Monografitë | Të drejtat e LGBTI | LGBTI

Duke kaluar në trupin e vërtetë

Nga - 10.10.2017

Një portretizim i dy burrave transgjinorë në fazën e tranzicionit.

 

Blert Morina dhe Jovan Uliçeviq kanë përjetuar përvoja dhe emocione të ngjashme gjatë jetëve të tyre. Njëri është nga Kosova e tjetri nga Mali i Zi. Të dy kishin fëmijëri shumë lozonjare, por adoleshencë sfiduese. Të dy ishin të sigurtë për identitetin e tyre, por ishin të shqetësuar se mos nuk do të pranohen nga shoqëria.

Pavarësisht pamjes së tyre biologjike, Jovani dhe Blerti gjatë tërë jetës e kanë ndier vetën si djem ose burra. Këta dy miq, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe LGBTI dhe burra transgjinorë kanë qenë të sigurtë për dëshirën e tyre për t’iu nënshtruar operacionit kirurgjik për ricaktim të seksit prej momentit kur mësuan se ekziston një procedurë e tillë.

Jovani, i cili deshi t’i nënshtrohej operacionit kirurgjik prej kur doli haptas si burrë transgjinor para pesë viteve, iu nënshtrua procedurës në shkurt të vitit 2015, si 24-vjeçar. Por për Blertin, kjo ëndërr filloi të dukej më e realizueshme tek para pesë muajve. Ai do ta nisë terapinë hormonale në të ardhmen e afërt, dhe shpreson se brenda tre viteve do t’i përfundojë operacionet kirurgjike.

Blerti dhe Jovani gjithmonë i kanë parë identitetet e tyre gjinore si të dhëna. Seksi që iu caktua pas lindjes ishte ai femëror, dhe ndonëse si fëmijë të dy ndiheshin si djem, ata nuk u trazuan nga fakti se trupat nuk i’u përputheshin me gjininë e caktuar të tyre.

“Nuk mendoj se fëmijët kanë perceptim të trupit të tyre apo të identitetit gjinor, siç kanë të rriturit”, thotë Jovani. “Nuk mendoja për këto gjëra kur isha fëmijë. Thjesht mendoja ‘jam djalë’, dhe kaq”.

Blerti pati përvoja dhe ndjenja të ngjashme: “Asnjëherë nuk e kam pa si fazë. Prej kur e kam njohur vetën, të qenët djalë e kam pa si diçka të dhënë – deri në atë pikë sa që asnjëherë nuk jam ndalur për t’i thënë vetës: ‘pse kështu apo pse ashtu’”.


Të papërshtatshëm për ndarjen dysore

Çështjet transgjinore janë shumë të keqkuptuara, dhe shprehja e një identiteti gjinor që është ndryshe nga ai i cili caktohet në përputhje të rreptë me seksin biologjik pas lindjes është një shkaktar i madh i paragjykimit. Fjalët ‘seks’ dhe ‘gjini’ shpeshherë përdoren si të këmbyeshme, sikur të jenë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën, e kjo veç sa e shton nivelin e hutisë dhe keqkuptimit tek publiku i përgjithshëm.

“Njerëzit mendojnë se kjo ndarje e rreptë dysore ndërmjet meshkujve dhe femrave është diçka e njohur për njerëzimin prej momentit kur fillojmë ekzistencën tonë si njerëz; gjëja e parë që njerëzit e dallojnë është se jemi të ndryshëm sa i përket seksit”, thotë Jovani. “Nuk është lehtë ta ndryshosh një mendësi dhe këtë ide – është një prej njohurive të para që i mësojmë në jetë”.

Foto: Matko Bulent / K2.0

Jovani është i vetëdijshëm se devijimi nga kjo e vërtetë e pranuar është i vështirë. “Në thelb, ne jemi duke u treguar njerëzve se nuk janë vetëm dy sekse, dhe se ekziston diçka që quhet gjini”, komenton ai, “dhe se ajo është shumë më e rëndësishme se seksi, dhe se nuk mund të numërojmë sa gjini janë. Nuk është mrekulli fakti që njerëzit ende nuk po e kuptojnë këtë. Por jam i sigurtë se me kohë do ta kuptojnë”.

Blerti thotë se shkronja T (Transgjinor) e ombrellës LGBTI me gjasë po kontribuon në idetë e gabuara të njerëzve, meqë po e interpretojnë si orientim seksual, në vend se si identitet gjinor. “Shumë e rëndësishme është që njerëzit të bëjnë dallim ndërmjet identitetit gjinor dhe orientimit seksual”, thotë ai. “Në këtë mënyrë njerëzit do ta kuptonin më lehtë se një person transgjinor mund të ketë çfarëdo orientimi seksual”.

Në krahasim me gratë transgjinore (person transgjinor që kalon nga mashkulli në femër), burrat transgjinorë në Kosovë si dhe në rajon e kanë më lehtë në publik. Shprehja e gjinisë (manifestimi i gjinisë i shprehur nëpërmjet emrit, veshjes, stilit të flokëve dhe sjelljeve) së burrave transgjinorë pranohet më shumë për shkak të shtresimit të shoqërive.

Jovani beson se gratë transgjinore kanë status të ngjashëm me të gjitha gratë në rajon, status më të ulët se burrat. “Nuk ke pozitë të privilegjuar si grua në një shoqëri si kjo”, thotë ai. “Për gratë transgjinore është një situatë specifike, sepse shumë më shumë pranohen meshkujt se gratë. Nga ajo pikëpamje, gratë transgjinore përjetojnë shumë më shumë dhunë, meqë ato perceptohen si burra të cilat duan të jenë gra – dhe kjo është e papranueshme”.

Të rritesh në një trup tjetër

Blerti, i lindur në një fshat afër Gjakovës, e mban në mend kohën kur ishte lojtari më i mirë futbolli në fshatin e tij. Ai ishte i vetmi anëtar ‘vajzë’ në ekipin e tij. Gjatë fëmijërisë, ngjashëm si në rastin e Jovanit, prindërit e tij nuk kishin njohuri për terminologjinë dhe çështjet transgjinore, por e pranuan shprehjen e tij gjinore, dhe nuk e diskutuan.

Ai gjithmonë i mbante flokët e shkurtë, mbante pantallona dhe rrinte me djemtë tjerë në lagje. Familja e tij kurrë nuk e kundërshtoi. Blerti mendon se prindërit e tij mund të mos e kenë menduar atë si djalë të vërtetë, por mungesa e presionit për t’u sjellur si vajzë i dha fuqi ndjenjave të tij, ndjenjat e të qenët djalë.

“Kjo e bëri më të lehtë për mua”, thotë Blerti. “Nuk kisha barrë shtesë për t’u marrë me fjalët të cilat i thonin tjerët për mua. Në një farë forme pati ndikim pozitiv tek unë, edhe pse prindërit nuk e dinin, dhe ndoshta ata nuk menduan se unë e shihja si të nënkuptueshëm faktin se isha i biri i tyre”.

Jovan ka jetuar në Podgoricë gjatë tërë jetës së tij. Ngjashëm me përvojën e Blertit, prindërit e Jovanit e pranuan pamjen e tij gjatë fëmijërisë – si djalë me flokë të shkurtë. Si fëmijë dinamik dhe i shoqërueshëm, shprehja e tij gjinore u pa si pjesë e personalitetit të tij. Por gjërat filluan të ndryshojnë kur ai filloi të shkonte në shkollë.

“Nga përvoja ime personale, kur je fëmijë dhe vepron ndryshe, të tolerojnë deri në një moshë – dhe kur vjen ajo pikë, shoqëria nuk mund të të tolerojë më”, thotë Jovani. “Mendoj se kjo më ndodhi mua. E ndjeva atë presion për t’u përshtatur, dhe fillova të sillesha si vajzë, siç ishte e pranueshme”.

Kjo përpjekje për t’i përputhur sjelljet e tij me nocionet konvencionale nuk përfundoi me sukses. Sa më shumë që mundohej Jovani ta përvetësonte identitetin gjinor të vajzës, aq më shumë mendonte se diçka po shkonte gabim – ai ishte një adoleshent emocionalisht i rraskapitur. Por vendimi i tij për t’i dhënë fund performancës prodhoi përvoja të pakëndshme të ngacmimit.

“Në fakt, është paradoksale, sepse isha shumë i popullarizuar në shkollën time, më donin shumë, deri në kohën kur fillova të isha më ndryshe e të dukesha më ndryshe”, thotë Jovani.

“Atëherë gjithçka ndryshoi. Disi, një ditë të gjithë në shkollë të duan e të përshëndetin e duan të flasin me ty, e të nesërmën nuk të do askush, askush nuk do të flasë me ty, dhe askush nuk ka dëshirë të shoqërohet me ty”.

Kur i mbushi 18 vjet, Jovani e lexoi një tregim për një burrë transgjinor malazez, dhe jeta e tij ndryshoi kahjen. “Ishte një zbulim, sepse nuk e dija se ekzistonin njerëzit të cilët ishin transgjinor, dhe nuk e dija se ishte e mundur t’i nënshtrohesha operacionit kirurgjik për konfirmim të gjinisë, apo ndonjë procedure tjetër. Nuk e dija se ishte e mundur të bëje diçka për identitetin gjinor”, thotë ai.

Për Blertin, përvoja e parë e keqe erdhi gjatë adoleshencës kur ai filloi t’i vërentë ndryshimet e para, me të filluar rritja e gjinjve të tij. Ai e vërejti se trupi i kushëririt të tij, me të cilin ai kalonte kohë shumë, po zhvillohej më ndryshe. Nuk i ndihmoi mungesa e edukimit seksual në shkolla dhe në familje.

"Kur të shohin dy milion njerëz si vajzë, e vetëm ti e sheh vetën si djalë - kjo është një shkatërrim i vazhdueshëm emocional të cilin e përjeton çdo ditë”

Blert Morina

Gradualisht njerëzit e rrethit të tij filluan ta komentonin refuzimin e tij për ta ruajtur pamjen femërore. “Ndonëse nuk kisha presion të jashtëm, presioni i brendshëm mund të ketë ndikim më të madh se presioni që vjen nga jashtë”, thotë Blerti. “’Ah prapë ti me këtë stilin. A nuk don me e ndryshu kurrë a? Edhe këto flokë!’”, e kujton ai si i thonin mysafirët.

Zhgënjimin më të madh e përjetoi kur erdhi për të jetuar në Prishtinë për ta kryer shkollën e mesme. Drejtori i shkollës Sami Frashëri e refuzoi kërkesën e tij për të veshur pantallona në vend të fundit, si pjesë e uniformës shkollore. Për tri vite me radhë, ati i kujtohej si njerëzit e shohin si vajzë, e kjo i bënte shumë presion. “Kur të shohin dy milionë njerëz si vajzë, e vetëm ti e sheh vetën si djalë – kjo është shkatërrim i vazhdueshëm emocional të cilin e përjeton çdo ditë”, zbulon ai.

Foto: Matko Bulent / K2.0.

Pavarësisht gjithë këtij sikleti, koha e Blertit në shkollë të mesme ishte koha kur ai nisi t’u ekspozohet informatave të ndryshme në lidhje me personat transgjinorë. Por duke mësuar për mundësitë e operacioneve kirurgjike për ricaktim të seksit, procedurat mjekësore dhe kostot e tyre, për Blertin kjo ëndërr dukej gjithnjë e më e parealizueshme.

Kosova ka mungesë të infrastrukturës për mbështetje të personave transgjinorë të cilët zgjedhin mundësi të tilla. Një raport i publikuar vitin e kaluar tregon se pa marrë parasysh gatishmërinë e disa profesionistëve të shëndetësisë për t’u ndihmuar personave transgjinor, njohuritë e tyre janë shumë të kufizuara, përfshirë këtu njohuritë për terminologjinë themelore.

Zgjedhjet kirurgjike

Pasi kaloi tri vite në tranzicion shoqëror – që zakonisht nënkupton daljen haptas, përdorimin e një emri që është në përputhje me identitetin e dëshiruar gjinor dhe përdorimin e përemrave të saktë nga të tjerët kur i referohen personit trasngjinor në fjalë – Jovani e nisi tranzicionin hormonal në moshën 23-vjeçare. Për burrat transgjinorë kjo nënkupton marrje të testosteronit shtesë.

Pasi mori hormone për një vit, të cilat ndikuan në ndryshimin e zërit dhe të fytyrës së tij, në një ditë të gjatë ai iu nënshtrua disa operacioneve kirurgjike për ta përshtatur aspektin e tij fizik me identitetin e tij gjinor. Pjesë e këtyre operacioneve ishin një mastektomi (heqja e gjinjve), një histerektomi (heqja e organeve te brendshme seksuale) dhe disa procedura të rindërtimit të organeve gjenitale.

Blerti po e mendon Beogradin si vend të mundshëm për t’i kryer operacionet kirurgjike, në të njëjtin institucion në të cilin i kreu edhe Jovani. Megjithatë, ndonëse operacioni kirurgjik i Jovanit u mbulua kryesisht nga fondi i sigurimit shëndetësor në Mal të Zi, Blertit do t’i duhet t’i paguajë vet këto operacione të shtrenjta. Por ai thjesht është i lumtur që mund të shkojë në Mal të Zi për t’iu nënshtruar terapisë hormonale, të cilën e nisi së fundmi, duke paguar një shumë të vogël të parave.

Ndonëse Blerti dhe Jovani kanë qenë gjithmonë të vendosur për t’iu nënshtruar operacioneve kirurgjike për ricaktim të seksit, jo të gjithë personat transgjinorë i zgjedhin procedurat mjekësore.

Shumëkush e përjeton tranzicionin në mënyra të ndryshme. Disa zgjedhin vetëm tranzicion shoqëror, apo vetëm hormonal, ose zgjedhin një kombinim të tranzicionit hormonal dhe operacionit kirurgjik.

“Pjesa më e rëndësishme është ta pranosh vetën - kjo është baza e të qenit njeri."

Blerti shpjegon se personat transgjinorë i kundërshtojnë rreptë ndërhyrjet nëse ndihen mirë me pamjen e tyre. “Një person transgjinor nuk u nënshtrohet domosdoshmërisht këtyre procedurave”, argumenton Blerti. “Ka persona të cilët asnjëherë nuk e arrijnë pikën e rehatisë, e ka tjerë të cilët ndihen OK me trupin me të cilin janë lindur”.

Jovani beson se truri dhe trupi janë të lidhur, por se pika e tranzicionit të plotë është kur e njeh dhe e pranon vetën. “Nëse ke nevojë për vazektomi për t’u ndier vërtet si vetja atëherë e kryen plotësisht tranzicionin dhe kaq”, deklaron ai. “Nëse nuk ke nevojë për operacion kirurgjik të ricaktimit të seksit apo operacion kirurgjik gjenital, atëherë edhe kjo për mua është tranzicion i plotë. Nuk besoj se kemi nevojë të përshtatemi në trupa stereotipik mashkullorë apo femërorë për të kryer plotësisht tranzicionin”.

Kur Jovani u kthye në shtëpi nga Beogradi, ndryshimet psikologjike ishin shumë më të rëndësishme për të se ato fizike, të cilat ai thotë se njerëzit i dalluan më shumë.

“Pjesa më e rëndësishme është ta pranosh veten – kjo është baza e të qenët njeri. Pjesa më e rëndësishme është pranimi i vetes, pa marrë parasysh kush je. Dhe nuk është e lehtë ta pranosh veten kur shoqëria gjithmonë të thotë se nuk është OK që ti të jesh ti”, thotë ai. “Në shoqëritë në të cilat jetojmë, besoj se të jesh vetja është si një lloj veprimi revolucionar. Jo vetëm nëse je person transgjinor, por edhe nëse je gej, biseksual apo çkado tjetër”.

Ndërkohë, përderisa Blerti po pret ta fillojë terapinë hormonale, ai po përjeton një përzierje të ndjenjave. Ai ndihet i frikësuar dhe i ngazëllyer njëkohësisht për progresin e tranzicionit të tij. Ai mendon se njerëzit rreth tij kanë nevojë për kohë për t’iu përshtatur ndryshimeve fizike të tij, dhe thotë “do ta përjetoj adoleshencën për herë të dytë”.K

Foto kryesore: Matko Bulent / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia

KOMENTET

1
SHIKO KOMENTET
  • 13 Oct 2017 - 13:52 Pa emer: Dafinë, shyqyr që je gazetare! Jom e lumtur që kur vëllai jem adoleshent më lypë informacion shqip për LGBTI+, mundem me ia dërgu shkrimet e tua. Të Kosovo 2.0 në përgjithësi. Jom mirënjohëse. Juve ishim dashtë me ju majtë me donacione vetë na, qytetarët, shumë bile. Qaq keni vleftë!
KOMENTO

KOMENTO