Pikëpamje | Media

Diskursi publik i Kosovës është plot vrer

Nga - 10.10.2016

Interneti është shndërruar në hapësirë për ta sulmuar tjetrin në dëm të një debati të gjallë e të pasur.

Poezinë time të parë ia shita një reviste kosovare kur isha 17-vjeçar. Ishte një poezi e varfër mirëpo më solli 20 marka të atëhershme gjermane. Edhe sot e kësaj dite më kujtohet banknota e gjelbër me atë aromën e veçantë që zakonisht e kanë banknotat; në njërën anë banknota kishte fytyrën një poete gjermane të shekullit XIX ndërsa në anën tjetër një pendë dhe një pemë. Përveç krenarisë që më solli shitja e këtij shkrimi në atë moshë të brishtë, ky moment gjithashtu më shërbeu për të kuptuar se edhe shkrimet e këqija shiten. Mirëpo një nevojë e pashpjegueshme për të shkruar nuk më linte rehat për vite me radhë dhe vazhdova të shkruaja poezi e tregimenë në copa letre, të cilat përfunduan në një zjarrë të madh i cili shkatërroi shtëpinë e fëmijërisë sime, duke përfshirë edhe një pjesë të madhe të asaj që kisha shkarravitur si adoleshent.

Ne sot harrojmë, por ishte shumë e vështirë të gjeje lexues të shkrimeve tua para epokës së internetit dhe para shfaqjes së uebfaqeve, blogëve personalë, dhe mediave sociale. Sot ka ardhur koha kur secili mund te shkruaje çdo gjë dhe ta ndajë me gjithë njerëzimin. Dikush që kurrë s’do ta takosh do t’i lexojë mendimet tua dhe të japë kritikë të pakërkuar. Kurrë më parë s’ka qenë më lehtë  se sa tani ta shprehësh mendimin dhe ta përçosh atë anembanë botës pa gati asnjë shpenzim. Kjo është epokë e artë për secilin që kërkon publik për idetë, artin dhe krijimet e veta. Edhe më magjepsëse është  fakti i hapësirës së barabartë që interneti i ka dhënë botës, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, ku rinia plot gjallëri dhe ngazëllim e ka përqafuar internetin me zellin i cili i shkon për shtati pasionit të saj për t’u shprehur lirshëm dhe për të prodhuar mendime lidhur me tema prej më të ndryshimeve.

Ekziston koncepti se interneti gjithashtu është bërë një vend paksa i helmueshëm.

Uebfaqet, blogët, portalet e lajmeve, forumet online, portalet dhe mediat sociale e kanë transformuar shoqërinë kosovare në një mënyrë të thellë. Ka kaluar koha kur është dashur t’i lutesh një redaktori gazete a reviste me qëndrim prej perandori që t’i botonte idetë tua. Kanë kaluar ditët kur një grusht shkrimtarësh dhe analistësh kishin avantazh të pakapërcyeshëm kundrejt shoqërisë. Sot gjithkush është shkrimtar, opinionist, komentues, kundërshtues, redaktor, piktor, vagabond, gazetar, hulumtues. Kjo është arritje e madhe sepse një gjë e tillë ofron hapësirë për pikëpamje alternative, këndvështrime unike, ide përparimtare, si dhe zhurma të dobishme. Kjo arritje gjithashtu e hedh poshtë qëndrimin e gabuar se vetëm një klasë e inteligjencës së kalitur (si ajo e viteve të 90-a) mundet dhe duhet t’i ekzaminojë e t’i interpretojë çështjet sociale, ekonomike dhe politike.

Demokratizimi i internetit gjithashtu i mundëson shoqërisë t’i luftojë të këqijat e veta: krimin, korrupsionin, mashtrimin, keqbërjen etj. Nuk ka dyshim se të gjitha këto janë zhvillime pozitive për vendin siç është Kosova. Megjithatë, n ëmesin e gjithë kësaj ekziston një përshtypje se interneti gjithashtu është bërë një vend i neveritshëm, i helmueshëm.

Po që se kërkon nëpër sferën kosovare dhe rajonale të internetit për të lexuar diçka informuese, gjen shumë pak analiza kritike për cilëndo temë — sociale, ekonomike, politike, e artistike. Shumica e shkrimeve janë të sojit të bërtimave dhe përleshjeve personale, që shiten (gabimisht) për komente të thukta e analitike. Portalet, uebfaqet e blogët të cilat do të duhej të shërbenin për ta informuar shoqërinë lidhur me çështjet me rëndësi, duket se janë kthyer në arena armiqësish personale ndërmjet opinionistëve të spikatur dhe ekspertëve të mediave sociale—forma kryesore e agumentimit të të cilëve është ta poshtërojnë njëri-tjetrin në baza personale. Megjithëse temat janë të ndryshme, opinionet dhe komentet  me karakter politik duken më së shumti  të vjellin vrer ku edhe zor se mëson diçka më shumë përtej një game të gjerë ofendimesh e sharjesh personale. Mundësia për të shkruar dhe botuar mendime nuk po shfrytëzohet për të dhënë kontribut në pasurimin e debatit apo për ta fituar argumentin, por për t’i fyer ata të cilët e kanë një mendim tjetër.

Para disa kohe vizitova  një sallë gjysëm të errët brenda Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë dhe po lexoja gazeta dhe revista kosovare të viteve të 80-a. Vitet që i paraprinë asaj dekade ishin prej më të mirave për shqiptarët e Kosovës— jo vetëm ssa i përket rilindjes politike e ekonomike, por edhe asaj shoqërore e kulturore. Patjetër që kishte një mori gjëra të mbrapshta gjatë viteve të 80-ta, por duke shfletuar gazeta të asaj kohe, habitesh me përmbajtjen e pasur e të llojllojshme në fushën e artit, kulturës, teatrit e arsimit. Reporterët e asaj kohe siç duket shfaqnin atë përkushtimin klasik të profesionit të tyre duke raportuar lajme e jo duke i komentuar ato. Në ato faqe mund të lexosh për teatër e për film, të informohesh bukur mirë për kushtet sociale dhe ekonomike nëpër komunatë ndryshme, si dhe  aty-këtu kritikë letrare të poezisë dhe prozës së asaj kohe. Megjithëse cenzura politike ishte e gjithëpranishme në atë kohë, disa komentues jepnin opinione me një lloj përmbajtje e cila nuk i reflektonte kufijtë e cenzurës, por në shkrimet e këtyre komentuesve mund të vërehej një llojë vetëpërmbajtjeje që është virtyt i përsonave me urtësi dhe dituri të thellë.

Zhurma në debat tregon më shumë për ne duke na i zbuluar pasiguritë dhe gabimet tona më të thella.

Vetëpërmbajtja mund të duket si një gjë sipërfaqësore në mesin e opinionistëve aktualë, por ajo është një prej vlerave kyçe të një bashkëbisedimi të civilizuar, e cila njihet si e tillë që nga lashtësia. Një opinion i kalibruar dhe i matur me kujdes është parim i cili na mëson t’i japim vetes kohë të mendojmë, e të përsiatim para se t’i derdhim pasionet tona të pakontrolluara dhe gjykimet mbi të tjerët. “Të jesh pa kurrfarë parimi mbi të cilin e bazon diskutimin… do të thotë ta përjashtosh krejtësisht jetën intelektuale, apo çfarëdo jete tjetër”, shkruante Ciceroni, oratori dhe shkrimtari romak, në esenë e tij “On Duties” (Mbi obligimet).

Gati 1,900 vjet më vonë, Arthur Martine,  jehoi komentet e Ciceronit në librin e tij “Etiquette and Guide to True Politeness” (Etiketa dhe Udhëzimi për Mirësjellje) kur shkroi se “arti i bashkëbisedimit do të thotë të dish kur të kundërshtosh dhe kur të heshtësh..”

Mirëpo mungesa e vetëpërmbajtjes, përsiatja e heshtur, dhe respekti për diskursin publik është më shumë se parim i një bised të sjellshme. Zhurma në debat tregon më shumë për ne duke na i zbuluar pasiguritë dhe të ligat tona më të thella. “Njerëzit pa vetëpërmbajtje çojnë jetë të çoroditur”, i shkruante Seneka, filozof stoik romak, një miku të tij. “Saherë që [dikush] flet për të të ligat e dikujt tjetër, ai vetëm reflekton të ligat e tij..”.

Por askush nuk ka nevojë që vazhdimisht ta thotë gjënë e duhur, apo që gjithmonë të jetë në anën e të së vërtetës. Askush nuk ka pronësi mbi një gjë të tillë. Do të vijë koha kur gjërat to të qartësohen dhe forma më të thukta e më mjeshtërore të bashkëbisedimit do të lulëzojnë në hapësira publike, por deri në atë kohë, ndeshjet me bërtima të zhurmshme dhe grindje të kota do të vazhdojnë ta definojnë atë që njihet si diskursi publik në Kosovë.

logo_ce-en-quadri-1Ky artikull është pjesë e projektit të Qendrës Evropiane për Liri të Mediave dhe Shtypit (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian dhe zbatuar në partneritet me Osservatorio Balcani e Caucaso. Përmbajtjet e këti publikimi janë përgjegjësi vetëm e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian.