Biseda | Art

Edi Hila: Dua të flas për artin tim, jo për regjimin

Nga - 25.08.2017

Artisti shqiptar flet për pjesëmarrjen në documenta 14.

Duke biseduar me Edi Hilan në studion e tij në Tiranë, ai që në fillim të intervistës me K2.0 e bën të qartë se nuk do të flasë për përndjekjen e tij. Hila është i frustruar me faktin që rrëfimi i ‘artistit të persekutuar’ vazhdon t’i njollosë diskutimet për veprat e tij artistike edhe sot, gati tridhjetë vjet pas fundit të regjimit.

Në vend se t’i përdorë faktet e dënimit publik dhe të internimit të cilat i përjetoi si formë të dekorimit të vetës, Hila nuk është i interesuar ta portretizojë veten si artist të rezistencës ose diçka të ngjashme. Në vend të kësaj, ai thekson rëndësinë e tejkalimit të absurditetit botës së artit në atë kohë, dhe të përsiatjes për perspektivat e artit shqiptar, gjegjësisht çfarë mund të jetë ai, dhe çfarë mund të tregojë ai jashtë kontekstit të regjimit.

Hila thotë se kjo është e vështirë, meqë ndërmarrjet dhe institucionet e artit në Shqipëri vazhdojnë të jenë të dominuara nga një estetikë socialiste dhe realiste. Por numri i pashembullt i artistëve shqiptarë që po përfaqësohen në edicionin e sivjetëm të ekspozitës documenta 14, një prej ekspozitave më prestigjioze të artit botëror ndërkombëtar, mund të jetë shenjë e progresit të duhur.

Foto: Lorina Hoxha / K2.0.

Hila ka mbi 50 vepra në ekspozitat e documenta në Kassel dhe Athinë. Veprat më të vjetra të tij janë vizative grafiti dhe ngjyrash të ujit të cilat i bëri në vitet e ‘70-a, gjatë internimit trevjeçar. Ato punime të vogla Hila i mbante të palosura dhe të fshehura në fletoret e tij. Për Hilën rëndësia e kësaj periudhe lidhet pikërisht me këto vizatime të vogla, që janë mbetje fizike e një përvoje ekstreme, sesa me kushtet politike që u paraprinë.

Pikturat e Hilës mund të shihen si dëshmi vizuale të një Shqipërie e cila në dukje është në gjendje të përhershme të tranzicionit. Në zemër të prodhimit të tij artistik është një eksplorim i mitologjive, psikologjive dhe dështimeve që i prodhoi një shtet i tillë.

Për Hilën arkitektura është një prej dëshmitarëve dhe bartësve kryesorë të kësaj historie. Gjatë karrierës së tij, një prej preokupimeve parësore të tij ka qenë bulevardi Nënë Tereza në Tiranë (i cili gjatë epokës komuniste quhej bulevardi “Dëshmorët e Kombit”), të cilin ai e sheh si vend i cili i ruan momentet më të hershme dhe më të dashura të tij, dhe njëkohësisht ka një lloj rëndësie politike. Ai po përpiqet ta zbulojë misterin e kësaj të fundit.

Seria ‘Bulevardi’ e Hilës, ngjashëm si ajo ‘Penthouse’ dhe pikturat me tenda, karakterizohet me një transformim të mjediseve të ndërtuara dhe të përditshme në struktura absurde nëpërmjet manipulimeve të ndryshme të ngjyrës, hapësirës dhe dimensionit, duke ekspozuar kështu cilësitë e fshehta të tyre. Ndonëse në të kaluarën punimet e tij ishin kryesisht të fokusuara në atë që e thotë urbanizmi i Tiranës për identitetin e saj, seria e fundit e pikturave të cilat i bëri për documenta, e titulluar “The Tent on the Roof of a Car” (Tendë mbi çatinë e makinës), eksploron disa prej fenomeneve më të rëndësishme me të cilat përballet Europa sot.

K2.0 u takua me Hilën për të folur për psikogjeografinë e Tiranës, si dhe për pjesëmarrjen e tij në documenta 14.

Seria e Edi Hilës, e cila paraqet bulevardin qendror në Tiranë, është vetëm një prej veprave të tij që po ekspozohen në documenta 14. Foto: Michael Nast.

K2.0: Ndër veprat që ju po ekspozoni në documenta 14 është edhe seria e juaj me piktura nga Bulevardi, të cilat kanë lindur nga një marrëdhënie e gjatë që keni pasur me bulevardin “Nënë Tereza”, që në rininë tuaj. Mund të përshkruani disa nga ndërveprimet tuaja me Bulevardin dhe arkitekturën e tij gjatë asaj kohe, dhe si ato kanë ndryshuar deri sa ju keni maturuar?

Hila: Është më se normale që në momente të krijimtarisë së vet artisti të pyes vetëvetën se çfare, apo mbi çka, duhet të operojë përmes krijimtarisë së tij – cili do të jetë mesazhi që duhet të transmetojë e mandej çfare nga ajo që rrethon atë në jetën e përditershme, dhe si akordohet ndalesa e tij në raport me grumbullin e problematikave anë e kënd vendit.

Mirëpo shpesh harrojmë se çështjet që duhen trajtuar janë shumë pranë nesh, madje ne vetë jemi pjese e tyre, dhe nuk ka nevoje aspak që t’i kërkojmë diku, perveç se mbrenda shtëpise tonë, të cilen e njohim më mirë se çdo gje tjeter.

Kështu ka ndodhur me bulevardin, në të cilin kemi kaluar rininë e jetën tonë. Aty jemi njohur e dashuruar. Në atë bulevard jemi perplasur me politkën që ka prodhuar historia gjatë viteve, sepse ai ishte dëshmitari i shumë ngjarjeve: parkalimeve madhështore ushtarake, festave të komanduara nga diktatura komuniste, e të tjera demostrime që rëndom ndodhin ne kryeqendra. Ai bulevard e rriti qytetin në nivelin e metropolit.

Hija e rëndë që transmetojnë fasadat e ngrira të ndërtesave përreth, si ajo e Kryeministrisë, ndërtesa e Komitetit Qendror të dikurshëm, Universiteti përballë, e të tjera, është e shoqëruar me ndjesinë e misterit që mvesh çdo gje te pa njohur. Të gjitha këto kanë qenë shtysat kryesore që ndikuan në trajtimin e tabllove.

Punimet e Hilës janë fokusuar shpeshherë edhe në fontanën e cila u vendos në bulevard gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, e që është larguar më pas. Foto: Michael Nast.

Shatërvani që ishte ndërtuar tek Sheshi “Nëne Tereza”, i cili tani nuk ekziston më, është subjekti i disa prej pikturave tuaja. Pse ishte ky shatërvan kaq i rëndësishëm për ju?

Shatrivani në mesin e sheshit Nënë Tereza u ndërtua në kohën e diktaturës komuniste dhe mbeti në kujtesën tonë si “shatrivani pa ujë”.

Në rastin e një arkitekture si ajo sheshit që tani quhet “Nënë Tereza”, nderhyja nuk ishte e thjeshtë. E mbrojtur nga racionaliteti i proporcioneve dhe ritmeve volumore të mirëllogritura, çdo ndërhyrje binte ndesh me një nga domosdoshmëritë estetike dhe ideore te vetë ansamblit arkitektonik, që ishte për  monumentalitet dhe madhështi imperiale. Por ndërtimi i shatrivanit pati arsye politike të propogandës  komuniste.

Ky ka qenë një moment fatkeq për urbanistikën tonë, një akt i dhuneshëm krijues, por edhe politik. Mbas disa vitesh shatrivani u prish, duke lënë mbrapa një mësim të vlefshëm, sidomos në planin profesional.

Në tabllote e mija në shumë raste jam larguar nga vërtetësia reale e shatrivanit, duke e zhvendosur herë para ndërtesave, herë në mes te gjatësisë së bulevardit, për t’i dhënë një ritëm tjetër kompozimit, dhe për të theksuar më shumë atmosferën sureale dhe krijimin e situatave imagjinare.

Përse mungon figura e njeriut në tabllotë tuaja?

Për të ruajtur prirjen estetike të bulevardit – që mbështetet në traditën romane imperiale të arkitekturës fashiste dhe frymën neoklasike të kesaj arkitekture – janë reduktuar situatat ilustruese të ngjarjeve, paradave ushtarake, manifestimeve popullore, protestave etj.

Pikturimit të tabllove i ka shërbyer kryesisht estetika racionale që orienton konceptimin formal të kësaj pikture. Nga ana tjeter mendoj se rreptësia e formave dhe volumeve, hapësira ndërmjet tyre, do t’i shërbenin më mirë atmosferës së tendosur që ka shoqëruar gjatë viteve marrëdhnien tonë – madje të shumë brezave – me ketë bulevard. Kam dashur ta pikturojë bulevardin pikërisht nga ky kënd veshtrimi, dhe jo riprodhimin e skenave të montuara në të, duke menduar se në këtë mënyrë del më e fuqishme përmbajta në thelbin e vet.

Një tjetër seri e Hilës, “Tendë mbi çatinë e makinës”, lidhet me temat e përgjithshme të ekspozitës documenta 14, të cilat kanë të bëjnë me migrimin. Foto: Mathias Voelzke.

Seria e juaj e fundit, “Tendë mbi çatinë e makinës”, po shfaqet gjithashtu në Athinë dhe një pjese e saj në Kassel. Mund të flisni pak për këtë seri dhe për lidhjen që ka ajo me temën e përgjithshme të ekspozitës documenta 14, “Mësoni nga Athina”?

Zgjedhja ime në kuadrin e krijimtarisë ka qenë rezultat i përjetimeve të sinqerta të realitetit në të cilin jetoj. Pjesëmarrja ime në documenta erdhi përmes një periudhe krijuese gjatë së cilës isha në kërkim të së vërtetës në kuptimin më të gjërë të fjalës. Ashtu si seleksionimi i temave, edhe qëndrimi në aspektin estetik e tregon qartë këtë prirje. Idea për “Tenda mbi catine e makines” lindi shumë thjeshtë: momenti i blerjes së një tende (që përdoret në turizmin e egër) dhe simbolizmi i montimit të saj mbi makinë ishin shumë provokuese dhe domethënëse për mua.

Duke u nisur nga marrëdhënia e ngushtë që ka tenda me arkitekturën, kombinimi i të dyjave – tendës dhe makinës – i parë në aspektin arkitektonik, gjenë justifikimin e vet në formulen e Corbusier: machine a habiter (makinë brenda së cilës jeton).

Nocioni i makinës si produkt i kohëve moderne mbështetet në disa arsye që lidhen ngusht me kërkesat e reja të estetikës. Makina është sinteze: është fryma e re, është arsyeja, është estetika, është poezi dhe teknikë, është funksion dhe ndërtim, është arkitekturë, dhe pa dyshim, është histori.

Ndërsa tenda nuk është gjë tjetër veçse ndalesë e shpejtë dhe zhvendosje nga një destinacion në tjetrin. Ajo mbetët një strukturë e luajtshme dhe e brishtë – marrëdhënia me te është e përkohshme. Çadra është një zgjidhje e menjëherëshme për mbijetesë që mbart misterin e vet. Ajo të nxitë në ikje, në izolim; garanton qetësi, por në të njetën kohë është një siluetë e lëvizshme dhe kercenuese.

Sigurisht e gjithë kjo u vendos në kontekstin e Athinës në lidhje me temën e përgjithshme “Mësoni nga Athina”. Athina është një nga portat kryesore që pret te ardhurit nga deti. Emigrimi i ka vënë përballë njëri tjetrit njerëzit e dy boteve që takohen pikërisht në keto brigje, në të cilat sakrifica për t’i shpëtuar fundit tragjik të luftërave takohet me humanizmin e pashoq të territoreve te panjohura, te cilët së fundmi po kërcënohen nga i njejti armik.

Tabllotë e mija përqëndrohen pikërisht rreth kësaj teme. Ata mundohen të shprehin atmosferën e ngarkuar [të kohëve të sotme] dhe të ndjekin aq sa munden aventuren dramatike njerëzore te kohëve moderne. Historia e çadrave është ajo e nje realitetit te perkohshem, si pragu qe duhet kapercyer per te filluar nje jete te re. Deri dje ajo tendat ishin forma më e vjetër e strehimit në botë, dhe sot, për hir të makinës, vjen si propozim, si mënyrë e re jetese. Por meqenëse tenda vjen nga antikiteti në formen e mendimit poetik, estetika e re nuk mund te jetë asgjë veçse ajo e makines.

Ju keni një numër të madh të vizatimeve me ngjyra të ujit të cilat po i shfaqni në galeritë EMST dhe Odeion në Athinë. A mund të flisni pak për këto punime?

Seria e vizatimeve që janë ekspozuar në documenta 14 përfshinë një periudhë të gjatë kohore që fillon prej vitit 1970 deri në 1990. Kryesisht i takojnë kohës kur kam punuar në pularinë e qytetit, në të cilën kam kryer një masë riedukimi pranë klasës punëtore, sić quhej atëkohe.

Duke rënë në kontakt shumë të afërt me një realitet të cilin nuk e kisha njohur më parë dhe sigurisht nën trysninë psikologjike që kisha prej faktit se isha duke kryer një dënim, sidomos në një regjim diktatorial kaq të egër, reagimi im ka qënë kompleks dhe është shprehur përmes këtyre vizatimeve gjatë shume viteve.

“Nuk kujtoj asnjë moment para fillimit të punës kur kam menduar se si do të pikturojë.”

Edi Hila

Kjo periudhë nga ana tjetër ka qënë frymëzuese dhe nxitëse në lidhje me qëndrimin tim artistik, në afirmimin e një eksperience komunikimi dhe transmetimi të mesazhit krijues, jo vetëm në permbajtjen e tij, por edhe në formën e vetë artistike.

Ekspresiviteti i jetës, në marrëdhënie me një kategori të caktuar sociale që kishte një shumëllojshmëri  problematikash të cdo dimensioni – politik, emocional, ekonomik, ideologjik, human, shpirtëror, pa harruar pasigurinë, frikën dhe kërcënimet – prodhuan një art i cili u mbështet vetëm tek e vërteta jetësore dhe ruajti këtë vërtetësi edhe brenda kontekstit formal të shprehjes artistike.

Nuk kujtoj asnjë moment para fillimit të punës kur kam menduar se si do të pikturojë apo cfarë qëndrimi do të mbajë në realizimin estetik të saj. Sa e fuqishme dhe trondiëse ka qënë marrëdhënia me jetën, poaq e fortë ka qenë nevoja per ta fiksuar atë, për ta treguar atë, menjëherë,  pa humbur kohë, për të fiksuar me të njetin intensitet vrullin e përceptimit të ngjarjes në letrën e bardhë, ditë mbas dite, mbas punës me thasët e miellit në krah.

Për documenta 14 është bërë një ndarje tematike e vizatimeve në grafike akuarel, me kategori të titulluara “Propaganda” 1974-1985, “The poultry” 1970- 1976, “The dignity of the man” 1970-1986, dhe “The Southern sea, return to itself” 1972 – 1989.  

Ju keni mbi pesëdhjetë punime që po ekspozohen në documenta – si u vendos se cilat do të përfshihen në ekspozitat në EMST dhe Odeion Conservatoire në Athinë, dhe cilat në Neue Neue (Hauptposte), në the New Gallery, dhe në Torwache gallery në Kassel?

Pierre Bal Blanc, i cili njëkohesisht është kuratori i punës sime, kishte menduar që shpërndarjen e punëve në hapësirat e documenta ta bëjë duke i grupuar ato në bazë të permbajtjes ose problematikave që trajtojnë, gjithmonë në raport me punët e një artisti tjetër që shoqëron me të njetat tematika. Mendoj se ky qëndrim ka funksionuar mirë. Pati impakt interesant, duke pasuruar në këtë mënyrë rrjedhen ekspozicionale nga një artist tek tjetri, e kështu me rradhë. E njejta gjë ndodhi edhe me punimet e Lala Meredith-Vulës dhe të Sokol Beqirit.

Kjo seri mbi bulevardin u ekspozua ne documenta Kassel ne Torëache, e cila kufizon bulevardin ëilhelmshöhe. Ashtu si tek bulevardi ynë, gjatë okupimit nazist por edhe më parë, ky bulevard ka lënë gjurmët e ngjarjeve të tjera të historisë së atij vendi. Kjo vendosje e dy bulevardëve pranë njëri tjetrit, përmes fakteve të historive paralele të tyre, e përbente konceptualisht qëndrimin kuratorial në këtë pjesë të documenta 14.

Çfare mendoni për pjesëmarrjen kaq të dukshme të artistëve shqiptarë në documenta 14?

Po është e vërtetë që Shqipëria dhe Kosova kanë një pjesëmarrje të gjërë në këtë aktivitet gjigant të artit ndërkombëtar që të ofron mundësinë të jesh pjesë e nje seleksionimi të kujdesshëm profesional, si dhe të jesh pjesë e mesazhit universal që kerkon të percjellë documenta 14.

Ajo që më len përshtypje në lidhje me pjesemarrjen tonë në documenta, përveç paraqitjes dinjitoze dhe vlerësimit që mori puna e jonë nga kritika dhe shtypi i huaj, dhe opinioneve të mira që degjuam ne ambientet e dokumenta 14 , është indiferenca  e mediave karshi kësaj ngjarjeje. Besoj se artikulli i juaj tani është i vetmi që po trajton dićka nga kjo ngjarje e madhe për artin e kulturën tonë.

Prania jonë në documenta 14 është vazhdimi i përpjekjeve për afirmimin e Shqipërise.

Kjo intervistë u zhvillua në gjuhën shqipe dhe u përkthye në gjuhën angleze.

Foto kryesore: Lorina Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO