Shkurt | Kulturë

“The Dark” ofron një përvojë hipnotike muzikore

Nga - 05.04.2017

Performanca e operës eksperimentale vë në pah potencialin e hapësirave të braktisura.

Një korridor i gjatë e i errët me dysheme të thyer betoni të pret sapo të hysh në shtypshkronjën “Rilindja”, në Prishtinë. Brenda saj, makineri gjigante e të zymta të shtypit, relika të një epoke teknologjike që është kaluar që moti, qëndrojnë para hyrjes së tualeteve të errëta, ku uji vazhdimisht pikon nga tavani dhe tubat e çarë. Në murin përballë është një derë që të çon në një sallë të madhe. Po aq gotike sa pjesët tjera të ndërtesës, kjo hapësirë shpellore që nuk ka fare dritare.

Të premtën në mbrëmje (31 mars) kjo depo ishte pak sa e shndritur; e krijoi një ambient psikologjik që ishte në harmoni të përkryer me performancën “The Dark” (Errësira), një operë nga kompozitorja e Luksemburgut Albena Petrovic-Vratchanska.

Opera eksperimentale “The Dark” shfrytëzon lokacione të pazakonshme dhe instrumente që nuk janë tradicionale. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Para ngjarjes filluan të mbushen karriget që ishin renditur në sallë, derisa publiku në kryeqytet po priste me padurim një lloj tjetër të operës klasike. Pas hyrjes, trupa morrën vendet e tyre, dhe në sallën gjysmë të errët, ku vinte erë ndryshku, lagështie e erë e makinerive të vjetra të prodhimit, filluan të dëgjohen tinguj të çuditshëm e kompleks nga ansambli i Luksemburgut për muzikë bashkëkohore “United Instruments of LUCILIN”, (Instrumentet e bashkuara të LUCILIN), para se të dëgjoheshin edhe vokalet e paparashikueshme të muzikantes dhe sopranos franceze, Donatienne Michel-Dansac.

Michele-Dansac po e tregonte një tragjedi antike greke nëpërmjet këngës, një tregim dashurie në mes të liristit të njohur Orfeut dhe Euridikës së bukur. Gjuha e kësaj rrëfenje ndryshonte, herë bullgarisht herë anglisht, herë frangjisht, e madje edhe latinisht. Kompozitorja e lindur në Bullgari Petrovic-Vratchanska e përshkruan operën si shumë romantike. “Është tregimi më i madh i dashurisë nga mitologjia greke”, tha ajo për K2.0.

Kur Petrovic-Vratchanska shkoi për të studiuar në Luksemburg, ajo e gjeti një mentor të fuqishëm, Claude Lenners, një kompozitor bashkëkohor klasik nga Luksemburgu, i cili pati ndikim të madh në stilin e saj muzikor.

“Nga ai moment, dhe tash e 20 vite, kam komponuar në këtë stil. Gjithmonë jam në kërkim për tinguj të ri”, tha ajo. “Edhe kur punoj në punime të vogla për piano, edhe atëherë jam duke kërkuar tinguj të ri, duke futur instrumente të reja. Kur e dëgjon, nuk e din saktësisht se çfarë janë”.

Albena Petrovic-Vratchanska e gjenë frymëzimin e saj në Greqinë antike dhe në Luksemburgun bashkëkohor. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Petrovic-Vratchanska ka shkruar më shumë se 600 punime në zhanre të ndryshme muzikore, por kjo është opera e parë e saj. “Nuk kemi skenë, apo lëvizje; është statike”, shpjegoi ajo. “Por nëpërmjet muzikës, dhe me instrumente, unë mundohem që t’i shpjegojë të gjitha zhvillimet psikologjike”.

Në Rilindje të premtën tingujt buronin nga gjithandej sallës edhe objektet më të çuditshme u bënë instrumente muzikore. “Disa instrumente të perkusionit ishin mjete të kuzhinës”, tha Petrovic Vratchanska, duke qeshur. Ajo shpeshherë ka thënë se ajo që e bënë është e re, se nuk e kopjon dikë dhe se gjithçka që bënë është origjinale dhe  rrjedh nga përvojat e saja; prej gjërave që i ka lexuar apo njerëzve që i ka njoftuar.

“The Dark” në DAM

Performanca e operës ishte festë e dy festivaleve të spikatura kulturore të Kosovës, meqë u shënua edhe mbyllja e edicionit të 17- të e javës së Frankofonisë në Kosovë dhe hapja e edicionit të 12 të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës DAM në Prishtinë, që do të vazhdojë deri të shtunën (8 prill).

Në Prishtinë, “The Dark” prej disave u prit me huti, e prej tjerëve me kënaqësi. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Lejla Pula-Haxhiu, drejtoresha artistike e Chopin Piano Fest Prishtina, dhe  pianiste, beson se kjo operë ofroi diçka të re për publikun e Prishtinës. “U emërua ‘The Dark’ dhe me të vërtetë të ipte përshtypjen e errësirës”, tha ajo për K2.0 pas ngjarjes.

Pula-Haxhiu ishte falenderuese ndaj gjithë ansamblit, kompozitores dhe Festivalit DAM për mundësinë që i dha publikut të Prishtinës, e këta të fundit ajo beson se kanë apetit të madh për pjesëmarrje në performanca klasike, veçanërisht kur u ipet mundësia për t’u zhytur në “punime jashtëzakonisht interesante”.

"Në kohën e Mozartit njerëzit e dëgjuan Mozartin!" drejtori ekzekutiv i Festivalit DAM."

Dardan Selimaj

“The Dark” premierën e pati në Luxembourg Casemates du Bock, një sistem i madh nëntokësor i rrugëve e galerive nën një ndërtesë që dikur ishte kështjellë. Aty Dardan Selimaj, drejtori ekzekutiv i DAM Festival, e pa për herë të parë këtë operë, dhe kjo e frymëzoi atë që ta sjellte në Prishtinë.

Selimaj beson se është shumë e rëndësishme që publiku i Kosovës të njihet me muzikën bashkëkohore. “Sivjet koncepti ynë është përzgjedhja e punimeve që shkruhen sot”, shpjegoi ai për K2.0. “Duhet t’i njohim më mirë, t’i dëgjojmë më shumë; në kohën e Mozartit njerëzit e dëgjuan Mozartin! [Kosovarët] gjithmonë paragjykojnë e i rezistojnë punimet bashkëkohore pa i njohur ato e pa u munduar që t’i kuptojnë pak më mirë”.

Selimaj mendon se skena kulturore në Kosovë shpeshherë ngecet në të kaluarën duke refuzuar që të pranojë të renë. Gjatë operës disa karrige, jo të pakta në numër, u zbrazën. E më pas shumë njerëz mbetën të hutuar nga “ekscentriciteti” i kësaj paraqitjeje, por gjithashtu një numër i madh i njerëzve shprehën kënaqësinë e tyre.

Një arsye tjetër që e nxiti Selimajn që ta përzgjedhë këtë operë ishte fakti që ajo ishte shkruar veçanërisht për hapësira që nuk janë salla të koncerteve. “Duke marrë parasysh faktin që nuk kemi sallë të koncerteve, ne gjithashtu deshëm që ta sfidojmë vetën, që të shohim se si mund ta transformojmë festivalin e ta përshtatim për hapësirat që i ka Prishtina, që janë të mira por nuk i përdorim shumë”, tha ai.

Salla në shtypshkronjën “Rilindja” u përdor së pari nga Festivali DAM në vitin 2013 për shfaqjen eksperimentale të Bekim Lumit, Dilerat, performancë që ishte diku në mes të shfaqjes teatrale e shfaqjes muzikore.

Punimet e muzikës bashkëkohore dhe eksperimentale janë fokusi i Festivalit DAM sivjet, veçanërisht ato që po mbahen në klubin e Boksit, që tani është shndërruar në hapësirë të arteve. “Për mua festivali nuk është vetëm për të prezantuar një program të caktuar muzikor, por në të njejtën kohë [është] për të punuar me hapësira dhe koncepte”, tha Selimaj.

Festivali DAM është rritur sa i përket prestigjit prej kur u nis në vitin 2006. Sivjet, 32 performanca muzikore janë premiera dhe festivalit DAM i është besuar përgjegjësia për t’i përçuar ato në mënyrën më të mirë të mundshme. “Kompozitori/ja mund të shkruaj një punim të mirë, por mënyra se si e prezanton për publikun mund ta dëmtojë atë; pra është privilegj kur kompozitorët të besojnë me shfaqjet e tyre”, tha drejtori Selimaj.

Rilindja e “Rilindjes”

Shtypshkronja “Rilindja”  të premtën e pati një natë plot tinguj ekcentrik, instrumente konceptuale dhe pamje të botës së komponimit bashkëkohor. Kur përfundoi “The Dark, dhe u ndalën jehonat e ansamblit, vokalet e Dansac dhe komentet pas performancës ngadalë u shuan, dhe u vazhdua me muzikë tjetër. Këtë herë, elektronike dhe bashkëkohore, e jo nga bota klasike.

Tandemi i Blerta Kosovës dhe Oda Halitit debutoi me performancën e tyre live pas përfundimit të “The Dark”. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Tandemi i ri i përbërë prej Blerta Kosovës dhe Oda Halitit e absorboi vetën në instalacionet e tyre me llaptop e pajisje elektronike, duke krijuar muzikë elektronike harmonike, shoqëruar me vokale e me një sfond të të gjallë, pranë një publiku të vogël por mirënjohës.

Përsëri një hapësirë e braktisur dhe e papërdorur në Kosovë dëshmoi të ketë sharm të veçantë dhe të jetë lokacion i veçantë. Një lëvizje sociale që ende nuk është e emëruar po i mbush me magji këto hapësira, duke i bërë që të lulëzojnë ngjarjet kulturore.

Disa mendje në këto vende shohin vetëm rrënoja dhe mundësi biznesore; mundësi për modernizim. Por janë edhe ata që besojnë se mendjet dhe zemrat e popullit duhet të modernizohen, dhe me pak imagjinatë, ekziston një premtim i pashprehur që Kosova ndoshta mund të vihet në hartë me veçantinë e saj kulturore.

Për orar të plotë të Festivalit DAM, klikoni këtu.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO