Blogbox | Kulturë

Didarja – një rrëfim i munguar

Nga - 18.10.2016

Përkthim i ri në gjuhën shqipe për librin i cili sfidon qasjet tradicionale të historisë.

Libri “Didara: životna priča jedne Prizrenke” (Didarja: Rrëfimi jetësor i një prizrenaseje) i etnologes Miroslava (Masha) Malesheviq, është botuar në vitin 2004 në Beograd, si libri i nëntë me radhë në edicionin “Identitetet e Grave”. Vitin e kaluar në festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë ‘polip’, në Prishtinë, Multimedia kishte ftuar Mallesheviq të ishte pjesë e një prej paneleve që diskutonte “Lirinë dhe Gjininë” dhe të lexonte pjesë nga libri i saj. Pjesët e shkoqitura, zgjuan kërrshërinë e lexuesve e që ndër tjera e vërtetuan nevojën për përkthimin e këtij libri.

I përkthyer në shqip dhe botuar nga Qendra Multimedia në Prishtinë, rrëfimi i Didare Dukagjinit ‘Didarja…’ vjen në një periudhë vlimesh të ashpra politike, përballjesh me të kaluarën e me veten, si shoqëri e si komb. Libri të bën të udhëtosh në kohë dhe lexohet ‘me një frymë’. I shkruar në vetën e parë, rrëfimi i këtij libri nxitë diskutimin për historiografinë, makro dhe mikro historinë, historinë gojore feministe, historinë shoqërore, kujtesën kolektive, socializmin, feminizmin e patriarkatin dhe marrëdhëniet ndër-etnike (shqiptaro-serbe) në periudhën e socializmit.

205

Rrëfimi i Didares na e ofron mundësinë të shohim një peizazh ndryshe prej atij të përgjithëshmit dominues. Mallesheviq, pas shumë intervistave të thella me Didaren, duke përdorë metodologjinë e historisë gojore, na e formëson rrëfimin e saj me sekuenca, duke filluar me fëmijërinë (periudha para Luftës së Dytë Botrore – LDB), adoleshencën (pas LDB-së), karrierën dhe idealin e gruas komuniste (vitet e ‘70), si dhe tëhuajsimin e Didares nga jeta publike (fundi i viteteve ‘80 e ‘90). Përmes këtij rrëfimi, mes ngjarjesh e situatash Didarja na e shfaq zhvillimin e modernitetit socialist, idealin e gruas shqiptare jugosllave, vështirësitë dhe përfitimet gjatë socializmit, sidomos në raport me emancipimin gjinor, dhe së fundi periudhën e politizimit dhe përkeqësimit të marrëdhënieve ndër-etnike. Libri nxjerr në sipërfaqe mjeshtërinë e të intervistuarit dhe të shkruarit ku shfaqet edhe personaliteti dhe zëri i subjektit. Sekuencat e jetës së Didarës përtej nivelit personal, politik e shoqëror, sygjerojnë përfshirje më të gjërë metodash në hulumtimin brenda shkencave humane. Kjo është edhe korniza brenda së cilës unë e kam lexuar këtë libër.

Të hulumtuarit në fushën e historisë

Historiografia shqiptare e pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë karakterizohej nga ideologjia politike e kohës, dhe ishte një histori nga lart (history from above). Ajo ishte e preokupuar kryesisht me tema të mëdha, dhe kështu, mikrohistoria, historia shoqërore e historia e jetës së përditshme (alltagsgeschichte) nuk përbënin pothuajse kurrfarë interesimi për të. Megjithatë duhet të përmendet këtu përpjekja e historianit Sadulla Brestovcit i cili nw vitin 1970 sygjeronte përfshirjen e burimeve tregimtare në të hulumtuarit në fushën e historisë. Përgjithësisht, historianët, albanologët, etnologët e demografët, të grupuar kryesisht në Institutin Albanologjik të Prishtinës, përballeshin me presione të ndryshme politike. Në vijë me ideologjinë komuniste, sidomos nën presion të pushtetit, përgjithësisht janë lënë anash fakte të periudhës së LDB-së si p.sh. hapja për herë të parë e shkollave në gjuhën shqipe gjatë okupimit italian, apo edhe krijimi i radios në shqip etj. Ndër këto shmangie mund të konsiderohet edhe hulumtimi për shtresën urbane në krahasim me hulumtimet në zonat rurale. Jeta brenda shtresës që quheshin sheherlinjë (nga turqishtja şehirli – urban) është eksploruar shumë pak apo aspak.

Në një periudhë kur gjithçka ishte e ndarë në baza etnike, dhe gjithçka tejthjeshtëzohej ‘bardh e zi’, rrëfimi i Didares e jep edhe atë zonën gri në mes.

Studiuesja Burcu Akan Ellis në librin e saj “Shadow Genealogies: Memory and Identity Among Urban Muslims in Macedonia” thotë se karakteristikë e sheherlinjëve  ishte se identifikoheshin me statusin qytetar, shumë gjuhësinë, dhe identitetin e tyre shoqëror përtej konstrukteve identitare brenda një shteti-komb apo vendlindje që i përkisnin. Sheherlinjtë e Kosovës ndanin këto karakteristika me sheherlinjtë në Maqedoni, por me dallimin që nga kjo shtresë në Kosovë kishte shumë familje që ishin të angazhuara në organizatat nacionaliste si Balli Kombëtar apo Partia Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH). Disa prej tyre, duke qenë që mbanin poste të caktuara zyrtare gjatë okupimit italian dhe gjerman, më pas u persekutuan dhe u vranë.

Në këtë rast, fëmijëria e Didares, e cila i takonte kësaj shtrese, apo përgjithësisht rrëfimet e kësaj natyre, shpalosin segmente të jetës shoqërore të një periudhe apo lokacioni gjeografik të caktuar, të cilat tregojnë për një diversitet më të madh kulturor se sa që përgjithësisht është shkruar.

Në përpjekjen për barazi klasore, menjëherë pas LDB, sheherlinjtë por edhe shtresat tjera që bartnin një trashëgimi otomane, ndër të tjera edhe për këtë arsye, konsideroheshin si reaksionar e të prapambetur në raport me progresin shoqëror që e promovonte komunizmi. Si zgjatim i viteve të ‘80, kur tensionet politike dalin në sipërfaqe, vitet ‘90 në ish Jugosllavi, përveç transformimeve të mëdha e luftërave, në rrafshin historiografik paraqesin kulmin e politizimit të historisë. Historia më së paku ishte debat shkencor e më së shumti instrument politik, duke u reduktuar në rrafshin e autoktonisë së popujve, si përpjekje herë për të ushtruar pushtet, e herë për të legjitimuar ekzistencën. Në këtë vijë, grupet e margjinalizuara sa kohë që nuk përbënin një kategori në garën politike, vazhdonin të mbesnin nën hije.

Pas luftës së vitit 1999 në Kosovë, në mungesë të mikrohistorisë, historisë shoqërore ku shpalosen edhe grupet e margjinalizuara, apo në mungesë të historisë gojore feministe, ku shfaqen përvojat personale, ndjenjat, kujtimet, ngjarjet e përjetimet, vështrimi i shoqërisë për të kaluarën është i ndarë në disa blloqe të ngurta. Protagonistët e periudhës socialiste qoftë si pjesë e pushtetit, qoftë si pjesë e grupeve ilegale, vendosen në korniza të cilat shpesh janë shumë të ngushta, që të përmbledhin tërësinë e dinamikave klasore e politike të kohës. Hulumtimi shkencor në fushën e historisë, në masë të madhe nuk përfshin një qasje më të imët dhe përqendrim më të madh në grupet e margjinalizuara, siç janë gratë. Nga format hulumtuese klasike, në dokumente zyrtare e arkiva, mund të gjindet vetëm një anë e historisë. Ndërkaq nga rrëfimet personale, arkivat private, (fotografitë, memoaret etj.), mund të gjejmë rrugë të reja për të zbuluar ngjarje, periudha e fenomene që kanë dimensione politike shoqërore e kulturore edhe përtej Kosovës. Gratë, pavarësisht kontributit të tyre, qoftë në rrafshin kombëtar, qoftë në atë shoqëror transformues, mbetën pjesë të munguara të historisë.

202a

Pas luftës së fundit në Kosovë, një pjesë e madhe e historisë është histori e heroizmave, e trimërive (kryesisht e burrave), marrëveshjeve politike çlirimtare, e aktivizmit politik shoqëror. Perspektiva feministe nuk është pjesë e metodologjisë në kërkimin shkencor historik e as metodologjitë e përmendura, me përjashtime individuale, nuk duken të ngjallin ndonjë interesim në mjedisin akademik universitar.

Emancipimi gjinor socialist

Në diskutimin mbi patriarkalizmin, sociologu norvegjez Göran Therborn në librin e tij “Between Sex and Power: Family in the World” argumenton se ndryshimet më të mëdha që lëvizën themelin e këtij sistemi, ndodhën gjatë Luftës së Parë Botërore, pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas vitit 1968 përmes ndryshimeve në legjislaturë, revolucioneve komuniste, dekolonizimit etj. Sipas Therborn, komunizmi veçanërisht ishte i rëndësishëm për të përmbysur shumë aspekte të dominimit patriarkal. Në Jugosllavi, në këtë aspekt ishte aktiv Fronti Antifashist i Grave (FAG), pjesë aktive e së cilës ishte Didarja. Ndër të tjera, periudhën e pasluftës FAG e shenjoi me organizimin e dy fushatave – heqjen e ferexhesë (çarçafit dhe peçes), dhe fillimin e kurseve për zhdukjen e analfabetizmit.

Të dy kampanjat kishin hasë në rezistencë nga ‘forcat reaksionare’. Në fillimet e veta në 1946, sidomos kampanja kundër heqjes së çarçafit e peçes nuk kishte sukses, sepse nuk ishin vetëm burrat të cilët e kundërshtonin, por edhe gratë, të cilat nuk mund ta përballonin daljen në publik pa çarçaf dhe peçe. Historiania Drita Gunga Bakija në punimin “Heqja e çarçafit dhe e peçes në Kosovë” në periodikun Kosova Kosovo të Institutit të Historisë së Kosovës, në Prishtinë, shkruan se në mesin e shqiptarëve përhapeshin parulla si ‘…pas heqjes së çarçafit do të na heqin plisat,’ ndërkaq në mesin e serbëve parulla thoshte se ‘…shqiptarët i kanë shikuar mjaft femrat serbe të zbuluara, radha është që edhe ata t’i shohin femrat shqiptare pa çarçaf’. Me 25 mars 1951 aprovohet ligji për ndalimin e peçes dhe çarçafit apo çfarëdo mbulimi i fytyrës në publik dhe shkelja e këtij ligji dënohej me dy vjet burg ose 20,000 dinarë. Didara, e caktuar të punojë në rajonin e Opojës dhe Gorës gjatë kësaj periudhe, më pas kujton:

“Nga perspektiva e sotme, për shembull, unë çuditem se si ka mundur të ketë sukses fare aksioni i heqjes së ferexheve – këto gjëra lëkundën tërë sistemin e vlerave, traditën, ligjet sipas të cilëve jetohej me shekuj”.

206a

Megjithë punën dhe suksesin që do të kenë pasur fushatat, socializmi kishte arritur që t’i bënte gratë pjesë të jetës publike, por nuk e kishte konsideruar që burrat t’i bënte pjesë të sferës private – atë të ndarjes së punëve të shtëpisë.

Po ta marrim shembull revistën për gratë ‘Kosovarja’, që nga fillimi i botimit të saj më 1971 (në versionin e kësaj pasthënie në libër ‘Didarja…’ është lëshuar një gabim teknik, në vend të vitit 1971, është shkruar 1972) deri në fillim të viteve 1990, artikujt e kësaj reviste përveç qëllimit edukativ dhe promovimit të grave të suksesshme, megjithatë nxirrnin në sipërfaqe bindjen e përgjithshme, që u takonte grave që të kujdesen për fëmijët dhe për shtëpinë. Pavarësisht përpjekjeve për emancipim, modeli i modernitetit socialist – familja bërthamë, arsimimi i grave etj., – nuk nënkuptonte apriori, (sikur që nuk nënkuptohet as sot), që burrat të merrnin gjysmën e përgjegjësisë për punët e shtëpisë dhe kujdesit ndaj fëmijëve. Në këtë kontekst, Didarja thotë:

“…që nga fillimi disi vetvetiu nënkuptohej se ishte vetëm detyrë e imja, dhe jo e përbashkët, kujdesi që shtëpia të jetë e pastër, që rrobat të jenë të lara, që çdo ditë të kemi diçka të ngrohtë për drekë dhe të ‘hahet me lugë…’ Besoj se as mua e as atij nuk na shkonte mendja se edhe në këtë aspekt diçka duhet të modernizohet, se nuk mund të jemi të barabartë derisa ekziston kjo ndarje patriarkale e punëve në shtëpi, sepse nga kjo edhe fillon e gjitha”.

Konceptet gjinore vazhdonin të ishin të ndara mbi determinizmin biologjik, sipas së cilës ndaheshin edhe punët. Ndërkaq në sferën publike, rezistenca indirekte për përfshirje më të mëdhe të grave në vende udhëheqëse në politikë, siç shpjegonte Didarja, nuk vinte nga populli, por nga strukturat e pushtetit ku dominonin burrat. Disa nga gratë e punësuara, duke qenë se e kishin të vështirë të ia dilnin edhe me punët e shtëpisë, punësonin gra ndihmëse në shtëpi. Pjesa socialiste në këtë pikë ishte që disa nga gratë ndihmëse kishin edhe sigurimin social që ua paguante punëdhënësja, praktikë që do të duhej të ekzistonte edhe tash.

Tëhuajsimi dhe distancimi nga jeta politike

Megjithë progresin e arritur në periudhën socialiste, përkeqësimi i situatës politike në Kosovë filloi menjëherë pas demonstratave të vitit 1981. Në mesin e viteve të ‘80, pakënaqësia dhe tensionet ndër-etnike hovshëm dalin në sipërfaqe. Për më tepër, televizionet dhe gazetat serbe bëhen katalizatorët e nacionalizmit. Në një periudhë kur gjithçka ishte e ndarë në baza etnike, dhe gjithçka tejthjeshtëzohej ‘bardh e zi’, rrëfimi i Didares e jep edhe atë zonën gri në mes. Rrëfimi i saj i shemb kornizat definuese e reduktuese në përkatësi etnike me të cilat operohej në atë kohë. Përmes këtij peizazhi e shohim se çfarë domethënie kishte të mos përcaktoheshe dhe të refuzoje t’u përkisje blloqeve të caktuara nacionaliste. Para fillimit të luftës në Kosovë, me kërkesën e fëmijëve të saj Didarja me burrin  e saj shpërngulet në Beograd. Gjatë atyre viteve Didarja do të përpiqej të mbushte boshllëkun:

“Ngandonjëherë më zë dëshira që të bëj një shëtitje rrugëve të Prizrenit – madje edhe në mënyrë sekrete, e fshehur pas ferexhes që, si dikurë, të mos më njoh askush. Por shpejt përmendem, e di se kjo më nuk është e mundshme. E kam zëvendësuar Kalanë e Prizrenit me Kalemegdanin e Beogradit dhe kjo nuk është gjë e keqe – nuk është e njëjtë, por edhe ashtu asgjë më nuk është njësoj. Pas gjithë asaj që ka ndodhur, mund të them se për mua ka shumë domëthënie që lidhjet tona farefisnore dhe disa miqësi shumëvjeçare, përkundër marrëdhënieve të prishura ndëretnike, kanë mbetur të paprekura”.

Librat si ‘Didarja…’, apo edhe si autobiografia e Bekim Fehmiut ‘E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme’ (2011), na mundësojnë që t’i shohim më mirë jetërat në një periudhë të afërt historike. Na ofrojnë mundësi të kërkojmë dhe të kuptojmë një shumësi domethëniesh për çështje të caktuara apo periudha të caktuara, apo edhe individë akterë të atyre periudhave. Si rrjedhojë, nje vështrim dhe kuptim i tillë mundëson një ballafaqim më të vërtetë me të kaluarën e dhimbshme. Poashtu, rrëfime të tilla si i Didares, apo puna e etnologes Masha Mallesheviq, pasuron mozaikun e hulumtimit historik e kulturor për periudhën socialiste në Evropën Juglindore.

Ky artikull është verzion i pasthënies së librit “Didarja: Rrëfimi jetësor i një prizrenaseje”. Promovimi i librit do të mbahet këtë të enjte, 18:00, në hollin e Kino Lumbardhit në Prizren, organizuar nga Qendra Multimedia dhe Fondacioni Lumbardhi. Diskutimi me autoren e librit, Miroslava Mallesheviq dhe përkthyesitn e librit Shkelzen Maliqi, do të moderohet nga Elife Krasniqi.

Fotot nga Miroslava Malesevic.

Artikulli është punuar duke ju referuar edhe këtyre librave/punimeve:

Kathryn Anderson at al, 1987. Beginning Where We Are: Feminist Methodology in Oral History. The Oral History Review 15.1.

Ulf Brunnbauer. 2002. From Equality without Democracy to Democracy without Equality? Women and transition in Southeast Europe. In Gender Relations in South Eastern Europe: Historical Perspectives on Womanhood and Manhood in 19th and 20th Century. Edited by Miroslav Jovanovic, Slobodan Naumovic.

Sadulla Brestovci. 1970. Burimet tregimtare dhe rëndësia e tyre për lëvizjen kombtare dhe shqiptare në Kosovë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Gjurmime Albanologjike, 1/1, 1970. Instituti i Historisë, Prishtinë.

Arbnora Dushi. 2010. Tradita e moçme e ahengut të quajtur Dhjetësahatë. Gjurmime albanologjike, the series Folklore and Ethnology, 39/2009. Instituti Albanlogjik, Prishtinë.

Drita Gunga Bakija. 1985. Gratë e Kosovës në periudhën e ndërtimit socialist 1945 - 1978.Kosova Kosovo 13/146. Instituti i Historisë, Prishtinë.

Sulltane Kojçini Uka. 1985. Përpjekjet e Organizatave masive (politiko-shoqërore) për përhapjen e arsimit në Kosovë. Kosova Kosovo 13/14 : 166-76. Instituti i Historisë, Prishtinë.

Burcu Akan Ellis. 2003. Shadow Genealogies: Memory and Identity Among Urban Muslims in Macedonia. Boulder Co: East European Monographs.

  • 21 Oct 2016 - 00:04 | Marte Prekpalaj:

    ju lumte , Eli jame krenare qe te kam mike , dhashte zoti qe une ta realizoj botimin tim te monografise per femren Hasjane..1900/2009...me titull,,NANA LOKE,, e kam te shkruar por do lekturu dhe don botu e do isha lumtur sikur ju ta shkruani hyrjen per kete monografi.... me pa durim po pres ta gjel librin ,,DIDARJA ,, dhe ta lexoj ...suksese, me dashuri Marta!

KOMENTO