Në thelb | Pajtimi

Një “ngasje” për fushatën zgjedhore në Serbi

Nga - 20.01.2017

Në Beograd treni i shumëpërfolur është pritur me shumë skepticizëm.

Një tren me mbishkrimin ‘Kosova është Serbi’ në më shumë se 20 gjuhë dhe i pikturuar përbrenda me murale, nisi udhëtimin e tij nga Beogradi për në Mitrovicën e Veriut të shtunën (më 14 janar) pa lajmërim e pa marrëveshje paraprake me Prishtinën. Në mbrëmjen e të njëjtes ditë, treni u ndal në Rashkë të Serbisë dhe u kthye në Beograd.

Në Serbi tregimi po vazhdon se treni u kthye pas vendimit të kryeministrit, Aleksandar Vucic, të cilin tha se e morri për sigurinë e udhëtarëve. Sipas zyrtarëve serb, treni nuk përfaqësoi ndonjë provokim. Mediat serbe madje në raportimet fillestare pretendonin se disa mjete shpërthyese ishin vendosur në binare, pretendim ky që u mohua kategorikisht nga Prishtina. Tregimi në Kosovë ndërkaq është se treni u kthye meqë autoritetet vendore bënë thirrje për të parandaluar hyrjen e tij.

Gati një javë më vonë, publiku serb ende nuk është krejtësisht i vetëdijshëm për ngjarjet e asaj dite. Madje akoma nuk dihet se kush e kishte inicuar dizajnimin e brendshëm të trenit, që në rrjete sociale tani më është bërë i njohur si “kisha e lëvizshme”; as kryeministri i Serbisë nuk e di, të paktën kështu ka deklaruar ai: “Nuk morra pjesë në këtë, nuk e dija as se si dukej treni. E pash në TV Pink kur Marko Djuric [drejtor i Zyrës për Kosovë të Qeverisë së Serbisë] e ekspozoi”, tha Aleksandar Vucic të dielën.

TrainM-3

Megjithatë, ajo me të cilën shumica e përfaqësuesve nga shoqëria civile në Serbi pajtohen është se qëllimi kryesor i trenit ishte që të vë në lojë një fushatë zgjedhore. Me zgjedhjet e rregullta presidenciale të vendosura për në pranverën e këtij viti dhe duke ditur se në përgjithësi ekziston besimi që shancat e presidentit aktual Tomislav Nikolic për të siguruar edhe një mandat janë të ngushta, shumë njerëz, përfshirë edhe kryeministrin Vucic, kanë aluduar në mundësinë e zgjedhejve të jashtëzakonshme parlamentare.

Sociologu dhe analisti politik Jovo Bakic tha për K2.0 se treni nuk ishte lëvizje e mençur nga pikëpamja e interesave të Serbisë dhe serbëve, por ishte për qëllime të fushatës zgjedhore. Sipas tij, kjo lëvizje ishte e papërgjegjshme “sepse të gjithë po luanin me zjarr pa përgjegjësi”.

“Kosto e kësaj loje është mbi të gjitha rritja e nivelit të tensioneve ndër-etnike, dhe njëkohësisht reduktimi i mundësive për anëtarësim në BE; e këto të fundit ashtu kështu veç se janë të pakëta”, tha Bakic. “Sigurisht se është provokim i menduar mirë, i demonstruar nga ikonografia e trenit, dhe veçanërisht nga prania në tren e Misa Vacic, ekstremistes së njohur të krahut të djathtë dhe bashkëpunëtores shumë të afërt të Aleksandar Vucic.

Hulumtuesja e Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë, Maja Bjelos, tha për K2.0 se qeveria e Serbisë prej vitit 2012 është bërë e njohur si shkaktare e skandaleve dhe shpifjeve. Për të, rasti i trenit është vetëm edhe një shembull që i bashkohet listës së gjatë të aferave të liderëve aktual të Serbisë si dhe një lëvizje e pavend e jo largpamëse, që për synim kishte grumbullimin e pikëve politike dhe rritjen e nivelit të vlerësimit personal të liderëve politik duke i shkaktuar dëme qytetarëve të thjeshtë.

“Fatkeqësisht kjo lëvizje ishte e menduar mirë dhe u krye me një plan që kishte kornizën e vet kohore”, tha Bjelos. “Në kontekstin e politikës serbe, kjo aferë u interpretua si ‘e matur sa i përket kohës’, si pjesë e fushatës zgjedhore presidenciale dhe u pa si përpjekje për t’i mbushur mediat dhe rrjetet sociale me informata, në mënyrë që të drejtohet vëmendja nga kandidatura presidenciale e Vuk Jeremic, si dhe për të shkruar për Sasa Jankovic [avokati i popullit, i cili shpalli kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale]”.

Sipas Bjelos, me liderët dhe politikat ekzistuese në Serbi dhe Kosovë është e pamundshme që të normalizohen marrëdhëniet në mes të dy vendeve, meqë çështjet që si duket janë të rëndësishme për jetët normale e të përditshme të qytetarëve – si hapja e rrugëve të trenit – politizohen e lidhen me çështje të sigurisë për përfitime politike. Qytetarët e dy shoqërive, sipas saj, janë humbësit më të mëdhenj në këtë situatë, veçanërisht nëse mbështesin regjime autoritare që krijojnë tensione, prodhojnë frikë dhe e kontrollojnë popullatën, duke i bërë këto.

“Unë besoj se ekziston një masë kritike e qytetarëve në Serbi si dhe disa përfaqësues të shoqërisë civile që nuk i miratojnë politikat aktuale dhe po i ekzaminojnë në mënyrë kritike lëvizjet aktuale të qeverisë, lëvizjet e ngjashme të të tjerëve si dhe po e analizojnë në mënyrë objektive situatën dhe pasojat”, tha Bjelos. “Qytetarët madje edhe mundohen që të inkorporojnë pak humor në gjithë këtë pakuptimësi. Për shembull duke aluduar se çfarë do të shkruhej në një tren që vjen nga Vojvodina, ose se si do të dukej një tren që do të udhëtonte për në Zagreb”.

Bjelos beson që duhet të bëhet më shumë për të sfiduar qasjen e deritanishme të politikanëve në Beograd dhe në Prishtinë. Organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët në Kosovë gjithashtu, sipas saj, duhet të sfidojnë më shumë politikat e qeverisë së Prishtinës kundrejt Serbisë dhe integrimit e serbëve të Kosovës.

Drejtoresha e Qendrës për Studime Euro-Atlantike, Jelena Milic, tha për K2.0 se nuk është e sigurt nëse në fakt çështja e trenit është krejtësisht çështje e qeverisë së Serbisë, duke patur parasysh faktin se media ruse si Sputnik i kanë ndjekur ngjarjet e asaj dite në uebfaqet dhe rrejtet e tyre sociale, duke kumtuar për publikun e tyre se bëhej fjalë për një “tren rus” me ikona serbe që po udhëtonte për në “Kosovska Mitrovica”.

“Shtrohet pyetja se me kë u koordinua drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohije të Qeverisë së Serbisë, Marko Djuric, meqë kryeministri deklaroi se nuk ishte në dijeni për trenin. Ose kryeministri nuk e tha të vërtetën, që nuk do të ishte hera e parë”, tha Milic. “Është përdorim, ose keqpërdorim, interesant dhe cinik i nocionit të ‘lirisë së lëvizjes’ nga ana e autoriteteve serbe, meqë liria e lëvizjes nuk e ka kuptimin e anarkisë”.

Një shembull i të parës është se një tren ka udhëtuar me vite nga Kraljeva për në Mitrovicën e Veriut; dallimi në mes të këti treni dhe ati që u nis nga Beogradi të shtunën është se të gjithë ishin në dijeni për atë që niset zakonshëm nga Kraljeva.

TrainM-4

Milic e sheh gjithë ngjarjen në kontekstin më të gjërë të “incidenteve dhe deklaratave të rrezikshme në rajon”, që kanë ndodhur gati njëkohësisht përfshirë këtu edhe arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë me një urdhërarrest të Interpolit që u lëshua nga Serbia.

“U përdor edhe arrestimi i Haradinaj, pa marrë parasysh sa i përfolur ishte, edhe duke ditur faktin se ai udhëton shumë jashtë shtetit”, tha Milic. “Është e qartë që Serbia, që nuk ka patur prokuror për krime lufte që një vit e gjysmë, ende nuk është duke punuar në rastet e atyre që dyshohen për krime të luftës në Serbi dhe zyrtarëve të lartë qeveritar, por po punon në lidhje me këtë rast. Ka shenja se Serbia veç se po distancohet nga marrëveshjet e Brukselit dhe evropianizimi thelbësor. Ndërsa hapi tutje vec se është bërë – drejt destabilizimit aktiv”.

Pas situatës së krijjuar me trenin, gjërat në Serbi duket se akoma nuk janë qetësuar. Një pjesë e madhe e vëmendjes publike është tërhequr nga deklaratat e Presidentit Tomislav Nikolic. Deklarata e tij, se në qoftë se do të ekzistojë nevoja për të mbrojtur sigurinë e serbëve do të dërgojë ushtrinë në Kosovë, është vlerësuar nga shumë serbë si retorikë luftënxitëse.

A ja vlen të ulet reputacioni i Serbisë dhe të rriten tensionet për qëllime të fushatës zgjedhore? Nga pikëpamja e shumë qytetarëve, sigurisht se jo. Në zgjedhjet e pranverës ndërkaq mbetet të shihet nëse do të përfitojë ndokush nga e gjithë kjo.K

Ndrrim i destinacionit

Ndërmarrja e transportit hekurudhor “Srbija voz”, të mërkurën deklaroi se duke filluar nga 19 janar 2017, treni që destinacion e kishte Mitrovicën e Veriut tani do të udhëtojë në rrugën Kraljevë-Cacak-Pozhegë-Uzhicë.

“Qytetarët e kësaj pjese të Serbisë do të kenë mundësi që të udhëtojnë dhe ta shohin trenin e dekoruar me dizajne dekorative të trashëgimisë kulturore serbe nga Kosova...”, thuhej në deklaratë. “Sa i përketë rrugëve në të cilat do të operojë treni në të ardhmën, ne do ta informojmë publikun me kohë”.

Fotografitë: Të huazuara nga Qeveria e Serbisë.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO