Blogbox | Libra

Dhjetë faktorë që ndikojnë në ngritjen dhe rënien e shteteve

Nga - 04.11.2016

Mbi librin “Ngritja dhe Rënia e Shteteve – Forcat e Ndryshimit në Botën e Pas-Krizës” nga Ruchir Sharma.

Autorë të shumë kanë dhënë shpjegimet e tyre se përse disa shtete janë të zhvilluara ekonomikisht e disa të tjera jo. Kështu për shembull, James A. Robinson e Daren Acemoglu thonë se natyra e qeverisjes është faktori kryesor në suksesin apo dështimin e një shteti. Për Max Weber, Samuel Huffington, David Landes, etika protestante e punës është përcaktues i rëndësishëm i zhvillimit të gjithëmbarshëm të një vendi. E autorë të tjerë përmendin edhe racën, kushtet klimatike, e madje edhe hemisferën jugore dhe veriore si faktorë përcaktues.

Por, Ruchir Sharma, në librin e tij “Ngritja dhe Rënia e Shteteve” liston dhjetë faktorë të tjerë të cilët ndikojnë në ngritjen apo rënien ekonomike të shteteve. Sharma është investitor i angazhuar në Morgan Stanley, kompani multinacionale financiare, dhe studiues i ekonomive në zhvillim. Duke analizuar të dhënat për 130 shtete, për një periudhë kohore 60 vjeçare, ai arrin në një model ekonomik, ku analizimi i shteteve në bazë të këtyre dhjetë kritereve kryesorë mund të përcaktojë  kahjen ekonomike të një shteti në pesë deri dhjetë vitet e ardhshme.

1.  A po rritet apo po zvogëlohet fuqia punëtore, dhe si i trajton shoqëria gratë?

Sipas modelit të analizës së propozuar nga Sharma, vendet të cilat kanë pasur një hov të zhvillimit ekonomik kanë pasur njëkohësisht edhe rritje të forcës punëtore. Sipas tij, “asnjëherë në histori nuk ka pasur rritje ekonomike pa rritje të popullsisë”. Sipas kësaj, nevojitet të ketë një rritje të popullsisë, sidomos asaj në moshë të punës, prej së paku 2% në vit. Për të kuptuar se cilat vende kanë problem më të madh me plakjen e popullsisë, Sharma propozon që të krahasohet numri i popullsisë në moshë pune, 15 deri 64 vjeç, me ata që janë nën 15 dhe mbi 65 vjeç. Nëse popullsia mbi 65 vjeç është në rritje, atëherë vendi është duke u përballur me problemin e humbjes së forcës punëtore, në pagesën e pensioneve. Për këta arsye, shumë vende të botës kanë filluar të shqyrtojnë mundësinë e rritjes së pragut të pensionimit, apo edhe pranimin e më shumë emigrantëve, ashtu siç po vepron aktualisht Gjermania.

Përveç popullsisë në moshë pune, zhvillimi ekonomik i një vendi varet edhe nga ajo se sa u jep hapësirë grave në tregun e punës. Vetëm duke zvogëluar diferencën në punësim në mes të të dy gjinive vendet mund të rrisin GDP-në,  9% (Siç është parë në Brazil) dhe 34% (Në Egjipt) brenda një periudhe dhjetë vjeçare.

2. Kush qeveris me vendin dhe për sa kohë?

Sipas analizës së Sharmas, vendi ka më shumë mundësi të zhvillohet ekonomikisht në vitet e para të qeverisjes nga një lider i ri politik, i cili ka mbështetje të gjerë popullore dhe qeveris në mënyrë demokratike. Sipas kësaj rregulle, reformat më të mëdha ndodhin në mandatin e parë, vazhdojnë në një intensitet të ulët në mandatin e dytë, dhe nuk lëvizin fare në mandatin e tretë apo më shumë. Përjashtim nga ky rregull paraqet vetëm Singapori nën udhëheqjen e Lee Kuan Yew. Të dhënat tregojnë se tregjet i besojnë më shumë një lideri politik në 41 muajt e parë të qeverisjes së tij, pas kësaj periudhe, tregjet e nuhasin vdekjen e ngadalshme të reformave.

3. Si e fitojnë pasurinë njerëzit më të pasur të vendit?

Sipas Sharmas, ekzistojnë milionerë e miliarderë të mirë dhe të këqij. Miliarderë e milionerë të mirë janë ata që arrijnë pasurinë e tyre përmes ndërmarrësisë, të cilët punësojnë një numër të madh njerëzish dhe prodhojnë produkte të cilat përdoren nga konsumatorët. Në këtë mes hyjnë inovacionet teknologjike, showbizi, farmaceutika, tregtia elektronike, etj. Milioner e miliarder të këqij janë ata të cilët pasurinë e tyre e krijojnë përmes privatizimit të burimeve natyrore të vendit, përmes kontratave me qeverinë apo lidhjeve politike. Në mesin e industrive të këqija hyjnë: bixhozi, ndërtimtaria, industritë nxjerrëse si, nafta, qymyri, ari, gazi, etj. Nëse një vend ka më shumë milioner dhe miliarder të këqij, pabarazia shoqërore rritet dhe popullsia fillon të dyshojë në ndershmërinë e biznesmenëve. Milionerët e miliarderët e këqij krijojnë pasurinë duke dëmtuar interesat e përgjithshme të shoqërisë; kurse milionerët dhe miliarderët e mirë krijojnë pasuri duke krijuar njëkohësisht vende të punës dhe të mira të gjithëmbarshme shoqërore.

4. Sa përzihet shteti në ekonomi?

Sipas Sharmas, aq më pak që shteti përzihet në ekonomi, aq më të mëdha janë gjasat për rritje ekonomike. Përzierja e shtetit në ekonomi është e dëmshme veçanërisht në vendet e korruptuara, liderët e të cilave përdorin paranë publike për të investuar në ato projekte të cilat kanë përfitim afatshkurtër, me qëllim që të krijojnë një përshtypje të mirë për veten e tyre. Po ashtu, shtetet duhet të përzgjedhin me kujdes projektet në të cilat do të investojnë, me qëllim që të arrijnë efektin më të madh ekonomik me shpenzimet sa më të vogla.

4. A ndodhet vendi në pozitë të rëndësishme gjeografike?

Çdo vend i cili ka për synim që të rris zhvillimin ekonomik përmes eksportit, duhet të kujdeset që të jetë sa më afër rrugëve tregtare që ndërlidhin konsumatorët e pasur me furnizuesit më të përshtatshëm. “Mrekullitë aziatike”, siç cilësohen shpesh Japonia, Korea e Jugut, Taivani, Singapori, kanë përjetuar rritje ekonomike falë edhe faktorit gjeografik. Por vetëm pozita gjeografike nuk është e mjaftueshme për të gjeneruar zhvillim ekonomik, nëse shtetet nuk marrin hapa që pozitën e tyre gjeografike ta materializojnë përmes ndërtimit të infrastrukturës e cila lehtëson tregtinë. Por, rëndësia e pozitës gjeografike mund të ndryshojë me kohë.

6. Investimet po bien apo rriten?

Një faktor tjetër i cili ndikon në rritjen apo rënien ekonomike të shteteve është edhe shkalla e investime në krahasim me GDP. Dy lloje të ndryshme të shpenzimeve ndikojnë në ekonomi: shpenzimet e konsumit dhe ato investive. Investimet janë ato që ndikojnë në krijimin e bizneseve të reja dhe vende të reja të punës. Secili shtet i cili synon rritje të shpejtë ekonomike, duhet të ketë investime të barazvlefshme me 25% deri 35% të GDP. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për investimet shtetërore, por edhe investimet e sektorit privat dhe investimet e huaja. E rëndësishme është se edhe ku bëhen ato investime. Investimet më të mira apo me efekt më të madh ekonomik janë ato që përqendrohen në industri prodhuese, në teknologji dhe infrastrukturë, duke përfshirë rrugët, rrjetet energjetike dhe ato të furnizimit me ujë. Investimet më të këqija janë ato në sektorin e pronave, ngase kanë efekt shumë të vogël në zhvillim. Shtetet nuk mund të zhvillohen vetëm duke u fokusuar në ekonominë e shërbimeve. Zhvillimi më i hovshëm i një vendi vjen kur prodhimi merr hov. Aty ku ka prodhim, industria e shërbimeve lulëzon natyrshëm.

7. A është inflacioni i lartë apo i ulët?

Inflacioni është një ndër faktorët më të rrezikshëm që mund t’i ndodh ekonomisë së një shteti. Rritja e çmimeve të ushqimeve ka sjellë pakënaqësitë dhe revolucionet dhe shembjet më të mëdha të ekonomive përgjatë historisë. Ka të tillë që mendojnë se që nga Revolucioni Francez e deri tek Pranvera Arabe, rritja e çmimeve të ushqimit ka qenë faktori kryesor i fillimit të revolucioneve. Vendet që përjetojnë zhvillim të hovshëm ekonomik, pashmangshëm do të pësojnë edhe inflacion të çmimeve, por sipas Sharmas duhet pasur kujdes që inflacioni të jetë gradual dhe të mos ketë rritje të menjëhershme.

8. A është shtrenjtë apo lirë të jetosh?

Një mënyrë tjetër për të analizuar gjendjen ekonomike të shteteve është edhe ajo se a është shtrenjtë apo lirë të përballosh kushtet e jetesës. Nëse një vend ka valutë të vlerësuar lartë, do të inkurajojë edhe vendasit por edhe të huajt që të shpenzojnë paret jashtë vendit. Nëse konsumatorët ndjenjë se valuta e një vendi është e lirë, atëherë kjo mund ti sjellë më shumë të ardhura ekonomisë përmes turizmit, eksporteve dhe kanaleve tjera. Edhe pse ekziston një bindje e gjerë e popullsisë se sa më e fortë valuta, aq më i zhvilluar ai vend, të dhënat e Sharmas tregojnë se jeta e shtrenjtë në një vend të varfër apo në zhvillim ndikon në humbjen e turistëve dhe largimin e parasë jashtë vendit.

9. A po rritet borxhi i shtetit më shumë se sa ekonomia?

Në bazë të analizës së Ruchir Sharma, secili vend në botë i cili për pesë vite radhazi e mban nivelin e borxhit publik në shkallën 40% e sipër të GDP, është i destinuar që të pësojë krizë financiare. Por, jo gjithmonë borxhi publik është diçka e keqe. Nëse mbahet nën kontroll, borxhi publik mund të ndihmojë rritjen ekonomike. Po ashtu, është me rëndësi së për çfarë hyhet në borxhe. Nëse shtetet hyjnë në borxh për të financuar konsumin e brendshëm apo skemat sociale, atëherë edhe nivelet më të ulëta të borxhit janë të dëmshme.

10. Si portretizohet një vend nga opinion krijuesit dhe mediat? Sa më shumë që të zgjat rritja ekonomike e një vendi, aq më shumë ai vend portretizohet pozitivisht në raporte dhe media ndërkombëtare. Por, sipas Sharmas, mediat janë të ngadalshme që të zbulojnë trendet e rritjes. Sipas tij, në momentin që një shtet portretizohet në ballinën e revistave Time apo Newsweek, ky është sinjal se ai shtet është në pikun e rritjes ekonomike dhe ajo çfarë do pasojë është vetëm rënia. Mediat ndërkombëtare kanë tendencë të raportojnë gjerësisht për krizën që ndodh në një vend. Pas kalimit të krizës, mediat harrojnë zhvillimet në atë vend. E zakonisht, vetëm pas krizave fillon rritja e madhe ekonomike.

Aplikimi i teorisë së Sharma në Kosovë

Sipas kësaj teorie, këto elemente të vlerësimit duhet të përdoren vetëm për të parashikuar kahen e zhvillimit të shteteve për një periudhë afatmesme pesë deri dhjetë vjeçare. Pra, sipas Sharmas, asnjë model ekonomik nuk mund të parashikojë trendet ekonomike më shumë se për një dekadë. Po ashtu, vetëm duke i kombinuar këta elementë dhe jo duke u fokusuar vetëm në një pjesë të tyre, është e mundshme analiza e një shteti.

Duke u bazuar në këtë analizë dhe duke përdorur këta faktorë vlerësues, si qëndron Kosova dhe cilat janë kahet e zhvillimit për pesë vitet e ardhshme?

Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe 67% të popullsisë në moshë pune. Por, problemi qëndron në atë se zyrtarisht, 62.4% e popullsisë në moshë punë klasifikohet si jo aktive në tregun e punës. Përveç kësaj, vetëm një në pesë gra janë aktive në tregun e punës, çfarë e bënë Kosovën një ndër vendet me diskrepancën më të madhe në mes të grave dhe burrave në tregun e punës. Kosova qeveriset pothuajse nga e njëjta kastë politike që nga shpallja e pavarësisë më 2008, klasë politike e cila është një ndër më të korruptuarat në rajon dhe më e paafta. Njerëzit më të pasur të vendit kryesisht kanë arritur pasurinë e tyre përmes lidhjeve politike dhe kontratave publike, ose duke u përqendruar në biznesin e tregtisë dhe patundshmërive, mënyra të pasurimit të cilat Sharma i klasifikon si të dëmshme për ekonominë e një vendi.

Kushtetuta dhe legjislacioni i Kosovës vënë bazat për një vend me liri ekonomike dhe treg të hapur. Por, në praktikë, për shkak të burokracisë dhe nivelit të lartë të korrupsionit, operatorët ekonomik përballen me probleme të shumta të ndërhyrjes shtetërore në punët e tyre, qoftë duke kriju monopole të cilat dëmtojnë konkurrencën në treg, duke toleruar ekonominë jo formale në një pjesë të territorit, e duke qenë rigoroz me biznese të tjera, apo duke diskriminuar në dhënien e tenderëve publik.

Përkundër asaj se ndodhet në pozitë qendrore të Ballkanit dhe ka investuar me miliarda euro në autostrada, Kosova nuk është duke shfrytëzuar pozitën e saj gjeografike për përfitime ekonomike. Investimet publike dhe private kanë shkuar duke rënë vazhdimisht. Duke qenë se Kosova nuk ka politikë monetare dhe se ka një deficit të lartë tregtar dhe gjithnjë në rritje, nuk ka instrumente për kontrollin e inflacionit. Mirëpo, përkundër kësaj, inflacioni në vitet e fundit është rritur në shkallë të ulët dhe jo shumë të vërejtshme.  

Sa i përket asaj nëse është shtrenjtë apo lirë të jetosh në Kosovë, varet se nga çfarë pikëpamje shikohet. Për një turist perëndimor, Kosova është vend i lirë për ta vizituar dhe jetuar. Kurse për popullsinë vendëse, me një pagë mesatare prej 350 eurosh në muaj dhe ku 73% e buxhetit familjar shpenzohet për ushqim dhe banim, jeta në Kosovë është mjaft e shtrenjtë.

Sa i përket borxhit publike, Kosova edhe më tej është një ndër vendet me shkallën më të ulët të borxhit publik në Evropë. Por kjo ka filluar të ndryshojë në vitin e fundit, kur Qeveria gjithnjë e më shumë synon hyrjen në borxhe të jashtme, për të financuar deficitin buxhetor i cili po rritet gjithnjë e më shumë për shkak të skemave sociale.

Në mediat dhe raportet ndërkombëtare, Kosova portretizohet si një shtet i dështuar, me shkallë të lartë të korrupsionit dhe me nivele të larta të papunësisë dhe varfërisë.

Sipas kësaj, Kosova shënon keq në së paku shtatë nga dhjetë indikatorët matës në të cilët Sharma synon të përfshihen në analizë të shteteve. Për të hyrë në trajektoren rritëse, Kosova nevojitet që të ul dallimin në punësim mes gjinive, të rrit investimet në minimum 25% të GDP, të hyj në borxhe vetëm për projekte zhvillimore, të zgjedh një qeverisje të re, e cila ka mbështetje të gjerë për reforma në ekonomi.

“Ngritja dhe Rënia e Shteteve – Forcat e Ndryshimit në Botën e Pas-Krizës”, nga Ruchir Sharma, u botua në qershor 2016 nga ë.ë. Norton & Company.

KOMENTO