Në thelb | Pavarësia

Duke u rritur bashkë me shtetin

Nga - 17.02.2017

Gjenerata e viteve ‘98 -’99 për pavarësinë e Kosovës.

Para nëntë vitesh, shpallja e pavarësisë së Kosovës shënoi momentin më të rëndësishëm në historinë moderne të vendit. Gra dhe burra kosovarë, të vjetër dhe të rinj me padurim pritën para televizoreve në shtëpinë e tyre, lokale dhe sheshe të qyteteve për tu bërë dëshmitarë të momentit historik – shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë. Shumë dolën në rrugë për të festuar me familje, miq dhe të huaj, deri në orët e hershme të ditës tjetër.

Ishte një moment i pritur me padurim që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, kur qindra mijëra refugjatë dhe persona të zhvendosur kosovarë u kthyen në shtëpi për të rifilluar me shpresë jetërat e tyre, pas një dekade trazirash.

Shumë fëmijve të lindur gjatë luftës i’u janë dhënë emra që kanë personifikuar mundimet dhe shpresat e prindërve të tyre gjatë luftës së përgjakshme, derisa shumë fëmijëve tjerë i’u janë dhënë emra që kanë personifikuar shpresë, optimizëm dhe sentimentalizmin pas tërheqjes së trupave serbe të kontrolluara nga Sllobodan Millosheviqi.

Sot, shumë prej tyre janë të frustruar dhe të zemëruar në gjeneratat më të vjetëra dhe institucionet kosovare, për shkak të dështimit të tyre për të siguruar mjedis më të mirë për rritjen e tyre.

Si tetë dhe nëntë vjeçar, kur Kosova deklaroi pavarësine, ata mund të kenë qenë shumë të rinj për të kuptuar qartë rëndësinë e ngjarjes. Por ata së shpejti do ta kenë të drejtën për të votuar për herë të parë dhe t’ju dëgjohen zërat në formësimin e të ardhmes së vendit.

Për të shënuar ditëlindjen e nëntë, K2.0 bisedoi me nëntë 17 dhe 18 vjeçar për tema të lidhura me pavarësinë e vendit.

Çfarë kuptimi ka emri juaj? A ka ndonjë tregim mbrapa tij?

Arta Hasani (Mitrovicë, 17): E artë, diçka e çmuar. Si epoka e artë që ka filluar prej pas-luftës.

Yll Brezhnica (Mitrovicë, 17): Kam lindur menjëherë pas luftës, por nuk më kanë pagëzuar me një emër që lidhet me rastin e çlirimit të Kosovës. Vëllai im u lind pas pavarësisë së Kosovës dhe emri i tij është Bardh, në shenjë të fatbardhësisë së shtetit që ka fituar pavarësinë e vet. Familja ime mendon ta bëjë edhe një fëmijë kur Kosova të pranohet në Bashkim Evropian, e të lidhë këto tri data si data kryesore të shtetit dhe familjes sonë.

Zoga Hasani (Ferizaj, 18). Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Zoga Hasani (Ferizaj, 18). Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Zogë Hasani (Ferizaj, 18): Emrin Zogë e kam për shkak se familja ime e ka dashur lirinë, sikurse zogjët që fluturojnë të lirë.

Krenare Sejdiu (Podujevë, 18): Emrin e kam Krenare ndoshta për shkak se gjyshen dhe gjyshin i kam pasur patriotë. Gjyshja ime ka qenë motra e të ndjerit Shaban Shala – dëshmorë i kombit. Kështu që, gjyshja ndoshta për shkak të krenarisë që ka ndje për vëillain ka vendosur të ma lë këtë emër. Po mendoj për shumë arsye në fakt, pra edhe për shkak të vëllait të saj, por mendoj edhe se ka menduar që edhe Kosova me qenë krenare.

Jovan Maslar (Mitrovica e veriut, 17): Familja ime është larguar nga Prishtina pak para festës Slava dhe për nder të shënjëtorit tonë Jovan ata më vunë emrin Jovan.

Si e kujtoni ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008?

Arta: E mbaj mend, kemi festuar gjithë ditën me familje. Prej mëngjesit para televizorit kemi qenë duke e pritur me pa durim leximin e deklaratës së pavarësisë. Ka qenë një prej ditëve ku unë si fëmijë jam gëzu më së shumti, ditë e cila më ka dhënë ndjenjën që unë me qenë krenare me atë që jam – si kosovare. Në fillim nuk e kam kuptuar aq shumë [çka është duke ndodhë], derisa nuk ma kanë shpjegu prindërit. Ata ma kanë shpjegu që ajo ditë shënon një kalim prej një epoke të zezë tek një më e bardhë. Kjo më preku shumë si fëmijë. Diku një javë jam endur gjatë gjithë kohës me flamuj në dorë, në shtëpi e në qytet, asnjëherë nuk e kam largu flamurin prej dore.

Ylli: Kemi shikuar televizor derisa deklarata e pavarësisë është shpallur. Ka qenë ditë që të gjithë jemi gëzuar edhe pse në qytetin e Mitrovicës nuk kemi qenë edhe aq të motivuar të jemi të gëzuar. Pastaj kemi dalë në qytet me makinë, kemi festuar deri në orët e vona të mbrëmjes edhe pse kam qenë fëmijë. Si fëmijë kurreshtar kam pyetur se çka nënkupton pavarësia. Më kanë treguar në gjuhën popullore që i bjen “se tash ka me u ba mire”. E kujtoj, kemi festuar me flamurin e Shqipërise, sepse në fakt flamujt e Kosovës kanë dalë më vonë në shitje. Por sot Kosova e ka flamurin e vet dhe ne duhet ta mbështesim atë.

Zogë: I vetmi moment që më  kujtohet është kur është ngrit flamuri këtu në sheshin e Ferizajt. Ka qenë si shumë befasi me një anë, se gjithë e kemi mendu se ka me qenë  [flamuri] me shqiponjë, mandej e kemi pa se është harta e Kosovës me yjet. Edhe pse ishte ide e mirë, ka qenë shumë e papritur për neve. Ajo ditë ka qenë shumë e veçantë. Gjatë gjithë kohës kemi prit kur po shpallet Kosova e pavarur edhe festimet kane vazhdu gjatë gjithë ditës. Kam qenë shumë e vogël dhe nuk ka qenë mirë me qëndru jashtë për shkak të motit, por atë ditë problem ka qenë me qëndru brenda prej gëzimit.

Noli Lluka (Pejë, 18). Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Noli Lluka (Pejë, 18). Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Noli Lluka (Pejë, 18): Ka pas koncert midis qytetit të Pejës dhe njerëzit kanë qenë shumë të gëzuar dhe ndanim edhe pijet me njëri-tjetrin. Kam dalë me familjen e më vonë edhe me shoqërinë. Atë ditë askush nuk na bërtiste se dilnin non-stop nga shtëpia. Mbaj mend shumë njerëz të emocionuar që qanin dhe për mua si fëmijë 9 vjeçar ato fytyra që qanin më janë ngulitur në mendje. Ka pasur edhe raketa [fishekzjarre], që janë hedhur dhe i gjithë qyteti ka qenë i gëzuar.

Aurela Tahiri (Podujevë, 18): Po pavarësinë unë e kujtoj si diçka, që në fakt prindërit e kanë tregu [duke thënë] se tash po lirohemi e po bëhemi të pavarur. Por, megjithatë unë mendoj që asnjëherë s’ka qenë e plotë sepse nuk është pavarësi kjo që e kemi. Nuk e di, nuk po ndihet si e tillë.

Sallvahe Shaqiri (Vushtrri, 17): Prej lajmeve [e kam kuptu që shpallet pavarësia]. Jemi frikësu që ka me ndodhë diçka, që ka mu ba diçka.

Krenare: Disa ditë para se me u shpallë pavarësia është folur edhe nëpër media që po shpallet por unë personalisht e kam ndje edhe një frikë. Nuk e di, kemi pasur frikë se mos po ndodh lufta prapë për shkak se serbët e kanë kundërshtu. Ndoshta edhe për shkak se familjet tona kanë qenë të okupuar prej tyre, kanë pas frikë edhe më të madhe edhe duke i dëgju ata fillojë me u instalu edhe tek ne fëmijët frika. Komuna atë ditë kishte organizuar festë, ka pasur muzikë e valle dhe kam dalë me festu edhe unë.

Genc Maloku (Vushtrri, 18): Atë ditë kam veshur teshat kombëtare dhe kemi dalë në Vushtrri tek sheshi “Adem Jashari”, aty tek parku që është. Ka pasur shumë flamuj dhe kemi festuar. Mandej kemi shku në një restaurant e kemi festu me të afërmit tanë dhe pastaj në shtëpi kemi shku dhe e kemi ndëgju shpalljen e pavarësisë prej Thaçit. Edhe me fishekzjarre kemi festu.

Kush është ambasadori më i mirë i Kosovës?

Arta: Majlinda Kelmendi në gjithëkuptimin e fjalës. Më bënë krenare dhe na ka përfaqësu denjësisht. Po ashtu i ka bërë të tjerët të na njohin neve si shtet, të dijnë se diku është një Kosovë, që ekziston diku ai vend dhe që ka njerëz të talentuar.

Arta Hasani (Mitrovicë, 17). Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Arta Hasani (Mitrovicë, 17). Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ylli: Eshref Durmishi, producenti i filmit “Shok”. Thjeshtë sepse na ka bë me u ndje krenar me pjesëmarrjen e filmit kosovar, si filmi i nominuar për më të mirin e metrazhit të shkurtër në Oscar.

Noli: Majlinda Kelmendi. Ështe e vetmja që po merr medalje të arta për vendin dhe po na bën krenar gjithë Kosovën dhe jo veç Pejën. Edhe pse shteti nuk po e ndihmon shumë me financa por ajo prapë se prapë po na bënë krenar. Edhe shtete tjera kanë kërku me e marrë Majlindën por kjo nuk ka pranu me përfaqësu tjetër kënd përveç Kosovës.

Sallvahe: Majlinda Kelmendi dhe Rita Ora për muzikë.

Krenare: Njerëzit prej kulturës si Rita Ora, ose Majlinda Kelmendi sportiste. Mendoj se politika nuk po e përfaqëson Kosovën si duhet, nuk mendoj se ka të tillë si Majlinda ose Rita në politikë.

Jovan: Unë nuk kam një emër, por kam një arsye. Arsyeja është se secili person që bënë diçka të mirë për njerëzit në Kosovë duhet të jetë i lumtur për vetë faktin se po ndihmon dikë ose po bënë punë të mirë për të gjithë shtetin e tij. Kemi shumë njerëz të tillë, por nuk ua dimë emrat sepse ata vetëm ndihmojnë dhe nuk bëhen publik. Ne nuk kemi ndërkaq, figura publike që bëjnë punë të mira për Kosovën, po mendoj gjithë Kosovën. Edhe nëse ata e bëjnë e bëjnë për famë dhe për të fituar para. E duhet kuptuar se edhe veprime shumë të vogla mirësie janë shumë të mëdha për  gjithë Kosovën.

Genc: Sportistët kisha me thënë. Majlinda Kelmendi, Milot Rashica, Nora Gjakova – tash sa e fituan garën e fundit. Dhe përmes sportit jemi antarësuar dhe jemi njohur me shumë sesa përmes politikës. Sepse nuk kemi shumë politikanë të aftë e gjenerata të reja.

Jovan Maslar (Mitrovica e veriut, 17). Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Jovan Maslar (Mitrovica e veriut, 17). Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kush është figura më dominante në Kosovë?

Arta: Politikanët zakonisht dominojnë, por në sy të mi nuk është që kanë ndonjë dominim pozitiv, por prapë se prapë politikanët janë ata që dominojnë. Hashim Thaçi, diçka që në sytë e mi nuk është aq pozitiv, prapë se prapë është shumë dominues.

Zogë: Figurat më dominante sipas meje janë Rita Ora e Dua Lipa. Ato po dominojnë në  vendin tonë por edhe në vendet tjera qoftë  me origjinalitetin e tyre.

Noli: Bexhet Pacolli. Ai ka bërë shumë për Kosovën. Ka sjellë plot njohje për Kosovën.

Aurela: Albin Kurti, sepse të gjithë kanë provu me qenë në Qeveri po asnjë s’ka bërë diçka për neve, çdo gjë po shkon veç se më keq. E Albin Kurti nuk e ka pas këtë mundësi, nëse ia japim mundësinë ndoshta ai do të mund të bëjë shumë më shumë se të tjerët.

Genc: Kisha me thënë që si politikan më i aftë, se nuk donmethënë që është njeri i mire, por si politikan më i aftë apo dominues është Hashim Thaçi për arsye se po fiton që disa zgjedhje. Ndërsa përspektivë të mirë ka Albin Kurti, ka arritë me marrë tërësi të madhe të masës me veti. Mua personalisht më pëlqen edhe Behgjet Pacolli – sepse është i sinqertë dhe nuk besoj që kishë me vjedh ashtu qysh po bëjnë këta të tjerët.

Sallvahe Shaqiri (Vushtrri, 17). Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Sallvahe Shaqiri (Vushtrri, 17). Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Çka simbolizon fjala “shtet” për ju?

Arta: Vend të cilit i takon edhe je i lidhur me të, pa marrë parasysh ku shkon, prapë se prapë ai vend të jep një ndjenjë të madhe dhe ka shumë vlerë për ty. Edhe nëse shkon në ndonjë vend me mundësi më të mira, atë ndjenjë nuk e gjen askund.

Ylli: Shtet për mu nënkupton një territor që ka rregullat, e që duhen zbatuar nga të gjithë qytetatërt e Kosovës, e të cilido shtet, brenda tij.

Zogë: Shteti është mirëqenia, kur njerëzit ndihen të lumtur që janë aty edhe me një anë iu ofrohen të gjitha ato për çka ata kanë nevojë.

Noli: Unë jam lindur në Pejë dhe pas lindjes menjëher kemi shkuar si refugjatë në Ulqin, pasi ka filluar lufta. Kur jam lindur mezi kanë gjetur mjekë, se gjithë e kanë lëshuar vendin. Ka qenë shumë vështirë. E pas 8 viteve pas luftës, ne kemi krijuar shtet. Shteti për mua ka shumë rëndësi duke e pasur parasysh se sa kemi sakrifikuar për ta fituar atë nga regjimi serb. Tash që jemi të çliruar, shtetin e shoh si liri.

Sallvahe: Shtetin e shoh si diçka të mirë, një vend ku jetohet, ku ka punë, që ka [ku] me dalë, ku ka shkolla të mira.

Krenare: Gjithçka lidhet me qeverisjen…Shteti që ishë dashte me qenë tamam si duhet është ai që qeveriset si duhet. Kosova është një vend i vogël dhe ka mundësi më të lehta me u zhvillu por fatkeqësitë të rinjt donë me lëshu Kosovën, sepse nuk është shtet…tamam funksional. Unë për shembull kam mendu tash se cka me studio, të gjitha drejtimet që kam mendu me studiu kam thanë se kjo s’ka përspektivë në Kosovë, kjo s’ka përspektivë… e tash po mendoj me shku jashtë krejt. Nuk e di. E mjerueshme.

Yll Brezhnica (Mitrovicë, 17). Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Yll Brezhnica (Mitrovicë, 17). Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Cfarë do të thotë e drejta për të votuar për ju?

Arta: E drejta e votës për mua nënkupton me zgjedhë unë. Me rrumbullakësu atë person që unë mendoj që ëshrtë i denjë për atë detyrë. Pavarësisht a fiton a jo [personi që do ta votojë].

Ylli: Vota ime mundet me qenë votë që mundet me ndryshu shumëçka. Edhe pse është një letër, prej asaj letre mundet mu bë shumë letra. Një libër kur ka filluar të shkruhet ka filluar me u shkru prej një faqeje dhe është ba shumë voluminoze. Do të thotë vota ime mund të bëjë ndryshim në komunitetin tim ku jetojë.

Aurela: E drejta për votë do të thotë që ti me lanë në dorë të shtetit jetën tënde, e unë nuk e shoh aktualisht të arsyeshme me votu. Nuk mendoj se kam aq besim sa  të ia lë jetën time në dorë ndokujt prej politikës aktuale.

Krenare: Nuk e di, nuk po mendoj që kemi se kënd me votu. Unë për shembull nuk e di për kënd. Nuk kemi parti që unë mendoj se munden me ndryshu dçka. Për shembull unë Albin Kurtin e përcjelli si individë por jo si Vetëvendosje, nuk mendoj se partia e tij përfaqëson edhe atë si individ.

Jovan: Nënkupton që unë mund të bëjë ndryshimin. Por a po bëhen ndryshimet përmes votes? Nga ana e serbëve, çdokush që thotë “Kosova është Serbi” fiton votat e të gjithëve në veri; në anën tetër [jug] çdokush luan me pavarësinë dhe shtet – ndërtimin e Kosovës dhe fiton votat. Por çka po bëjnë këta në realitet? Asgjë! Kështu që, edhe pse tani do të kem të drejtën për votë unë nuk e di se kë të votojë.

Genc: Mendoj që ende nuk jemi të pjekur për me votu… si masë jemi të papjekur. Ndoshta  unë jam ndër më të pjekurit, por ndoshta ka të tjerë që nuk e mendojnë fare kur donë me votu. Kjo pastaj po na sjellë plot dëme dhe vota e shumicës po e mund edhe pakicën që po mendon, dhe po fitojnë më të dobëtit.

Çfarë ndjenje u jep të qënurit “kosovar”?

Arta: Ndihem mjaft krenare që i takoj këtij populli dhe jam shumë falenderuese që i takoj këtij vendi.

Krenare Sejdiu (Podujevë, 18). Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Krenare Sejdiu (Podujevë, 18). Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ylli: Person pak i anashkaluar mundem me thanë. I izoluar gjithsesi, por edhe i anashkaluar thjeshtë nga politika.

Zogë: Si e re kosovare ndihem shumë  krenare që i takoj këtij vendi, qoftë  për natyrën e vendit mirëpo edhe pse kemi sfida dhe peripeti që i hasim në arsim. Por prapë kur flitet për Kosovën është  një  ndjenjë  krenarie. Në  anën tjetër, është  një  pengesë  shumë  e madhe që  nuk mundemi me lëvizë  jashtë  vendit pa viza e sidomos për neve që  studiojmë  artin.  Ka shumë  koncerte  me i ndjekë por është  problem që nuk ka mundësi më të lehta me udhëtu në  Gjermani ose në Vjenë, me shiku e dëgju këto koncerte. Është pengesë e madhe por shpresoj që një  ditë  ka me ndryshu ma në fund.

Krenare: Jashtë shtetit nuk kam udhëtu sepse s’kam vizë dhe nuk më ka rastis me i thanë dikujt se jam kosovare, por nëse po mendoj hipotetikisht një situatë ku unë do i thoja dikujt se jam kosovare,  mendoj se shumica do të mendonin se jemi shtet në vuajtje, i varfër.

Genc: Një ndjenjë pak, mundem me thënë, e thatë. Sepse jemi një shtet ende shumë i ri edhe jo i plotë. Nuk jemi të mbushur me histori, si Kosovar. A si shqiptar e si popull i vuajtur po. Si kosovar më herët as nuk është përdorë si term, mundem me thënë si shqiptar po, prandaj është term i ri dhe nuk na ngjallë shumë mbresa. Më shumë rrenqethem me më thënë shqiptar sesa kosovar.

Aurela: Ndihem shumë mire, por mendoj se akoma njerëzit na shohin duke u bazuar në të kaluarën tonë – luftën.

Jovan: Indiferent

Ku e shihni Kosovën kur t’i mbushë 18 vjeç? Cfarë zhvillimi dëshironi të shihni?

Arta: Pas 9 vitesh e shoh Kosovën si një vend shumë më të zhvilluar në krahasim me sot; në fushën e arsimit, ekonomisë, shëndetësisë – sfera që kanë shumë rëndësi. Sidomos fusha e arsimit, sepse pa e pasur fushën e arsimit të zhvilluar nuk kemi me pasë Kosovën të zhvilluar, as në fusha të tjera. Janë procese që me të vërtetë marrin kohë, por nëse fillojnë prej tash, mundemi me arritë atë që dëshirojmë pas nëntë vitesh.

Aurela Tahiri (Podujevë, 18). Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Aurela Tahiri (Podujevë, 18). Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Yll: Pas nëntë viteve Kosovën dëshiroj me pa me mundësi më të mëdha për rininë, për komunitetet, për arsye se dihet që ata nuk janë shumë të integruar, që edhe ata të kenë mundësi për përfshirje në çdo aspekt të qytetarisë. Po ashtu dua të shoh zhvillim në edukim dhe arkitekturë.

Zogë: Besoj se pas 9 viteve kemi me pas mundësi më  të  mira qoftë për studentë, qoftë  për fëmijët por edhe për njerëzit më të moshuar. Besoj se ka me pas një jetë  më  të  mirë  për të  moshuarit edhe kujdes ma të madh qoftë në aspektin shëndetësorë që  sot pak a shumë mungon.

Aurela: Me pas vende të reje të punës, që rinia pas përfundimit të shkollës të kenë vende të punës e jo të mbesin rrugëve gjatë gjithë ditës.

Krenare:  Kur Kosova i bënë 18 vite do të doja mos me pa më varfëri.  Me pas vende të reja të punës. Me pas hapësira për aktivitete për rini.

Jovan:  Të kalojë urën dhe të mendoj për të si një urë që bashkon, e jo ndanë dy pjesë. Isha në një restaurant njëherë [në jug të Mitrovicës], por prapë se prapë e kisha në mendje atë pyetjen e famshme  “çka nëse…ndodh diçka?”. E në ato raste i thua vetës ”rri qetë, mos të të dëgjojnë duke folur serbisht”. A po më kupton? Ne mund të kalojmë urën fizikisht, por nuk mund të kalojmë ende urën që kemi në mendjen tonë. Do të doja që një ditë të kalojë urën dhe të përshëndes dikë duke i thënë “Hej dost, si je?” Shumë gjëra kanë ndodhur në të kaluarën dhe ne nuk duhet t’i harrojmë ato – kanë ndodhur, janë në të kaluarën. Por ne duhet të themi “hajde të ulemi dhe të flasim, e të themi ju keni bërë këtë ndaj neve, e ne këtë ndaj juve dhe ata që i kanë bërë duhet të jenë në burg”. Ju keni aq shumë raste të personave të zhdukur dhe persona të vrarë dhe askush nuk është në burg për këtë. Unë mendoj se e vetmja rrugë që të bashkohemi dhe t’i adresojmë këto çështje është që t’iu themi njerëzve të flasin për këto probleme  e raste, e jo vetëm t’i shtyjmë me një anë dhe të bëjmë kinse nuk kanë ndodhur.

Genc: Unë atëherë i bëjë 26 vjet. Kisha pas qejf me pa Kosovën të anëtarësuar në të gjitha organizatat botërore, mos me i pas të rinjtë problemet që i kemi pas ne për me u pranu në universitete, krimi me u ndal pak sepse i tëri nuk ndalet kurrë, me pas mundësi të barabarta dhe me ardh një elitë me e mirë e politikanëve, më intelektual dhe populli me u vetëdijësu më shumë.

Genc Maloku (Vushtrri, 18). Foto: Atdhe Mulla / K2.0

Genc Maloku (Vushtrri, 18). Foto: Atdhe Mulla / K2.0

A është gota gjysmë e zbrazur apo gjysmë e mbushur për ju?

Arta: Unë e shoh me shumë besueshmëri që është e mbushur, me optimizëm e shoh vendin.

Ylli: Shumë aspekte Kosova është gotë e mbushur, por edhe gotë e zbrazur. Gjysmë e zbrazur se nëse nuk ka ujë, gota e ka vlerën e vet dhe ajo gotë është për me u mbushë. Mbushja bëhet përmes zhvillimit të rinisë në Kosovë, mundësive për me u aktivizu rinia më shumë.

Zogë: E shoh gjysmë të mbushur.

Noli: Gjysmë të mbushur.

Sallvahe: Gjysmë të zbrazur.

Aurela: Të dyjat, sepse gjithmonë njëra pjesë është e mbushur e tjetra është e zbrazur.

Krenare: Zbrazur.

Jovan: Gota për mua gjithmonë do të jetë gjysmë e mbushur edhe kur është vetëm një të tretën e mbushur. Sepse unë mendoj se pa marrë parasysh se sa e vështirë mund të jetë situate, ose duket e tillë, gjithmonë do të ketë një copëz shpresë dhe ajo është e mjaftueshme që të ndodhin ndryshimet.

Genc: Gjysmë e mbushur, unë nuk shoh pjesë të zbrazët. Nga natyra jam optimist, idealist dhe realist.

Përgjgijet janë redaktuar për shkak të gjatësisë së tyre si dhe për hir të qartësimit.