Shkurt | K2.0

Diskutim mbi rolin e sinjalizuesve?

Nga - 09.05.2017

Diskutimi i fundit i K2.0 i fokusuar në ata që zbulojnë keqpërdorimet.

Në ditën ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Kosovo 2.0 mbajti një bisedë të shkurtër, në Dit’ e Nat’, me temën ‘‘A mund të jesh ti sinjalizues?’. Për të gjetur përgjigje rreth kësaj pyetje, pjesë e bisedës sonë u bë kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj, i cili udhëhoqi diskutimin në të cilën morrën pjesë edhe panelistët: Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI); Arben Hajrullahu, profesor në departamentin  e Shkencave Politike, në Universitetin e Prishtinës; Edmond Dunga, këshilltar i projektit të Bashkimit Europian kundër krimit ekonomik në Kosovë, dhe Ivana Jeremic, zëvendëskryeredaktore nga Qendra për Raportim Hulumtues, në Serbi.

Bisedës i’u bashkëngjitën edhe një numër i qytetarëve duke ndarë idetë e tyre dhe duke bërë pyetje për panelistët.

Duke tentuar që fillimisht të trajtohet ana ligjore e rregullimit të statusit të sinjalizuesve në Kosovë, Florent Spahija, i cili është marrë për së afërmi me Ligjin mbi Mbrojtjen e Informatorëve – ligj ky që edhe rregullon pozitën sinjalizuesve në Kosovë – bëri një rezyme të ligjit.

Sipas tij, ligji ka një mori problemesh, dhe kjo ka krijuar probleme edhe për KDI-në , kur janë marrë me raste të ndryshme të sinjalizuesve, duke hasur në probleme të këshillave ligjore që duhet tu jepen atyre. Sipas Spahiut ky ligj, që ka hyrë në fuqi në vitin 2011 dhe ka vetëm 11 nene – pra është një ligj i shkurtër që mbron sinjalizuesit.

“Tek ne – sipas ligjit – informator është çdo qytetar, apo i punësuar, kjo të lenë të kuptosh se ligji flet në parim dhe nuk specifikon diçka më shumë”.

Florent Spahija

“KDI  në përvojën e saj ka pas raste që është marr me sinjalizues dhe ajo që ka rënë në sy nga këto përvoja është se ka qenë e vështirë me ju jep këshilla ligjore sinjalizuesve për shkak se ligji nuk është specifik…’’, tregoi Spahiju.  

Kjo, sipas tij, mbetet edhe mangësia themelore e ligjit, ku mos specifikimi i statusit të sinjalizuesve dhe hapave që duhet të ndërmerren nga institucionet përkatëse, në rast se kemi situata kur ato institucione përballen me sinjalizues. ‘‘Tek ne – sipas ligjit – informator është çdo qytetar, apo i punësuar, kjo të lenë të kuptosh se ligji flet në parim dhe nuk specifikon diçka më shumë. Ky ligj mbron anonimitetin e sinjalizuesit, por mangësitë e ligjit vërehen, në rast se zbulohet identiteti i informatorit’’.

Florent Spahija tha se Ligji mbi Informatorët në Kosovë nuk është sa duhet specifik dhe nuk ofron mbrojtje të duhur për sinjalizuesit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Sfidë tjetër mbetet fakti se ligji nuk parasheh afate kohore dhe për dallim nga vendet tjera, ku parashihen edhe niveli i dytë dhe i tretë i sinjalizuesve, në Kosovë ekziston vetëm niveli i parë – ai i informimit të brendshëm. Në vendet tjera kemi ligje ku përpos informimit (denoncimit) brenda institucionit ku pretendohet se është bërë shkelja, parashihet edhe denoncimi në një agjenci të jashtme (niveli i dytë), në rast se institucioni nuk ka marr hapa për shkeljet eventuale, dhe në fund nëse të dy nivelet kanë dështuar që të merren masa, ligji në vendet tjera parasheh edhe denoncimin publik, përmes medieve.  

Kjo sipas, Spahijes mbetet sfidë për legjislacionin kosovar dhe për këtë arsye organizata të ndryshme si; Lëvizja FOL, KDI, ÇOHU etj, kanë ofruar mbështetjen e tyre për reformimin e ligjit, duke bërë që ai të jetë specifik dhe të ketë përkufizime të qarta; se çfarë janë sinjalizuesit, kush janë sinjalizuesit, si do të mbrohen ata dhe cilët janë hapat që duhet të ndërmerren.

Si pjesë e panelit edhe profesori universitar Arben Hajrullahu, shpalosi përvojën e tij brenda Universitetit të Prishtinës. Hajrrullahu muajt e kaluar të këtij viti kishte denoncuar rastin e një studenti që ka përfunduar 3 vite të studimeve dhe ka diplomuar brenda një jave. Ai potencon se të denoncosh, për ato që ti mendon se janë shkelja, në Kosovë llogaritet si dalje nga rregulla. Sepse mosdenoncimi, sipas tij, në fakt ësht si rregull brenda institucioneve publike.

Arben Hajrullahu tha se nuk e konsideron vetën si sinjalizues, por vetëm si profesor që ka përmbushur obligimet e tij profesionale për të raportuar keqpërdorimet. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kjo sipas tij, ka ardhur për shkak të mos llogaridhënies kronike nga ana e zyrtarëve të atyre institucioneve. Por, Hajrullahu insistoi se kjo nuk vjen si pasoj e mungesës së ligjit, por vjen për shkak të mungesës së mekanizmave që të zbatohen këto ligje.

Në fund, ai, mohoi statusin e sinjalizuesit, duke thënë se ajo çka ka bërë ai mbetet vetëm përgjegjësi profesionale, e cila e ‘detyron’ atë se në rast se sheh shkelje t’i denoncoj ato.

‘‘Nëse e sheh se ka ndonjë shkelje, duhet ta raportosh në instancat përkatëse, por, çka është e rëndësishme, nuk duhet ta gjykosh rastin paraprakisht. Gjithashtu nuk duhet të bësh gabim në hapa, fillimisht  duhet ta paraqesësh rastin para instancave gjegjëse të atij institucioni, dhe pas kësaj t’i qëndrosh mbrapa rastit, që të jesh i informuar se apo ndërmerren masa’’, tha Hajrullahu.

Ivana Jeremic, shpalosi disa nga rastet e sinjalizuesve në Serbi. Ajo potencoi se korniza ligjore atje, sa i përket mbrojtjes së sinjalizuesve është e mirë përgatitur në aspektin teorik. Ligji specifikon edhe hapat që duhet të ndërmerren nga institucionet përkatëse.

Ivana Jeremic tregoi se legjislacioni për mbrojtjen e snjalizuesve është i fortë, por implementimi mbetet i dobët. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Jeremic ka treguar po ashtu se në Serbi janë të njohur diku mbi 200 raste kur sinjalizuesit kanë denoncuar shkelje të ndryshme. Por, ajo që bie në sy është se institucionet e drejtësisë – edhe pse ka një kornizë ligjore të qartë për veprim – kanë dështuar në veprimet e tyre për t’i mbrojtur ata. Si pasojë e kësaj, edhe pse ka raste të shumta të denoncimeve të shkeljeve nga sinjalizuesit, veprimet ndëshkuese ose hetimet ndaj shkelësve nuk kanë sjellë përfundime të kënaqshme.  

Panleisti i fundit, Edmon Dunga, është i përfshirë në këshillimin e institucioneve shtetërore për rregullimin e ligjeve për pozitën e sinjalizuesve. Dunga ka ndarë përvojat dhe përshtypjet e tij rreth mënyrës se si është rregulluar kjo në vendet e rajonit.

Rregullimi ligjor në Serbi dhe Kosovë, sipas Dungës, bënë të shihet dallimin e ligjit për sinjalizuesit të këtyre dy vendeve. E kjo nuk vjen vetëm sipas kornizës ligjore por edhe zbatimit të saj. Ai potencon se në Serbi është një ligj i hartuaar mirë, ku ka sqarime dhe mënyra të veprimit të kënaqshme, gjë që nuk ekziston në Kosovë. ‘‘Ligji në Kosovë është një model i thjeshtuar i koncepteve apo dispozitave ligjore, që në fakt nuk jep mbrojtje për sinjalizuesit’’, tha Dunga.

Edmond Dunga tha se Kosova duhet të përforcojë kornizën ligjore sa i përket sinjalizuesve, si dhe institucionet të marrin parasysh rekomandimet nga shoqëria civile për këtë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ai më tej, ka folur për përvojën me hartimin e ligjit për sinjalizuesit në Serbi, ku Këshilli i Europës ka përkrahur institucionet përkatëse atje me këshilla rreth këtij ligji, gjë që ka rezultuar me një ligj i konkret, të zbatueshëm, të qartë dhe që u ofron mbrojtje të sinjalizuesve. Institucionet shtetërore, sipas Dungës, duhet të marrin parasysh edhe vërejtjet dhe të pranojnë angazhimin e shoqërisë civile për hartimin e një ligji të ri, ku duhet të parashihen edhe mekanizmat që e bëjnë të mundur funksionalizimin e tij.

Në Kosovë ndërkaq del se tek institucionet qendrore ka pasur një numër të vogël të sinjalizuesve që kanë denoncuar shkeljet nga brenda. Megjithatë ka raste kur shkeljet janë paraqitur tek Agjensioni Anti-Korrupcion, Policinë e Kosovës, apo doganat e Kosovës, por edhe kjo praktikë e vogël nuk ka qenë e mbështetur mbi ligjin për infomatorët.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO