Në thelb | BiH

Zhvillimi i biznesit në kushte të parealizueshme

Nga - 06.04.2018

A i ofron Bosnja dhe Hercegovina mundësi të rinjëve për të hapur biznese?

Axel Alić dhe bashkëshortja e tij Nikolina normalisht duhet të jenë shumë të kërkuar nga punëdhënësit në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH). Megjithatë, avokati i diplomuar i cili së shpejti do të jetë magjistër juridik, dhe profesoresha e psikologjisë dhe pedagogjisë, janë regjistruar në Zyrën për Punësim si persona që janë duke kërkuar punë tash e disa vite.

Situata ndërlikohet edhe më shumë nga fakti se ky çift tani është një fëmilje me dy fëmijë për të cilët duhet të kujdesen; kështu që po përballen me një dilemë: të presin në heshtje deri sa të vijë ndonjë ofertë pune nga Zyra, apo të kërkojnë lumturinë jashtë BiH?

Edhe pasi i morën dokumentet e nevojshme për emigrim në Australi, çifti arriti të gjejë një alternativë të tretë. E hapën një lokal të ushqimit të quajtur Yumm, dhe në të shesin produkte ushqimore me çmime më të lira dhe afate më të shkurtëra të skadimit. Kjo është përpjekja e tyre e fundit për të jetuar me dinjitet. Nëse nuk funksionon, do të largohen për të gjetur mundësi të reja në ndonjë vend tjetër.

“Deshëm të krijonim diçka që nuk kishte ekzistuar në BiH deri më tani”, shpjegon Axel Alić. “Dyqanet e ushqimit janë diçka që ka ekzistuar në botë për disa kohë, dhe supermarketet në Britaninë e Madhe dhe në Suedi i ulin çmimet e produkteve kur u afrohet data e skadimit”.

Ai shton se një faktor i madh që ndikoi tek vendimi i tij për të hapur një dyqan ishte dëshira e tij për ta parandaluar krijimin e mbeturinave. “Sasi të mëdha të ushqimit vijnë nga supermarketet dhe hudhen e shkatërrohen edhe nëse nuk u ka kaluar data e skadimit, sepse kështu diktohet nga ligji”, thotë Alić. “Është e turpshme të hidhet ai ushqim, nëse shihet nga një aspekt ekologjik. Njëkohësisht, [dyqani] i ofron qytetarëve supermarketin më të lirë në vend, me të mira dhe brende kualitative”.

Axel Alić e ka hapur një biznes të vogël. Është shpresa e tij e fundit për të jetuar me dinjitet në Bosnje dhe Hercegovinë. Foto: Denis Hadžić/BHRT.

Shtrohet pyetja, a është i gatshëm tregu boshnjak për lloje të reja të bizneseve të vogla dhe ofertave të tyre, dhe a e ka lehtësuar, nëpërmjet legjislaturës dhe mënyrave tjera, procesin e hapjes dhe zhvillimit të bizneseve të reja për ndërmarrës të rinj?

Duke gjykuar sipas takimeve të K2.0 me ndërmarrës të rinj në BiH, me sa duket gjithçka varet nga vullneti individual, për shkak se sistemi ekzistues me sa duket vetëm sa e pengon zhvillimin e atyre të cilët janë të gatshëm për të punuar për bizneset e tyre.

Sukses jashtë vendit, e të injoruar brenda tij

Samir Mujović është zëvendës presidenti i kompanisë së teknologjisë informative Zemana nga Sarajeva. Kjo kompani prodhon zgjidhje të sigurisë për kompjuterë dhe pajisje mobile. Mujović thotë se është i lumtur që nuk është i varur nga tregu lokal.

Programi i Zemana, i cili përfshinë programe anti-virus për telefona mobil dhe anti-malware (programe të cilat i kundërshtojnë programet e dëmshme) për kompjutera desktop, është i rangut më të lartë dhe përdoret nga miliona njerëz në 121 shtete të botës. Programi i tyre anti-malware është etiketuar si një prej tre programeve më të pathyeshëm nga Agjencia e SHBA-ve për Siguri Kombëtare dhe përdoret në të gjitha kompjuterët e Ambasadës së SHBA-ve në Rusi.

Megjithatë, në BiH, njerëzit rrallëherë informohen për Zemana, dhe numri i përdoruesve të tyre është minimal. Mujović mendon se një ndër arsyet për këtë janë manipulimet e ndryshme gjatë prokurimit, veçanërisht në sektorin publik.

“Vetëm disa njerëz marrin vendime këtu”, shpjegon ai. “Në Republikën Srpska, [firma ruse e sigurisë kibernetike] Kaspersky është e pranishme në të gjitha institucionet publike në nivel entiteti. Në Hercegovinë dhe pjesërisht në nivel shtetëror është [kompania amerikane e sigurisë kibernetike] Fortinet. Në Sarajevë, Bosnjen Qendrore, Tuzla, është [kompania amerikane e programeve kompjuterike] Symantec. Gjithçka është e bazuar në parimin ‘unë të jap diçka, dhe ti më jep diçka’. Me t’i lexuar hollësitë në tender e kuptojmë se vetëm Kaspersky i përmbushë kushtet. Shkon aq larg sa që lejet e Kaspersky-t kërkohen publikisht”.

Ligji i ndalon specifikisht subjektet që janë pronë të shtetit ose udhëheqen nga shteti të kërkojnë një produkt specifik ose t’i shfrytëzojnë shërbimet e një furnizuesi specifik. Mujović thotë se ka dorëzuar ankesa në lidhje me këta tenderë dhe kjo shkaktoi anulimin e tyre, por tenderët e ri prapë se prapë u shkruan në përputhje me specifika teknike për produkte specifike të programeve kompjuterike.

Software-i i përdorur nga kompania Zemana e Samir Mujović është i përhapur nëpër të gjithë botën, por ai pretendon se ky produkt është injoruar nga institucionet boshnjake edhe pse është ofruar pa pagesë. Foto: Aleksandar Brezar/BHRT.

Zëvendës presidenti i Zemana gjithashtu pretendon se, falë të ardhurave të klientëve të huaj, kompania arriti t’i ofrojë programet e saj kompjuterike pa pagesë brenda vendit. Megjithatë, të paktën në sektorin publik, nuk pati gatishmëri për kësi lloj bashkëpunimi.

Përveç interesave të supozuara personale që lidhen me konkurrencën e tij, Mujović thotë se mungesa e dëshirës për ta ndryshuar furnizuesin është gjithashtu faktor, sepse në një situatë të tillë, personat e punësuar në dega të teknologjisë informative nëpër institucione do të detyroheshin ta mësonin një program të ri kompjuterik.

Por është edhe një paradoks tjetër: programi kompjuterik i Zemana është në gjuhën boshnjake, kroate dhe serbe (BKS), të gjitha udhëzimet ofrohen në BKS, dhe Mujović ofron trajnim për këtë program. “Megjithatë, ata nuk e duan. Në vend të tij zgjedhin produkte ruse apo rumune”, thotë Mujović.

Tregje të vogla dhe mungesë të kushteve mirëpritëse

Harun Omić punon si menaxher i marketingut në The Brew Co., një kompani e bazuar në Sarajevë e cila prodhon birrë artizanale. Ai thotë se i pëlqeu ideja ta punonte një produkt që prodhohet në BiH.

Megjithatë, tregu i BiH i ka disa probleme specifike, dhe Omić thotë që secili pronar i një biznesi të vogël përballet me probleme të veçanta çdo ditë. E njejta vlen për The Brew Co.. “Po të uleshim me 100 pronarë të bizneseve të vogla, do t’i dëgjonim 100 arsye pse është e vështirë të hapësh dhe zhvillosh biznes, dhe të luftosh që të mos shkatërrohet”, thotë ai.

Përfundimi i Omić është se kur merret parasysh gjithçka, kompanitë e vogla nuk kanë mbështetje të mjaftueshme sistematike që nga fillimi. “Problem i madh është mendësia”, thotë ai. “Për mendimin tim subjektiv, shumë pak vëmendje i kushtohet kompanive të vogla në BiH, kompani të cilat ekzistojnë në sistemin kapitalist, në tregun e hapur, apo sido që e quani”.

Deri sa flet për kompaninë e tij dhe aktivitetet e saj, si dhe për të ardhmën e BiH, Omić shpreh një optimizëm të sinqertë dhe të papërkulur. Kur e pyesim si është kaq i ngazëllyer për punën e tij pavarësisht pengesave, Omić e shpjegon kështu:

“A po ndryshon situata? Po. Por çdo ditë ne mundohemi ta arsyetojmë besimin dhe t’i japim më shumë tregut, në mënyrë që njerëzit ta shohin se ia vlen të na kushtojnë vëmendje. Nuk duam që njerëzit ta ndjekin brendin tonë vetëm për shkak se jemi brend vendor, apo pse jemi të rinj apo ndërmarrës. Duam ta bëjnë për shkak se ne mundohemi të bëjmë gjëra të cilat njerëzve u pëlqejnë”.

Por Omić beson se nuk mund të kesh sukses pa ndihmë nga ndërmarrjet e themeluara dhe më të mëdha, dhe pa bashkëpunim ndërmjet pronarëve të bizneseve të vogla. “Unë besoj se çelësi i suksesit është bashkëpunimi aktiv, pjesëmarrja aktive e bizneseve të vogla dhe angazhimi i ndërmarrjeve të mëdha, për të cilat dëgjojmë gjatë konferencave – por ato shpeshherë japin premtime bosh”.

Dina Šiber dhe Gordana Miladinović u kthyen në Bosnje për ta hapur një biznes në industrinë kreative, por tregu i vogël në BiH po del të jetë një sfidë. Foto: Arkivë personale/Vanja Lisac.

Gordana Miladinović studioi jashtë vendit para se të kthehej në BiH për të hapur një biznes në industrinë kreative, The Hive, me partneren e saj në biznes, Dina Šiber. The Hive ofron shërbime në dizajn, brendim, zhvillim të produkteve, komunikim digjital dhe printim 3D. Ideja e The Hive ishte t’i ofrohet mbështetje e plotë klientëve, nga këshillimi, te konceptualizimi dhe në fund, realizimi.

Sa i përket problemeve me të cilat janë përballur që nga fillimi, Miladinović tha se një prej pengesave më të mëdha është tregu i vogël. “Biznesi jonë u themelua në vitin 2011, para trendit aktual të bizneseve të reja (startups) që erdhi nga Amerika, ku në fakt mund të lansosh gjëra të ndryshme sepse ke numër të mjaftueshëm të njerëzve, dhe mund të shesësh produkte apo shërbime të cilat i interesojnë seksioneve të vogla të popullsisë”, shpjegon ajo. “Por tek ne, nuk ka treg të mjaftueshëm, numra të mjaftueshëm”.

Për mendimin e Miladinović, problematik është edhe trajtimi i ndërmarrjeve të vogla në krahasim me trajtimin e ndërmarrjeve të mëdha, sepse përveç mungesës së mbështetjes, nuk ofrohen as lehtësime financiare nga shteti për ata të cilët janë duke hapur biznese të reja.

“Ka shtrëngime të mëdha financiare, pagesa të cilat duhet t’i kryesh në fillim, thuajse ke qenë duke bërë biznes për 10 vitet e fundit”, thotë ajo. “Besoj se kjo është problematike. Shkakton presion të madh që nga fillimi, dhe i dekurajon njerëzit, të cilët më pas as nuk mundohen”.

Shpresa për të ardhmën

Sipas të dhënave nga Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike, 80.000 të rinj kanë marrë leje pune jashtë BiH në pesë vitet e fundit, por numri i atyre të cilët janë larguar brenda këtij viti kalenderik me gjasë është edhe më i lartë.

Kur i pyetëm pse vendosën të hapin biznes të ri në BiH, në një ambient të prekur nga problemi i largimit të punëtorëve të rinj dhe të talentuar, të gjithë pronarët e bizneseve të vogla me të cilët biseduam dhanë përgjigje të ndryshme, por të gjithë janë optimistë.

Miladinović mendon se arsyet për këtë janë individuale, por se është çështje e perceptimit që situata është më e mirë diku tjetër, veçanërisht në kuptimin biznesor.

“Nuk dua të jem tepër kritike, por BiH sigurisht nuk është një shtet i cili punon tepër shumë për njerëzit dhe qytetarët”, thotë ajo. “Unë besoj se presioni dhe varfëria mund të përjetohen, për shkak se njerëzit nuk kanë para. Por gjithashtu mendoj se njerëzit jetojnë në iluzionin se jashtë gjithçka është më mirë, veçanërisht sa i përket punës – që gjërat janë shumë më mirë dhe funksionojnë më mirë, ke shumë më shumë mundësi. Por në të vërtetë, edhe këtu edhe atje duhet të punosh për të bërë diçka. Ndonëse realiteti është i vështirë, ne e kufizojmë vetën me ambientin tonë, dhe shpeshherë as nuk mundohemi, apo mundohemi një herë dhe dorëzohemi. Mendoj se na duhet të veprojmë shumë më shumë. Nëse duam ndryshime, duhet të përfshihemi dhe të luftojmë kundër çdo gjëje që na pengon”.

Harun Omić beson se ka mundësi në BiH por duhet ta shohësh vendin nga një pikëpamje pozitive për t’i gjetur ato mundësi. Foto: Arkivë personale/Adis Nović.

Omić thotë se gjithçka varet nga mendësia. “Sinqerisht, dhe kjo mund të jetë subjektive, por unë besoj se ka mundësi”, shpjegon ai. “Por puna është se duhet të mundohesh të shohësh diçka pozitive në një vend ku askush nuk e sheh. Duhet gjithashtu t’i kuptosh njerëzit të cilët nuk e shohin. Të gjithë e dimë se përpjekjet, puna dhe disiplina nevojiten për të arritur sukses. Të gjithë që kanë ikur e dinë këtë. Ata që po ikin, po e bëjnë sepse janë të gatshëm për të punuar dhe janë të disiplinuar, ndërsa këtu, për shkak të mungesës së fatit dhe mundësive, nuk e shohin se mund të arrijnë sukses. Por ju garantoj, nëse e dimë që situata në këtë vend është e vështirë, dhe se nuk mund të bëhet më keq, atëherë mund të lëvizim vetëm para”.

Omić së shpejti do ta aplikojë këtë filozofi në projektin e tij të radhës, restaurimi dhe adaptimi i Imperijal, një vend historikisht i rëndësishëm në Sarajevë. Është një projekt ambicioz i cili përfshinë renovimin e tërësishëm të hapësirës, por edhe transformimin e qëllimit të saj, me synim për t’i ofruar qytetit një qendër të re kulturore, ku mund të mbahen ekspozita, koncerte, ngjarje të vallëzimit etj.

Edhe Mujović është optimist. Ai beson se, pavarësisht shkallës së lartë të largimit të njerëzve, “ne e kemi burimin më të rëndësishëm: një intelegjencë natyrore”. Ai gjithashtu mendon se sektori i teknologjisë informative në BiH është një prej fushave të rralla me perspektivë të madhe për të ardhmën, veçanërisht kur kemi parasysh kontekstin e BiH si shtet i vogël.

“Shumëkush, veçanërisht ata të cilët e kujtojnë sistemin e vjetër, ankohet se fabrikat nuk funksionojnë më”, deklaron Mujović. “Por ne jemi një shtet me 3.5 milion banorë. A na duhet me të vërtetë një auto industri e fuqishme? Apo një industri e armëve? Nëse nuk i eksportojmë në tregje të jashtme, çfarë do të bëjmë me to?”

Eksperti i programeve kompjuterike shton se nuk ka industri të eksportit, që do të thotë se tregu vendor është reduktuar në një nivel shumë modest të kërkesës, që më pas reflektohet edhe në anën e furnizimit. “Prandaj mendoj se e vetmja mënyrë për ta zhvilluar BiH është duke i shtyer njerëzit drejt sektorit të teknologjisë informative, për shkak se është sektor tërheqës i cili është në zhvillim e sipër dhe nuk kërkon investime të mëdha. Gjithashtu në të ka hapësirë për të rinj të cilët janë të gatshëm për të mësuar, dhe për t’i përpiluar dhe zbatuar idetë e tyre”.K

Foto kryesore: Aleksandar Brezar / BHRT.