Në thelb | Demokraci

Demagogjia mbi ideologjinë në zgjedhjet në Shqipëri

Nga - 23.06.2017

Programet e mirëfillta politike lihen anash, derisa Shqipëria shkon në votim.

Shqipëria do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme me 25 qershor të këtij viti, zgjedhje të cilat cilësohen të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshem të vendit. Megjithate, mënyra se si partitë garuase kanë zgjedhur të bindin votuesit duket e ndryshme nga herët e kaluara, pasi ata po bëjnë fushatë pa programe të qarta, duke u fokusuar më shumë tek lufta politike midis tyre.

Partia Socialiste erdhi në pushtet në qershor të vitit 2013 falë një programi ambicioz, i cili në thelb synonte ndryshime politike, ekonomike dhe sociale në vend. Aty përfshiheshin disa ide racionale të majta, si: rritje ekonomike mbi 8 përqind, hapje e 300 mijë vendeve pune, ulje e borxhit publik nën nivelin 60 përqind e GDP-së, favorizminin e bizneseve të mesme dhe të vogla nëpermjet taksës progresive, rritje e sigurisë publike dhe shërbime shëndetësore falas.

Por, ndryshe nga fushata e kaluar, këtë herë PS-ja ka hequr dorë nga programi politik dhe përgjegjësitë që i përkasin për dështimet e disa reformave kyçe. Këto përfshijnë mos arritjen për të hapur vende të reja të punës, rritja e borxhit publik që ka kaluar nivelin 72,2%, (e GDP-së) reformat e dështuara në shëndetësi, lufta kundër korrupsionit. Në mars të këtij viti, Shqipëria u cilësua nga Departamenti Amerikan i Shtetit ende si një vend tranziti për trafikimin e narkotikëve, armëve, mallrave kontrabandë dhe qenieve njerëzore. Gjithashtu, burimet të mëdha të të ardhurave të paligjshme vijnë nga trafiku i ndryshëm, korrupsioni i zyrtarëve dhe mashtrimi.

Partia Socialiste e Edi Ramës erdhi në pushtet në vitin 2013, por u kritikua për mos-zbatimin e premtimeve të tyre goxha të guximshme zgjedhore.

E vetmja gjë që kërkon kryeministri Edi Rama në takimet me simpatatizantët e partisë – duke premtuar ndërtimin e një shteti me baza të forta dhe larg klientelizmit politik – është që elektorati t’i japin mundësi të qeverisë i vetëm, pa aleatin kryesorë, Lëvizjen Soaciliste për Integrim. Rama ata i stigmatizon si fajtorë për mos-arritjen e objektivave por edhe parti të tjera të koalicionit qeveritar, siç është Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

“Unë nuk do të isha as i drejtë me këtë vend dhe as i sinqertë me të gjithë ju në qoftë se deri në 25 Qershor nuk do ju paralajmëroja për rrezikun që ekziston [nga qeverisja me parti të tjera] nëse nuk na e besoni ne të plotë përgjegjësinë e timonit të qeverisjes, që askush të mos votoj reformat [në parlament], duke marrë si shpërblim punësime partiake në shtet“, sqaroi ndër të tjera Rama në një komunikim me mbështetësit e Partisë Socialiste. Ai ka kërkuar minimalisht 71 mantate parlamentare, nga 65 që kishte në legjislaturën e fundit.

Ndonëse një ndjenjë antiqeveritare po mbizotëron në vend, opozita kryesore – Partia Demokratike – nuk duket e gatshme të përfitojë nga kjo.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike hyri në zgjedhje duke u gjendur në mesin e shumë kritikash, pasi gjatë katër  viteve në opozitë ata nuk arritën të hartonin një program bindës për votuesit, i cili do të kristalizonte të gjithë frymën anti-qeveritare që ekziston në vend. Gjithashtu pati dyshime nëse do të merrnin pjesë në zgjedhje pasi strukturat e tyre, pas një vendimi të befasishëm ngritën një çadër para kryeminstrisë në Tiranë në muajin mars, ku kërkonin largimin kryeministrit, Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike me bazë të gjërë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Pas tre muajve negociata intensive dhe insistimin e përfaqësuesve të lartë të SHBA-së dhe BE-së, ata [Partia Demokratike] pranuan të hyjë në zgjedhje në këmbim të shkarkimit të gjashtë ministrave dhe të zëvendëskryeministrit, të cilët i konsideronte si rrezik potencial, që mund të ndikonin negativisht në procesin e zgjedhjeve, këta zyrtarë që u zëvendësuan nga ministra teknikë, të propozuar nga opozita. Kjo marrëveshje e papritur dhe dyshimet e mëdha se PD-ja mund të jetë pjesë e një koalicioni me bazë të gjërë të drejtuar nga Edi Rama pas zgjedhjeve kanë berë që ata të jenë njëkohësisht të kursyer në kritika ndaj mazhorancës aktuale.

Vetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha premton se do të hedh themelet për ndërtimin e një republike të re, bazuar në një program ekonomik të modelit gjerman me taksë 9 të sheshtë 9%; rritje pensionesh mbi tavanin 25 mijë lekë të reja dhe shujtë të drekës falas për të gjithë sistemin parashkollor, por pa dhenë detaje konkrete për menyrën se si do funksionojë.

"Duke mos pasur programe konkrete është më e lehtë për to të injorojnë nesër kritikat se nuk kanë mbajtur premtimet dhe kështu, ti largohen përgjegjësisë publike dhe kostos së mundshme të të zhgënjyerve në zgjedhjet e ardhshme”.

Afrim Krasniqi

“Programi ynë ekonomik e nxjerrë përfundimisht ekonominë shqiptare nga kriza dhe apatia dhe e fut në rrugën e zhvillimit të përshpejtuar. Ne do të kemi taksat më të ulëta në historinë 26 vjeçare të demokracisë dhe gjithçka në mbështetje të sipërmarrjes së ndershme dhe investimeve”, tha Basha në një takimi me disa investitorë vendas dhe të huaj.

Duke iu referuar këtyre fakteve, politologu Afrim Krasniqi, shpjegoi se pse dy forcat kryesore nuk kanë programe të qarta politike, që do t’i dallonin nga njëra-tjetra. “Arsyeja kryesore e mungesës së programeve politike lidhet me pamundësinë reale të palëve për të mbajtur premtimet dhe për pasojë, interesin e palëve për të mos pasur një kontratë publike të shkruar me qytetarët. Duke mos pasur programe konkrete është më e lehtë për to të injorojnë nesër kritikat se nuk kanë mbajtur premtimet dhe kështu, ti largohen përgjegjësisë publike dhe kostos së mundshme të të zhgënjyerve në zgjedhjet e ardhshme”, tha Krasniqi për K2.0.

Më tej, ai shtoi se dy partitë e mëdha kanë gjithashtu 90 përqind qëndrime të njëjta për problematikat kryesore ekonomike e politike ndaj përqendrimi tek programet do ti bënte ato të njejtë dhe të pamundshme për t’u identifikuar para elektoratit të tyre.

Mungesa e programeve politike evidentohet edhe tek dy partitë e tjera, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet të cilat kanë qenë pjesë e koalicionit qeverisës gjatë katër  vjeçarit të fundit. Të vetëshpallura si parti të qendrës, ata kanë demonstruar se çështjet ideologjike nuk janë prioritet i tyre, kur vjen puna tek të qenurit pjesë e pushtetit.

Partitë e reja, si Lëvizja Libra dhe Sfida për Shqipërinë shpresojnë për të përfituar nga mungesa e përmbajtjes politike në vend, por duke përqafuar frymën nga partitë tradicionale.

Shpresa e partive të reja

Dy nga subjektet e reja politike që kanë tërhequr vëmendjen e elektoratit nga pikëpamja programore dhe që kërkojnë të përfitojnë nga kjo situatë janë Lëvizja Libra dhe Sfida për Shqipërine. Ata synojnë të marrin votat e të zgjënjyerve nga PS-ja dhe PD-ja,  shtresës së mesme dhe atyre në nevojë, të cilat sipas tyre nuk ndihen të përfaqësuara, dhe të votuesve të pavendosur, të cilët deri tani llogariten të jenë mbi 120 mijë.

Lëvizja Libra, e cila u krijua në muajin prill drejtohet nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi. E cilësuar shpeshherë si një parti e ekstremit të majtë, Libra po tenton të shfaqet si një alternative ndryshe në peisazhin e ngurtë të politikës shqiptare. Nëpërmjet programit të tyre të quajtur “20 ide për 2020”, ata premtojnë fuqizimin e demokracisë direkte duke organizuar referendum, uljen e taksave, dyfishim të buxhetit për arsimin, hapjen e vendeve të reja të punës, nxitjen e investimeve të huaja, etj.

Ndërsa, Lëvizja Sfida për Shqipërinë u krijua në vitin 2016 dhe program i saj i djathë mbështetet në promovimin e demokracisë së drejtpërdrejtë, uljen e taksave, kufizimin e mandateve të deputetëve dhe pastrimin e politikës nga njerëzit e inkriminuar. Për dallim nga partitë e tjera, Sfida nuk ka një udhëheqës tradicional, por ky rol ndahet midis kryetarit administrativ, Hektor Ruci dhe përfaqësuesit politik, Gjergj Bojaxhiu.

Ky i fundit është një produkt i Partisë Demokratike, por u largua zyrtarisht në vitin 2013 duke cilësuar mungesën e demokracisë së brendshme si arsyje. “Sfida për Shqipërinë beson te një politikë e pastër, si e vetmja mënyrë për të shkuar te një Shqipëri që punon. Vota jote merr vlerë maksimale nëse voton për ne”, theksoi Bojaxhiu në një bashkëbisedim me një qytetare në Tiranë.

Megjithëatë, pavarësisht programeve dhe frymës së re që po mundohen të sjellin partitë e reja, drejtori i Institutit Lidership në Tiranë, Erion Piciri mendon se ata do t’a kenë të vështirë të ndryshojnë status-quon e politikës shqiptare. “Efekti i tyre në rang kombëtarë pritet te jetë i vogël, me ndonjë perqindje disi më të lartë në qendrat urbane, kryesisht për Libra-n. Prania e tyre elektorale nuk pritet të kthejë besimin dhe shpresën e humbur tek politika dhe pritet që mungesa e votuesve në zgjedhje të jetë goxha e lartë dhe pjesëmarja në votime, për hërë të parë të jetë nën 50 përqind”, tha Piciri për K2.0.K

Foto kryesore nga faqja zyrtare e Edi Rama në Facebook.

KOMENTET

1
SHIKO KOMENTET
  • 29 Jun 2017 - 16:38 Besi: Shkrim shume racional dhe pershkrues shume i qarte i fushates. Parashikimi i votimit te ulet te elektoratit etj te parashikuara shume sakte.
KOMENTO

KOMENTO