Biseda | Kulturë

Edin Zubçeviq: “Fati i kulturës në Bosnjë dhe Hercegovinë është tragjik”.

Nga - 31.10.2017

Themeluesi i Festivalit të muzikës xhez në Sarajevë flet për kulturën në tranzicion, fashizmin dhe muzikën si gjuhë universale.

Edin Zubçeviq është themelues dhe drejtor kreativ i Jazz Fest Sarajevo, e së shpejti do të jetë drejtor kreativ i Ljubljana Jazz Festival. Në këto 20 vjet që prej themelimit të Jazz Fest, ky festival është shndërruar në një prej ngjarjeve më të vlerësuara muzikore në rajon, nikoqir i më shumë se 700 artistëve e qindra koncerteve.

Zubçeviq është gjithashtu njëri prej themeluesve të agjencisë Gramofon, e aty punon edhe si producent. Kjo agjenci nëpërmjet shtëpisë së saj diskografike ka lansuar albumet e disa prej artistëve më të njohur të periudhës së pasluftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, përfshirë këtu Dubioza Kolektiv, Adija Lukovac, Sikter, Amira Medunjanin, Damir Imamovic etj.

Karriera 20-vjeçare, gjatë së cilës e ndërtoi skenën muzikore dhe zhvilloi artistë të cilëve me gjasë nuk do t’u ishte dhënë kurrë mundësia nga kultura e rrjedhës së përgjithshme, e ka sjellur Zubçeviqin në një situatë në të cilën ai duhet të marrë vendime të rëndësishme të cilat sigurisht do të kenë pasoja të mëdha në kulturën e Bosnjës dhe Hercegovinës.

K2.0 foli me Zubçeviqin para edicionit 21 të Jazz Fest Sarajevo, i cili do të mbahet në kryeqytetin boshnjak nga 31 tetori deri më 5 nëntor. Edicioni i sivjetëm do të jetë i parafundit, meqë Jazz Fest Sarajevo nuk do të ekzistojë më në vitin 2019.

K2.0: Sivjet do të mbahet edicioni i parafundit i Sarajevo Jazz Fest. Nëse ngazëllimi i domosdoshëm për ta realizuar këtë festival nuk është humbur edhe pas gati dy dekadave që kanë kaluar prej themelimit, për çfarë arsye keni marrë një vendim të tillë, pas 20 vite mundimesh të vazhdueshme?

Edin Zubçeviq: Unë nuk identifikohem me ngazëllimin dhe deluzionin e Don Kishtotit. Ne në Jazz Fest e promovojmë muzikën si gjuhë universale që nuk len variant për keqkuptim. Por ne po e bëjmë këtë në një kohë të keqkuptimit të përgjithshëm, dhe në një kohë kur, me sa duket, njerëzit nuk po e kuptojnë njëri-tjetrin sa i përket temës së konceptit të së mirës, ndonëse interesat e përbashkëta sa u përket të këqijave gjithmonë ekzistojnë.

Problemi themelor i së ardhmes së Jazz Fest-it është infrastruktura. Ne nuk kemi një vend ku mund t’i organizojmë programet e festivalit tonë. Arsyeja është e thjeshtë, por shpjegimi është i ndërlikuar. Pas luftës në Sarajevë nuk u hap asnjë hapësirë për koncerte, as nuk kishte objekte për çfarëdolloj muzike, ndërsa kishe një tsunami të muzikës turbo-folk dhe turbo-pop, dhe në përgjithësi një shije të dobët, të bazuar në emocione të gjalla dhe të pavlera. Kjo është industri e organizuar në mënyrë të përkryer.

Në anën tjetër, ta marrim si shembull një kuartet që e ka specialitet muzikën klasike, ose që e luan vetëm Bahun. Ata praktikisht nuk kanë vend për të performuar, e lëre më të marrin pjesë në turne. Edhe nëse ndodh një performancë për ndonjë arsye, gjasat janë të mëdha që koncerti të jetë pa pagesë, meqë është e qartë ata pak organizatorë nuk besojnë në atë që e përfaqësojnë, e kështu nuk kanë guxim ta kontrollojnë tregun për të parë se sa është i interesuar me të vërtetë publiku.

Foto: Imrana Kapetanovic.

Në 20 vitet e fundit praktikisht nuk kemi pasur mundësi të rezervojmë një sallë 10 muaj para ngjarjes, e të jemi të sigurtë që do ta kemi atë sallë për performanca. Ndonjëherë duhen disa javë, e ndonjëherë disa muaj për të marrë përgjigje nga disa prej institucioneve publike.

“Drejtorët” vazhdimisht zëvendësohen, dhe secili “drejtor” i ri sjell rregulla dhe synime të reja të menaxhimit. Normalisht secili/a drejtor/eshë është më i/e keq/e se paraardhësi/ja e tij/saj, dhe gjithmonë është dyfish më ambicioz/e. Ambicie të mëdha, pak njohuri dhe aspak përvojë – kjo është formulë katastrofale, por paradoksalisht nuk ndikon te institucionet, por te tjerët të cilët humbin kohë dhe para në këtë front.

Përveç çështjeve të infrastrukturës të cilat ndikojnë te të gjitha aspektet e festivalit – nga programi te produksioni, e kështu me radhë, meqë nëse nuk ke lloje të caktuara të hapësirave atëherë nuk mund të organizosh lloje të caktuara të koncerteve – një problem tjetër i madh është mungesa e politikave kulturore. Nuk ka politika kulturore, por ka politikë në kulturë.

Për shembull, religjioni dhe komunitetet religjioze të cilat, jo si ne, nuk paguajnë taksa, janë subvencionuar më rregullisht dhe në mënyrë më sistematike se organizatat në skenën e pavarur kulturore. Ato marrin fonde të cilat duhet të përdoren për qëllime kulturore. Religjioni si ideologji e përfaqëson thelbin e realitetit tonë kulturor, pra të politikës në kulturë.

Lajmërimi për mbarimin e Jazz Fest-it pas vitit 2018 është edhe formë e protestës kundër situatës në të cilën është aktualisht muzika dhe kultura muzikore e këtij vendi.

Sa ka kontribuar Jazz Fest-i në kuptimin e muzikës xhez si pjesë e rëndësishme e artit muzikor në Bosnjë gjatë dy dekadave të fundit?

Ne gjithmonë ishim shumë të interesuar për muzikë, e më pas i konsideronim stilet apo zhanret. Sigurisht kjo i huton krejtësisht “puritanët e xhezit”, të cilët e duan atë muzikë si arkeologjinë; e njejta vlen për gazetarët, të cilët dinë asgjë për gjithçka.

Fakti që më shumë se 600 koncerte u mbajtën në Sarajevë si pjesë e Jazz Fest-it thotë shumë për ne. Shumë muzikantë vendorë e kanë promovuar veten me shumë sukses në festival, dhe pjesa më e madhe e tyre sot kanë zhvilluar karriera të suksesshme ndërkombëtare.

Në një edicion të Festivalit ne prezantojmë më shumë muzikë se që prezantohet në këtë vend – jo vetëm në vitin e fundit – por ndoshta në gjithë historinë, kur marrim parasysh rëndësinë e muzikantëve të cilët rregullisht performojnë në festivalin tonë.

Ky festival ishte praktikisht e vetmja gjë që e kishim në këtë vend sa u përket shumë zhanreve muzikore, jo vetëm xhezit. Audienca jonë mund të ‘zbulonte’ jo vetëm muzikantë të jashtëzakonshëm, por edhe shumë zhanre të tjera muzikore.

Foto: Imrana Kapetanovic.

A është e domosdoshme të flasim për rëndësinë që e ka muzika dhe kultura në një shoqëri?

E tmerrshme është vetë kjo situatë në të cilën kjo lloj pyetje është legjitime. Fatkeqësisht, kjo pyetje është legjitime pikërisht për shkak se muzika dhe kultura as që diskutohen. Në fakt, diskutohen, por vetëm kalimthi.

Prandaj nuk kemi muzikë dhe prodhim të muzikës, si të gjallë ashtu edhe të inçizuar. Kemi mungesë të kulturës. Edhe shoqëritë primitive kanë muzikë dhe kulturë, e ndoshta prandaj nuk kanë probleme me identitet. Çështja e identitetit në Bosnjë është çështja kryesore.

Meqë jemi te kultura, si mund t’i shmangemi rrezikut të prezantimit të kulturës si elitiste, e në vend të kësaj ta prezantojmë atë si diçka elementare për çdo qytetar? Çfarë fati e pret kulturën në Bosnjë dhe Hercegovinë?

Fati i kulturës së Bosnjës dhe Hercegovinës është tragjik, ndërsa mungesa e madhe e kulturës është tregues serioz për shoqërinë si tërësi. Dallimi themelor ndërmjet kulturës dhe sportit, për shembull, është se kultura ndonjëherë prezantohet si elitiste, dhe sporti si diçka i arritshëm për të gjithë.

Ta marrim shembull xhezin dhe futbollin. Në xhez nuk ka asgjë elitiste – audienca nuk është elitiste, muzikantët nuk janë elitistë. Duhet të udhëtosh 24 orë për të performuar 60 minuta në fundin tjetër të botës… vështirë se i takon ndonjë elite.

Megjithatë, futbollistët, kryesisht 20-e-pak vjeç, janë milionerë. Ata janë tepër të pasur dhe kryesisht të paarsimuar, vrapojnë pas topit dhe të gjithë i adhurojnë dhe përjetojnë kriza mendore për shkak të tyre, për shkak se ata përfaqësojnë ‘diçka më të madhe’. I mbajnë duart te zemra kur këndohet himni, veshen me flamuj sikur të ishin perde – vetëm për shkak se e kemi shënuar një gol, të gjithë dalin rrugëve.

Megjithatë, askush nuk del rrugëve për shkak që ne jemi skllevër të politikanëve, për shkak se ne punojmë në mënyrë që ata të kenë një vend pune pa përgjegjësi e obligime. Ne i ushqejmë legjionet e politikanëve, parazitët, dhe është sikur ne të gjithë ekzistojmë për hir të tyre, ndërsa duhet të jetë e kundërta – por s’është.

E qartë është se shumë njerëz të cilët punojnë në sektorin e kulturës e përmendin mbështetjen gjithnjë më të paktë nga organet përgjegjëse dhe kushtet gjithnjë më të dobëta për vazhdimësinë e punës së tyre. Reagimet ndaj mbylljes së Jazz Fest-it kanë qenë të shumta – megjithatë, ju thoni se “njerëzit e zemërthyer dhe ‘pikëllimi’ janë tregime boshe`”. A po shprehet aktivizmi ynë vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale dhe shprehjeve publike të vajtimit?

Ndoshta komentet janë të shumta, por ka mungesë të reagimeve të sinqerta – politikanët nuk kanë fare interesim për këtë, qytetarëve nuk ua ndien për mungesën e furnizimit me ujë dhe për faktin se nuk po funksionon sistemi i ngrohjes të cilin e paguajnë – atëherë vetëm një budalla pret që ata të preken nga fakti se festivali më i vjetër i muzikës në këtë vend do të mbyllet; ky është gjithashtu një prej festivaleve dhe ngjarjeve më të respektuara ndërkombëtarisht në vendin tonë.

Sepse gjithçka në këtë vend është falso dhe asgjë nuk është ashtu siç prezantohet. Ndërsa vet punëtorët e kulturës - dhe këtu nuk po e përfshij vetën dhe kolegët e mi nga Jazz Fest - e kanë përulur rolin e tyre dhe statusin e kulturës, sigurisht për hir të interesave personal.

Ka edhe njerëz të cilët kanë interesim pak a shumë, ose që nuk besojnë se do ta bëjmë këtë që e kemi thënë, ose mendojnë se do ta ‘ndërrojmë mendjen’ – e kjo nuk është befasuese, sepse gjithçka në këtë vend është falso dhe asgjë nuk është ashtu siç prezantohet. Ndërsa vetë punëtorët e kulturës – dhe këtu nuk po e përfshij veten dhe kolegët e mi nga Jazz Fest – e kanë përulur rolin e tyre dhe statusin e kulturës, sigurisht për hir të interesave personale.

Mund t’i numëroj në gishta reagimet të cilat janë vërtetuar me qëndrime. Gjithçka sillet rreth deklaratës së parëndësishme dhe të mërzitshme për gjendjen aktuale; në mënyrë krejtësisht pasive, dhe kryesisht pa interesim.

Por ende më duket e pabesueshme që gjithçka në shoqërinë tonë pranohet si fat. Në të njëjtën kohë, ndonëse me mospërfillje i pranojmë si të pashmangshme gjërat e këqija që na ndodhin, shoqëria nuk është e gatshme ta ruajë atë që është e mirë, dhe në fund kemi më shumë gjëra të këqija se të mira në vendin tonë. Kur ta kuptojmë çfarë ka ardhur e çfarë ka shkuar, do të jetë tepër vonë.

Kur e kemi këtë parasysh, si mund t’i bëjmë njerëzit të veprojnë në mënyrë proaktive në komunitetin e tyre, dhe ta kërkojnë atë që u përket?

Derisa t’u pengojë diçka shumë, njerëzit nuk veprojnë. Me sa duket politikat nacionaliste e kanë një të ardhme të tërë para vetës, ndërsa errësira jonë është e pafund.

Foto: Imrana Kapetanovic.

Pse keni zgjedhur ta pranoni pozitën e drejtorit artistik të Jazz Fest Ljubljana?

Është nder i madh dhe sfidë shumë e mirë profesionale. Në Europë ka drejtorë të mrekullueshëm të artit, dhe Ljubljana mund ta kishte marrë këdo tjetër, por ja ku jemi, më zgjodhën mua, e edhe unë e zgjodha Ljubljanën.

Kjo është mundësi që unë ta kryej punën time në një situatë me rrethana normale profesionale. I pranoj me gjithë zemër të gjitha sfidat e së ardhmes sepse jam pjesë e një ekipi të mrekullueshëm. Në Cankar Center – qendra më e madhe dhe më e rëndësishme kulturore e kongresit në ish-Jugosllavi – janë më shumë se 140 punëtorë, gjashtë salla me pajisje të shkëlqyeshme, dhe zhvillohen mbi 2,000 programe.

Ljubljana sigurisht ka përfituar shumë nga ky bashkëpunim ndërmjet teje dhe Jazz Fest Ljubljana – a do të thotë kjo se Sarajeva ka humbur?

Sarajeva gjithmonë ka përparësi për mua, njëlloj si unë që gjithmonë jam në humbje kur jam me Sarajevën. Luftova për lirinë e këtij qyteti, bashkë me ata që janë më të mirë se unë – si student i hollë i filozofisë – dhe të gjithë familjarët e mi, edhe pse nuk ishim të detyruar. Kemi mundur të dalim me ndonjë parullë: ‘lërini të gjithë ta bëjnë atë që janë të aftë ta bëjnë’ – por unë nuk dija asgjë më mirë se të luftoja në luftë.

E kalova luftën në një rreze disa kilometërshe rreth rrugës sime. Kjo tregon shumë për natyrën e luftës në të cilën morëm pjesë. Luftuam për liri, por e fituam një armëpushim të mjerë, të padrejtë dhe pa perspektivë.

Nuk besoj se dikush ka luftuar për atë që e kemi tani, së bashku apo ndaras. Por luftuam për të, secila ushtri për vete, vetëm e vetëm që në fund ‘djemtë tanë’ të na hypin mbi qafë – ‘djemtë e tyre’ ishin armiq në luftë, ndërsa sot vetëm ‘djemtë tanë’ janë armiq në periudhën e armëpushimit. Kjo ndodh në dashuri pa lumturi.

Asnjëherë nuk do të heq dorë nga Sarajeva dhe Bosnja, sepse nuk mundem dhe nuk do ta bëj këtë. Dua që Sarajeva dhe Bosnja të mos heqin dorë nga vetja. Sarajeva dhe Bosnja gjithmonë do të kenë përparësi, të paktën në rastin tim. Shpresoj se do të gjejmë mënyrë për të mbijetuar si fitues, dhe jo si dikush i cili mbijetoi dhe e shpëtoi qafën e vet.

Për fund, dua ta shtroj një pyetje që tingëllon si pesimiste – a ka shpresë për shoqërinë tonë dhe rajonin në përgjithësi?

Nuk ka shpresë, dhe nuk ka as bazë për optimizëm, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të luftojmë apo se duhet të dorëzohemi nga lufta për ta përmirësuar shoqërinë. Problem dhe tragjedi është fakti se më nuk jemi të sigurtë se nocionet e së mirës së përgjithshme janë shumë të mira për shumicën, sepse kjo shumicë teorike u jep bazë politikave nacionaliste për të përcaktuar jo vetëm të mirën dhe të keqen, por edhe për ta përcaktuar përsëri identitetin në të gjitha mënyrat që i kanë në dispozicion.

Kohë pas kohe na tregojnë në stilin e Orwell-it se çka dhe kush jemi, kush janë miqtë dhe armiqtë tanë, e pastaj e nisin nga fillimi. Kjo ndodh sa herë të vijë koha e zgjedhjeve, ose sa herë të shprehet ndonjë nevojë tjetër.

Foto: Imrana Kapetanovic.

E qartë është se ekonomia dhe siguria shoqërore, e të mos flasim për drejtësinë, nuk janë pjesë e çështjeve kombëtare, nëse e gjykojmë në bazë të praktikës së politikanëve. Për shembull, religjioni është mjet themelor i politikës. Religjioni mbeti si ideologji – njerëzit të cilët ishin komisarë politikë para pesëdhjetë vjetësh sot janë liderë religjiozë të cilët ndikojnë në mënyrë ‘diskrete’ te të gjitha sferat e jetës. Politika e gjeti mënyrën për ta ‘përfshirë Zotin’ si mbështetës të përjetshëm, dhe një ‘dëshmitar’ të pazëshëm për të treguar se janë në rrugën e drejtë dhe janë ata që duhet të jenë, sepse kanë frikë nga Zoti dhe populli, por gjithçka që bëjnë është kundër Zotit dhe popullit.

Ne jetojmë në një epokë shumë të errët, në një kohë kur viranët e fashizmit jo vetëm që ngriten nga varret, por janë të gjallë dhe të shëndoshë, e marshojnë në jetët, rrugët dhe shkollat tona. Sot në Bosnjë nuk ka forcë politike që do ta ndryshojë skenën politike, t’i zëvendësojë këta që janë në pushtet. Kjo u jep një ndjesi sigurie partive kombëtare që sundojnë mbi gjithçka dhe mbizotërojnë përherë. Si diktatorët që e humbin ndjesinë e realitetit kur rrethohen prej njerëzve të cilët ua bëjnë rrafsh dhe ua miratojnë secilën fjali, ashtu edhe katastrofa dhe shkatërrimi total mund të ndodhë ‘papritmas’ dhe shpejt, pra ndoshta një ditë qytetarët e Bosnjës do të detyrohen ta rrëzojnë këtë qeveri, sepse nuk ka parti politike që e bën këtë.

Nuk e di se a do të ndodhë kjo, dhe se a do të jetojmë për ta parë këtë. Në fund të fundit, nëse nuk jemi dorëzuar gjatë luftës, a duhet të dorëzohemi gjatë paqes?

Ndryshe nga qytetarët, Jazz Fest-i nuk e ka këtë dilemë. Nëse duhet të jemi nomadë përherë, pa kulm mbi kokë – atëherë do të bëhemi nomadë përherë me të vërtetë – asnjë qytet apo shtet nuk do të jetë shtëpia jonë… asnjë komb e asnjë ideologji nuk do të jetë e jona.K

Foto kryesore:  Imrana Kapetanovic.