët e Dženan dhe David vendosën t’i kombinojnë forcat duke e mbajtur një protestë të përbashkët në Sarajevë. Ata shfaqën solidaritet ndëretnik (Dženan ishte boshnjak musliman dhe David ishte serb i Bosnjes), diçka e rrallë në Bosnjen bashkëkohore. U mblodhën afro një mijë njerëz për ta mbështetur këtë kërkesë për drejtësi.

I veshur me një bluzë në të cilën shkruante ‘Drejtësi për David dhe Dženan’, Davod Dragičević iu drejtua turmës së mbledhur: “Unë jam serb, krishter ortodoks me besim. Davidi im u vra prej serbëve. Çfarë do të kishte ndodhur po të ishte vrarë prej njerëzve të ndonjë përkatësie tjetër fetare? Këta njerëz nuk kanë fe apo kombësi”.

Raste të pazgjidhura

Ndonëse vdekjet e David dhe Dženan kanë fituar më së shumti publicitet, janë disa raste të tjera të pashpjeguara, në të cilat raportet zyrtare të ngjarjeve janë në kundërshtim me pretendimet e familjeve dhe ku autorët e krimeve nuk janë dënuar.

Në vitin 2011, 21 vjeçari Nikola Durović u vra në një aksident rrugor. Ndonëse Nenad Radinković, një furrtar i papunë, u dënua me katër vite burg, babai i Nikola pretendon se autori i vërtetë i krimit ishte Stanislav Čado, ish-ministër i lartë policor në Republika Srpska.

“Ndonëse të gjitha këto raste janë të ndryshme, ne të gjithë po e luftojmë të njejtën betejë”.

Arijana Memić

Milan Vukelić, inxhinier nga Banja Lluka, u vra në një shpërthim bombe në një veturë në vitin 2007. Një pasagjer i cili ishte me të dhe mbijetoi nga incidenti, pretendonte se identiteti i vrasësit të supozuar dhe motivi i tij ishte “sekret i hapur në Banja Llukë”. Disa ditë para vdekjes së tij, Vukelić foli në media për dyshimet e tij për projektet fitimprurëse të Institutit të Ndërtimit të Banja Llukës, ku ishte i punësuar.

Arijana Memić tha se “ndonëse të gjitha këto raste janë të ndryshme, ne të gjithë po e luftojmë të njejtën betejë”. Ajo zbuloi se edhe babai i saj kishte qenë në kontakt me të atët e Selma Agić dhe Edita Malkoč, dy vajzat që vdiqën në një aksident rrugor në të cilin autorët e krimit u arratisën nga skena e krimit në Sarajevë vitin e kaluar. Ata nuk janë përballur kurrë me drejtësinë. Ajo tregoi se të atët e vajzave janë pajtuar për t’iu bashkuar protestës. “E vetmja mënyrë për të arritur diçka është duke u bashkuar”, shtoi Arijana.

Familjet po i bashkojnë forcat, por fushatat e tyre shpeshherë kritikohen dhe akuzohen çuditërisht nga disa media dhe nga shteti. Në një intervistë me uebfaqen Novosti të Republika Srpska, drejtori i policisë së Republika Srpska, Darko Ćulum, duke iu referuar fushatës Drejtësi për David, pretendonte se “disa njerëz po e përdorin tragjedinë për t’i arritur qëllimet e tyre”, dhe argumentoi se disa shërbime të intelegjencës nga Perëndimi janë të zënë duke “krijuar informata” në rrjete sociale.

Por për Arijana Memić, synimi i protestave është i qartë: “Jo më vrasje të pashpjeguara, të pazgjidhura. Jo më rini të vjedhura dhe jo më, të na bëni të dukemi si të çmendur. Sikur nuk ëshë boll që na morrët më të dashurit”. K

Foto kryesore: Lidia Kurasinska.